E verteta te ben te Lire

“Nuk mund të ndërtojmë një komunitet politik pa krijuar më parë një komunitet moral”

HEGEL

A jemi të vetëdijshëm për këtë? Duhet të bëhemi, se kjo fuqi okulte ushtruar nga jashtë komandon shqiptarët e gabuar. Të tillë gjenden kudo e kurdoherë.

Enver Hoxha ishte simbol i komunizmit në Shqipëri. Tendenca për të luftuar vetëm simbolin është karekteristike e kulturës së ulët, si rruga më e shkurtër e njohjes, nëpërmjet mënyrës metafizike e mediokritetit. Simboli përfaqëson realitetin, por kurrë s’mund të jetë vetë realiteti që përbëhet nga të vërteta të padukshme, të cilat determinojnë ato të dukshmet.

Montefiore thotë për komunistin që ideali vjen përpara familjes. Por, kjo s’do të thotë medoemos që familja duhet sakrifikuar në emër të idealit, por thjeshtë idealisti distancohet nga familja. Aq më tepër kur familja përgjithësisht është plastelinë e idealit prindëror. Pra, me këtë aksiomë, Montefiore nuk rrok dot dimensionin e krimit të padukshëm të Nexhmijes, për më tepër të askujt ideali veç pushtetit të vet për dje sot, mundësisht

209

edhe nesër, filluar nga viti 1944. Përse Nexhmija si person (përveç detyrës si agjente e UDB-së) do t’i bënte kaq keq E. Hoxhës e gjithë popullit shqiptar, kur realisht është prej tij në pushtet, thënë ndryshe gruaja e parë e vendit, çfarë kërkonte më shumë Nexhmije Hoxha përveç detyrës antishqiptare?! A mundet një njeri i ngarkuar me detyra konspirative, qoftë dhe i kontrolluar natë e ditë për kryerjen e kësaj detyre t’i bëjë paksa dredha fuqisë komanduse? Ta themi ndryshe, për përkushtim familjar të bëjë dopio rol?

Suift pohon që “njerëzit janë mirënjohës në të njëjtën masë me të cilën ushqejnë hakmarrjen”. Unë nuk mund të di si ka lëvizur ky raport në marrëdhëniet personale të tyre përgjatë 50 viteve, por di se hakmarrja e saj ishte e pamëshirshme ndaj çdo besniku të E. Hoxhës, deri te familjarët e tij. Ishte shumë më e fortë kjo e Nexhmijes ndaj gjithë shqiptarëve, se e Berias që e kishte burimin kryesisht në handikapin fizik. Nexhmija ishte përgjithmonë në kërkim të “skllevërve” duke i dhënë pushtet, sidomos duke i siguruar që do të ishin e ardhmja. Ajo ndërtoi fuqinë e pushtetit të saj personal, domethënë ushtrinë, që së bashku me Ramiz Alinë i quanin “tanët”, në diferencim me gjithë popullin ushtar që përbënte pushtetin e Enver Hoxhës.

Ky fenomen, është ndjerë nga unë që në vitin 1967-ë kur luftohesha nga çdo anë për asnjë arsye, vetëm të mos i afrohesha asaj. Ajo kish pikasur që isha nga ai brum që nuk skllavërohesha. Kish marrë të dhëna për familjen time e sidomos për mua vetë, që dallohesha si individualitet që në fillore. Dhe kështu rezultoi. Por, sa ishin e sa janë këta “tanët”? Kjo pyetje të çon te bashkëfajësia e popullit me shtypësit e vet. Sepse “tanët” e bën

210

më të egër diktaturën si mekanizëm fizik e shpirtëror të agjenturës. “Tanët” operojnë sot me opozitën e maxhorancën, për çka Katovica ala shqiptare ju dha kredencialet e përhershme në linjë nepotike e tribale. Kam thënë diku që Nexhmija ishte e trainuar fizikisht në goditje që iu përkisnin arteve marciale. Por kjo aftësi, vetvetiu nuk kishte teren të ushtrohej. Aftësia e saj më e madhe mbeti prodhimi i terrorit psiqik ndaj individit, kryesisht nëpërmjet frikës konfuze. Kjo, në mënyrat më fantazioze të mundshme.

