E verteta te ben te Lire

Dua të flas për mëshirën, sa e dëmshme është ajo kur nuk ushtrohet drejt. Kur isha e vogël, aq sa nuk jam e sigurtë nëse autori i disa tregimeve të mrekullueshme, si: “Një filxhan çaj” apo “Pa duartrokitje”, etj. është Xhovani Verga. Jam prekur aq nga kjo literaturë kaq e vjetër, sa nëse mund të gjendet do të jetë vetëm në bibliotekë. Tregimi “Një filxhan çaj”, fliste për një çift të martuar me jetë të siguruar që shijonin limontinë. Një natë, në shi e në të ftohtë, hasën në rrugë apo në një urë nuk më kujtohet, një grua të re, të rraskapitur e të pangrënë, teksa po i binte të fikët. Gruas së pasur ju ngjall ndienja filantropike e i thotë të shoqit ta merrnin këtë fatkeqe në shtëpi e t’i jepnin ndihmën e duhur. Kështu, iu dha ndihma nëpërmjet banjës së ngrohtë, ndërimit të rrobave dhe më pas të ulurit pranë zjarrit. Ndërkaq, ishte i domosdoshëm çaji i nxehtë për t’u ngrohur sa më shpejt. Gruaja e rrugës tek

548

pinte çaj po e merrte veten. Po i thaheshin flokët. Sytë po i ndizeshin së thirruri energjitë e organizmit që po mobilizohej. Nga një e vobektë për t’u mëshiruar, ajo befas shfaqi një bukuri të pashoqe. E zonja e shtëpisë e humbi toruan dhe me të mbaruar çajin e nxori të vobektën sërish në rrugë. Moralin e këtij tregimi askush s’ka nevojë ta theksojë, teksa është aq i qartë sa s’më është shlyer nga kujtesa, ndërkaq që në raport me të më rëndon më shumë një gabim i imi në rrëfimin në vijim. Dihet, që koha e gjimnazit është më e bukura, si më e shpenguara në jetën e njeriut. Kur ende nuk ndjen e realisht nuk ke përgjegjësi apo vendime të medha për të marë për jetën. Çdo relacion midis gjimnazistëve, së paku në ato kohë (në vitet ‘60), mbetej një kujtim i bukur. Kështu mund të ishte edhe në universitet, ku vetëm impenjimi në studime është më serioz për t’u përfaqësuar denjësisht në profilin e përhershëm. Unë fillova studimet për fizikë bërthamore në vitin arsimor 1969-1970. Në grupin tonë kishte studentë nga e gjithë Shqipëria për fizikë të përgjithshme se seleksionimi për fizikë bërdhamore bëhej në vitin e tretë të universitetit. Nga Tirana, ishim vetëm një grup shoqesh nga gjimnazi “P. N. Luarasi” që e kishim bërë me fjalë për të zgjedhur këtë degë të Fakultetit të Shkencave Ekzakte. Por, më shumë kishte vajza të mrekullueshme si dhe goxha djem konviktorë nga rrethet. Ishte edhe Neli nga Lushnja. Neli përbënte një fenomen. Po të shkoj drejt e në thelb, duhet të pohoj që ishte shumë i shëmtuar. Por shëmtia e tij ishte krejtësisht e papërshkrueshme. Nuk kishte asnjë handikap në vetvete, përveçse ndërtimit krejt normal nga pikëpamja antropologjike e raportit të vendosjes së

