E verteta te ben te Lire

.

Në konferencën e famshme me temë “Puna intelektuale si profesion” Max Weber, (filozof i shquar ekzistencialist gjerman) ka thënë: “Në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është “personalitet” vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij (kauzës së tij-shënimi im). Nuk mund të jetë “personalitet” ai që, si një tregtar nxjerr në skenë, së bashku me objektin të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij”. Sipas meje, ndryshe apo thjeshtë do ta shprehnim: cili është pikësynimi, kush vihet në plan të parë kauza apo fama personale? Në se fama është pasojë e kauzës, kjo do të thotë ta meritosh pa e kërkuar atë, pra fama të jetë rrjedhim, madje madje pse jo, për mendimin tim, mos të hyjë në sy aq sa fama madje të të bezdisë. Është mbresëlënës qëndrimi i Bernard Show-t për këtë: “Nobelit mund t’ia fal që shpiku dinamitin, por jo çmimin e tij”. Eshtë njëra anë dinamiti si armë e dëmtimit masiv, por këtë thënie të tij unë e shoh si kundërvënie ndaj ambicies për të lënë të

27

pavdekshëm emrin, edhe nëse ai përfaqëson stimulin moral e material të vlerësimit të talenteve në rrugën e përparimit njerëzor. Pra, ndodh që kemi paksa mungesë lirie. Prej egoizmit e vanitetit të “personaliteteve” intelektuale, nëse ata mbeten skllevër të famës së tyre vjen një dozë mungese e lirisë. Për mendimin tim, personalitetet intelektuale duhen vlerësuar në janë të tillë kur shihen me këndvështrimin e altruizmit apo të devotshmërisë absolute. Mendoj që altruizmi si forma më lartë e emancipimit shpirtëror shpreh lirinë sublime të individit në raport me të tjerët. Ky përkushtim ndaj të tjerëve që ka në thelb robërimin e vetvetes, është një keqbërje ndaj vetes për hir të së mirës së përgjithshme. Altruizmi nuk është nënshtrim ndaj tjetrit po një udhërrëfyes i superioritetit intelektual që pranon pa mëdyshje dhe me dinjitet përuljen ndaj tjetrit, kur ai është më nevojtar. Keqkuptohet altruizmi si dobësi nga vulgu apo nga ajo pjesë e elitës, skllave e vanitetit. Altruizmi s’ka të bëjë aspak me principin pacifist kristian: “po të dhanë një shpullë, ktheji faqen tjetër”. Përkundrazi, do kuptuar si injorim i heshtur dhe etik i meskinitetit të tjetrit, mospërfillje e tij prej dinjitetit personal “të personalitetit” e sigurisë në vetvete të tij. Shqipëria ka pasur autoritete të nivelit të Nobelit përveç Kadaresë, të tjerë si: Fishta, Koliqi, Konica, Kuteli, Noli, vëllezërit Frashëri, Çabej, Agolli, Mjeda, Migjeni, Çajupi etj. që i dhanë shumë kombit nëpërmjet veprës dhe emrit të tyre, por jo altruistë, – ndoshta përveç Migjenit, Mjedës, Çajupit, apo si Nënën Tereza që nuk mundi t’i qëndrojë pranë popullit të saj, por gjithsesi rrezatoi nga kudo që ndodhej, për të, si për të gjithë njerëzimin. Ishte “murgeshë”