Mjeshtëria e saj ishte të shtypte nëpërmjet këtij terrori familjet që nuk skllavëroheshin për çka i interesonin asaj, që t’i kishte në pëllëmbë të dorës e të bënte me to çfarë të donte, kur t’i duhej. Mjeshtre për të prodhuar me hir apo pahir tradhëti bashkëshortore nëpërmjet “tanët”-ve në këto familje, që pastaj t’i kish në dorë duke i gjunjëzuar në shërbim të saj. Nuk ka pasur skrupull për asgjë. Mjaft që të mos dihej që prapa aktit të gabuar deri kriminal që ndodhte midis këtyre familjeve, ishte vetë ajo.

Kreatore monstruoze e mizorive dhe krimeve gjoja në ruajtje të moralit, konservatore deri inkuizitore për të eleminuar njerëzit gjithmonë nëpërmjet “tanët”-ve. Ku përfshihen edhe segmente të ish-Sigurimit të Shtetit, përjashtuar njerëzit e ndershëm në shërbim të shtetit e besnikë të E. Hoxhës ndaj të cilëve Nexhmija hiqej si shënjtore. Të gjitha këto i bazoj në dëshmitë e shumë e shumë dramave që më janë rrëfyer si produkt i saj, deri edhe dramës time dhe të Sokolit për të na ndarë për arsye të tilla, duke punuar në të dy drejtimet. Ndaj nuk u ndjeva kurrë në “shtëpi” nën çatinë e saj, apo në rehatinë e sigurisë e privilegjit

211

që zyrtarisht më jepej. Më pas, duke luftuar për të vërtetat e padukshme nga shqiptarët, u shkëputa nga varësia prej dashurisë për të, pa rënë kurrë për pamundësi shpirtërore në urrejtje për të. U pozicionova veç në mbrojtje, pa kategorizma, pa shqetësime emocionale veç arsyetimit logjik. Arrita të kuptoja padrejtësitë që të kushtëzojnë jetën prej hierarkive formale që mbartin antivlera, deri edhe krimin në familje.

Prirjet e mia ndikonin aq fort mbi mua sa nuk i nënshtrohesha dot hierarkive. Jo vetëm që nuk i duroja, por fillova ta studioj hierarkinë si fenomen strukturor social, zyrtarisht edhe i domosdoshëm, por sidomos hierarkinë në familje, e në këtë rast bëhej fjalë për familjen e Enver Hoxhës, në raport me karakterin e individit që ushtronte hierarki brenda në familje. Meqenëse diktatura e proletariatit ishte demokraci popullore, E. Hoxha e gjithë populli, ishin kundër monarkisë. Pra, E.Hoxha, nuk nxiste hierararki, vetëm barazi sidomos në familje. Nuk ekzistonte për të hierarkia e djalit të madh kundrejt të tjerëve. Pra, nga buronte, kush e nxiste këtë hierarki kaq ngurtë brenda familjes?

Vetiu e sfidoja hierarkinë në vetvete kudo ta ndeshja, edhe atë zyrtare, por kur individi e meritonte atë atëhere do ta vlerësoja, nderoja, apo do ta veneroja si E. Hoxhën. Do të ishin të vetmet çaste për të ndjerë që kisha hasur në vlera sublime që rrallëherë ndodhin në jetë. E t’iu qëndrosh pranë, jo më t’iu përkasësh apo të të përkasin, ndjehesh fatlume. Kundrejt kundërshtisë së brendshme të Nexhmijes ndaj Enverit, ishte besoj kjo e fundit, çastet e mia divine, që e tërbonin përfindimisht atë. Vazhdojmë konkretisht rrëfimin. Problemi më i madh si

212

terror nga Nexhmija ndaj meje e familjes sime ishte në lidhje me time më. Ajo zgjidhej vit pas viti sekretare partie në Kombinatin Ushqimor, ashtu siç ishte zgjedhur edhe në Uzinën Enver kur unë nuk njihesha fare me Sokolin. Këtë gjë Nexhmija nuk e duronte dot. Çdo herë do të më urdhëronte: “- Vita të mos zgjidhet më sekretare partie!” E çuditur ia transmetoja mamit dhe të dyja përpiqeshim për ta kuptuar këtë fakt. E shkreta ime më, donte të tërhiqej, por kolektivi nuk e lejonte, se ishte shumë e dashur me punëtorët, zemërbardhë e i mbështeste ata në çdo rrethanë.

