E verteta te ben te Lire

Për Tatjanën

Sa familje janë shkatërruar ndoshta dhe pa e marrë vesh kurrë dhe aspak për ideal, por për pushtet të vetë pushtetit?! Ishte viti ‘94 ose ekzaktësisht tetori i atij viti. Ime motër kishte 2 javë që ishte ndarë nga jeta, kurse mua më duhej të dërgoja fëmijët në Danimarkë, për t’i hequr nga rreziku i revanshit antikomunist që rëndonte sidomos mbi vajzën. Pasi hipën fëmijët në avion në Shkup, u ndalëm me tim shoq për të pirë kafenë në Ohër diku në breg të liqenit, ku asfalti shkonte deri në buzë të tij. Nuk kisha qarë aq sa kisha nevojë për Tatin, prej problemeve të shumta, si në pamundësi para sime mëje apo para fëmijëve që kurajon e fitonin nga drita në sytë e mi. Në këto çaste, fizikisht larg problemeve, mbeta vetëm me nevojat e mia, siç kuptohet me dëshpërimin tim. Unë e Tati kishim

579

vetëm një vit diferencë, pra ishim “binjake”, të pandara nga njëratjetra deri sa ajo mbushi 18 vjeç, dua të them moshën madhore, kur im atë nuk donte ta mbante më në shtëpi, se ajo kish vendosur të martohej me nipin e armikut të popullit siç quheshin atëhere, madje ky shumë i madh në moshë. Këtë fakt im atë e kishte me dokument nga linjat përkatëse institucionale të Sigurimit të Shtetit. Në atë kohë kisha 3 vjet që njihesha me “princin tim të kaltër” dhe rrinim bashkë të tre me Tatin. Gjithë djemtë e Bllokun e synuan, si vajza më e bukur e Tiranës. E bardhë, e bardhë, me flokët të zinj, të zinj, me sytë të gjelbër, të gjelbër, por me pikëzime të errëta që populli i quan “sy të shkruar”. Sipas ndriçimit atmosferik, sytë e saj merrnin ngjyrën e shiut. Ishte aq e bukur, sa zëra kundër meje thoshin: “- Të paktën Sokoli të kish zgjedhur motrën e bukur!”. Ndërkaq unë nuk e kam mbajtur dhe as e kam ditur veten për të bukur, por ndjehesha shumë mirë me veten dhe mburresha me bukurinë e Tatit. Ndërsa të shtrenjtës sime motre, si çdo vajze tjetër i kishte rëndësi bukuria e saj. Prandaj, ishte e habitshme se siç thashë e synonin djemtë e Bllokut, por nuk e mori dot kush, se “pazari” ishte bërë në “kovaçanat” që rrihnin hekurin sa ishte i nxehtë. Tatin do ta merrte kunati i kushëririt të parë të Nexhmije Hoxhës. Pra, kushëriri i parë i N. Hoxhës, kishte për grua motrën e të shoqit të Tatit. Familjes sime gazmore iu ul koka. Tek ne nuk këndohej më, nuk qeshej më, nuk ftonim më miq, paçka se na shihnin me sy ziliqarë se unë isha e zgjedhura e Sokolit. Bindja që Tatin e kishin mashtruar dhe martesa e saj nuk ngjante rast dashurie ishte plagë e hapur për ne. Në dasmën farsë nga ana e të shoqit vajta vetëm unë. Nuk mund të pranoja që askush nga

