Liliana Hoxha

“TANET”

FUQI OKULTE

Tiranë, 2014

2

Realizimi i kopertinës: SOKRAT XHAVARA

Foto në kopertinë: PETRIT KUMI

Copyright © Liliana Hoxha 2014

3

Dedikuar familjes sime prindërore dhe të humburëve të tjerë, apo me jetë të shkatërruar si ata

4

Në vend të parathënies

I dashur lexues, nuk do ta kisha imagjinuar se do të takoheshim kaq shpejt. Me sa duket, temat e mëdha nxjerrin dendur qoftë edhe pasqyrime pa pretendime si në rastin tim. Fakti është që nuk kam mundur të rri pa shkruar çdo ditë, si nevojë timen, por sidomos për ju. Nuk do t’i jepja dot atë rëndësi vetes që të botoj krijimet, narrativat apo refleksionet për të përmbushur dëshirat e mia. Grimcat e kujtimeve nga jeta ime, skicat, etj. kanë vetëm qëllimin që lexuesi nëpërmjet këtij botimi të ketë një ide të plotë për profilin tim personal. Një libër tjetër? Unë e shoh si një tjetër përmbledhje dëshmish që vijnë nga e kaluara dhe e tashmja trazueshëm, duke ecur rrugës apo duke ecur me kohën. Duke kujtuar të rëndësishmet e të parëndësishmet. Duke prekur detaje të çastit të thjeshtë apo të çastit vendimtar. Duke rrokur për aq sa mund tema të mëdha, por edhe fare të vogla. Se të voglat përbëjnë jetën, të mëdhatë i japin dimensione asaj. E duke përkundur mendjen midis dëshmive historike, akuzave madhore, kujtimeve të forta e atyre

5

nazike, eseve e skicave, për të kuptuar më mirë thelbin e kontradiktave në unitet të njerëzimit, po ju falem sërish. Pa asnjë pretendim për çka po ju ofroj, sepse do të jetë thjeshtësisht vetja ime, por po aq edhe juaja. Se dëshmitë e mia vijnë prej andej nga është urdhëruar shtypja e shqiptarit të thjeshtë. Gjithçka, e fortë apo e dobët, e bukur apo e shëmtuar, e kuptuar apo jo nga ju, në se më doni apo jo, gjithçka do të jetë unë dhe ju. Faktet dhe ngjarjet janë historia sjellë për vete dhe për ju. Duke shkruar këto radhë plotësoj me disa detaje (të cilat s’kanë fund) të gjitha akuzat e mia. Do të desha të kujtojmë bashkë fjalët e Stefan Cvajgut, këtij humanisti të madh i cili pat thënë: “Në qoftë se me anë të dëshmisë sonë i përcjellim brezit të ardhshëm qoftë edhe një pjesëz të vërtete si gjurmë të asaj ngrehine të shembur, besoj se nuk do të kemi bërë diçka fare të kotë”. Në jetën tonë patëm fatalitete. Pretenduam unitet dhe ndamë një popull të ndarë. Ku disa ishin “tanët” dhe këtu qëndron ironia, se të tjerët mbetën shqiptarë të përçarë e të cunguar nga këta. Kjo më shkakton shumë dhimbje dhe më bën të shkruaj. Më bën të zbërthej orientimet, strategjinë e taktikën e fuqisë okulte brenda shtetit komunist për t’u shpërbërë së brendshmi. Prej atyre që iu besonim. Prej atyre që na kishin premtuar barazi, ndonëse kjo do të ishte për shumicën e jo pakicën. Por, dhuna mbetet e tillë, edhe në qoftë se ushtrohet kundër vetëm një individi. Ndaj teoria e dhunës ndaj pakicës shërbeu për të persekutuar padrejtësisht e vrarë masivisht. Por sidomos shërbeu për t’u fshehur “teoricienët” e marksizëm-leninizmit pas saj. – Pse shkruan sot dhe jo kur ishe nën çatinë e Enverit?- pyet

6

ndokush. E konsiderojmë krejt të sinqertë këtë pyetje. Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Të kundërshtosh të keqen është njëra anë e reaksionit të individit, gjë që e kam kryer sistematikisht pa arritur ndoshta dhe padashur të kuptoj por sidomos të pranoj që kjo e keqe që njoha unë, ka qënë vatra e të keqes kombëtare. Por të shkruash është krejt tjetër. Sepse duhet të jesh plotësisht i ndriçuar për të marrë përsipër që t’iu zbërthesh shqiptarëve arsyen përse ata kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë. Këtë stad iluminimi e pata vonë. Sepse kisha kontradikta brenda vetes të dilja publikisht kundër familjes së Enver Hoxhës, e një kaste të tërë shqiptarësh për pasojë, pjesë e së cilës isha edhe vetë. Për shumë kohë kundërshtoja por megjithatë fusja kokën në rërë duke preferuar më mirë të vë pikëpyetje ndaj vetes sime. Kur s’pati më asnjë fije dyshimi, kur unë u binda tek e keqja e përbindshme, atëherë fajtorja do isha unë po të heshtja. Ishte pikërisht atëherë kur unë nuk mund të mos dilja ballëhapur para shqiptarëve për të denoncuar e për të akuzuar. Ata që do të vijnë do të jenë më të emancipuar se sa ne. Ata do të dijnë të gjejnë të vërtetën midis fjalëve që formulon brezi ynë bashkëkohës. Deri më sot askush nuk më ka kundërshtuar me fakte, madje as me argumenta, përveçse tendencave të revanshit nga individët pushtetarë apo mediatikë të “tanët”-ve. Se edhe midis nesh ka të iluminuar që mund të kishin dhënë më shumë. Opinioni publik duhet të jetë orientuesi për udhëheqjen që na përfaqëson. Ndjenjat e forta nuk spikasin përherë as tek individët, as te popujt, por për çastin që po ju jepem siç jam, ndjej tepër fort që e dua shumë popullin tim.

LILIANA HOXHA

7

Vijon…