Kjo mbetet një çështje shumë interesante për t’u marrë në konsideratë, sepse E.Hoxha sapo merrte vesh që kishin ardhur tek unë prindërit e mi, do të vinte medoemos e do të bisedonin gjatë e gjerë për problemet e Kombinatit Ushqimor e për kujdesin ndaj punonjësve. Vizita këto jashtëzakonisht të veçanta, si të vetmet kur Nexhmija nuk e shoqëronte E.Hoxhën. Jo vetëm se ndryshe nga ai i përbuzte ata krahasuar me krushqitë e tjera, por kryesisht se do të binte ndesh me urdhrat e saj krejtësisht të kundërta e të rreme, pas shpine të E.Hoxhës, me porositë që ai vetë u jepte mamasë e babait tim dhe ky instruktor partie. Siç e kuptoj sot, Nexhmija ka pasur frikë nga popullariteti i sime mëje e cila dilte më e fortë së “tanët” e saj në Kombinatin Ushqimor. Ndërkaq, E. Hoxha nuk shkonte kurrë të takonte prindërit e Teutës apo të afërmit e Klementit nëpër apartamentet e tyre.

Nexhmija përfiton nga stazhi im i partisë e besoj për të njëjtën arsye si për mamin, më thotë: “-Ti nuk do të kthehesh më në arsim!” Pasi nuk pranova të punoja si fizikane në laboratorin e

213

spitalit, siç këmbëngulte Juda, që të më kishte nën kontroll me porosi të Nexhmijes. E çuditshme por e vërtetë është se u detyrua të shkojë vetë në ndërmarrjen gjeofizike ku punonte një shoqe e Byrosë së Rinisë nga “tanët” e saj. Më kish përcaktuar vendin pranë saj, madje më sugjeroi që të rri me këtë shoqe, duke ma paraqitur të përzgjedhur prej saj.

Ndodhi që në laboratorin ku punoja, të sjellin një burim neutronik për matjen e rrezatimit të mostrave të tokës mbledhur në vende të ndryshme. Sipas mjekëve, kjo nuk ishte mirë për rrezatimin që mund të çoja pranë E.Hoxhës. Ika që andej dhe N.Hoxha më çoi nën “kujdesin” e Muharem Xhafës, dhëndërr i vetë Nexhmijes, në atë kohë sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë. (Njeriu që pasi u akuzua për manipulim nga kolegët e vet të KQ-së të Rinisë, merret nga Nexhmija e Ramizi për “ta shpëtuar” në sektorin e edukimit të KQ-së të PPSH-së, pra ngrihet në detyrë.

Në Kongresin e 10-të kur PPSH transferohet brenda 24 orësh në PS duke hedhur poshtë E.Hoxhën, ishte Muharem Xhafa që bëri rezolutën e PPSH-së kundër tij. Pra, theksojmë, dhëndrri i N.Hoxhës hartoi rezolutën kundër E.Hoxhës. Sot, ky njeri është kryetari i PPSH-së së Rindërtuar që doli me foton e E.Hoxhës në 29 Nëntor 2013 dhe kryeministri Rama bëri sikur nuk e vë re. Tashmë, “tanët” e Nexhmijes që sabotuan E.Hoxhën përgjatë komunizmit, fshihen pas portretit të tij për të siguruar të varfërit t’ju shkojnë nga mbrapa për të ruajtur kolltukun e tyre). Vendi që më kishte caktuar përsëri Nexhmija ishte si redaktore e revistës prestigjioze “Shkenca dhe Jeta”. Prej burrit më të mençur, më serioz, më të drejtë e më të ndershëm të sektorit të shtypit në

214

KQ – Miti Tona, emërohem kryeredaktore e revistës, pavarësisht nga urdhri i Nexhmijes. Pa larguar kënd, sepse revista prej muajsh nuk kishte kryeredaktor. Gjithmonë e kam admiruar Miti Tonën që midis urdhrit të hekurt të Nexhmijes ai zgjodhi me hamendje çka do të dëshironte E. Hoxha.

Kështu, me maniera të tilla, vepronte Nexhmija në çdo rast që më ofrohej për ngritje në pozitë nga institucionet e ndryshme, si në Ministrinë e Arsimit, si sekretare e KQ-së të Rinisë, (natyrisht pasi ishte larguar Muharem Xhafa) etj. etj. Do t’i prishte pa më ardhur oferta zyrtare duke menduar që unë nuk dija gjë. Sepse unë vetë iu thoshja kuadrove që ma propozonin: “ – Çojani propozimin N. Hoxhës e jo mua!”

