E verteta te ben te Lire

Pas takimit të korrikut në ’82-n në Montreal, shumë të huaj që praktikisht ishin të rinj të partisë komuniste, ëndërronin se do të mund të vinin në tetor të atij viti në Tiranë me rastin e kongresit të rinisë. Meqenëse i njihja e u deshëm, M.E, sekretari i parë i rinisë më ngarkon që të jem dhe unë në grupin organizator të pritjes së tyre, filluar që nga mbëritja në Rinas. Më kujtohet që kisha veshur një fustan të kuq, të qepur fare thjeshtë dhe mbaja në duar një tufë me lule. Mbëritja e delegacioneve u filmua nga televizioni shqiptar. Kështu, “qëlloi” që më pa dhe Nexhmija, e cila urgjentisht më kap si gjithmonë më vete. Kishte një fytyrë tinzare, por i lexohej qartë xhelozia. Më thotë: “- Të pa Enveri në televizor. Tha që në asnjë mënyrë Liliana s’duhet të shoqërohet me të huajt!”. Realisht kjo gjë ishte e pamundur, që të më dallonte në mes të shumë njerëzve, prej shikimit të dobët. E habitur edhe më, se E. Hoxha më kish stimuluar 4 muaj më parë, që të isha vetja me të huajt në Kanada,

373

nuk e besova Nexhmijen, por u revoltova shumë me prapaskenat e saj. Filloi kongresi. Shokët e huaj më takonin me shumë admirim që nga njohja në Montreal. Por dikush iu kish thënë që kjo është nusja e djalit të E. Hoxhës. Miqtë e mi të huaj kishin mbetur të habitur, kishin shprehur kënaqësinë si dhe arsyen përse sipas tyre kisha kaq personalitet e sillesha në mënyrë origjinale. Më kujtohet që në kampingun afër Montrealit, dikush nga ata më pat pyetur: – Të gjitha vajzat shqiptare si ty janë? Se këtu të konsiderojnë më të emancipuarën. Ju përgjigja duke dashur ta besoj vërtet çka thosha: – Sigurisht. Por nuk është çështje vajzash, është çështje karakteri popullor! Le të kthehemi ku ishim, pra kur miqtë e huaj kishin thënë njëzëri tashmë me admirim prej mbiemrit: “- A, a, prandaj dallohet ajo!”. Nuk është qëllimi të flas për vlerësimet ndaj meje, por se duhet vënë në dukje që “shkëlqimi” në Kanada e kishte tërbuar Nexhmijen, ndaj unë duhet të futesha në atë lloj kafazi, që do ta bënte atë të ndjehej e qetë. Pikërisht në këtë atmosferë midis nesh, ndodhi që gjatë kongresit të kalojnë nëpër korridore të mbushura me të rinj shqiptarë të gjithë miqtë e mi në grup buzëqeshur për të më takuar, tek ju vija karshi. Kalova shpejt e shpejt pa iu hedhur sytë, ndryshe do të më duhej të ndaloja. Natyrisht që ata kanë mbetur të habitur ndoshta dhe të fyer pa besuar dot, që kjo “mendjemadhe” është Liliana që njohim. Nexhmija kishte një karakteristikë, që po ta kundërshtoje fort, përulej së paku për çastin, duke të shtuar më shumë jo vetëm neverinë por sidomos frikën për sa fytyra ka e çfarë mund të të bëjë për pasojë. Nuk di çfarë i foli “ndërgjegja” (spiunuar nga njëri prej “tanët”-ve ) Nexhmijes, por më pas në shtëpi më tha

