E verteta te ben te Lire

Ishte një man, që e kujtoj si në ëndërr, se i përket moshës nën 5 vjeç. Një man me trung shumë të trashë, për ta rrokur 4 fëmijë bashkë siç e kujtoj unë, shumë i lartë dhe me kurorë madhështore degësh të dendura e shtrirë jashtëzakonisht gjerë, që për pasojë bënin hije të thellë në mes të fushës me lulëkuqe ku mërzente bagëtia. Poshtë tij rrinim dhe hanim mana të bardhë, pse i tillë ishte mani, me kokrra të plota gjithë lëng që binin vetë së pjekuri në mënyrë të posaçme, të pavrara, të panjollosura gjëkundi. Mund të mbushje një kanistër të madhe me to. Pejzazhi që kujtoj është tejet i bukur e ngjan me pikturat e Eduard Manet “Le déjeuner sur l’herbe”. Kjo pemë e lashtë që i përket kujtimeve të mia më të hershme, pra, që përfaqësojnë mua vetë në atë kohë, ndodhej në Aliban, fshati që shtrihet duke u kthyer djathtas krejt drejt, kur kalon Novoselën për shkuar në Vlorë. Gjyshi im, prift, patriark, por nga natyra shumë liberal, jetonte

567

aty në një konak të madh bashkë me familjen e vëllait të tij, pra të xhaxhait të sime mëje. Ishte gjithmonë një gjendje gazmore të kaloje verën mes gjithë atyre njerëzve burra e gra të moshuar që i nderonim, pastaj bijtë e bijat e tyre, brezi i mamasë sime, e në fund në një diapazon të larmishëm moshash e gjinie vinim ne fëmijët e tyre, që të gjithë së bashku sillnim vetëm hare. Një hare feste të përditshme që kurrë më nuk e kam gjetur në një bashkësi aq të madhe (mbi 40 persona), e të ndjeja që i përkas. Më vonë, gjyshi shpërngulet në Novoselë, që po ngrihej si fshat i ri ndanë xhadesë, meqë ia kërkonte hierarkia e fesë ortodokse si Ikonom i rrethit të Vlorës. Nuk marr vesh nga domethënia e titullit të tij, pasi feja u ndalua shumë shpejt, e kësisoj s’pata kurrë kureshtje për të rrëmuar. Gjithçka që shtjellova s’ka asnjë rëndësi para drurit, pemë madhështore e frutit të manit dhe kur e kujtoj (pasi i kam kapur të 60-t) më jep një qetësi e harmoni shpirtërore sa më zgjeron çuditërisht kraharorin së marruri thellë frymë. Ai man ishte pak si unë, se kujtimi i parë i verimit në fshat është ai dhe kujtimet të përfaqësojnë. Unë jam mani ose mani është unë. Çfarë mendjemadhësie perceptimi në pamje të parë! Jo nuk është fare e tillë, por një deduksion ardhur prej dhimbjeve të mëvonshme të shpirtit që nuk krahasohen me dhimbjet fizike. Por shpirti i njeriut mishërohet prej kujtimeve dhe në qoftë se do më jepej mundësia e zgjedhjes për t’u rimishëruar, do të desha të isha ai mani, si gjëja më e bukur që kujtoj që në fillesat e personalitetit tim. Mani si cilado pemë në natyrën që gjallon, e njeh jetën vetëm nëpërmjet vetes së vet, çdo kafshë e egër po ashtu, çdo insekt njëlloj, çdo ujvarë njeh rutinën e saj mrekullisht të bukur nëpërmjet vetes.

