E verteta te ben te Lire

E pabesueshme, por e vërtetë. Kur u martuam, në 24 mars 1974, të dy me Tolin ishim 23 vjeç, madje të dy të shkurtitm por unë 5 ditë përpara tij. Deri ditën e martesës, si për çdo njeri, ditëlindja ishte dita më e bukur e vitit që nga fëminia e hershme e deri sa u rrita. Në familjen time do të më mjaftonin biskotat që mami i bënte në mënyrë të posaçme vetëm për atë ditë. Më pas, nuk do t’i ndante kurrë nga menuja për nipërit: fëmijët e vëllait me të cilin jetonte, për fëmijët e motrës e të mitë. Kur isha e vogël do të mjaftonin edhe një palë çorape të shkurtra të bardha nailoni sovjetik e më pas kinez, që shkonin shumë me uniformën e pionierit. Por një shami dore pambuku do të më gjenin, e ajo do të më lumturonte si detaj i gazit të asaj dite, që do ta kalonim me këngë e valle, me të ftuar nga klasa përkatëse etj. Ishte kohë e bukur për aq sa e njihnim jetën dhe botën. Në moshën 7 vjeç, kur fillova klasën e parë, ndodhi të jem

610

në Selenicë, se prindërit ishin deri në darkë në punë, motra vazhdonte në çerdhe me drekë e mbasdite, përveçse guzhinieren e çerdhes mami e kishte shoqe e tek ajo rrinim shpesh. Ishte shumë bukur në shtëpinë e saj përdhese me kopësht, me pemë të ndryshme frutore. Ishte shtëpia ku lindi dhe u rrit mjeku Lluka Heqimi, që vetë emri i tij më jep nostalgji për atë kohë. Kështu do të më duhej të mbaja çelësin në qafë e të rrija e vetme deri në darkë për hir të shkollës. Im atë, ishte shumë protektiv dhe sigurisht që iu duk më e udhës të më çonte në Selenicë te gjyshërit ku ndodhej dhe vëllai im. Natyrisht që proteksioni prindëror është domosdoshmëri, por jo për të gjithë fëmijët shkon e njëjta zgjidhje e konsideruar si më e kollajshme dhe e sigurtë. Por nuk e kam fjalën këtu. Në ditën e lindjes, kur fola me prindërit e motrën në telefon, më thanë që më kishin blerë galloshe shumë të bukura në ngjyrë jeshile. Me rastin tim natyrisht përfitoi dhe Tati, se të dyja ishim pa galloshe. Madje, Tati më tha duke iu marrë fryma nga gëzimi në telefon që kur deshi t’i vishte galloshet brenda gjeti një çokollatë. Çokollata brenda në galloshe më intrigoi tepër, sa në ëndrrat e mia, me të mbëritur në Tiranë, i përfytyroja bashkë. As galloshet më vete e as një çokollatë që mund ta blije kudo, nuk më hynte në sy. Siç thashë, zgjidhja prej proteksionit të babit nuk bënte për mua. E mora vendimin që do të rri edhe vetëm, me çelës në qafë, veç të jem pranë familjes time. Im atë s’pati forcë përpara vendimit tim. Kur erdha, gjëja e parë që thashë ishte: “Ku janë galloshet?”. Futa dorën, hiç! Provova prapë, hiç! Kishin harruar çokollatën thjesht se ditëlindja tashmë kishte kaluar. Fillova të qaj pa i përfillur galloshet. Pse aty brenda

611

s’kishte çokollatë?! Natyrisht që s’ishte ndonjë hata, se çokollata u zëvendësua në çast, po sa e rëndësishme është të jetojmë me ëndrrën e fëmijës, sidomos kur ia kemi hartuar vetë atë si një përrallë! Me gjithë të qarat, historia e gallosheve është nga më të bukurat lidhur me ditëlindjet e mia. Vitin e parë të shkollës e vazhdova te “11 Janari” ku kam parë për herë të parë Sokolin e bllokmenët e tjerë, që në atë kohë s’më binin në sy. Edhe pse kisha bërë më shumë se gjysmën e vitit në Selenicë dola e para e klasës. Në vitet e tjera frekuentoja shkollën “Emin Duraku” se e kisha ngjitur me shtëpinë. Kjo mbase ishte arsyeja që i rashë në sy Sokolit në gjimnaz. Që kur njoha Tolin, ditëlindjet e mia ndryshuan. Do të kaloja mbasditet me të në kinema duke ngrënë amareta që i bënte vetë ai për mua, e bajame të sheqerosura. Siç do të zhvillonim edhe një zakon fëmijësh, se fëmijë ishim (vetëm 16 vjeç), t’i dhuronim njëri-tjetrit në ditëlindjet që kishin diferencë siç thashë vetëm 5 ditë, ndonjë lodër. Nuk kam ndroje ta them këtë, se lidhja jonë ishte akoma ilegale dhe me aq sa mundja unë, po dhe ai si i rritur pa lekë në xhep, kaq ishte mundësia, por jo bukuria e ditëlindjeve tona. Blinim lodra kineze të asaj kohe, helikopterë, avionë etj., etj., dhe secili kur shtrihej e mbante te jastëku dhuratën, tek kujtimet e ditës i rëndonin qepallat. Kur më pikasi E.Hoxha si të përzgjedhur të Sokolit, dhuratat ishin të paimagjinueshme më parë për mua: si diksionerë, objekte dekorative, nje radio tranzistor i vogël, që atëherë nuk kishte kërkush etj., etj. Por, kjo ndodhte kur unë isha ende në shtëpinë time. Me zhvendosjen në shtëpinë e E. Hoxhës, në vitet ‘70-‘71, (thjesht me statusin e njohjes reciproke), Toli më pati brenda,

