E verteta te ben te Lire

Njëra ditë nuk i ngjante tjetrës në dy takimet ndërkombëtare të të rinjve antifashistë ku asistova në vitet ’82 dhe ’83, pranë Montrealit të Kanadasë e në Roskilde të Danimarkës. Aktivitetet ishin të larmishme, e pjesa e manifestimeve politike të ditës ishte më e vogla në kohë, sado e rëndësishme e saj. Siç ishte maratona prej 10 km, ku duhet të merrnin pjesë të gjithë delegacionet, përfaqësuar nga djemtë e vajzat. Në këto aktivitete kam vënë re që vajzat tona kanë qenë më të përkëdhelura se unë kundrejt përgjegjësisë që të përfaqësojmë sa më mirë vendin tonë. Për shembull, në “Ditën e Shqipërisë” në Roskilde, Parashqevi Simaku po vallzonte “Çika e Malsisë”. Ne të tjerët, të veshur me kostume popullore qëndronim si dekor i skenës dhe duartrokisnim sipas ritmit të muzikës. Befas, Parashi (kështu e thërrisja) ndaloi dhe më tha mua që më kishte më afër se i dhimbte mesi. Nazet e Parashit i njihja mirë, edhe pse e

492

desha shumë, por që do ta zinte dhimbja e mesit kur duhej të performonte numrin e saj, këtë s’e prisja. U futa menjëherë në lojë të improvizoja si të mundesha, ndonëse për të kërcyer s’ia përtoja. Në këtë linjë neglizhence ishte edhe Nazi, e dashura Nazmie Kasmi që e trajtoja si motër. Ajo nuk pranoi të merrte pjesë në maratonë në Montreal. Nga djemtë ishte Q. M. M’u desh mua si e vetmja femër pas Nazit, t’i futesha këtij sporti që më pëlqente shumë, por dyshoja në energjitë e mia. Dita ishte e mrekullueshme. Ishte ora 11-12 e paradites dhe dielli ngrohte e ndriçonte ëmbël, edhe pse ditë korriku, por klimë Kanadaje. Ia nisëm vrapit për të përshkuar trajektoren në formë unaze disa herë, sa të plotësoheshin 10 km. Shpesh, lodhesha dhe vazhdoja në ecje duke dihatur, ndërsa të tjerët më kalonin. Kështu arrita një mesogrua, pjesëmarrëse në kamp (kishte disa të tilla), për pasojë edhe në maratonë. Ajo ishte ndalur e mezi merrte frymë. Ndalova dhe unë për ta ndihmuar. Kur u qetësua, kishte qëllimin t’i shkonte deri në fund. Unë e kapa për krahu dhe eca bashkë me të. Hymë në muhabet. Ishte daneze, një grua simpatike, tip sportiv, me flokë të shkurta bjond, mbi 60 vjeçe. Më lutej të ikja që të mbërrija sa më parë, sepse stimuli i kronometrimit për çdo maratonist i jepte asaj dimensionet e garës. Unë nuk mund ta lija, jo vetëm nga meraku, por edhe pse më dukej vanitet supremacia ime thjesht prej moshës ndaj kësaj gruaje kaq vitale. Kështu buzagaz, arritëm duke shëtitur deri në fund. E dinim që ishim të fundit, por megjithatë na pritën me duartrokitje të fuqishme. Siç na thanë, më shumë për solidaritetin tim, por edhe për një të papritur tepër gazmore, se të dyjave na

493

varën në qafë medaljen e vendit të tretë. Paskëshim zënë vendin e tretë! Gazi ishte i papërmbajtshëm nga të gjithë. Duke qenë trajektorja që përshkruam në formë unaze nuk kishim vënë re kërkënd që të ishte larguar nga gara. E kam treguar gjithmonë me miqtë si anekdodë këtë histori. Sidomos me fëmijët kemi qeshur me formulimin: ” Mami doli e treta, por e fundit”. Kur u kthyem në Shqipëri babai ishte në Pogradec. U mblodhëm të gjithë në Drilon dhe e tregova këtë histori gjithë gaz. Babai më përgëzoi: Doemos që duhej qëndruar, ç’mund të bëje tjetër? Kjo pritej nga ty! Në shtëpi, në tryezë, Nexhmija tha befas pa asnjë lidhje: – Po si more pjesë në maratonë, na ngrive gjakun?! Unë mbeta e habitur. Babai e vuri re tonin e saj dhe habinë time dhe u përgjigj siç do t’i isha përgjigjur unë, me atë habi dhe sëmbim në zemër njëherësh. – Pse? – tha babai – Liliana nuk është invalide! Ju e bëni më të sëmurë se sa është. – O Zot !- thashë me vete. – Sa e sëmurë jam ? Çfarë kam që unë nuk e di, përveç mjekimit të Judës prej të ashtuquajturës “lodhje kronike?!”

494