568

Vetëm një send mbi tryezë s’ka jetë të vetën, por e kryen atë nëpërmjet nesh. Jemi ne që e zhvendosim si taketuke cigareje apo si vazo porcelani që ia ndërrojmë vendin sipas gustos. Edhe lulja e gjallë në vazo brenda në shtëpi jeton përmes vetes, ndonëse ne e ujisim apo e vendosim nën dritën e diellit. Qeni dhe macja e shtëpisë kanë përkatësisht jetën e tyre, zbukuruar apo prishur nga i zoti, por jetën e kryejnë nëpërmjet vetvetes, sado të varur të jenë nga njerëzit e shtëpisë apo nga shtëpia vetë. Vetëm pemës (pra dhe manit) i mbeten rrënjët, të cilat nuk i shkul dot keqbërja në kohë, edhe sikur ta presësh atë. Kurse njeriu, ah, ai është tjetër, është qenie superiore për hir të mendjes dhe si i tillë, përveçse e njeh jetën përmes vetes, “duhet” të veprojë më shumë për shoqërinë se sa për vete. Po kush e thotë këtë detyrim?! Çfarë ligji e përcakton të tillë apo thjesht mbetet përsiatje e moralistëve që prej shekujsh thonë: “- Duhet kështu e jo ashtu! Duhet, duhet…, ndërsa njerëzimi ka rrugën e vet të evolucionit biologjik, historik e shkencor, social e politik, pavarësisht nga mendimi i njërit apo tjetrit. Ndërkaq, ky mendim i “njërit” apo “tjetrit” thjesht duhet ditur, madje në atë masë sa na përcakton identitetin intelektual, pavarësisht se çfarë rruge zgjedhim për të vepruar. Ndaj, jeta e secilit, veç nevojave fiziologjike është vepra e tij, ekzistenca e secilit është pikërisht çfarë bën në lidhje me ambientin, me shoqërinë, pra thënë ndryshe çfarë pune kryen për vete e për të tjerët. Se vetë jeta jo vetëm njihet nëpërmjet veprimit, por sidomos kryhet nëpërmjet tij. Motivi, “për të tjerët”, në moralin e filozofinë time, ka patur shumë vend, madje kaq sa të mohoja veten për ta. Ndoshta prej ndienjës kristiane në dejet e mia, ndoshta

569

prej venerimit të popullit tim e njëherësh të Enver Hoxhës si prijës shpirtëror i tij, pra të barazvlefshëm reciprokisht siç i shihja unë, pikërisht se fati më destinoi të jem e reja e tij. Ndaj, vendosa të lë mënjanë veten si ekzistencë në vetvete (pra së vepruari në mënyrë të posaçme si Lilianë), përveçse si nuse e denjë e djalit të tij. Tentova të mohoj unin tim tepër të fuqishëm duke e mveshur me një “un” tjetër, rrjedhur prej institucionit suprem E. Hoxha. Ky funksion nuk ishte i papërfillshëm jo vetëm si motiv, por, kryesisht për t’u kryer, sidomos në formë të përkryer siç pretendoja unë. Por kishte shumë pengesa, pengesa dhe asgjë rrethanore, apo rastësi, që në të kundërt ishin diabolikisht të qëllimshme. Paradoksalisht, gruaja e institucionit suprem nuk ishte pjesë e tij, por për absurditetin më të madh, atëherë e përgjithmonë (madje me kohë nëpërmjet kërcënimit konkret) përbënte institucion më vete, të pavarur e sidomos të panjohur nga E. Hoxha, si numër Dy, apo si të duash i dashur lexues, si institucion në hije, por në pritje aktive për t’u bërë Njëshi, sa për t’u dredhur mishtë nga demonstrimi i arrogancës e nënkuptimeve gjithmonë në mungesë të liderit. Ajo sundonte fuqishëm, madje me diktatin e nënkuptuar që këtu jam unë, “Zeusi” është vetëm simbol. Pra, dy institucione nën një çati, që në mënyrë diskrete kontraversoheshin. Si t’ia bëja për të qënë nuse e denjë e Njëshit kur njëherësh s’mund të isha nuse e denjë për të shoqen, shkatërruese kjo e çdo besniku të tij?! Ndërkaq, të gjithë i përuleshin asaj që bënte ligjin real dhe Njëshin e nderonin vetëm formalisht. Ligji simbol nëpërmjet Njëshit kishte egërsinë e vet në themel të sistemit politik me luftën e klasave dhe përcaktimet e tmerrshme: “armiku i popullit”, por ishte doktrinor më shumë, sepse praktikën e bënte

