E verteta te ben te Lire

Pasi delegacioni shqiptar i rinisë kthehet nga Roskilde, sektori i shtypit më ngarkon të shkruaj për atë eksperiencë të mrekullueshme. Artikulli me temë “Roskilde ‘83″ doli i gjatë. U pëlqye shumë prej kryeredaktorit të “ZP” ku do botohej. Duhej të dilte në dy numëra rresht të gazetës. Në rregull gjithçka. Kryeredaktori ishte shumë entuziast, e konsideronte artikull krejtësisht të veçantë nga çka shkruhej përditë, jo vetëm nga tematika, por sidomos nga stili. Doli numëri i parë me shumë sukses dhe urimet ishin pafund për cilësinë e të shkruajturit. Ma pëlqeu shumë dhe babai i Sokolit, i cili kishte lënë porosi që sa të vija nga puna, në drekë, të shkoja tek ai pikërisht për këtë. Nexhmija s’tha asnjë fjalë. Befas, atë mbasdite, më merr në telefon kryeredaktori dhe më thotë që me urdhër nga lart artikulli do ndërpritet, pra s’ka vijim. Nga puna i shkoj drejt e në zyrë. Më thotë për të më paradalë

384

me vendosmëri të tepruar: – Nuk e vazhdoj dot, madje po ta them hapur, më mori R. Alia në telefon dhe tha: “S’ka artikull vijues, gazeta do vetëm artikuj operativë !”. U nxeha dhe natyrisht i thoshja kryeredaktorit që për mua nuk ka rëndësi se çfarë ka thënë filani, as Zoti! Këtë gjë duhet të ma kishe thënë para se ta shkruaja, që të bëja një gjë konçize dhe kaq. Ndërsa ti ma dhe me pash lirinë të shkruaj për të kënaqur të tjerët, për t’u kënaqur dhe vetë. Ndaj ç’rregull apo ligj është ky që ti se njihje përpara? Me pamje prej “të forti”, pa asnjë argument përgjigjet: – Do ta ndërpresim! – Absolutisht jo! Ti siç e more përsipër, duhet t’i dalësh zot kësaj pune. Je ti që duhet ta shpëtosh artikullin. Është çështje principi që fjala të mos pritet në mes. Ky arbitraritet, qoftë edhe prej R. Alisë, është privim lirie deri në profesion, pasi ma kishe dhënë lejen që më takonte. Artikulli do të përfundojë medoemos, se këtu luhet me personalitetin tim. Këtë s’ia lejoj askujt, prandaj nëse është R. Alia që po më pengon, thuaja atij çka të thashë. Gati u zura me kryeredaktorin, por seç kisha gjithmonë idenë që gabimet i bëjmë vetë gjoja prej orientimeve, kështu isha e sigurt që kjo gjë duhej të zgjidhej prej tij meqenëse orientimi u fut befas si pykë në mes, pra befas na doli një pengesë zyrtare e cila duhej kapërcyer. Unë e kuptova shumë mirë nga se më vinte kjo këputje në mes, përtej asaj që tha kryeredaktori. Por aq më bënte. Çështja duhej mbrojtur parimisht, jo thjesht për një artikull, por si një problem në vetvete shumë i madh. Pra, as për vete, as për kryeredaktorin, as për R. Alinë, kur orientime arbitrare si t’i shkrepë në kokë dikujt cënojnë principin e