580

familja jonë të mos i rrinte Tatit pranë në ato momente që duhet të ishin më të lumturat e saj e nëse nuk ishin të tilla, aq më tepër unë duhet të isha me të. Dridhesha e tëra se isha vetëm 19 vjeç e ndihesha si në folenë e nëpërkave, kurse Tati nuk ishte nuse prej vërteti, dukej si nuse karnavalesh, kaq keq e kishin sajuar. Në vend të më sensibilizonte siç kam gjithmonë ndjesinë e mallëngjimit deri në lot para dasmave, për Tatin më vinte kaq keq, sa desha t’ia shqyeja atë farë fustani a velloje me të cilin e kishin mbështjellë. Fataliteti që ndieja më kishte mbërthyer dhe fizikisht. Kështu, pranë Tatit ishte vetëm statuja ime, teksa ajo dukej e vetëkënaqur sikur të kish realizuar një qëllim ëndrre, po kurrsesi nuk dukej e lumtur për çastin. Në ato momente, më buçiste në vesh revolta e tim eti kur i thoshte Tatit dhe ne se i shoqi ndërkaq ishte edhe djali ilegal i Zogut. Ajo bënte të mosbesuarën, si dhe unë që kjo gjë më dukej surreale. Irritohesha nga këto “përralla” dhe nuk desha t’i dëgjoja më. Por s’mund të isha e qetë se asgjë në ngjizjen e kësaj martese nuk dukej normale. Im vëlla në dukje më realist mjaftohej vetëm me faktin që motrën tonë e kishin mashtruar. Vetëm kaq i duhej atij për të mos u bërë më kurrë me të shoqin e Tatit. Ndërsa ime më kishte vënë kujën ditë e natë, sepse ishte e qartë që ime motër nuk e deshi as edhe një orë të shoqin. Ndonëse edhe pse këtë të fundit e konsideroj viktimë të regjimit, nuk mund ta zhvesh nga faji në raport me time motër të cilës i mori të ritë e pafajësinë e saj. Megjithatë, më duhet ta respektoj si i ati i fëmijëve të Tatit, nipërve të mi që i dua shumë. Kështu, sipas logjikës së “përrallës” mua më kishte zgjedhur “princi i kuq” kurse Tati realizoi martesën në 1969-n me “princin blu”. Ime më më ishte lutur t’i flisja kohë

581

përpara Tatit se sipas saj ajo vetëm mua më dëgjonte (vërtet i kisha prishur një rast me një djalë të thjeshtë e të moshës së saj, për çka jam penduar se ndoshta fati i saj do të kish qenë ndryshe). Tashmë këtë nuk mund ta bëja dot. Do të ishte sikur shqetësohesha për fatin tim, edhe pse isha krejtësisht e ndërgjegjshme që historia e martesës së Tatit kish pasur pikërisht këtë qëllim, pa e kuptuar vetë ajo, pra Tati do të ishte e patundshme. Ndërkaq, në lidhje me veten, kisha një induktim providencial teksa thellë-thellë nuk isha e vendosur të mbyllesha në kullën e fildishtë të “princit të kuq”, sado që e desha atë më shumë se veten. Dhe pse isha shumë e re për të kuptuar, e ndieja se ka raste kur vetja nuk duhet të të ketë rëndësi. Kjo ndjenjë ishte më e fortë se unë dhe para Tatit nuk më kishte asnjë rëndësi realizimi zyrtar me Sokolin, se nuk kisha guxuar kurrë ta kisha ëndërr. Por jo më kot ekzistojnë forcat providenciale që duhet theksuar mirë se u përcollën nëpërmjet vullnetit të E. Hoxhës që unë të bëhesha nusja e djalit të tij, paçka se motra ime mund të ishte nusja e “djalit” të Zogut. Nuk duhet çuditur, në të kundërt merreni thjesht si “përrallë”. Pra, plani i “kovaçit” u prish, ndërsa në fushatën elektorale të partisë së Leka Zogut, vite më vonë, pas ’90-s, zgjidhen si kandidatë për deputet i shoqi i Tatit për Tiranën dhe i vëllai i tij për Shkodrën. Në vitet ‘90 Tati u gëzua me ardhjen e Leka Zogut dhe shprehimisht më tha që tashmë ishte ajo nuse e mbretit kurse unë nuse e humbësit. E çmeritur nuk ija vura veshin, meqenëse në vitet ‘90 askush nuk ishte në vete. Leka Zogu iku përsëri. Deziluzioni i Tatit ishte shkatërrues. Pikërisht në këtë kohë, ajo i vë vizë të fshehtës përvëluese të saj e vendos të shikojë përpara. I