Veproja kështu gjithmonë kur nuk doja, por edhe eksperimentoja se si do të sillej ajo. S’bëhej e gjallë, teksa unë qeshja nën buzë. Këto ishin “trofe” të miat të themi, që unë “ia falja” asaj, sepse nga respekti për vlerësimin që më bënin, nuk mund t’iu përgjigjesha kuadrove drejtpërsëdrejti që nuk e pranoj. Ndërkaq, gjithkush e kuptoi që pengesa ishte ajo. Por fatlumja Nexhmije edhe më ka “bekuar” kur nuk pranoja propozimet e E.Hoxhës për të marrë pjesë në KQ apo deri në Sekretariat, pra sa më afër problemeve që duhej të prekte vetë ai.

E di që për këtë gjë e kam dëshpëruar E.Hoxhën, por s’mund të bëja hapa që qënia ime nuk i pranonte dot, si jo simbiotike me veten. Kështu afrohemi gradualisht aty ku unë mund ta gjeja veten, por Nexhmija kundërshtonte furishëm. Madje pas gjithë këtyre mundësirave më propozoi një gjetje “gjeniale”: Redaktore në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. – Pse jo? – Kryeredaktorin e ke shok! E shoh e habitur e i them: – Nga kryeredaktore e një

215

reviste prestigjoze do të më shohësh si një nga 7 redaktorët e tij? Edhe kjo, punë shumë e përkohshme? Nuk pati çfarë të thotë dhe iku duke turfulluar. Por duhet zbërthyer se çfarë përfaqësonte ky “shok”. Ishte dhëndërr prej mbesës së Hysni Kapos, por ishte gazmor dhe kënaqesha kur e takoja. Në ’89-n i ndodhi një fatkeqësi politike. I vëllai i gruas u arratis. Kjo gjë u pa me sy shumë të keq. Unë nuk e dija që i vetmi “shok” që më aprovonte Nexhmija ishte një nga “tanët”. Ndaj, një natë nga ora 20.00, më vjen në zyrë. Meqenëse ishte vonë, si antikonvencionale që jam, për ta ndihmuar medoemos politikisht, i them: “- Hajde shkojmë në shtëpi t’i bëjmë një surprizë Tolit”. Kështu hëngrëm një darkë të improvizuar në apartamentin tonë.

Në vitin ’90, personi në fjalë ishte i pari “shok” i imi që më provokon në mënyrë demonstrative. Isha me një shoqe, gazetare e PS-së. Ai na ndali. Filluan kokolat me shoqen sikur unë të isha e padukshme. Pres pak e pastaj i them: – Nuk më njeh?! Ndoshta një e mijta e ndërgjegjes iu drodh e më kapi për krahu, që e tërhoqa fort sikur më ishte djegur: – Mos më prek, palaço! Atëhere nuk e dija që isha përballur me një nga “tanët”, pikërisht “shoku” nën kontrollin e të cilit donte të më çonte Nexhmija.

Retrospektiva e shkurtër mbaroi. Vazhdojmë me një shpjegim më të gjatë.

Me kryeredaktorin e gazetës zyrtare ishim njohur në konferencat e shtypit e në biseda të lira. Ai ishte i bindur që i duhesha për zëvendëse të tij në gazetë. Unë isha ende në revistën “Shkenca dhe Jeta” punë e cila më mrekullonte, por ritmi i saj, tek dilte një herë në dy muaj i linte shteg lodhjes sime natyrale,

216

nga që më mungonte motivimi i domosdoshmërisë së përditshme. Atëherë jam përpjekur që revistën ta kthej në të përmuajshme, por pa sukses, se kostoja dilte e lartë. Ndaj, nevoja për të ndërruar ritmin e punës, për të mos e vuajtur kompleksin e të padobishmes, më joshte shumë, por kurrsesi në gazetë. Përderisa energjitë e mia si të kufizuara që ishin, nuk do të më mundësonin praninë që unë do doja aty, dhe doemos që nuk desha të mbetesha në pozitat e zv/kryeredaktores kukull. Por kryeredaktori ngulte këmbë aq, sa këtë çështje nëpërmjet rrjetit të “tanët”-ve e merr vesh N. Hoxha dhe e thërret në zyrë. Nuk e di saktësisht bisedën e tyre, ndonëse e marr me mend, duke ditur se si më ka penguar e se si tërbohej ajo për çdo mundësi të rritjes time në pozicion social.