549

tipareve, por fatalisht e gjithë kjo e papranueshme për syrin e njeriut. Një normalitet anormal. Nuk ishte as antipatik, kur ndodh që të tillë prej karakterit të duken edhe njerëz të pashëm. Neli nuk vuante apriori nga kjo gjë, madje as e njohu kush ç’karakter kishte. Ishte thjesht për të ardhur keq! E urrej veten që ende flas kështu, por përderisa po rrëfej dua të shpjegohem vërtetësisht. Askush nuk i afrohej. Fatmirësisht, nuk pati kurrë përbuzje të hapur ndaj tij, se Neli kishte instiktin të dinte mirë vendin apo qëndrimin që duhej të mbante për të mos rënë në sy. E kam fjalën që dinte të ishte i pranueshëm, pa krijuar asnjë lloj reaksioni si të ishte apo si të mos ishte. Ndërkaq, çuditërisht, me shumë zgjuarsi zgjidhte bankën e parë për t’u ulur në leksione ku rrinte doemos vetëm. Them çuditërisht, për paradoksin midis instiktit për të qenë i pabezdisur për kërkënd e njëkohësisht për të qëndruar në bankën e parë. Ndërkaq, nuk kishte probleme me shikimin. Strategjia e të sjellurit të tij synonte të ishte i paqenë për të tjerët, domethënë që parashprehte me gjuhën e ekzistencës fizike që unë nuk jam, mos më vini re, pikërisht se e di që nuk do të më vini re. Por, megjithatë, me insistim ulej në bankë të parë, e të gjithë, pa e marrë në konsideratë ekzistencën e tij kalonin të zhurmshëm në bankat më tutje. Kjo gjë më bënte shumë përshtypje. Kaluan muaj e Nelit s’iu afrua kush, nuk i foli kush, nuk e pa kush, e të nesërmen sërish ai ndonëse i padukshëm, do të ulej doemos në të njëjtën bankë të parë, të cilën nuk e synoi kush. Në tërë këtë injorim kolektiv, kishte një kujdes apo nevojë të heshtur që askush të mos ia zinte vendin, duke e kaluar bankën e parë dhe kur ishte bosh. Duhet thënë që askush nuk ulej në

550

banka fikse e me shoqëri fikse. Prandaj, fenomeni Nel në vetvete, e reagimi social sikur ai të mos ekzistonte më lëndonte shumë. Një ditë, nuk iu përmbajta impulsit të altruizmit e në shprehje revolte ndaj të tjerëve ulem krejt normalisht në bankën e tij, duke i thënë vetëm “mirëmëngjes” dhe në fund “mirupafshim”. Duhej të ishte gjëja më normale midis dy studentëve të të njëjtit grup. Neli mbeti shumë i qetë, i sjellshëm e indiferent. Ditët vijuan në këtë mënyrë, me asgjë tjetër në mes, të dy ndiqnim leksionin teksa unë u vendosa për gjithnjë te banka e parë e tij. Pasi u ula në bankën e parë, pedagogët vazhduan të njëjtin raport me mua e po ashtu mosraportin me Nelin. Vetëm kaq ishte “oferta” ime ndaj tij. Nuk mbaj mend asnjë dialog informal apo shaka, sado e zakonshme të rinjsh. Vendimi im për t’u ulur në bankën e Nelit kishte qëllimin e qartë që së paku një student apo studente nuk ishte raciste apo homofobe ndaj tij, se ai sidoqoftë ishte njëlloj si të tjerët! Sepse dhe pedagogët nuk “e vinin re”, pra s’kishin përse ta pyesnin, Neli s’kish kujt t’i përgjigjej, ndaj zëri s’iu dëgjua kurrë. Por nuk ishte krejt dështak. Kalonte vit për vit me stilin e “rehatisë” së tij gjithmonë pa u vënë re. Në fund të vitit të parë, bëmë zborin ushtarak në plazhin e Golemit. Në pushimin e drekës kishim një orë qëndrimi në plazh. Si situatë ushtarake, edhe në pushim (në rërë apo në det) vajzat qëndronin veç e djemtë veç. Por jo thjesht “veç”, por në një distancë shumë të madhe që nuk mund të komunikohej me zë midis të dy grupeve. Gjithsesi, kujt i shkonte në mend të preokupohej për këtë, kundrejt çlirimit nga rrobat ushtarake, nga kambalet e sidomos nga arma. Dilnim me rroba banje e