374

gjënë edhe më pa kuptim pas “urdhrit të Enverit”: “- Unë të thashë kujdes, por jo të mos iu flasësh fare miqve të huaj!”. Nuk iu përgjigja strategjisë që s’meriton përgjigje. Pikërisht në këtë atmosferë vjen korriku i vitit ’83, kur kampingu ndërkombëtar antifashist do të organizohej në Danimarkë. Sekretari i parë i rinisë, M. E., për të cilin ruaj të njëjtin respekt kryesisht pse nuk ishte nga “tanët”, më zgjedh sërish pjesëmarrëse në delegacion. Unë u lumturova. Ia them Nexhmijes, kurse ajo shpejt e shpejt, për të mos i dhënë vetes kohë të transmetojë diçka nga maska befas e rrudhur tha: – T’i them Enverit ! Erdhi shumë shpejt me maskë të qëndrueshme dhe më tha prerë: Enveri thotë që nuk do të shkosh! E shoh në sy për aq pak kohë sa të linte mundësi, prej rrotullimit të syve gjetkë dhe i thashë: Do t’i them vetë babait! Në çast maska ra, ndëroi pllakën dhe fytyrën tashmë të murrëtyer. Me ngut dhe ankth i doli përpara të keqes: – Dale, dale, do t’i them unë që ti do të flasësh me të për këtë arsye! Shumë shpejt erdhi me maskën e buzëqeshur, sikur po më jepte me duart e saj ëndrrën time në duart e mia, duke thënë: – Enveri është dakord të shkosh! Të nesërmen, në Pogradec, si gjithmonë duke ecur për qafe në kopësht me babanë më tha: – E kuptoj shumë mirë pse të kanë zgjedhur përsëri, se ke punuar fort në Kanada. Kjo do të thotë që i ke bërë vendin vetes, meqenëse atje ishe ta themi ilegale, nuk të njihte njeri. Mirëpo, përderisa s’mundi të më ndalojë kush të shkoj në Danimarkë, së paku kësaj radhe s’duhej, por ama s’duhej të dilja përsëri e shkëlqyer. Dhe e dini se sa e thjeshtë është të mos dalësh e shkëlqyer? Jua them unë. Të bojkotojnë, të bëhen grupazh kundër të njëjtët persona që më ishin servilosur

375

sistematikisht edhe në Kanada, si Q.M. (deputet i PS-së). Pikërisht këta, gati nuk më njohin më, se do të dilte befas një “fuqi” konspirative më e madhe se mbiemri im. Kjo “fuqi” do t’i trulloste të tjerët, do t’i urdhëronte të largohen prej meje e t’i ngjiten asaj, prej presionit apo premtimeve që iu injekton, gjë që unë si person nuk mund t’jua ofroja megjithë mbiemrin tim. Kjo “fuqi”, e shfaqur papritur në mohim të ekzistencës time për arsye të panjohura atëherë për mua përfaqësohej nga K. Kokëdhima. E gjitha kjo kur orientimi bazë nga Shqipëria ishte të mos të ndahemi veç e veç me të huaj, por vetëm në grup dhe me përkthyes. Kështu, mbetesha pothuaj vetëm me vajzat, Sandrin e operatorin L.K, po të mos ishin të huajt që më afroheshin vetë. Kishte shumë të panjohura të pazbërthyeshme për atë kohë qëndrimi në Roskilde, një pllajë tejet e shtrirë në afërsi të Kopenhagenit. Delegacioni këtë radhë ishte në numër më të madh. Me kryetare Dese Jako, në atë kohë shoqja ime, ofruar nga vetë Nexhmija, që më, duhej për të vetmen arsye se më bënte të qeshja, çka për mua ishte shumë. Isha unë, Q.M. përkthyesi (njeriu i Nexhmijes e i Ramizit), Koço Kokëdhima që e njihnin për prepotent që në fakultet si sekretar i përgjithshëm i organizatës së rinisë së gjithë Fakultetit të Shkencave. Me sa kujtoj ishte edhe anëtar i PPSH-së, që student, pra, pa dalë në jetë. Për karakterin e tij të gjithë e urrenin, se nuk shoqërohej me studentët, por kalonte dhe orët e mësimit me hierarkun homolog të tij, me sekretarin e partisë së fakultetit Sh.B (ju kujtoj që i ndjeri ndoshta prej detyrimit ka qenë persekutori im). Gjithashtu, një gazetar i ri nga “Zëri i Popullit”

376

(nuk ia mbaj mend emrin), L.K operator i respektuar, Sandri një nga muzikantët e grupit të famshëm “Na bashkoi kënga popullore”, dhe dy vajza që përbënin bërthamën më pozitive e gazmore të delegacionit: këngëtaret Parashqevi Simaku e Tatjana Isai. U deshëm reciprokisht e kemi komunikuar edhe gjatë tranzicionit. Duhet thënë nga sa kuptova vite më vonë, që Nexhmija nuk kishte fuqi mbi danezët, siç kishte mbi kanadezët. Pra, së paku ajo nuk donte që unë të kisha lidhje personale me të rinjtë danezë. Nexhmija kishte lidhje shumë të ngushtë më Paulinën (gruan e Hardial Bensit, sek. i përgj. i PKML-së të Kanadasë) pa e ditur unë. Pra, Paulina ishte nga “tanët” prej kontigjentit të të huajve, por jo danezët. Nexhmija e kishte kuptuar që ata ishin të pavarur në idealin e tyre. Ndaj, donte vendosmërisht që unë të mos kisha lidhje me këta jashtë vendit edhe pse realisht më donin. Ndërkaq, Paulina filloi të vijë çdo vit për të kaluar pushimet në Shqipëri dhe praktikisht unë dhe Toli dhe fëmijët u bëmë miq familjarë me ta, të nxitur nga Nexhmija, pa kuptuar që sërish isha në dorën e saj. Me palën daneze Nexhmijes nuk i eci, e doemos që do të më pengonte mua të kisha lidhje të pavarura nga ajo si jashtë dhe brenda vendit e rrethuar katërcipërisht nga spiunët e saj. E papritura tjetër ishte se tashmë njihesha si Liliana Hoxha, pra s’isha më ilegale. Por, më kishin ngjitur mbrapa deri në kampingun e Roskildes një roje, punonjës i Sigurimit në ambasadën tonë në Suedi, që mbulonte dhe Danimarkën. Pjesëmarja e tij në grup, të përsëriturit e parullave gjatë aktiviteteve etj., etj, ishin përveçse qesharake, e të turpshme për mua, por edhe shumë fyese për palën daneze, si organizatore të

