E verteta te ben te Lire

Ishin vitet ’60, kur për herë të parë, ndjeva që në jetën time të vogël e të lumtur ndërhyri diçka dhunshëm, për të cilën po kaq dhunshëm nuk isha dakord, ndonëse “dhuna” ime solli si reaksion vetëm lotët që më derdheshin mbi atë letër të rreme që duhej të shkruaja. Për çka turpi por njëkohësisht dhe çlirimi që “turpin” e bëja e detyruar, kanë qenë bashkëshoqëruese e kanë përcaktuar njëherë e përgjithmonë kontradiksionin në natyrën time analitike, që të ndaja mirë shapin nga sheqeri, e sidomos që këtij procesi t’i jap rëndësi vendimtare. Them letër e rreme se e tillë ishte, një farsë. Në jetën time, disa persona kanë luajtur rol të rëndësishëm formimi, jo se ata janë marrë posaçërisht me mua, por isha unë e etur për material selektiv nga e rëndomta e rutina e përditshme. Pa ditur se ç’është “materiali selektiv” dija ndërkaq shumë të ndieja. Isha tej masës sensitive që kur e mbaj mend veten, e gjithçka

560

skalitej në kujtesë nëpërmjet emocioneve. Çuditërisht, shkoja pas tyre me instikt, si të isha një kafshë e egër që kërkon gjahun nëpërmjet nuhatjes. Emocionin e ripërtypja, pra merresha me të, jetoja me të, e përpunoja, duke e ridimensionuar e rijetuar guston që më kishte lënë. Këta persona që thashë, më jepnin pa e ditur ata, këto emocione, pra isha unë që i studioja e merrja prej tyre atë çka më duhej, “prenë” prej të “nuhaturit” tim. Ekzaktësisht këta persona gjatë gjithë jetës sime kanë qenë 45, e bashkë me tim atë, 6. Ishte gjyshi im prift, daja i mamasë sime Sotir Spiro, e një burrë zotëri, ish-pronar para çlirimit që banonte në shkallën tonë. Ndonëse i shpronësuar punonte si inxhinier i shquar ndërtimi i ndërmarrjes “Rruga-ura” e quhej Farudin Nuri. Bëheshim shumë me atë familje të edukuar, kryesisht nëpërmjet sime mëje që kishte shumë shoqe teze Teftën, gruan e xhaxhi Farudinit, ish-bejlereshë shumë e bukur, unë e motra ime bëheshim me binjaket Mira e Seni, shumë të shkathta dhe vëllain e tyre Ronin e dashur. Roni sot është në Kanada inxhinier, po aq i kualifikuar sa i ati për kohën e tij. Më ka mbetur peng se kur erdhi para 3-4 vjetësh për të kërkuar librin tim (pasi më ndiqte në internet), e kishim lënë të takoheshim para se të largohej, por unë nuk munda të shkoj. Problemi më i madh është që ndërkaq nuk i kisha marrë asnjë adresë apo numër telefoni. Ndaj, me këtë rast duke e ditur që ai më ndjek, i kërkoj shumë të falur për moskorrektesën e detyruar. Hidhërimi që nuk munda ta takoj ishte tepër i madh, jo thjesht si çështje etike, po si dëshirë mbetur pezull për t’u çmallur. Nga sa thashë kuptohet që im atë qëndronte paksa larg tyre, si komunist shumë i devotshëm, ndonëse i respektonte si njerëz. Xhaxhi Farudini nuk ishte

561

indiferent ndaj mënyrës sime të pandashme me librin. Ndaj dhe më thoshte: “ – Mos lexo shtrirë Liliana se duhet të ruash sytë!”. Por ajo që është për t’u shënuar siç më ka bërë shumë përshtypje ishte se gjithmonë kur më shihte në shkallë më thoshte të njëjtën gjë: “Mbetsh kështu siç je!”. Ndërkaq, unë pyesja veten “si isha” që të dija të mbetesha ashtu. Një ditë e pyeta: “Po si jam xhaxhi Farudin?”. Më kapi për faqe dhe më tha vetëm: “Ndryshe”. Pas të 16 viteve të mia ishte personalisht Enver Hoxha, që do të më rriste në moshë e kryesisht në intelekt. Pa lënë mënjanë tim atë e tim vëlla që në një dimension shumë më të vogël se ai më ngopnin nevojën për ushqimin tim selektiv. Dua të them që im atë (përveç tim vëllai) më pak i ditur nga këta, si prind, ka arritur të ushqejë ndjenjën e krenarisë tek unë jo si qëllim në vetvete, por që ta masë veten me rezultatet e mia, me të cilat do ta lumturoja tim atë krahasuar me time më, që donte të na shihte mua dhe motrën kryesisht punëtore e të pastra, të bënim punë dore, qëndisje, punë me grep e me shtiza, etj,. e pse jo, pastaj edhe me nota të mira apo më tej në tabelë “të nderit” apo me tituj emulacioni, si “Miku i vogël i librit” etj. Ndërsa im vëlla, tre vjet më i madh se unë, kishte një besim të posaçëm, tek unë që s’e kuptoja nga i vinte (ndoshta si fëmijë që ishim ka lexuar ditarët e mi), çka më bënte shumë përgjegjëse për ta merituar, ndërkaq që ai vetë ishte djali dhe vëllai që do të donin të kishin çdo prind e çdo motër. Si pjesëtar i familjes time, kur u rrit pati karrierën më të lartë. Do të ishte gjeneral po të egzistonin gradat apo kur u rivendosën ato. Pra, me këtë sy shihja tim atë e tim vëlla, që ndërkaq më vlerësonin më shumë se sa më mbanin

