E verteta te ben te Lire

Për Luan Dibrën

Kam patur fatin të njoh njerëzit më të shquar bashkëkohës. Disa prej tyre i kam pasur nga miqtë më të vyer. Sidoqoftë, bërthama më e ngushtë dhe e dashur për mua ishin akademikët Aleko Minga, Petrit Skënde e Mina Naqe, ish-pedagogu im shumë i dashur. Por, s’mbetej mbrapa i shtrenjti Luan Dibra. Praktikisht na lidhte redaksia e revistës “Shkenca dhe Jeta”, ku me vlerësimin më të madh për ta, kisha nderin t’i kisha bashkëpunëtorë. Por, kjo qe linja e njohjes. Arsyeja që na bashkonte shumë, duke u bërë 5, bashkë me mua. Ishte dashuria për njëri-tjetrin pa dallime, veç vlerësimit reciprok, ku më pak e vlefshmja isha unë, kurse më i vyeri ishte Leko (Aleko Minga). Nuk besoj të ketë patur gjëkundi tjetër veçse në romane, miqësi si ajo e jona,

539

e thelluar familjarisht, ku sundonte mbi të gjitha humori intelektual, përveç informacioneve më të reja në këtë lëmë, apo të trajtimit të ndonjë teme që hante diskutim përtej ideologjisë. Ishim të imunizuar prej saj, sepse bota jonë ishte ajo e shkencës, por teksa jo çdo gjë në botë ka karakter shkencor, por kryesisht jetik, kjo na hapte horizonte pafund dhënie- marrie opinionesh në këto fusha. Të bisedonim midis nesh me tema të improvizuara, por rreth çështjeve më kardinale të kohës, t’i rrihnim ato duke u hedhur degë më degë secili me intuitën e imagjinatën e vet, ishte sikur të zgjidhje rebyse. Nëse për atë mbasdite mbeteshin ende në ajër do të zgjidheshin herës tjetër kur do të takoheshim sërish. Apo s’ishin të pashëm miqtë e mi! Njëri më shumë se tjetri. Por dhe punonim fort. Këshilli i Bashkëpunëtorëve Shkencorë përbëhej nga 30 autoritete akademike. Secili kryespecialist në fushën e vet. Duhet thënë që një nga bashkëpunëtorët shkencorë ishte Sali Berisha, natyrisht për fushën e mjekësisë. Me këtë, dua të theksoj nivelin e lartë e shumë të përgjegjshëm të Këshillit Shkencor të revistës. E. Hoxha e pëlqente shumë revistën dhe çdo numër do ta diskutonim bashkë. Thashë më parë që ishte e vetmja revistë apolitike, por më vonë kjo mund të thuhet vetëm për 90% të saj. Nuk e di se si e solli rasti, për të ndenjur kokë më kokë me Mehmet Shehun (ndoshta në dasmën e Bashkimit, ku e di që më ka kushtuar kohë dhe vëmendje). Më tha që e vlerësonte revistën. M’u bë qejfi, se e njihja atë si metikuloz. Kjo kishte domethënien e saj, që revista ndonëse kishte karakter divulgativ, esencën shkencore e kishte të saktë. Por, më shumë u hidhërova, se pikërisht

540

M.Shehu më thotë: “- Por revista siç ka titullin përfshin dhe jetën dhe shkencën. Doktrina Marksiste-Leniniste është shkencë, madje nuk e di se sa e di ti, që ajo është shkencë ekzakte. Ndërsa jeta pa marksizëm – leninizmin, këtu te ne nuk zhvillohet. Kjo është një mangësi e theksuar, që duhet ta korrigjosh medoemos. Madje kryeartikulli duhet të jetë me këtë temë”. M.Shehu s’më la mundësi të shpjegohem, duke më prerë vazhdimisht fjalën (ndoshta nuk isha unë ajo që duhet ta dëgjonte e heshtur), por duke qenë edhe kategorik. “- Deri dje mungonte marksizëm – leninizmi në këtë revistë. Sot e tutje nuk duhet të mungojë!”. Përpos që kuptova që vëmendja e tij për revistën ishte rritur me praninë time në të, më vuri këmbët në një këpucë. Nuk ia thashë E. Hoxhës. Nuk më bëhej të ngrija kritika për krahun e tij më të fortë. E. Hoxha, kur pa numrin e parë pas urdhrit të M. Shehut, tashmë të politizuar me kryeartikull mbi socializmin shkencor, ngriti kokën nga artikulli e më pa i habitur: – Po kjo, pse?! – Kështu, kështu… !-më tha M. Shehu. Enveri nuk foli. Më kish dëgjuar me vëmendje pa e dhënë veten as me shprehjen e fytyrës. Unë kisha ruajtur më parë krahun e tij të fortë, tani ai e ruante dhe nga unë çfarë përfaqësonte M. Shehu për të dhe partinë. Interesante ishte se në Këshillin e Bashkëpunëtorëve Shkencorë ishte Petrit Skënde që kundërshtoi me insistim për të mos dalë asnjë numër i revistës me këtë deformim. Petriti theksoi: “- Të mos e politizojmë revistën. Jo thjesht si e vetmja apolitike, por kjo revistë ka qëllim specifik, shumë larg politikës. Ne duhet të trajtojmë sa më cilësisht të rejat e shkencës jashtë e brenda vendit. Ky është qëllimi i revistës!”. Më troç nuk fliste dot. Unë nuk i lashë shteg këtij