551

lëkura na përkëdhelej nga rrezet e diellit apo nga uji i kripur, ngrohur në zhegun e fillimit të qershorit. Kështu, lodronim të gjitha vajzat të mbledhura grup se s’mund të largoheshim në det apo në rërë, as larg nga njëra-tjetra, ashtu si dhe djemtë tej. Ishin këto çaste të bukura tek po luanim me top në det, kur në mënyrën më të befasishme midis vajzave, e pranë meje, me not zhyt behu Neli. Behu dhe thjesht notonte ngjitur me mua, në të njëjtën mënyrë formale apo solemne, ta themi siç rrinim në bankë gjatë leksionit. Unë u lemerisa. Se si kishte ardhur pa rënë fare në sy duke u shfaqur papritur, sa vajzat ulëritën e u shpërndanë, këtë e di vetëm Neli. Nuk ishte çështje mundësie, kapërcimi i distancës me not zhyt për një notar shumë të mirë, për më tepër askush nuk e kish mendjen te djemtë sepse dhe ata luanin me top për hesap të tyre. Çështja është çfarë e shtyu Nelin të bënte këtë manifestim flagrant?! Indiferent sa të pëlciste buzën, ai thjesht notonte pranë meje me pamje të pafajshme si të mos kishte shkelur asnjë rregull ushtarak e jo më etik, aq sa nuk ta hante dot logjika. Gazi i shfrenuar i vajzave nuk ishte më për Nelin pse hiçësia e tij edhe pse një mashkull mes femrave, nuk mund të ngacmonte asnjë nerv tek askush, por për mua, prenë e hiçësisë. E neveritur, që Neli pluskonte në ujë pranë meje, në mes të gjitha studenteve të njohura e të panjohura, nuk dija ku të futesha. Qetësia e tij, i jepte sigurinë e pafajësisë që thjesht po lahej në det. Para këtij qëndrimi pikërisht prej “hiçi”, unë s’mund t’i thosha as: “Çdo këtu ti?”, se do ta personalizoja flagrancën me gojën time, kur nga ana e tij dukej krejt normale, si gjëja më e natyrshme në

552

botë. Besoj se ai nuk donte të rrinte atje ku nuk njihte njeri dhe së paku në orën e pushimit kërkonte shoqërimin e zakonshëm, kthyer tashmë në domosdoshmëri, në varësi deri në obsesion. Ndonëse më vuri në pozitë tejet të vështirë, e kuptova shumë mirë e kjo më solli një keqardhje të pafund për të. Por, njëkohësisht reflektimin për faktin që qytetaria ime ishte gjë e rrallë për Nelin, me sa duket mbetur përgjithmonë i vetmuar. Pikërisht kjo përbënte gabimin tim të pakuptuar fillimisht në raport me të. Teksa shoqet qeshnin të vetëkënaqura për pozitën time, e në gajasje e sipër thoshin: “ -Vetë e ke fajin!”, – kuptova që padashur kisha iluduar Nelin. Deri ku shkonte ky iludim?! Mjaft edhe kaq, sa të kapërcente “ylberin” për të ndenjur pranë meje, edhe pse s’do i hidhja as sytë. E vuajta këtë situatë edhe më, pse unë largohesha e ai më vinte mbrapa me shoqërimin e gazit të shfrenuar të vajzave dhe të djemve që vinte nga përtej. Ndoshta, edhe pse të gjithë e dinin lidhjen time tashmë zyrtare me tim shoq. Ndoshta, ndoshta, Neli nuk e dinte, se atij s’i fliste kush. Por edhe po ta dinte, obsedimi i tij nuk ishte i atij lloji, ishte thjesht nevojë e njeriut që s’ka ndjerë kurrë përkrahje njeriu. Ndaj dhe faji im ishte i madh. Mendova të dal në breg, por do të ishte më keq, jo vetëm si thyerje urdhri ushtarak, por se dalja në breg do të shoqërohej doemos me ardhjen e Nelit. Kësisoj, unë e ai në rërë e spektatorët e gajasur në det, natyrisht nuk do të më sillte situatë më të qetë. Nuk e harroj atë ditë, teksa mora një mësim të mirë që e kam përpunuar në abstragim e sipër prej specifikës së rastit. Keqardhja për Nelin ishte kontradiktore, pse pranoja të talleshin me mua,