“Diktatorët, në emër të imazhit, të kultit dhe qëllimit që duan të arrijnë shpikin vetveten si qenie jashtë asaj natyrales” (ndryshe nga ç’janë në të vërtetë, – shënimi im), – thekson Suift. Kështu, shoku im, deri atëherë Nexhmijen e kishte njohur si i gjithë populli, sipas përcaktimit të Suiftit. Në të vërtetë, nga takimi me të, ai ishte i traumatizuar përveçse i xhindosur e thellësisht i prekur nga mënyra si e kish trajtuar kjo SHOQE, që çdokush e njihte sikur sapo kish dalë nga kutia e dhuratave lidhur me kordele. Deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar njeri të guxonte të fliste keq për të dhe u tremba kur shoku im shpërtheu: “ – N. Hoxha është përbindësh dhe pikërisht se ajo të ndalon të vish në gazetë, ti duhet të vish patjetër!”

U tremba me të vërtetë për atë vetë, për guximin e tij. Me këtë shok unë ndaja shumë preokupime private pa arritur të përmendja Nexhmijen, duke menduar se ai do trembej, ndaj

217

përqëndrohesha vetëm tek Iliri me të shoqen, që i quaja vazhdimisht “ata” duke e parë të keqen e tyre te garancia që kishin nga suksesori.

Në atë kohë, suksesori i E. Hoxhës ishte Presidenti i RPSSHsë. Ndaj, përpos se u trondita që shoku im foli ekstremisht keq për Nexhmijen, ishte e pamundur t’i plotësoja dëshirën duke iu përgjigjur: “- Nuk është çështje inati. Po qe se do ta përballoja si punë do të kisha ardhur pavarësisht se çfarë thotë ajo. Unë dua të punoj, por ama të justifikoj cilësisht dhe plotësisht vendin tim të punës. Në gazetë këtë gjë nuk mund ta realizoj, edhe pse dua të më mbeten energji për fëmijët e tim shoq. Ajo më pengon edhe për të vajtur edhe në ATSH ku vendi i zëvendësdrejtorit ishte bosh. Por këtë do ia kërkoj babait!” Megjithëatë nuk më la ta takoja vetë. Jo tha ajo, siç desh ajo. Babai u gëzua dhe na tha para Nexhmijes që shtrëngonte dhëmbët: – E bën vajza, se është e mençur!

Kështu ndodhi që vajta në ATSH ku shkoja çdo mëngjes, e çdo mbasdite, kur qe nevoja edhe deri në darkë vonë. Por sidoqoftë ishte ritëm që e menaxhoja mirë si me punën, me shëndetin dhe familjen. Sepse ritmi i agjensisë, pavarësisht se aty punohej 24 orë për 24 orë çdo ditë, në funksionin që kisha unë ishte perfekt për të më plotësuar cilësisht në mënyrë perfekte. I keqardhur, kryeredaktori më kuptoi më së fundmi dhe miqësia jonë mbeti sa dhe në vazhdim unë i shprehja vazhdimisht frikën nga “ata”, domethënë Iliri me të shoqen, që në familjen e përçarë të E. Hoxhës ishin më agresivët e të paskrupujt ndaj meje, ndonëse edhe çifti tjetër s’mbetej mbrapa. Një ditë, unë e shoku im u ndodhëm në hollin e një aktiviteti zyrtar, diku pas nesh

218

ishte gruaja e Ilirit, mbesa e R. Alisë, Teuta. Shoku im, sa e pa, siç bënte gjithmonë humor, madje këtë radhë për të më ngacmuar posaçërisht për “ata” më tha pa e dëgjuar ajo: – Ç’është kjo gjë e bukur prapa teje?! Unë u shkriva në gaz e ja ktheva shakanë me të njëjtën monedhë, ndonëse nuk flisnim me njëra-tjetrën. Menjëherë i thashë asaj: – Ky shoku im thotë për ty: “ç’është kjo gjë e bukur”! Ajo në moshën përkatëse kishte mësuar të qe e padepërtueshme, për më tepër më njihte aq sa të kuptonte talljen time. Por ajo nuk njihte shokun tim. Ai u skuq, u nxeh me mua dhe shpërtheu: – Ç’më bëre, ç’më bëre, unë desha të të ngacmoja ty dhe s’kisha fare punë me të. Ajo me siguri do jetë fyer! – vazhdonte pa u qetësuar dot. Unë përveçse qeshja pambarim i thashë: – Vetë e kërkove, por mos u bëj merak, asaj i është bërë qejfi, ajo nuk është si unë e ti. Shoku im, të nesërmen, jo vetëm i befasuar, por kryesisht i poshtëruar, më mer në telefon dhe më thotë se ajo i kishte vajtur në zyrë dhe e kishte ftuar për kafe.