541

diskutimi. U përgjigja shumë prerë sado me shumë dhimbje. “- Është orientim nga lart!”. Çuditërisht, as aty në këshill e as Petritit më vete, të cilin e kisha nga miqtë më të vyer, nuk i thashë që ishte detyrim prej M. Shehut, ndërkaq që të gjithë e kishin marrë me mend që kjo vinte prej E. Hoxhës. Unë kisha mendësinë e qytetares së rregullt, ndaj dhe harroja me ç’sy më shikonin të tjerët. Nuk e kam konsideruar kurrë E. Hoxhën si mundësi më vete, pra personale. Ndaj, unë ndoqa “urdhrin shtetëror e partiak”. M. Shehu ishte kryeministër, por partia nuk ndahej nga shteti, shteti nuk ndahej nga partia. Ndërkaq, u ndjeva shumë krenare që Petriti e kundërshtoi këtë urdhër në Këshillin Shkencor, ndonëse shumë e keqardhur që duhej të nënshtroheshim. Për sa i takon Luanit, si ekzekutor apo ndjekës i kryeartikullit, kishte ulur kokën dhe e tundte me nëntekst që lexohej qartë. Ndaj, dua të përqëndrohem tek i shtrenjti Luan, sepse për të ka një histori të posaçme që lidhi miqësinë tonë deri në fund të jetës, ashtu si dhe me të tjerët njëlloj të pandashëm, ndonëse sot dy prej tyre ndodhen në pika të ndryshme të globit. Siç kam thënë, vajta drejtore, e revistës “Shkenca dhe Jeta” në vitin 1977. Redaksia përbëhej nga 4 persona simpatikë: Vasil Melo (që në ’90-n u bë kryetar i Partisë së të Drejtave të Njeriut), redaktor shumë i përgatitur që respektoheshim reciprokisht; nga Bujari që zëvendësohet shpejt nga Gëzimi, piktor i revistës dhe i dashuri Meksi Xhufka, fotografi i saj. Ndodhi që Vasil Melon e largojnë për biografinë. Më duhej urgjent një redaktor, meqë organika përmbante 2 redaktorë. Kisha dëgjuar shumë në redaksi për Luan Dibrën si ish-kryeredaktori më i suksseshëm i revistës, larguar

542

prej biografisë, e në çastin përkatës skenarist dokumentarësh në Kinostudio. Pa u dyzuar asnjë çast vendos ta rimarr në redaksi. Vete në Kinostudio, e takoj dhe i propozoj të vijë me kompleksin tim të shprehur qartë se a do të pranonte ai të vinte në atë redaksi ku kishte qenë kryeredaktor, nga e kishin hequr, për çka do të kishte pësuar dhimbje e poshtërim, në rastin konkret redaktor ai dhe unë kryeredaktore. Luani, që i kishte fjalët e pakta, por tejet të përpikta u përgjigj: “- Jam i lodhur, puna aty është më e ngjeshur dhe e përditshme sesa puna për një skenar dokumentari”. Në mënyrën më të padjallëzuar, vërtetësisht të ndjerë, madje duke besuar absolutisht te vetja i them: “- Të çlodh unë”! Ndonëse i befasuar, Luani s’pati ç’të thotë. Erdhi e gjithmonë më përsëriste këtë frazë unikale për të, jo thjesht në raport me të, por sipas tij unikale që një njeri të kishte vullnetin për të çlodhur tjetrin pa interes. Ky fakt ishte i hatashëm për të. Ndërsa aspak për mua. Unë e thashë se aty më çoi shtegu i muhabetit, por edhe mos ta thosha njëlloj do ta bëja pa e deklaruar. Sepse kjo isha unë. Sepse ishte kjo që bëja me E. Hoxhën. Ishte kjo që bëja me këdo njeri të rëndësishëm apo të parëndësishëm. Ishte kjo që bëja me qen, me mace, me zogj, me lepuj, deri dhe me drenushën time Keti që e ushqeja mbi dorën time, deri sa më lëpinte në mbarim të ushqimit. Ndaj, jam e lumtur që rasti solli t’i shprehem Luanit kështu, sepse kam bërë veten pa asnjë pretendim, vetëm bindje për veten ndaj përkushtimit për tjetrin. I dashuri Luan erdhi, dhe të punuarit me të ishte një çlodhje reciproke si njeriu më komod që njoh. Me grua Valin e mrekullueshme, me djalë të mençurin Alban,