377

këtij kampi antifashist. Sepse ata do të më ruanin vetë më shumë tashmë, që e dinin kush isha. Kurse një oficer në funksionin e rojes vetëm për mua, ishte dhunim etiko-moralo politik e tingëllonte qartësisht mosbesim për palën daneze. Menjëherë mora në telefon ambasadorin në Suedi dhe i kërkova të tërhiqte urgjent rojen që më kishin vendosur mbrapa. M’u përgjigj që është urdhër nga Tirana. Personalisht Tolin nuk e merrja dot vetë se s’kishte lidhje automatike me Shqipërinë. Pas dy-tri ditësh më mori vetë ai si drejtor i Telekomit që ishte. I thashë t’i thotë babait të më heqin urgjentisht atë turp për mua dhe për Shqipërinë. Po të ishte që protokolli do ta donte të shoqërohesha me roje unë nuk do kisha fytyrë të merrja pjesë me roje, nga pas në dallim të gjithë rinisë së lirë ndërkombëtare. Çështja është se vendosja e rojes ishte jo vetëm e parregullt, e pakuptimtë, por edhe keqdashëse, si evidencë që poshtë E. Hoxhës dikush urdhëronte ndryshe. Rojen e larguan urgjentisht. Por unë nuk kisha më gravitetin tim, por as të Enver Hoxhës, por të prapaskenave që bëheshin pas tij, gjoja për ruajtjen time. Më preokuponte fakti që kjo gjë prezantonte keq vetë E. Hoxhën përveçse Shqipërinë. Ndonëse u mundova t’ua shpjegoja miqve danezë. Si një nga aktivitetet e kampit që më ka lënë mbresa të pashlyeshme, ishte vizita në varrezat e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore. Ishin ndërtuar në vendin ku nazistët ekzekutuan luftëtarët e rezistencës me varje. Në pllakën përkujtimore me arkitekturë fare të thjeshtë e solemne ku radhiteshin emrat e të rënëve, ishte mbishkruar :

378

Djem, djem jetën që dhatë E dhatë për Danimarkën Kur ajo ishte në errësirë Ju bëtë një mëngjes të kuq. Vendi ku ishin ngritur trikëmbëshat ishte lënë djerrë. Bari aty ishte i vjetër. Ishte bari mbi të cilin shkelën tokën për herë të fundit të rënët. Ishte bar-muze. Kështu vazhdonin aktivitetet midis delegacioneve nga e gjithë bota si dhe tonit, me program të hartuar me shumë vëmendje e dashuri. Por çalonte atmosfera brenda delegacionit. Dese Jako ishte e çarmatosur dhe tundtte vetëm çelësat e kryetarit. Kryetar tashmë ishte K. Kokëdhima. Q.M. (sot deputet i PS-së), ishte tjetërsuar e në funksion të K. K. Ky, nga ana tij, kishte sjelljen e një plaku të urtë, që të këshillon me dorën në qafë, por po nuk iu binde të nxirrte dhëmbët e ujkut. Kështu erdhi dita e mbrëmjes që i përkushtohej Shqipërisë, çka ishte e paharrueshme, pavarsisht evitimit tim në bërthamën politike të delegacionit. U veshëm të gjithë me kostume popullore. Unë zgjodha kostumin dardhar, prej elegancës së ojnave diskrete dhe shamisë në kokë. Kërcimit me Koçon iu dhashë shqiptarisht, pa pasur rëndësi partneri, që sidoqoftë dhe ai ishte shqiptar. Nga gëzimi i përfaqësimit të shqiptarizmit, buzëqeshja ime duhet të ketë qenë rrezatuese siç më thanë të huajt. Një ditë, të gjithë delegacionet e kampit dolën në Kopenhagen për t’u bashkuar me manifestimin e opozitës ndaj qeverisë. Vetëm delegacioni ynë qëndroi për turp në kamp. Unë kundërshtova me ngulm, por përgjigjja që vinte nga ambasadori ynë në Suedi