385

zhvillimit normal të çdo fenomeni social, të nisur mirë për t’u mbaruar mirë nuk i lejoja të ndodhnin. Kryeredaktori u ndje shumë keq pas reagimit tim. Nuk di ç’bëri, por më mori më vonë në punë dhe më tha hareshëm: Do ta vijojmë. Isha e sigurtë që ai ishte pozitiv në këtë çështje, siç isha e sigurt që duhet t’i dilte për zot çështjes përndryshe do të ishte njeri kot. Ndaj s’kisha nevojë t’i thoshja faleminderit veç: – Më vjen shumë mirë për ty! Në shtëpi, ditën e dytë të artikullit, vajta mbasdite të takoj si zakonisht babanë. Meqënëse të djeshmen më kish thirrur, çka ishte gjë e rrallë për të më uruar, kësaj radhe nuk prisja ndonjë koment, ndoshta ndoshta ndonjë ripohim vlerësimi shkurtazi për vijimin. Por doli krejt ndryshe. U ula karshi tij. Në krah të babait si gjithmonë rrinte Nexhmija, e cila kishte një heshtje më të thellë se e zakonshmja, si të kishte ngrënë ndonjë kritikë të fortë prej tij. Babai më pa me vërejtje dhe më tha: – Pra e botove dhe pjesën e dytë, hë? E befasuar që ai dinte gjithçka dhe absolutisht pa dashur të rrëfej ç’kishte ndodhur i përgjigjem në mënyrë diskrete sikur gjithçka të kishte shkuar normalisht: – Po! E pra E. Hoxha m’u përgjigj: – Të lumtë! Kështu për arsyetimin tim u mbyll rrethi. Çështja paskësh shkuar deri tek ai. Dialogu me Enverin më zbërtheu krejt situatën, ndërkaq që unë nuk i kisha thënë asgjë si gjithmonë. Pse kurrë, kurrë, kurrë nuk i jam ankuar apo të kërkoj ndihmën e tij për çdo gjë që më ndodhte. Gjithmonë rezistenca ime ka qenë në emër të së drejtës personale si qytetare dhe në linjën përkatëse zyrtare. Pra, rrethi i mbyllur i lëvizjeve që kishin ndodhur, më jepte mundësinë që po të

386

kthehesha mbrapsht nga pika e nisjes të kuptoja gjithçka që kish ndodhur. Pa komente e hamendësime, por krejt qartësisht nga ana ime kuptova që fillimisht R. Alia i nxitur nga Nexhmija ka urdhëruar kryeredaktorin për të ndërprerë artikullin tim. Kryeredaktori i ndjerë me shpatulla pas murit prej reagimit tim, por edhe se ishte njeri i drejtë e ka vënë në dijeni R. Alinë për revoltën dhe argumentat e mia. R. Alia mes dy zjarreve, Nexhmijes dhe mua e ka informuar atë. Kjo e fundit, si dogmatike, duke u mbështetur fort tek “orientimi” qoftë ky fals apo fiktiv i saposhpikur ka lënë të kuptohet se duke i thënë E. Hoxhës që unë arrij të thyej edhe orientimet e partisë, gjithçka do shkonte siç donte ajo. Enveri që kishte lexuar e pëlqyer gjysmën e parë të artikullit, sigurisht që e ka parë të udhës që shkrimi duhet të mbarojë, qoftë dhe me orientim të R. Alisë, sepse s’ka faj autori, cilido të jetë ai, për orientime të befasishme nga lart, që të lërë punën përgjysmë, sepse i ndërhyjnë krijuesit në krijimin e tij. Dëm ky në dhunim të autorit, por edhe dëm ndaj lexuesit të lajmëruar për vijimin e një shkrimi të pëlqyer në mënyrë të veçantë. Ndryshe “ZP” do të vetëdemaskohej si jo serioze. Kuptimi i dialogut me E.Hoxhën ishte: të lumtë që luftove deri në fund, që problemi erdhi deri tek unë. Ama ky rast është i tillë që ai mund ta ndiqte vetë duke ndjekur dy numra rresht të gazetës së përditshme. Nexhmija kishte hall medoemos ndërprerjen e tij gjoja për prishje orientimi të sekretarit të KQsë që mbulonte shtypin. Nëse do të mbetej pa vijim, E. Hoxha do ta pyeste atë për arsyen. Përgjigjja do të ishte që, se lejojnë rregullat e gazetës sipas orientimit të R.Alisë. Pra alibia e