562

shpatullat, kur gjyshin prift e dajë Sotirin i idealizoja si njerëz shumë të ditur, nga të cilët veç mund të mësoja. Kishte diçka emancipuese që reflektonin me sjelljen e tyre secili në mënyrën e vet, që unë arrija ta deshifroja madje të mendoja që këta nuk janë krejt njerëz të zakonshëm dhe i studioja me kujdes përveçse i doja fort. Dajë Sotiri, më vonë do të pësonte ulje në pozitë, nga prokuror në Tiranë në kryeprokuror në Vlorë, pse nuk kishte qenë dakord të firmoste për ekzekutimin pa gjyq të intelektualëve të akuzuar për bombën në ambasadën sovjetike. E sjell këtë fakt, që për çastin që jam ndalur, nuk kishte ndodhur akoma, por teksa ndodhi, ka domethënien e vet pse dajë Sotiri ishte i përzgjedhur prej meje për emancipimin tim të asaj moshe, siç isha dhe unë ndoshta për botën time e përzgjedhur prej tij dhe prej gjyshit prift. Sipas tyre, isha fëmijë shumë i matur, me natyrë vëzhguese përçka shpreheshin: “Kjo të qorton me vështrim”. Gjyshi ishte tejet i ditur, njihte mirë latinishten, me të cilën shprehte shërbesat fetare. E rritur nga dy prindër komunistë, ndonëse ime më ishte vajzë prifti, nuk besoja në Zot. Madje, kam qeshur në një moment shërbese kungimi, për çka gjyshi më nxori jashtë nga dhoma mua qytetaren “moderne” prej Tirane, krahasuar me nipërit e tjerë të bindur e të pamendim të vetin. Më vonë, mësova të respektoj ritet si e drejtë e tij, paçka se për mua s’do të kishin ndonjëherë kuptim. Kështu erdhi ai moment për të cilin e kam fjalën, kur gjyshi kishte disa muaj që nuk ishte më prift, se feja ishte ndaluar nga partia-shtet. Nuk kisha pasur ndonjë vuajtje apo të ndalesha së reflektuari në këtë fakt, përderisa babai dhe mamaja ime (vajza e priftit) ishin krejtësisht të qetë për këtë vendim madhor. Por e keqja për mua

563

erdhi befas. Një ditë, vjen posaçërisht dajë Sotiri në prani të tim eti e sime mëje e që të tre më kërkojnë t’i shkruaj një letër gjyshit tim. – Ç’letër? – Një letër ku t’i thuash të rruajë mjekrën, se ty ai të dëgjon! – Gjyshi mua më dëgjon?! Po ç’punë kam unë me mjekrën e gjyshit, jo vetëm unë, por ju ç’keni me mjekrën e tij?! Ai nuk është më prift. Ai nuk vishet më si prift. Është mbyllur në shtëpi se ka turp të dalë, nuk ju mjafton kjo? Kujt i prish punë mjekra e tij? Qaja e kundërshtoja, ndërkaq vërtet iu kërkoja të më bindnin, se veç ashtu jetoja unë, e bindur në vete për çdo hap të madh apo rutinor të hedhur, që ishte ai i duhuri. Këtë radhë s’kishte bindje, kishte vetëm urdhër: “se kështu duhet, ndryshe dalim si njerëz antiparti….”. Dakord, po ç’hyn këtu mjekra e gjyshit që s’ka më asnjë lidhje me shoqërinë?! Është gjynah, pak se i hoqën veshjen e unë nuk e shoh dot gjyshin tim të shtrenjtë me rroba të zakonshme fshatari, tani duhet t’i heqim edhe mjekrën?! Jo, unë letrën nuk e shkruaj! E në fakt e shkruajta duke qarë çka ata më diktonin, e sigurtë që gjyshi do ta kuptonte që s’isha unë. Se nuk mund të isha unë, se të ishte për mua mjekra e tij s’do t’i kish prishur punë kurrë askujt! Tashmë ishte vetëm mënyrë e të qenit të tij, minimalisht si e njihte veten në pasqyrë e siç e njihnin të gjithë. Nuk ishte thjesht dhunë për mua diktati i letrës, por një shtypje e fortë personaliteti, veç prej përfytyrimit të gjyshit tim pa mjekër. Përçudnimi apo përdhunimi i personalitetit të tij më shtypte tepër mua. Veç qaja dhe letra u dërgua ashtu me lotët e mia mbi të. Befas, m’u dukën prindërit e dajë Sotiri budallenj. Si s’e kuptonin ata atë që ndieja unë për gjyshin, si s’e kuptonin ata ç’e keqe e madhe do të ishte kjo për të?! Më mirë ta vrisnin me dorën e tyre, se sa të më vinin