612

kështu që nuk i vuri më rëndësi t’i thoshte të atit që unë kisha ditëlindjen. Gjë që E. Hoxha nuk mund ta kujtonte për kërkënd, filluar me Nexhmijen e pastaj për të tërë. Më vonë, me ardhjen e nipërve, ai njihte veç ditëlindjen e Valbonës në 8 mars. Ndoshta edhe pse koinçidonte me festën e gruas, siç e përjetonte E. Hoxha atë, e uronte të gjitha gratë e Shqipërisë. Lumja unë dhe e shkreta Nexhmije që nuk patëm më 8 mars, përveçse ditëlindjes së Valbonës, se brenda në shtëpi gjyshi vetëm për këtë festonte. Valbona sa lindi “pushtoi” pallatin e Enverit. Unë duhej “të mos përfitoja” nga kjo, në të kundërt të sulmohesha apo si të thuash të mos më dëgjohej jo zëri po as emri. E them këtë me bindje të plotë për një koinçidencë fatale për Nexhmijen në raport me mua, kjo si shumë të tilla në jetën tonë. Ndodhi që ditëlindja ime është në 9 shkurt, e Nexhmijes është në 8 shkurt, madje dhe e motrës së E. Hoxhës që jetonte me ne, Sanos, ishte në 8 shkurt, por kjo nuk kishte kurrfarë rëndësie për Nexhmijen. Kjo rastësi, që në datën 8 të shtrohej tryeza për Nexhmijen dhe pa kaluar 24 orë të shtrohej përsëri për Lilianën e shqetësonte shumë atë. Teksa kur unë isha 23 vjeç, (si ekzaktësisht 30 vjet më e madhe), ajo bënte kështu 53-vjetorin. Për 53 vjet të ketë pasur ditënatën e saj speciale të vitit vetëm për vete (se Sanua merrte urime shkarazi), i doli befas që pikërisht për mua, që s’do donte të ekzistoja mbi tokë, duhej shtruar një darkë tjetër, po njëlloj me të sajën, pa kaluar 24 orë nga e saja. Sepse duhet theksuar se kur shtrohej tryeza për festa apo ditëlindje të kujtdo, qoftë edhe të vetë Enverit, do të shtrohej njëlloj, paçka se Enveri do vazhdonte me dietën e tij. S’bëhej asnjë dallim për darka të pasura e për darka më pak të

613

begata, deri edhe për fëmijët e vegjël që dalëngadalë u bënë 7. E theksoj, këtë se do të më dukej shumë e arsyeshme e komode, sepse ashtu do të kisha bërë dhe unë vetë në vend të Nexhmijes, jo për hir të kursimit, (siç e shtroi ajo problemin), por për ezaurim të kënaqësive hedoniste, çka nuk më shkonin për shtat sidomos dy net rresht. Ndaj, të nesërmen, në mbrëmjen e datës 9 shkurt, pra për ditëlindjen time, pas darkës krejt të zakonshme të kishte vetëm një embëlsirë e ndonjë pije, siç do të ishte e mundur në çdo shtëpi shqiptari. Pra, vetëm të trokiteshin gotat edhe për mua. Kaq! Vetëm kaq! Por jo, asgjë, asgjë! Çdo datë të 8 shkurtit në ditëlindjen e të ëmës, do të ishte vetëm Toli që do të trokiste gotën me mua, me urimin e gëzuar: “- Të pimë edhe për Lilin!” çka binte në vesh të shurdhër, përveç Enverit që befas kujtohej e përpiqej të ngrihej në këmbë. Por nxitoja unë që të trokisja gotën vetëm me të. Të pretendoj pse Enveri, nuk e vinte re këtë gjë e të urdhëronte një darkë për mua? Jo, absolutisht. Ai ndodhej para të papriturës po atë ditë që e lajmëronin për rastin. Pra, për mua askush nuk e lajmëronte. Pastaj siç thashë, ai ishte i linjës së kursimit, e unë nuk ia lejoja vetes të shtroja problemin që të mendonte në mënyrë të posaçme për mua. Sidomos, duke e ditur ai shumë mirë, që për çdo detyrim të këtij lloji, brenda e jashtë shtëpisë, Nexhmija përkujdesej në mënyrë metikuloze. Megjithatë, pati një marrëveshje shterpe midis ne të dyjave në sytë e Enverit që ditën e martesës: “- Enver, ditëlindjet do t’i bëjmë të përbashkëta. Një vit në datën 8 shkurt dhe vitin tjetër në datën 9 për të treja ne, për mua, për Sanon dhe Lilianën”. Por kjo ndodhi veç një herë, kur kisha lindur djalin. Shpati ishte