28

Nënë Tereza? Jo, ishte personalitet elitar, intelektual i përbotshëm, jo vetëm me veprën e përditshme në shërbim të të mjerëve, por me filozofinë e thellë aplikative dhe asaj që la të shkruar nëpërmjet vargjeve e meditimit të saj. Por dhe Konica e Noli meritojnë nivelin e “personalitetit intelektual”, edhe pse blasfemojnë: “Që shqiptarit nuk i vjen e keqja nga të huajt, por i vjen nga vetë shqiptarët”. Madje, duket deri sakrileg ajo çka do marë thjesht si autoironi e identitetit etnik kur Konica stigmatizon: “Sa mirë që Zoti nuk është shqiptar.” Kështu, duhet theksuar se altruisti me përuljen e tij nuk është i dobët por hero, thënë ndryshe: guxon për t’u përulur, nuk ka frikë se keqkuptohet nga meskinët kur ndryshon statusin personal pra “të përulet”, për të ngritur statusin e përgjithshëm. S’ka më njerëzore se reaksioni ndaj padrejtësisë personale, sepse është heroizëm ngritja mbi personalen, për dhimbjen e tjetrit. Heroizëm është përulja ndaj dhimbjes së tjetrit dhe përkushtimi i energjive të tua në të drejtë të tij. Kështu, nuk mbetet asnjë ngarkesë emotive në raportet personale, ato hidhen pas, madje falen. Por s’mund e nuk duhet të falet thelbi i fenomenit tërësor, i të keqes së përgjithshme. Shembulli më i gjallë dhënë njëherë e përgjithmonë është Emil Zola, jo si emër apo profesion në vetvete, por për rolin e tij në të famshmen çështje “Drejfys”, çka determinoi në dallimin e “intelektualit” si qëllim në vetvete me “personalitetin intelektual”. Zola na jep mësimin historik se “personaliteti intelektual” apo grupimi “elita” si e tillë, nuk vlejnë as si relike për kombin po nuk u angazhuan konkretisht, moralisht e shpirtërisht ndaj fenomenit që vë në diskutim nëpërmjet

29

padrejtësisë ndaj dikujt, vetë nderin e kombit. Emil Zola, akuzën e padrejtë për spiunazh ndaj kapitenit hebre Drejfys (1875-1940), kohë kur në Francë sundonte fanatizmi antisemit, e kthen nga “procesi Drefys”, në kauzë kombëtare që përfshin gjithë Francën, duke ngritur në këmbë gjithë opinionin publik. Përkrahësit e Zolasë për pafajsinë e Drejfysit persekutohen. Vetë Zola, që godet gjithë institucionet shtetërore deri Presidentin e Republikës me pamfletin e famshëm: “J’accuse! “, dënohet me një vit burg e gjobë, por s’ndalet së rrezikuari deri në pafajsi zyrtare të Drejfysit. Eshtë pra Emil Zola që përpos veprës së tij si profesionist i lartë i kolanës të lavdishme personale të letërsisë klasike, institucionalizoi “angazhimin” si domosdoshmëri për të qënë “personazh intelektual”, çka do të thotë të jesh shoqërisht i angazhuar, që nuk mund të ndalesh nga asnjë rrezik për të akuzuar padrejtësitë sociale deri ato shtetërore. “Një ditë Franca do të më falenderojë, që i shpëtova nderin” – shkruan Zola. Në të vërtetë sot atë e falenderon gjithë bota. George Clemenceau, kryeministri i mëvonshëm, për të gjithë dijetarët e artistët që nënshkruan peticionin për rihapjen e “Procesit Drejfys”, stigmatizon njëherë e përgjithmonë: “Që vetëm angazhimi për shoqërinë do të përcaktojë këtej e tutje “intelektualin””. Çka është e qartë sot që për çdo intelektual të botës me kulturë universale nëpërmjet informatizimit global, që “personaliteti” i mirëfilltë dallohet nga përdoruesit e panumërt të mjeteve të informacionit pikërisht prej faktit në se vigjëlojnë të angazhuar për të tjerët, apo jetojnë me leverdinë e aftësive të tyre për interesa egoje profesionale. Këta pseudointelektualë nuk

30

janë kurrë esencialisht të lirë, por robër të vokacionit dhe interesave të ngushta profesionale. Liria e Sartrit shprehet thekshëm me tezën ekzistencialiste: “Je n’existe que comme engagé ” (angazhimi im është vetë ekzistenca ime-shënimi im). Në unison me të do të shtoja se angazhimi im është vetë liria ime. Sepse angazhimi i intelektualit në politikë sado erudit qoftë, bëhet për marrëdhënie interesi, apo besimi në programin e forcës politike (rasti më ideal). Ky qytetar i ditur, i angazhuar në një front politik nuk posedon vokacionin intelektual për pavarësi idesh, pra nuk mund të përfaqësojë “personalitetin intelektual” por atë partiak, pra të një kafazi, sado modern. Sepse, edhe në gjirin e doktrinës fetare që duket e sanksionuar njëherë e përgjithmonë, mund të gjesh “personalitete” me gradë lirie personale nëpërmjet ideve. Kështu Martin Luteri ekzistoi (jo thjesht jetoi) jashtë “kafazit” nëpërmjet veprës oratore e të shkruar për reformimin e autoritetit të klerit, kundër korrupsionit edhe pse mbi kokë i rrinte rreziku i inkuzicionit për ta gjykuar e dënuar si heretik. Po ashtu Martin Luter King apo Malkom X ekzistuan dhe ekzistojnë pas vdekjes prej veprës së tyre, duke u ngritur publikisht, fillimisht për të drejtat e njerëzve me ngjyrë e gradualisht pse jo, për të drejtat e gjithkujt, pra për të drejtat e njeriut pa dallim race, etnie, ngjyre e gjinie. S’mundi asnjë kafaz që të pengonte veprimtarinë e tyre e të tjerëve heronj që kanë ekzistuar e ekzistojnë nëpërmjet veprës e që kanë bërë vetë historinë e njerëzimit të ekzistojë. Kështu Mandela rrezatoi lirinë e tij e iu dha liri të mendjes bashkëkombësave për gjatë 25 vjetëve brenda burgut. Apo