379

ishte: “Ne nuk punojmë me këto metoda”. Iu thoshja shokëve që si pjesëmarës në kamp jemi krejtësisht të pavarur nga qeveria jonë, përderisa aktiviteti ishte konform platformës së kampit ndërkombëtar. Askush nuk ma vuri veshin. Mua s’më mbante vendi për të shkuar edhe vetëm bashkë me të huajt. Një mbasdite më lajmërojnë se kërkohesha në telefon nga Tirana. Vajta me vrap, e sigurtë se ishte Toli, meqe aty në Roskilde të Danimarkës lidhja ishte më e lehtë. Euforike siç isha kap telefonin. Ngriva nga zëri në anën tjetër të linjës. Befasia ishte e lumturueshme. Ishte Enver Hoxha. Nuk ishte gjë e rrallë të flisja në telefon me të në linjë familjare, nga Parisi apo qoftë edhe brenda Shqipërisë kur s’ishim në të njëjtin qytet. Ndonëse unë nuk e kam ndarë dot kurrë Enverin – baba nga E. Hoxha – prijës, në ato momente ndjeva fort që lideri po më merrte gjatë kryerjes së detyrës sonë patriotike. Më pyeti si isha, si ishin shokët, si prezantohej delegacioni etj. Unë i përgjigjesha pozitivisht me një tis trishtimi që rritej nga përgjigja në përgjigje. Pikërisht për këtë më pyeti me insistim, nëse isha mirë apo çfarë? Në fund tha: “- Bëju të fala të gjithë shokëve! Të na nderoni! Suksese në detyrën tuaj fisnike!”. Largohem kokulur nga vagoni i trenit ku ndodhej administrata dhe i afrohem grupit, kryesisht protagonistëve të ashtuquajtur politikë. Si zakonisht këta mblidheshin dhe flisnin kokë më kokë çë-çë-çë me njëri-tjetrin. Desja, jo më s’kujtohej të më thërriste, por dukej qartë që ishte e detyruar të më mbante larg. Një natë para gjumit e pyeta pse ndodhte kjo. Nuk tha asgjë, por qau, sinqerisht apo me lot krokodili, s’mund ta them së paku për atë moment. E pra, atë mbasdite i afrohem grupit që dukej me

380

atmosferë më të çelur e sidomos më të hapur, ndoshta se rastësisht ndodhej edhe Sandri muzikanti, djalë shumë i mirë. Meqenëse e dinin që kisha folur me Tiranën, pra siç mendohej me Tolin, u afruan hipokrizisht të dialogojnë formalisht. Unë jua pres shkurt: “- Keni të fala nga E. Hoxha ! Por ju nuk e meritoni !”. Ika në çast me sytë me lot. Vetëm Sandri mbeti i ngrirë nga çka thashë. Çudia ishte se në mes tyre nuk u tha as atë çast, as një çast më vonë, e askurrë deri sot, ndonjë koment. Kuptova që kishte filluar era e re e Ramiz Alisë. Kuptova përse më bënin bojkot, pa u keqardhur për veten, por për ata që më ishin zvjerdhur si qenie njerëzore. Përveç shqetësimit si çekan në kokë: si do të jetë epoka e tij më e mirë apo më e keqe? Fakti që çdo gjë, filluar prej Nexhmijes bëhej me manipulim dhe intriga ishte ankthioz. Kampingu vazhdonte dy javë. Java e tretë ishte turizëm nëpër Danimarkë. Unë mbarova detyrën, pra të dy javët e kampingut dhe i kërkoj ndjesë palës daneze, që për arësye shëndetësore më duhet të largohesha. Ata u mërzitën, por unë s’mund të bëja turisten me atë klimë, sikur Kokëdhima të ishte vetë Ramiz Alia. Në Tiranë, takova babanë të merakosur shumë për shëndetin tim, nga që vija një javë më parë se të tjerët. – Jo, jo nga shëndeti, – i them. Nga klima përçarëse me grupazhe dhe atmosferë mbytëse në delegacion. Filloj t’i rrëfej pa marrë frymë, se ç’kisha përjetuar. Por nuk mund t’i thoshja dot atë çka e ndieja fort: “Ka filluar era kundër teje”. Këtë nuk e bëra. Nuk e bëja dot si të pakristalizuar qartë në veten time, e para tij duhet të isha absolutisht objektive. Nexhmija rrinte si fajkua me dejet e qafës të kontraktuar si litarë