570

Dyshi. Sa më shumë të vigjëloja për Njëshin, aq më shumë “dëmtoja” Dyshin, që përgatiste ngado “njerëzit e saj”, siç shprehej vetë ajo. Çka më tmerronte kur e dëgjoja, çka e kishte realizuar dhe në familje. Ndërkaq, unë s’e kuptoja ende këtë si program të studiuar mirë, por si rrethana jetese njerëzish të përkëdhelur, kur edhe pse askujt s’i mungonte asgjë, pra siç thotë populli “s’kishim gjë për të ndarë”. Por, Dyshi, me strategjinë “përça e sundo”, filluar me fëmijët e saj, kishte një program të kalkuluar mirë, edhe pse i vështirë për t’u deshifruar, konstant e determinues si një përbetim. Ndërsa unë vazhdoja me filozofinë ekzistencialiste pasive të nuses së denjë të Njëshit, të edukimit të rezervuar, në mos skeptik, kur shumica e ngjarjeve përcaktohen nga rastësia se sa nga planifikimi i kujdesshëm. Që në fillimet e njohjes sime me fenomenin Dy, nëpërmjet të kuptuarit tim për planifikimin e tyre, rriteshin njëkohësisht pasiguritë e mia. Ndërkaq, që prej Dyshit ishte një përbetim i përbetuar, ndaj të cilit unë sillesha përjetësisht zonjësisht (siç do të shprehej Joyce). Ndonëse kisha gjithçka, kisha faktin, por ende s’desha të shihja thelbin, përkufizimin e faktit, analizën e tij, etj. Edhe nëse zëri i brendshëm më fliste qartë, unë rebelohesha kundër tij, duke e gjykuar si të pa drejtë, madje të paturp veten time. Vetëgjykimi dhe ecja kundër instiktit ka qenë goditja më e madhe e sistematike që i kam bërë vetes. Sepse ende mendoja se familja e Zeusit s’mund të kishte cene, këto me siguri, e pakuptuar, duhet t’i kisha unë si njeri i zakonshëm, ndonëse s’kisha gabuar kurrë, madje isha një vajzë dhe nxënëse e dalluar nga të gjithë. Prindërit dhe vëllai më i madh se unë më adhuronin. Im atë e im vëlla ishin komunistë shumë të ndershëm, si të tillë shumë

571

guximtarë e që kishin besim absolut tek unë, aq sa po të ishte nevoja ata përballeshin me Zeusin vetë për: “ç’vajzë i kishin dhënë për djalin e tij!”. Unë iu ngjaj krejt atyre, që do t’i thoshin Zeusit po të ishte nevoja: “Ne zbatojmë orientimet tuaja, pra jemi në rregull, por me sa duket ju tjetër thoni e tjetër bëni, pra ju s’jeni në rregull!”. Këtë gjë Dyshi e dinte shumë mirë, ndaj duhej ushtruar presion mbi mamanë time të dashur, natyrë e butë e fleksibël, në mënyrë që vetë ajo nga frika për mua të më mbante nën kontroll. Në ato kohëra, nuk iu hapa kurrë familjes sime, për ta ruajtur nga vuajtjet, siç mendoja se po të rrëfehesha, sidomos për mjekimin e detyruar që e morën vesh vetëm në vitin ‘90, kur për Sokolin e fëmijët e tij e të mitë, ime më u bë shqiponjë. Ndërsa gjatë gjithë kohës më kishte “ruajtur”, siç mendonte, duke më sulmuar e gjykuar që kisha qënë një vajzë e admirueshme, që më kish dashur i madh e i vogël që më kish njohur, pse familjarët e Zeusit nuk më donin? Pse nuk e ulja kokën siç donin ata? Po si ta ulja kokën e për çfarë ta ulja, sidomos kur për çfarëdo orvajtje timen për komunikim familjar, do të përgjigjeshin me kundërveprim idiot bojkoti, së bëri veshin e shurdhër, përveçse së dhunuari e provokuari në dinjitet në mënyrat më çorientuese sa të vije duart në kokë! Pra, siç thashë, këtë përbetim nuk e kuptoja të tillë pa u njohur kurrë, pa u ndeshur kurrë më parë në keqdashje për hir të fëminisë e rinisë time të hershme shumë të lumtur. Bekim për mua ky si vlaga e thelbit të përmbajtjes sime (që do më mundësonte iluminimin e mëpastajmë) edhe në ndryshim e sipër, çka është e pashmangshme përgjatë një jete njeriu, e mirë apo e keqe qoftë, e lehtë apo e vështirë qoftë, mbijetesë apo luks