387

Nexhmijes: Liliana shkel edhe rregullat e sekretarit të KQ të PPSH-së që mbulon shtypin, që ështe njëherësh dhe Presidenti i Republikës. Si gjithmonë është negativ ky qëndrim i N. Hoxhës në rolin e nyjes midis R. Alisë e E. Hoxhës. Ajo s’donte të më dëgjohej kund emri. Madje nga misioni ynë antifashist në Roskilde u prodhua dhe një film dokumentar televiziv me operator Lionel Konomin, që u pëlqye gjithashtu shumë nga rinia. Skenarin e shkruajta unë, por autorësinë nuk e vura. Nexhmija shumë e ndjeshme ndaj veprave të mia edhe të pashquara këto, më kap më vete se donte të sigurohej: “- Kush e kishte shkruar skenarin, se ishte i mirë”. Kompliment ky pa dëshmitarë. Me frikë për xhelozinë e saj patologjike iu përgjigja: “- Unë”. Nuk foli dhe sidomos nuk më tha pse nuk e kisha vënë autorësinë si e drejta ime elementare. Kam qeshur dhe ende më qeshet me Lionel Konomin që më thoshte: “ – Vure moj emrin, t’i marim ato lekë, e po nuk i deshe të mblidhemi e të pimë!”. Kërshëria e saj e sëmurë edhe kur unë vetëeleminohesha përsëritej njëlloj në çdo rast. Kështu, në një përvjetor të rëndësishëm të ATSHsë, dokumentari i rastit ishte shumë interesant, e shumëkush u njoh për herë të parë e hollësisht me ç’punë voluminoze e profesionalisht të ngritur përballej kolektivi përgjithësisht intelektual i agjensisë në 24 orë për 24. Sërish më vete Nexhmija më pyet: “- Skenari ishte i mirë, kush e kishte shkruar?”. Përsëri nën vrojtimin xheloz të saj, kokulur u përgjigjja: “- Unë”. Për të mos u larguar shumë nga tema, dua të vë në dukje siç u kuptua, që për çfarë mund të ndiqte vetë Enveri, asgjë në botë nuk i kalonte pa e zgjidhur me

388

autenticitetin që kërkonte rasti, larg dogmave. Për çfarë nuk ndiqte dot, izolimi ishte katastrofik. Mjafton të jap një shembull të vogël domethënës si një dhe një baraz me dy. Ishte viti ‘82 kur Valbona do fillonte shkollën. E kisha çuar dy-tri herë përpara për të blerë librat si dhe për t’u ambientuar me shkollën “11 Janari”. Çdo herë takonte drejtorin e shkollës, një burrë babaxhan që Valbona dhe gjithë fëmijët e tjerë që shihja aty e donin shumë dhe e thërrisnin xhaxhi drejtori, xhaxhi drejtori. Dy ditë përpara fillimit të vitit shkollor në vend të xhaxhi drejtorit ishte shfaqur drejtoresha e re, gruaja e Qirjako Mihalit, kandidat ky i Byrosë Politike. Fëmijët u trishtuan shumë për mikun e tyre drejtorin babaxhan. Atë ditë ishte e dielë dhe në drekë i them babait që nuk ishte e drejtë të largohej drejtori shumëvjeçar vetëm dy ditë para fillimit të vitit shkollor, se i duhej bërë nder gruas së byroistit. E. Hoxha u nxi dhe i flet Nexhmijes rreptë dhe i bën shenjë me kokë: “- Çohu!”. Nexhmija u ngrit nga tryeza dhe me thëmbrat anash vajti çuditërisht jo në telefonin e dhomës së bukës, por në atë të studios pranë, ku nuk mund ta dëgjonim. Menjëherë i thashë Valbonës se drejtori do të të kthehet sërish. Këtë ta premtoj se dha urdhër gjyshi! E çova vajzën që gëzonte me përparësen e zezë me jakë të bardhë të qëndisur e me tufën e luleve në dorë, tek lëshonte dritë. Por fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha, gruaja e Qiriako Mihalit me në krah Nexhmije Hoxhën. Një rrugë e dy punë: Valbona me Ermalin fillonin shkollën, kurse në krah të drejtoreshës jo vetëm thyente urdhrin e Enverit, por ushtronte pushtet e arrogancë ndaj pakënaqësive për transferimin e drejtorit të dashur edhe nga personeli arsimor. Përveç habisë së