553

por nuk do desha kurrë të talleshin me Nelin për këtë veprim të tij, përgjegjëse për të cilin isha unë, sado deri në atë çast jo koshiente. Faji im ndërkaq ishte një komplikim i tërë më vete. Ndjenja e qytetarisë time, altruizmi im kish qënë vërtet i tillë apo mëshirë?! Tashmë, e sigurtë që Neli e kish marrë për mëshirë u ndërgjegjësova që pikërisht kjo e ka dëmtuar atë. Ka njerëz që e kërkojnë mëshirën nga të tjerët, madje për arsye të ndryshme zotërohen nga ndjenja e të vetëviktimizuarit. Kjo s’është gjë e bukur, është e dobët, por karaktere të posaçme sidoqoftë arijnë të jenë invadues për të tërhequr vëmëndjen e të tjerëve me hallet e tyre. Neli, megjithë hiçësinë e tij, kishte “dinjitetin” për të mos ushtruar kërkim mëshire. Ndoshta gjithkush e gjithmonë e kish lënë mënjanë si një hedhurinë, e “thirrja” e tij ndaj tjetrit do të binte në vesh të shurdhër, për të mos e dëgjuar qoftë edhe formalisht, pale t’i jepnin një dorë ndihme sado e papërfillëshme të ishte. Pikërisht se Neli nuk e kishte përdorur mekanizmin “të kërkuarit mëshirë” ka nxitur vëmëndjen time për ta vënë re si qënie humane. Por, me sa duket kur iu ofrua prej meje kjo vëmendje minimale humane, situata e drejtpeshimit të tij, mbrojtur nga pamja e indiferentizmit absolut, ndryshoi krejt për mirë dhe për keq. Ai nuk u ndje më vetëm, ai kishte një shoqërim njerëzor tashmë kur guxonte të ulej në bankën e parë e të përballej nëpërmjet “asgjësë” së tij me gjithë grupin. Kjo përqindje vlerësimi nga ana ime kundrejt keqardhjes për të, ishte gjithçka që pati Neli nga unë, pra vetëm edukatë qytetare. Nuk e kisha marrë kurrë me mend se sa shumë paska qenë kjo për të. Pas kësaj ngjarjeje, më duhej t’ia merrja me poshtërsi çka i kisha

554

dhënë me dlirësi. E befasuar nga varësia e tij, nga iludimi i tij i mjerë, unë tashmë s’mund t’i përgjigjesha. Ndjenja ime e qytetarisë ishte shkelur prej tij, qoftë dhe me të drejtë. “Asgjëja” e tij neutrale tashmë ishte bërë invadente për mua, jo thjesht prej figurës sonë qesharake para të tjerëve, por më kishte prishur qetësinë e legjitimitetit për të mos bërë dallime e diferencime te bashkëstudentët. Sado i pafajshëm të ishte Neli, ai demonstroi paaftësinë për të njohur kufij e për të perceptuar në mënyrë racionale raportin e tjetrit ndaj tij. Me shumë dhimbje u largova prej tij, duke mos u ulur në bankën e parë. Sikurse unë nuk i thoshja dot në det se ç’do këtu ti dhe ai duke kuptuar që kish shpërdoruar edhe nëpërmjet pafajsisë nuk e kishte të drejtën të më thoshte: “Pse ndërove vendin?”. Sigurisht që me shumë dhimbje ai e gjeti ekuilibrin e humbur, gjithsesi nuk dha asnjë shenjë. I mistershëm si sfinks, Neli, vazhdoi i vetëm e stoik në bankën e parë. Të gjithë vinim pas tij.

555