543

artistin në kirurgjinë kardiake që donin ta mbanin në Gjermani, por erdhi për t’iu gjendur prindërve tashmë të moshuar, Luani ka rrezatuar për cilindo komfort shpirtëror. Ndaj, realisht respekti midis meje e Luanit në vitin ‘78 kur realisht ai ishte kryeredaktori im, përveçse redaktor i shkëlqyer, me informacion shkencor me gamë tejet të gjerë e kontemporan, ishte një realitet mbresëlënës. Jashtëzakonisht nostalgjike, kohët e fundit mar Valin në telefon dhe pyes për Luanin, se ai vetë është i rënduar nga shëndeti dhe nga mosha, duke qenë e sigurtë që përqafimet e mia do t’ia transmetojë e dashura Vali. Me këtë insistim kam punuar për të marrë redaktorin tjetër Skënder Shkupi – matematicien në Shkollën e Bashkuar Ushtarake. Mezi e lanë eprorët e tij, por edhe Skënder Shkupin e tërhoqa në zemër të KQ-së të Rinisë, organ i të cilit ishte revista, edhe pse siç ndodhte rëndom në kohën e luftës së klasave edhe ky kishte “difekte” në biografi. Skënderi erdhi vonë në redaksi, kur pak a shumë unë bëhesha gati të shkoja në ATSH. Nuk pata kohë të njihesha mirë më të, por e respektova për profesionalizmin e tij. Por, si Luan Dibra nuk bën kollaj një nënë. Lum ajo nënë që e ka lindur, lum Vali që e ka bashkëshort, lum Albani që e ka baba! Kështu, në punë e sipër, vendosa të shkoj vetë në minierën e Valiasit, gjithmonë e shoqëruar nga Luani. I heshtur, i bindur prej mençurisë, absolutisht jo prej nënshtrimit, kësaj radhe ai kundërshton: – Jo! Ju s’duhet të hyni brenda nëpër tunele. Mjafton të vizitoni sipërfaqen dhe uzinën e përpunimit të qymyrgurit (si inovacion i kohës). Natyrisht unë nuk u ndala. U veshëm si minatorët me çizme të mëdha dhe kapelen me ndriçuesin në ballë. Tek më kujtohej

544

Kronini me “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, shkrihesha gazit duke parë Luanin minator të preokupuar tej mase që më shihte mua minatore. Insistoi deri në fund: – Futemi vetëm unë e Meksi (edhe ai i veshur minator), ju rrini lart, ju lutem kemi përgjegjësi për ju! – Keni përgjegjësi për mua, por nëse ju gjen gjë jo vetëm juve por cilindo minator, le të më gjejë edhe mua. Fotot brenda në llavë, ku minatori gjysmë i shtrirë godiste shtresat e qymyrgurit janë mbresëlënëse. Deri sa u kthyem në redaksi s’pushoja së qeshuri nga fytyra e zbehtë e Luanit, pastaj iu ktheva: “- More mos ke pasur frikë për vete ti të zbrisje nëntokë dhe ma atribuoje mua?”. Luani, më fisniku njeri që njoh, veç tundte kokën me nëntekstin: “- Ç’na ka gjetur me ty!”. Kur dilnim nga puna, çdo ditë do të ecnim ngadalë se muhabetet tona qoftë edhe prej imagjinatës prej punës që dashuronim nuk mbaronin kurrë. Ndaj, do të ndaheshim vetëm kur unë të mbërrija në hyrje të Bllokut, për të notuar në atë oqean të qetë intelektualizmi të nesërmen. Nëse më erdhi keq që ika nga revista për në ATSH, ka qenë veç prej Luanit. E çuditshme ndërkaq që vetëm ai nuk më tha asnjëherë që të mos largohesha. Por s’kish nevojë, se ai e dinte që unë e dija. M. E., shefi im i madh më lutej që të mos largohesha, Leko po ashtu. Bashkëpunëtorë të tjerë po ashtu. Por unë kisha ndërruar vizion për të ardhmen dhe s’mund të mbetesha në vend. Në ’83-në shkoj në ATSH. Një ditë, duke shkuar në punë, në anë të Lanës, dëgjoj që më thërrisnin nga mbrapa së largu: “- Lili, Lili….” Kthej kokën e shoh Luanin. Fluturoj nga gëzimi