582

vjen në ndihmë dashuria e vërtetë. Tatjana, motra ime, dashurohet me një italian, njeri fisnik. Kjo po, që ishte dashuri, siç do ishte dhe çlirimi i saj nga morsi i të kaluarës. Por, befas sëmuret në mënyrë të pakthyeshme. Do të më duhej të shkoja në Itali t’i transplantonim palcë nga imja. Më priste me padurim, e penduar për qëndrimin e saj siç më tha në telefon, më priste sidomos të më fliste hollësisht se çdo gjë që paskësh thënë babai ynë ishte e vërtetë. Më kërkoi të falur duke qarë me ngashërim, kur i premtova që do ta ndihmoj me palcën time. Kjo e preku shumë, ngaqë nuk kish qenë e sigurtë se mendonte që nuk e meritonte, si fajtore ndaj gjithë familjes e sidomos ndaj meje. Nuk i vajta dot në gjallje, për pamundësi vize në ato vite të vështira. Prisja të më nxirrte vizën i shoqi italian, kur do të më kërkonin mjekët, siç më tha ai i lumtur për gatishmërinë time. Tati “nuk mundi” ta arrijë kondicionin e duhur shëndetësor për këtë ringjallje e na iku përgjithmonë. Ishte vetëm 43 vjeç. Në vitin ’87, po kështu, krejt papritur, më kishte ikur im vëlla në moshën 44 vjeç, ndërkaq që s’ishim dakord me R. Alinë e N. Hoxhën e për këto kishim folur në hotelet “Dajti” e “Tirana”. Kështu më hoqën krahun tim të fortë, ushtarakun e lartë të asaj kohe në nivel gjenerali (gradat nuk ishin rivendosur akoma). Gjithçka që thashë më vinte para syve si film edhe pse e shkretuar fizikisht e sidomos moralisht. Kryesisht për çka vuanin ime më e im atë i sklerotizuar tashmë nga traumat. Të vuaja për motrën, vëllanë apo për prindërit, sidomos për t’i shoqëruar aty ku preheshin fëmijët e tyre?! Nuk duhet injoruar fakti që në të njëjtin vit me Tatin në ’94-n u sëmura edhe unë me një tumor në gjendrën parotite. “Kovaçët”

583

më sorollatën 3 vjet deri sa në ’97-n shkoj në Athinë të operohem. Këto tre vjet pa ditur as vetë në ç’gjendje isha, Nexhmija kish vënë tellallin që isha me kancer të gradës së fundit. Madje, ky fakt më detyroi të shkoj larg saj, në Athinë, ku pata fatin të shërohem. Arsyes pse të tre ne, dy motra e vëllai patëm sëmundje të tilla Nexhmija ju përgjigj: “Çernobili”. Duke përfytyruar çfarë ka hequr ime motër, iludimin, intrigat e presionet pafund që e transformuan krejt, me filxhanin e kafesë përpara qaja më shumë për jetën që pati. E sfilitur nga këto tallaze dhimbjeje befas dëgjoj këngën “Wonderfull live” hit i atij viti, me tone që shkonin mirë me gjendjen time shpirtërore. E pra, ishte ky moment kur i jepem instiktit e ngrihem të vallëzoj zbathur në buzë të liqenit të Ohrit, në asfaltin e ngrohtë se qëlloi të ishte ditë e nxehtë. Lëvizjet ishin origjinale dëshpërimi e në sinkron me muzikën. Gjendja shpirtërore ishte koreografia më e mirë. Në ato momente, nuk ekzistonte asgjë përveç muzikës dhe dëshpërimit tim, çuditërisht shprehur me vallëzim dhe lot. Ishte një çlirim i madh, ndonëse i trishtuar. Kur mbaroi muzika dhe unë mbeta statike, pati duartrokitje të nxehta dhe të përsëritura nga 4-5 klientë, të vetmit në atë kafene verore, sado që ishte vjeshtë. Nuk e di çfarë respektuan ata prej atij çasti tek unë, por padyshim dëshpërimin që nuk e konsumoja dot vetëm me fjalë, mendim apo lot. Aty ku s’më njihte njeri gjeta valvolën e derdhjes së tij që më shtrëngonte fort zemrën e më shtypte fizikisht. Valvola ishte vallëzimi prej dhimbjes.

584