572

shëndetngrënës qoftë. Se kështu ndodhi në moshën më të qenësishme të formimit individual, apo e ashtuquajtur e pjekurisë, në jetën time, në 20 deri në 40 vjeç. Pikërisht atëherë kur intelekti im duhet të kapte majat, unë së moskuptuari, sidomos së mosbesuari apo tek e fundit së mospranuari realitetin, vërtitesha si fugë me vorbull trazimesh në shpirt duke vetë evituar konkluzionet, por gjithsesi duke vigjëluar qoftë dhe në boshllëk për Njëshin, duke u kaurdisur kështu drejt “pjekurisë së thellë” kryesisht me dhjamin tim, me çka kisha nxënë në mënyrë intensive dhe seriozisht formuese që me njohjen e alfabetit e pastaj pafund, për aq sa mundej kjo pafundësi. Sepse Dyshi më kishte nxjerrë jashtë orbitës së të nxënit sipas kapacitetit tim natyral, duke më mjekuar kriminalisht pikërisht për çka shquhesha, pikërisht për të më fjetur intelektin, pasojë kjo e mjekimit vrastar. Krejt fshehur numrit Një, që vigjëlonte ndërkaq mbi mua, duke ndjerë që isha mbështetje pa kushte në grackën euthanazi-ke të tij prej Dyshit dhe mjekut Judë, duke e ditur që do të isha mbështetje jo vetëm e tij, por e gjithë familjes në emër të tij. Të sakrifikoja për ta ishte gjëja më e natyrshme për mua, e lindur e tillë, por sidomos për hir të E. Hoxhës. Tek shihja ndërkaq që familja e tij më luftonte, teksa mashtronte e izolonte E. Hoxhën, ndodhesha përpara honit, e pashpresë për t’u kuptuar ndonjëherë nga ata përsa i desha, për çfarë isha në gjendje të bëja për ta. Kjo keqardhje, ekzaktësisht edhe sot mbetet konstante tek unë edhe pse ishte utopi. Ende psherëtij: “Ah sikur të mos kishte qenë kështu!”. Ndërsa nën mjekim vendoste medikamenti për mua. Gjithçka ndodhte njëherazi kur Valbonën time të jashtëzakonshme,

573

pikërisht pse e donte gjyshi më shumë se çdokënd, prej xhelozisë nuk e donin gjyshja e të tjerët. Kurse Shpati e trembi seriozisht Dyshin për inteligjencën që foshnje. Në moshën 4 vjeç fliste italishten shumë mirë veç prej televizorit e midis të tjerash kompozonte foto tejet artistike. Dyshi nxitoi të deklarojë që Shpatin do ta bënte fotograf të “dinastisë”, ndërsa nipërit e tjerë do të ishin ideologë. Më e keqja për të shoqen e Zeusit ishte kur ai më thoshte vazhdimisht: “- Bëj përsëri fëmijë Lilianë se i bën shumë të mirë!”. Ndërkaq, që gruaja e tij, nëna, injoronte të atin e tyre, birin e saj, Sokolin. Sa për mua, ah mua, donin të mos kisha ekzistuar gjëkundi e jo më të ndodhesha midis tyre. Ishte kjo situatë kur mendoja se mungesa ime do të zgjidhte gjithçka. Pra, do të bashkonte familjen e E. Hoxhës ashtu siç duhej, jo vetëm për protokoll para syve të tij e të opinionit publik, por që fëmijët e mi, do të duheshin nga gjyshja, nga xhaxhai e halla e tyre, që Sokoli me një grua tjetër do të kish qenë më i qetë, sepse unë isha shkaku i luftës edhe ndaj tij edhe ndaj fëmijëve të mi, ndonëse nuk e kuptova ndonjëherë arësyen. S’ma thanë kurrë, megjithëse jua kërkova troç se ku gaboja e ç’duhet të bëja që të më donin siç i doja! Ndoshta mani bënte më tepër hije seç duhet, frutat i kishte më të ëmbla nga ç’duheshin dhe ekzistenca e tij vetëm në të mirë të të tjerëve, paradoksalisht nuk ishte e mirë për ta, në të kundërt iu prishte shumë terezinë. Manin e gjorë e kishin dhunuar, duke i prishur kurorën madhështore për të evituar hijen e thellë, duke shkelur kokrrat me këmbë nga tërbimi, por gjithsesi qëndronte në këmbë e për sa kohë qëndronte, do të krijonte reaksion, ndaj duhej prerë, po, po, prerë. Të pritej pema, do të ishte një e mirë e