Ky është rasti më sinjifikativ, çka ja vlen ta tregosh, por e përgjithshmja është se ajo synonte të gjithë miqtë e mi. Ju kërkonte të dilnin për kafe papritur që këta t’i bënin komplimenta. Përveçse vepronte sipas shkallës së korrupsionit të vet, nëpërmjet kësaj rruge realizonte qëllime të tjera të paraprogramuara. Ishte koha që kisha marrë vesh që kudo që unë do të shkelja, në çdo zyrë jashtë ATSH, menjëherë pas meje do të shkonte ajo.

Shokët, përveçse habiteshin se nuk kishin njohje me të, nuk e justifikonin dot kotësinë e vizitës së saj kundrejt temës, argumenteve e problemeve që më lidhnin mua apo këdo tjetër

219

me ta. Kjo gjë ndodhte sistematikisht edhe në vizitat e mia nëpër familje të ndryshme, me të cilat ajo do të krijonte medoemos njohje sado të papërfillshme të ishin. Pa skrupull, menjëherë pas meje, do të shkonte dhe do të pyeste me hollësi ç’kisha bërë, ç’kisha thënë etj.

Faktet dhe dëshmitë konkrete i kam, por nuk dua të ndalem këtu në respekt të të njohurve të mi, por edhe se nuk do denjoja të ulem në planin meskin e banal të përndjekjes prej “moralistes”, të obseduarës maniakale. Sipas Niçes “Ce que le monde nomme vertu n’est d’ordinaire qu’un fantome formé par nos passions, à qui on donne un nom honnete pour faire impunément ce qu’on veut” (Ajo që bota quan virtyt, zakonisht është veçse fantazma e formuar nga pasionet tona, të cilës i japim një emër të ndershëm që ta përdorim si të duam). Pra, ky fraksion i çështjes, është më i papërfillshmi ndaj shqetësimit të vërtetë që çfarë fshihej pas veprimeve të saj. Për këto dhe bezdisje arrogance të saj të drejtpërdrejta ndaj meje, më ishte dashur të flas dhe me Nexhmijen.

Në mënyrë demonstrative ajo bënte sikur nuk dëgjonte, gjë çka më vonë do faktonte katërcipërisht ajo vetë, që ato funksiononin bashkë. Njëra “zonjësisht”, tjetra harbutërisht. Harbutëri që kishte domethënien e arrogancës të kësaj mjeraneje, që si e tillë përdorej (çuditërisht me kënaqësi të saj), për të ngjallur frikë te të tjerët, nga pushteti i SHOQES, që ngjante gjithmonë sikur dilte nga kutia rozë e dhuratave. Mund të ndalesh shumë në patologjinë e kësaj vegle ndërmjetëse, realisht e planifikuar si “trashëguese pushteti”. Por po mjaftohem sërish me Niçen: “Njerëzit mizorë si të prapambetur, kanë për ne domethënien e

220

nivelit të një kulture të hershme, prej së cilës kanë mbetur ata që janë”.

Sepse ndodhnin shumë enigma të komanduara. Për shembull: një dorë e padukshme e sektorit të protokollit të KQ-së për vendndodhjen e ftesave për të gjitha rastet zyrtare, kujdesej që Sokoli me mua të ishim disa radhë më mbrapa nga dy çiftet e tjera të N. Hoxhës, ulur këta doemos gjithmonë së bashku. Domethënia ishte e qëllimtë e demonstrative në publik, që këta të dy nuk i do Nexhmija, paçka se i do Enveri.