564

mua t’i shkruaja një letër të çmendur, ndonëse e dija mirë që ai do ta kuptonte që s’isha unë, apo më mirë që s’ishin jo vetëm mendimet e mia por as edhe vullneti im. E kështu ndodhi. Kur e takova pas kësaj gjyshin, duke mos e parë dot në sy, nuk më tha asnjë fjalë veç më ledhatoi kokën heshturazi. Mjekrën e kishte hequr, e mbante mustaqe të gjata borë të bardha, e flokët që i kishte mbajtur gërshet nga mbrapa i kishte prerë. Kurse babait, mamasë e dajë Sotirit ju tha: “S’ju vjen turp që përdorni një fëmijë?! Nëse duhej bërë, do të bëhej, por të përdorësh vajzën i keni bërë keq asaj”. Kjo ishte në sy tim, teksa u mbyllën veç në dhomë për një kohë të gjatë. Pas kësaj, unë e desha më shumë gjyshin, të cilit shteti i kish rënë në qafë deri te mjekra e tij. Ai ndjehej i depersonalizuar, siç e kuptoja më mirë duke u rritur. Për mua, gjyshi mbeti po aq burrë i pashëm dhe hija e ish-priftit nëpërmjet po atij nderimi të mëparshëm edhe në fshat mbetën njëlloj. Por jo vetëm kaq, ime më përveç vëllait të saj dajë Miços e dajë Sotirit, konsideroheshin për rrethin e Vlorës, pra dhe të Novoselës kuadro të larta dhe vizitat e tyre tek gjyshi përbënin lajm në fshat. Vetë, gjyshi im, prifti Mihal, kishte emër të madh që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare si kryetar i Shtabit Antifashist që figuron edhe sot në muzeun e rrethit. Shtëpia e gjyshit mbeti përgjithmonë më hierarkia në fshat, po aq e dashur, e pritur dhe e nderuar nga miqtë që kalonin për në Vlorë, shokët e dajë Miços e dajë Sotirit dhe të prindërve të mi. Gjyshi im, mbeti po aq zemërbardhë, e priste miqtë zyrtarë, por sarkazma nuk iu hoq kurrë kundrejt këtyre figurave partiake, praktikisht filluar prej fëmijëve e dhëndërit (im atë) të tij. Me ta do të kishte vazhdimisht probleme e do të

565

ndaleshin në mënyrë të posaçme për çdo vendim partiak që do të merrej, si drejt kolektivizimit të mëtejshëm, etj. etj., për çka ai s’ishte kurrë dakord. Ndaj halli i fëmijve “kuadro” të gjyshit ishte që kjo padakordësi të mbetej brenda mureve të shtëpisë. Ndërkaq, unë mësova të jem me qëndrimin e prindërve “per forza”, por brenda vetes krijova dhomëza rezervash, mendimesh të fshehta së mos qeni dakord vende-vende me orientimet e partisë, por këto mbeteshin siç thashë vetëm rezerva, krahasuar me besimin e patundur thjesht për hir të idealit të barazisë. Pra, që i përkisja kësaj partie që ishte vetë shteti shqiptar, vetë Shqipëria, atdheu im që e desha tepër. Të gjitha këto, pa njohur Enver Hoxhën. Paradoksalisht njohja me të më hapi horizonte të brëndshme më emancipuese. Madje, lidhur me gjyshin tim prift paradoksi ishte reciprok. Kur u njoha me Sokolin, gjyshi im bashkë me dajë Sotirin thanë: “Siç pritej na nderoi maksimalisht kjo vajzë”. Unë nuk e kisha për “nder” të posaçëm që po njihesha me Sokolin (përkundrazi e shihja të pabesueshme e deri si telash një pozicion të tillë që më ngjallte pasiguri në forcat e mia kundrejt ndienjës së përgjegjësisë) teksa thjesht ishte fakt i pamohueshëm jete, madje pamundësisht i injorueshëm, përsa u bëmë një e jo dy që çastin e parë kur kuptuam që ndjenim për njëri tjetrin. Kësisoj, këtë fakt, askush nuk kishte nga ta dinte, së paku nga familja ime, por ime më kishte gjetur fotot që unë mendoja se i kisha fshehur mirë. Ndaj, në pragun e vdekjes, gjyshi donte ta takonte Sokolin, kur unë thjesht po njihesha me të. Enver Hoxha (që më mbante afër si e përzgjedhura e Sokolit), të cilit ia kërkova këtë gjë si gjënë më legjitime në botë e lejoi të birin t’i shkonte te koka gjyshit tim, ish-priftit, në pragun e vdekjes.

566