381

e me duar të mbledhura e të shtrënguara fort me njëra-tjetrën. E. Hoxha pasi më dëgjoi me qetësi më tha: – Duhet të mësohesh me karaktere megalomanësh e delirantësh, se do t’i ndeshësh kudo. Në lidhje me manifestimin, përveçse kritikoi delegacionin, mua më tha: – Po pse nuk ike vetëm, kishe frikë? Unë nuk e desha veten. Më pas më tha: – Megjithatë më vjen shumë mirë që erdhe një javë më shpejt në folenë tonë vajza ime! Menjëherë sa u largova prej tij, Nexhmija më ndjek e tërbuar gjithmonë mbrapa meje që s’desha të ndalesha: – Pse s’m’i thoshje dot këto mua!? Pa u ndalur mendova që kishte të drejtë, se realisht ishte njëlloj, tek ajo menaxhonte gjithçka. Më shtrëngonte kotka në grykë. Edhe sot vuaj: pse s’i fola më hapur babait, pse s’i fola dhe për perceptimet e mia qofshin edhe të gabuara. Por ajo çka do të quhej “pasiguri”, “paranojë”, apo “përçartje” prej N. Hoxhës, do t’i mbushnin mendjen një burri aq të madh, por të lodhur fizikisht, me puls 50-55 që ia komandonin, gjoja për të mos i lodhur zemrën. Nga ana tjetër, po të kisha folur troç me të, do të më kishte vërtetuar dallimin e qëndrimeve të tij ndaj çdo padrejtësie popullore, krahasuar me ato të së shoqes dhe suksesorit. Por madhështia gërryhet tinëz nga të vegjëlit që gëlojnë sa më afër saj. Këtë injoroi E. Hoxha dhe për pasojë e hëngrën piraniat e brendshme, kur nuk e tundën dot të jashmit. Zëri i E. Hoxhës në Roskilde kishte rënë në veshët e atyre që nuk e donin. Ankthi im se çdo të bënte R. Alia pas vijës ndarëse ishte shumë i mprehtë. Nëse do të hapte Shqipërinë siç urdhëroi E. Hoxha që në ’82-n nëpërmjet Shtrausit, apo do të ndodhte e

382

kundërta. Sot, K. Kokëdhima, nuk pengon të shahet E. Hoxha, por ndalon të shahen pjesëtarët e familjes Xhuglini. Kjo i duhet atij, siç thashë vërtetuar që në vitin 1983, si një nga “tanët” për brezin e sotëm. Për brezat që sot lëvizin shumë shpejt, Kokëdhima do të zotërojë hapësirën që përcaktojnë: “tanët”, i “tanët”-ve, të “tanët”-ve. Kjo për të arritur majat e pushtetit. Kuptova që gjithçka kundrejt meje ishte e organizuar paraprakisht, që pa u nisur delegacioni, e jo vetëm për atëherë por përgjithmonë. Në vitet ‘90 unë e Sokoli jetonim në shtëpinë e prindërve të mi pranë Bllokut. Siç dihet, Nexhmija me të sajtë jetonin te pularia. Kam pasur kërkesa të shumta nga gazetarë të huaj të njohur e të panjohur, për intervista apo për prononcime të ndryshme. Me xhentilesë i largova të gjithë, përveç palës kanadeze e daneze që thjesht në linjë humane do të më ndihmonin siç iluzohesha unë, për integrimin e fëmijëve në Përëndim. Një ditë, më takon një djalë në rrugë, që më thotë se kishte shoqëruar si përkthyes gazetarë të huaj belgë, spanjollë etj., të cilët më kërkonin posaçërisht mua. Nga padijenia i kishin çuar te pularia. Del gruaja e Ilirit dhe ata i kishin thënë: “ – Duam të takojmë Lilianën”. Ajo ishte nxehur kaq shumë sa i kish thënë përkthyesit që thuaju: “Se unë jam Liliana”. Ata të habitur për nervozitetin e zonjës, të habitur akoma më shumë që merrte përsipër në mënyrë flagrante të ishte dikush tjetër, i përgjigjen: “Jo zonjë, Liliana është kjo këtu!”. Ata kishin një fotografi timen që nuk ia di burimin, ndoshta nga takimet ndërkombëtare.

383