614

vetëm 6 muaj në 9 shkurt të vitit 1978. Nexhmija, me rastin e lindjes se Shpatit, thirri për darkë dhe prindërit e mi, duke theksuar që po i thërriste në ditëlindjen e saj dhe timen. Djali vuante nga anginat. Atë natë kaq të privilegjuar për mua prej Nexhmijes gjatë tërë jetës, Shpati pati temperaturë të lartë. Urgjentisht thirra mjeken që i bëri inxheksionin. Isha e shqetësuar, e shkalafitur, e s’kisha nge për tryeza, edhe pse si kurrë ndonjëherë ajo ishte shtruar për mua. Darka filloi në 8.30. Mungoja veç unë, duke pasur kujdes sidomos që babai të mos e merrte vesh që djali ishte i sëmurë. Ndryshe do të ngrihej e do të vinte te Shpati. Djali ulërinte nga temperatura. E futa në vaskën me ujë të vakët. Nuk ndahesha dot nga ai, ndonëse do ta lija në duar të sigurta, me mjeken e mrekullueshme, Nimeten. I jepja kohë vetes duke menduar që sidoqoftë përderisa ishin ftuar edhe prindërit e mi, muhabeti do të qe i shtruar, se Enveri i respektonte shumë. Mund të them me plot gojën pikërisht se ishin prindërit e mi, pikërisht për çfarë përfaqësonin ata. Befas, bie zilja e brendshme, interfonia, siç i thoshnim. – Ku je moj, unë lashë ditëlindjen time për ty. Kemi thirrur dhe prindërit e tu. Ku e gjen guximin që nuk ke ardhur akoma?! ulërinte Nexhmija. – Nuk desha t’ju shqetësoj, pikërisht që mbrëmja të shkojë sa më e qetë për ju të paktën, meqenëse është dhe dita juaj. Kam djalin sëmurë. Do të vij sa më shpejt që të mundem. – Heshti prej fjalëve të lëshuara, që si thithte dot mbrapsh edhe pse duhej. Zbres krejtësisht e parregulluar me fustan dhome e pantofla, teksa babai mëse gazmor edhe nëse e vuri re vonesën dhe pamjen time, m’u drejtua në vijim të muhabetit të tyre: “- Dëgjon

615

moj Lilianë, po i them Vitës që te Liliana shkoj çdo natë. Kam qejf kur e shoh që merret vetë me fëmijët e saj. Shkoj te të tjerët, po ç’të bëj të rri me tetat e kalamanëve?”. Sa shumë e desha dhe sa shumë më erdhi për të qarë! Edhe pse më ëmbëlsoi goditjen në shpirt të Nexhmijes. Atë ditëlindje zyrtare të datës 9 nuk e kam pasur në arkivin e kujtimeve të bukura, sepse pata të tilla plot vetëm me Sokolin e me miqtë tanë. Në çdo 9 shkurt, zakonisht shkonim në Hotelin e Gjuetarëve në Lezhë apo gjetkë, si dhe shtronim darka në apartamentin tonë. Kuptohet që ishin festa shumë të bukura e të personalizuara me dhurata prej Tolit e kujtime nga miqtë. Po t’i kujtoj këto hollësi dhe ç’kam ndjerë në momentin përkatës, nuk mund të shpërfill kurrë që jeta nën çatinë e E. Hoxhës ishte një ëndërr, por nën çatinë e Nexhmijes ishte zhgjëndër. Ndërkaq, që nuk duhet të injoroj gjithashtu momente të mirëfillta kujdesi nga ana e saj (me dashuri apo hipokrizi), por si shumë të rralla dhe në protokoll e sipër. Kështu, u kujdes për fustanin tim të martesës, fare i thjeshtë ky, por që më rrinte bukur. Për pallton time, si dhe kostumin, të gjitha me rastin e martesës. S’do ta kisha harruar kurrë, si një mrekulli ditën e dasmës në drekë kur më çon vetë ajo në dhomën tonë të gjumit që të pushoj pakëz. Mbi jastëk ishte vendosur një kuti me çokollata nga më të zgjedhurat. Këto rafinesa siç i perceptova, do të ishin kujtimet e para të “lumturisë” që më priste, sikur befas të mos më thoshte: “- Qofsh e lumtur, por më e lumtur se unë s’ke për të qënë!”. U largua shpejt e shpejt sikur të mos kishte qenë me të vërtetë aty. Duke më lënë mbrapa prepotencën apo kërcënimin në fytyrë. Gjë që në atë kohë se kuptova veç naivitetit tim, pa

616

marrë frymë ende. Ndërkaq, angushtia që më kish zotëruar kraharorin fliste për mua: “- Po unë nuk kërkoj asgjë veç lumturisë time!”.

617

617