574

përgjithshmen teksa unë gjithsesi do të lija rrënjët, gjakun tim, për çka isha aq krenare që ishte dhe i Zeusit. Kundrejt demonstrimit të tyre për të më shkelur mua, fëmijët e Sokolin vetë, duhej të shuhesha së qeni, e pashpresë edhe kundrejt E. Hoxhës që ishte gëzimi i venerimit tim. Por ajo mbetje nga unë s’kishte ç’i duhej as atij, në kushtet e ndalimit absolut të të folurit siç desha unë e siç do t’i duhej atij vetë, desha vetëm e vetëm të zhdukesha. Ishte ajo kohë e çuditshme, kur me dëshirë, përveçse ndërgjegje të plotë, çoja një shoqe të përzgjedhur nga të gjitha pikëpamjet në shtëpi te fëmijët e Sokoli. Ishte vajza e autoritetit ruajtës të udhëheqjes, zgjedhur sipas kodit konspirativ të mblesërive që diktonte Dyshi, (jo bijë e komunistëve të thjeshtë si unë), një bjonde e bukur, e ëmbël, për të cilën isha e sigurtë që do të familjarizoheshin mirë me njëri-tjetrin, që kur unë të mos isha më, do ta kishin gati zgjidhjen. Krejt e pëlqyeshme kjo zgjidhje nga gjyshja e tyre e nëna e Sokolit me gjithë “njerëzit e saj”. Dhimbja më e padurueshme si më e pashpjegueshme si çnjerëzore ishte se pasi më linin dy-tri ditë në gjumë, pa lavazh, pra, thjesht në pritje të ndodhte “vullneti” im, kur Sokoli nuk kishte asnjë ide për të trajtuar një njeri që i bën keq vetes, madje në shoqërinë e kujdesin e doktorit “mik”- Judë që informonte Dyshin, (që bënin sehir duke mashtruar E. Hoxhën siç kanë ditur ata), unë befas zgjohesha. Të lumtur, im shoq e fëmijët, më hidheshin mbi shtrat, ndonëse jo koshiente për “rrezikun e gjumit” tim të thellë e të gjatë 3 ditë- netë-orë. Kurse unë, përveç zhgënjimit, por edhe çlirimit të njëkohshëm që isha ende gjallë, tmerrohesha prej qetësisë funebre të Dyshit e të mjekut Judë sikur të mos kish ndodhur asgjë. Madje, për më tepër, me