Siç dihet sot nga të gjithë, nomenklatura ishte e Nexhmijes pa e ditur kurrë E. Hoxha i izoluar prej shëndetit. Ne ishim mësuar me këtë fakt, por shija e hidhur s’na hiqte nga koka nëpërmjet presionit psiqik pyetjet: Kush i urdhëronte vendndodhjet tona? Pse në asnjë mënyrë ne edhe në aktivitetet publike nuk do ishim bashkë? Kush e detyronte zyrtarisht këtë përçarje që realisht luante rolin e propagandës qoftë edhe memece? Sepse “të bashkuarit” e familjes ishin “të mirët”, kurse djali i dytë me gruan ishin “të liqtë”.

Shoku im (vazhdoj ta quaj kështu, ndonëse me kohë i kam vënë pikpyetje të madhe) më kish kërkuar që nga viti 82 t’i siguroja një takim me E. Hoxhën, për të biseduar me të, siç më thoshte për R. Alinë. Për ta vënë në dijeni që ky i fundit punonte kundër tij. E kërkonte me kaq insistim këtë takim, pa më besuar, që nga ana ime ishte e pamundur, sa më detyron t’i konfidohem: – E ke të kotë, E. Hoxha ështe i sëmurë e nuk të lejon Nexhmija që ti të shkosh tek ai! E. Hoxha vdiq zyrtarisht në të gdhirë të 11 prill ‘85. Të nesërmen, gazeta zyrtare e radio televizioni shqiptar u mjaftuan vetëm me një nekrologji minimale e mediokre në

221

faqe të parë. Në faqet e tjera vazhdonin rubrikat me “kukulla” dhe emisionet gazmore në radio-televizion. Lidhem me të dy shokët përgjegjës dhe më thanë që urdhri ishte i R. Alisë. Shkoj menjëherë te N. Hoxha që hiqej sikur s’kish ndodhur asgjë, ndonëse e gjeta me gazetën mbi gjunjë. Të injoronin këta të dy E. Hoxhën, ditën e vdekjes së tij duhej të kishin urdhër nga drejtuesi i shtetit.

Kjo ishte çështja dhe tema e bisedës. Nexhmija u tremb atë çast prej meje por edhe prej popullit tek i thoja që është i revoltuar. Për një javë të tërë gazeta dhe radio-televizioni iu përkushtuan nderimit të E. Hoxhës. Fakti i gazetës së nesërme kishte domethënien e testimit në popull, i cili vërtet reagoi furishëm në mënyrë të njëkohshme me reagimin tim intuitiv. Ky fakt njëkohësisht dha sinjalin që duhej fasada e vazhdimësisë, por nëndheshëm për strategjinë e viteve ‘89-‘90 të N. Hoxhës dhe R. Alisë që urdhëruan: “Do të shajmë vetë E. Hoxhën (gjoja komunizmin)”.

Këtë e bënë për të shpëtuar veten e tyre, për të mbajtur pushtetin e pluRamizmit.

P.S. Fatkeqësisht, pas vitit 1990 e gjithë nomenklatura ndryshoi vendet si figura shahu. Këtë fat pati dhe kryeredaktori. Ai mohoi të ketë dashur të takojë E.Hoxhën për t’i ngritur problemet e tij kundër R.Alisë. Politika nepotike e “tanët”-ve ngriti në pozitë të lartë shtetërore gruan e tij, që në monizëm ishte një kimiste e thjeshtë. Unë e kam mirëkuptuar ish-shokun tim në të mirë të

222

tij. Në fund të fundit jemi po aty. Metamorfozë e tij në shtim të radhëve të “tanët”-ve prej frikës për të mbajtur pushtetin e Nexhmijes dhe R. Alisë, e jo vetëm të tyre, por të pushtetit gri – agjenturor që zgjerohet edhe ai prej frikës se mos humbet sundimin, sidomos mbi të majtën që pas Luftës së Dytë Botërore.

Them gjithmonë pushteti i vjetër dhe i ri i Nexhmijes dhe i Ramizit si pushtet antikombëtar dhe asnjëherë “pushteti i Enver Hoxhës” siç fokuson politika, media e konjuktura. Se Enver Hoxha e mbajti fort të bashkuar popullin shqiptar pa ndasi krahinore e fetare. Ai kurrë nuk do ta bënte qilizëm popullin shqiptar, siç e bëri agjentura, që një në tre ishte sigurims, e sot një në tre të jetë UDB-ist apo i Asfalisë.

223