545

e i them nga shqetësimi mos ishte lodhur nga nxitimi. – Që kur ke që më ndjek? – Gjatë gjithë jetës, – tha Luani dhe filluam të qeshnim me të madhe prej humorit të tij të hollë. E gjitha kjo që shpalosa është veç mall për Luanin. Apo për kohën e tij në kujtimet e mia. E pse jo, më pas do të ndeshesha me problemet e panjohura për mua të presionit diktatorial në shtresën e thjeshtë. Siç duhet vënë në dukje që Luani nuk u bë dot kryeredaktor, sepse në çast u zëvendësua nga një tjetër bllokmen, djalin e Hekuran Isait. Por, shpejt do të vinte liria e shumëpritur që për ishnomenklaturën, e sidomos për ne të Enverit, do të shprehej me një revansh në dukje të papërmbajtshëm, por krejtësisht të kontrolluar nga suksesori dhe gruaja e E. Hoxhës. Gjithsesi, unë e Sokoli nuk e dinim programimin e fshehtë, por dhe realisht e ndjemë presionin më tepër se pjesa tjetër e familjes që “rinte” te xhaxhi Ramiz në atë kohë ende President i Republikës. Na u largua gjithkush, siç dhe na u ofrua gjithçka që të shiteshim. Kujtimet janë të trazuara edhe sot, pra duheshin vena të forta të ruaje ekuilibrin. Shumë njerëz të mirë kam njohur gjatë jetës, që kanë zenë vendin me historinë e tyre tek unë. Si Nazim Skuqi, ish-anëtar i Komitetit Qendror, me të urtën Bukurie. Nazimi ishte dhe mbetet aq i natyrshëm dhe i vërtetë në miqësinë tonë. Kujtoj se ai vinte gjatë diktaturës në shtëpinë tonë edhe në prani të Nexhmijes. Sa kjo me Ramiz Alinë pas ‘90-ës e kanë persekutuar familjarisht. Pas kthimit nga Kanadaja, përpiqesha të rrëmoja një tunel urithi për të dalë ku të mundja në media që të dëgjohesha nga opinioni publik. Fatmirësisht nuk ishte nevoja deri aty.

546

Ndjeshmëria si njeri e Fahri Balliut më ka prekur që në atë çast e sot e kësaj dite. S’më ka zhgënjyer asnjë moment në raport personal. Si shkrimtar, sa vjen e më i shquar, brenda e jashtë vendit, por objektivi i tij nuk mund të jetë problemi im. Jemi në demokraci apo jo?! E po nuk e kuptuam shumë mirë këtë unë e Fahriu, kush do ta kuptojë?! Por nuk mund të ketë miqësi të mirë dhe të vërtetë midis shokëve dhe shoqeve pa gratë e bashkëshortët e tyre. Në këtë rast roli i bashkëshorteve është vendimtar. Ato janë ndoshta më të plotësuara se burrat e tyre – shokët e mij. Ndaj dua të shpreh mirënjohje për këto gra të emancipuara së brendshmi, e po ashtu me besim të plotë te unë, që i nderoj pa masë. Siç duhet të keni lexuar “Gruaja me akullore” është Beti Skënde. Minai me Betin e vet ndodhen në Kanada. Elsën e Lekos e quajnë halla, se u gjendet të gjithëve. Vali e dhimbsur okupohet 24 orë për 24 me Luanin e dashur. Kurse Jeta e Fahriut rrezaton energji aq pozitive sa të ripërtërin. Një puthje të madhe të gjithave kudo që janë, në tokë apo parajsë.

547