31

madhështia e rezistencës pasive të Gandit në vetësakrifikim që myslimanët e hindutë të gjejnë gjuhën e paqes për të bashkëjetuar e bashkëvepruar, krahas synimit për pavarësi të Indisë. Në Shqipëri këtë tip angazhimi e gjejmë tek At Zef Pllumbi e Pjetër Arbnori, të vetmit politikanë me kulturë e shpirt demokratik që nuk reflektuan as edhe një herë revansh antikomunist. Është e hidhur të konstatosh që këtij shkrimtari politikan “i humbi vula” se paskësh qenë spiun për mbijetesë përgjatë 25 vjetëve në burg. Nuk e justifikoj, por dua të ngre çështjen përgjithësisht: cili ish i burgosur politik, madje dhe ish- bllokmenët që nga djemtë e M. Shehut, Lubonja e Ngjela nuk kanë qenë të detyruar për këtë?! Madje për ta nuk shtrohet akuza si antikomunistë, por për spiunë. Bëhet fjalë për agjentë të shërbimeve të huaja, KGB e UDB, të tillë mbetën në burg e pikërisht për këtë arsye atyre iu është dhënë e gatshme jeta e postburgimit apo postkomunizmit? Duke mos rënë kurrë në asnjë lloj kompromisi që të më ngushtojë hapësirat e lirisë time, nuk dua të tregoj superioritet, por vetëm gjërësi tolerance e kuptimin e duhur ndaj deformimit të njeriut prej dhunës. Kështu Bashkim Shehu “pranoi nën dhunë”, – siç thotë -, të pohojë konkretisht çka deshën persekutorët: për të atin, për t’ëmën, vëllezërit, për veten e tij, sidomos për gruan shumë të re me tre fëmijë që u internuan. Por ama sipas tij ai nuk pranoi të deponojë për Kadarenë. B. Shehu paska bërë heroizëm se nuk foli kundër Kadaresë?! Mos do të thotë fjala “folur”, që nuk e kanë shënuar persekutorët, apo që ata vetë nuk e pyetën qëllimisht për këtë çështje. Këto përralla le t’i përdorin si të duan, por e sigurtë është që Kadarenë e mbrojti E. Hoxha kur u

32

sulmua nga poshtë, nga ekstremizmi i majtë, thënë ndryshe, nga populli dhe mbrohet sistematikisht nga linjat e posaçme për vetë rolin e tij përgjatë e postkomunizmit. Unë vetë e kam kritikuar përsa i takon, po aq e kam mbrojtur e do ta mbroj përsa na takon. Një krahasim jo katërcipërisht i goditur për B. Shehun do të ishte konsiderata e Milan Kunderës ndaj Julius Fuçik: “Sa i pëlqen vetja këtij, – shkruan Kundera, – që nxjerr poezitë e tij nga burgu nëpërmjet letrave të paketave të cigareve për t’u botuar jashtë, duke vënë konkretisht në rrezik personelin e burgut dhe jo veten, se vetë s’kishte çfarë humbiste. Pra më trim është punonjësi që rrezikon veten se sa poeti “tejet revolucionar” në kushtet e privimit të lirisë. Poezitë e tij si antifashist i flaktë duheshin para burgimit”. Kështu, “heroizmi” i B. Shehut për të mbrojtur disidencën e I. Kadaresë, përveçse qesharak është fals.

33