389

Valbonës që nuk kuptonte dot pse mami nuk e mbajti premtimin, isha e çmeritur që Nexhmija kish gënjyer E. Hoxhën. Edhe pse ishte kështu, më i keq akoma ishte demonstrimi i triumfit të saj tek më shihte që nga ai farë podiumi me prepotencë, me nëntekstin se unë nuk mund t’i flisja për këtë E. Hoxhës. Vetëm në qoftë se desha ta shkatëroja atë. Ajo ishte e etur për të mashtruar Enverin, por ndërkaq përveç R. Alisë nuk donte njeri, edhe ata që i kishte zgjedhur vetë. Më ka bërë përshtypje një rast në 40 ditët pas vdekjes së E. Hoxhës. Nuk e di pse u ndodha dhe unë me Nexhmijen e ndonjë nga kunatat në një nga ballkonet e shtëpisë që sheh nga selia e KQsë. Tek rruga karshi po kalonin anëtarët e Byrosë të zgjedhur nga ajo e R. Alia, Byro e cila e shqetësonte shumë E. Hoxhën për nga niveli mediokër i saj. Dukeshim si korba të zinj, ne, gratë e familjes së Enverit, të ulura në karrige të mbështetura pas murit. Anëtarët e Byrosë që po kalonin me sa mbaj mend ishin Hekuran Isai, Hajredin Çeliku e ndoshta Pali Miska, të cilët dukeshin në siklet se s’dinin si të silleshin në një rast të tillë. Sidoqoftë na e bënë me dorë. Njerëzisht unë ngrita dorën, kur Nexhmija duke i parë përbindshëm më bërtet: “ – Ule moj dorën!”. Të tjerat që ja dinin që përpara mendimet e sjelljet e saj, apo normalisht prisnin gjithnjë të bënin çka do të thoshte ajo, nuk lëvizën. Më bëri shumë përshtypje sjellja e saj pa asnjë rëndësi e interes konkret ndaj tyre, por thjesht për t’ju treguar vendin si vartës. Kurse Nexhmija duhet të ruante ose “etikën mondane” si “mbretëreshë” apo etikën e autoritetit bizantin se ç’jeni ju para meje. Apo ndoshta mentalitetin e tmerrshëm që e

390

ka lënë popullin shqiptar në injorancë, sipas të cilit një grua e ve nuk mund t’ju përgjigjet përshëndetjes së burrave. Hajde mere vesh. Sidoqoftë sjellje apo mosjellje tepër vulgare për të, si një grua e krimbur përbrenda nga veset mendore. Ndaj, po t’i kthehem kënaqësisë së paturpshme që demonstronte në ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor, pikërisht se unë nuk veproja dot prej skrupujve të mi (se s’mund t’i thoshja Enverit që gruaja jote të gënjen), ky qëndrim i saj ishte i mbinatyrshëm. Sa mirë më njihte Nexhmija në disa aspekte të mirafirmuara nga unë! Në fakt sa mirë i njihte të gjithë ajo! Në mos nuk njihte askënd, do të njihte metodën për të frikësuar gjithkënd. Por Nexhmija nuk ka ditur, për pasojë nuk e ka pritur kurrë, se ç’është dhe ç’sjell potenciali njerëzor. Potenciali intelektual është jo vetëm i paparashikueshëm prej skemave të saj agjenturore, por është një uragan krahasuar me përgatitje sado të larta teknike, logjistike, apo edhe intelektuale, por tepër të cekëta. Se këtyre mund t’iu njihet frekuenca e amplituda. Kurse potencialit intelektual të vërtetë jo.

391