575

këtë qetësi varri, më dënonin për aktin tim ideologjikisht të dënueshëm. Kjo mosdashje e jetës në çatinë e Dyshit, nën veprimin medikamentoz, është gjëja më e tmerrshme që kam provuar si organizëm i gjallë. Arsyeja e mjekimit? Thjesht ndjeshmëri e delikatesë, çka ishin tipare personaliteti, përveçse problem i dyfishtë endokrin i anashkaluar qëllimisht (siç u vërtetua më vonë), pikërisht fushë specifike e mjekut “mik”- Judë. Ndonëse me avari shëndetësore të tilla, vazhdoja punën me intensitet mëngjesmbasdite në ATSH, për t’u mbushur intelektualisht e për të larguar fokusin nga e keqja e shtëpisë së Dyshit. Për sa mundja, ndiqja orientimet e E. Hoxhës për hapjen e Shqipërisë ndaj Gjermanisë Perëndimore e rebelohesha ndaj gruas e suksesorit të ngarkuar me këtë detyrë, kur ato ngecnin e pse ngecnin. Duhej pikërisht vdekja e E. Hoxhës, që ndonëse ishte arsye shumë e madhe për të më zhytur në depresion, sepse mbeta krejtësisht pa përkrahje, e pikërisht se Sokoli që ndërkaq më llahtariste padashur më shumë tek më thoshte: “Tani më mbete vetëm ti!”. Pikërisht pse Dyshi na pati larguar nga Tirana mua dhe të birin në “befasinë” e vdekjes së Zeusit (në vigjilje të programimit “të ikjes” së Zeusit nga jeta), pikërisht se nën petkun e zisë Dyshi u bë Njësh, së bashku me suksesorin, ende pa e varrosur liderin e popullit. Pikërisht se nën petkun e zisë doli qartë bipolariteti i fshehur i saj, tek ushtronte hapur e me entuziazëm arrogancën e pushtetit të shumëpritur me bijtë e saj, të cilëve iu kishte ikur i ati, por iu kishte ardhur xhaxhai i gruas së djalit të madh siç ishte programuar, që së bashku me të venë e Zeusit, pushteti tashmë ishte plotësisht i garantuar si pushtet dinastik, sipas tyre absolutisht

576

i trashëgueshëm së paku në tre brezat e ardhshëm. Pikërisht se po bëhej e kundërta e amanetit të Zeusit për hapjen e Shqipërisë pa kushte drejt Perëndimit, duke hequr dorë nga rreptësia ideologjike me lejimin e fesë në radhë të parë. Pikërisht tashmë dilte detyrë para vetes të isha, të isha, të isha. Pikërisht për të zbuluar për çka më pat porositur E. Hoxha në ditët e fundit të jetës: “- Ruaju Lilianë!”. Për tim shoq që ndjehej jetim me nënën gjallë, e sidomos për fëmijët e mi të cilëve iluzioni i bashkimit të familjes së E. Hoxhës pa mua s’kishte ç’u duhej, që për ta duhesha unë, unë dhe vetëm unë. Për çka ishte luks e egoizëm, të ikje për t’i shpëtuar jetës, në të kundërt duhej përballuar qoftë edhe duke mos e dashur dot (prej krimit të bluzave të bardha), pra jeta nuk ishte më një dhuratë e bukur ose jo, por një detyrë dhe për fatalitetin tim e të E.Hoxhës ajo detyrë duhej kryer vetëm e vetëm nga unë, se jeta ime nuk ishte për t’u jetuar në limonti, por duhej vepruar e sakrifikuar fort. Asnjëherë s’kisha vegjetuar, ndryshe do të isha pranuar nga familja e Dyshit si një send që e ka një qoshe në atë rezidencë dinastie. Por, kisha ekzistuar duke vepruar me mendim të shprehur, qoftë dhe pasivisht, për çka gjithsesi shkaktoja kundërveprim. E ndërgjegjshme, që tashmë jo vetëm duhej të isha, por të isha tepër e fuqishme, se s’më mbetej asgjë përpara veç të çaja të ardhmen duke përballuar së pari sabotimet ndaj popullit shqiptar (edhe ndaj nesh) prej familjes së Zeusit dhe suksesorit. Deri atëherë e kisha lënë fatin të më tërhiqte osh! Tashmë, më duhej që fatin ta drejtoja vetë dhe për të tjerët. Fund iluzioneve, sepse “asnjë zhbërje e mëpasshme (sensibilizim i familjes së Zeusit – sikur të ndodhte, – shënimi

577

im) s’ka për të zhbërë zhbërjen e parë” (Joyce). Ishte momenti kur kuptova se jeta ime nuk duhej shpërfillur, se ajo në vetvete përbënte histori, si pjesë e dramës së përgjithshme të popullit shqiptar dhe e dramës konkrete të E. Hoxhës, ndonëse ky ishte autori teorik i dramës së përgjithshme. Mani, me tentativa sa të vjetra, aq edhe të dështuara për ta sharruar sa këtu apo aty, mbetet edhe sot, 60 vjet e më i motshëm, por me kurorë të rigjeneruar prej kohës, hijerëndë më tepër se hija e thellë dhe e paqme nën të.

578