E verteta te ben te Lire

Ka njerëz që nuk e njohin se çfarë do të thotë. Duke mos e pasur kurrë atë, kornizat iu duhen si guidë të vepruari, madje edhe të menduari. Këta mbeten jo vetëm skematikë deri në konservatorizëm, por inklinimi më i vogël nga skema i huton, s’dinë si ta marrin, i irriton për pasojë deri në paranojë. Lirinë e brendshme nuk mund ta ketë cilido. Ajo o është o s’është. Mendoj se lind me njeriun, por është domosdoshmëri zhvillimi i saj, nëpërmjet erudicionit universal, nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm drejt iluminimit. Liria e brendshme nuk është thjesht shpirti i kundërshtimit siç ngatërohet rëndom. Shpirti i kundërshtimit është çështje karakteriale dhe nganjëherë, kur kalon masën, individi bëhet skepticist, apo pengesë për zhvillime pozitive. Sepse shpirti i kundërshtimit është energji pozitive vetëm kur buron nga arësyeja e shëndoshë, jo nga instikti. Nëse është çështje instikti kemi të bëjmë me nihilistët e individët destruktivë. Ndaj, ndjesia e lirisë

259

së brendshme është një pasuri e vyer, e lindur, e ndërtuar edhe më, me shumë punë nëpërmjet të cilës individi përcakton veten në raport me shoqërinë, por dhe shoqërinë në raport me universin e dijenive të tij. Kaq i pasur ndihet ky njeri, sa pasuria materiale nuk mund t’i hyjë në sy, përveçse si çështje nevoje, jo prokopie, sepse ndjenja e lirisë së brendshme të hap horizonte, për pasojë orekse apo nevoja të niveleve të paimagjinueshme krahasuar me të zakonshmet. Të bën të uritur për nivelet intelektuale. Të kesh domosdoshmërisht prirjen drejt këtij ushqimi shpirtëror është çështja. Ky njeri nuk jeton dot pa informacionin frekuent intelektual, por kjo është veç menuja. Pastaj fillon ushqimi: letërsi, kryesisht letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë etj., etj. Si mund të jetojë njeriu pa njohur Rodin e Camile, përveç klasikëve etj etj. Apo “Sinfoninë e 9-të” të Bethovenit, “Aida” e Verdit, “Tosca” e Pucinit, apo ato më kontemporane si “Bah-Marcelo” etj. Të njohësh që në vegjëli pa kuptuar shumë, por duke ndjerë erën e dheut te letërsia e Shollohovit duke shijuar Jakov Xoxen te “Lumi i vdekur”, “Doni i qetë”, krahas Dikensit të bekuar me Koperfildin për edukimin e asaj moshe, apo me oqeaninë tolstoljane “Lufta dhe paqja” deri te Flober, Balzak, Zola, Gollsuorth etj etj. Sa kur shkon në moshë gjimnazi s’të hyn më gjë në sy e bëhesh selektive, selektive, selektive. Të kesh kaluar nëpër repertorë të tillë, doemos që mbi të gjitha je bërë i pavarur në mendime, i thellë në analizat e tua për gjatë shkollimit didaktik, që për fat të keq, jo vetëm të duket, por vërtet di më shumë se ç’të jep ai vit shkollor në këto fusha. Sepse i ke marrë kohën vetes me doemos kur ke mundur. I ke

260

marrë kohë gjumit shpesh deri në agim, lodrave të moshës me shoqet e shokët, leksioneve duke mbajtur poshtë tyre romanet në fakultet e në shtëpi, ndryshe ime më do të më thoshte: “Lëri ato e bëj punët!”. Edhe kur vinin mysafirë, tundimi ishte aq i madh sa lexon në sy të tyre e pastaj do shahesh në familje si e paedukatë, gjë që e dije, por e kishe marrë përsipër. Madje kur je e vogël, e nuk ke si ta çash kokën për të tjerët, sepse mendon se kush ta ka ngenë ty, sapo blen librin e radhës, ndonëse është për moshë madhore, nga padurimi do ta fillosh që rrugës deri në shtëpi. Shkurt, ndjesia e lirisë së brendshme nuk është një slogan por një fenomen. Është një uragan që ke brenda e po nuk e kreve siç është e domosdoshme gradualisht, do të deformohesh. Do të ndrydhesh e nuk do të jesh më ti. Duke urryer edhe më shumë kornizat, shabllonet, skemat, apo “modën”e sjelljes, realisht ligjshmërinë morale të të “sjellurit siç duhet”, apo siç thotë francezi në injorim të këtij fenomeni hipokrizie të përgjithshme sociale “come on doive”. E njeriu me uraganin brenda, nuk mund të jetojë përjetësisht në korniza. Sa më shumë ta shtrëngojnë, aq më fort uragani do shpërthejë kundër tyre. Pak a shumë kjo qe “plotësia” gjithmonë e paplotë si e pangopshme kurrë e urisë intelektuale që të garanton ndjesinë e lirisë së brendshme. Sepse janë njëherësh varësi e kondicion të njëra-tjetrës. Sokolit i hyra në sy për çfarë përfaqësoja si individ. Megjithatë në fillim më tha: “- Pse hiqesh si e komplikuar ?”, çka më zemëroi se u ndjeva e pakuptuar në çiltërsinë time. Ndërsa ai më dukej i mirë, i mirë pafund, si kërkush tjetër që kisha njohur apo parë.

261

Nga ana ime njohja jonë ka qenë krejtësisht miqësi, dhe kjo vetëm e vetëm se Toli nuk m’u shqit për asnjë sekondë, për 7 vjet, deri sa u martuam. Më ndiqte kudo të isha, në tokë, në det, në mal, në hënë e në Mars po të ishte nevoja. Po le ta natyralizojmë lidhjen tonë pambarimisht të pazgjidhshme, çfarëdo fillesash të ketë pasur. Pra, më ndiqte kudo ku unë do të gjendesha, në shkollë, në bankë e përbashkët kur ndërronim kabinetet, ku do të kish lënë shënimet e radhës, e që shoqja ime e bankës do të lexonte duke shqyer sytë, për të mos e dhënë veten. Nëpër korridoret e shkollës, ku përplasej si padashur me mua, deri sa më kërkoi numrin e telefonit. Kjo do të ishte mbasditja jonë, domosdoshmërisht duke folur përditë me rekordin përkatës 6 orë radhazi pa pushim sa doreza e telefonit përvëlonte. Toli u fut në jetën time si gjenerator të qeshurash që unë vetë nuk i kisha përfillur deri në atë kohë. Me krijonte lloj lloj-lojrash, që sa më fëminore të ishin aq më shumë iu gëzohesha unë, si gjetje arti naiv – siç më dukeshin. Gjithë ai ushqim intelektual që kisha akumuluar kërkonte nje shkarkim njerëzor nga më të çiltrit. Këtë më solli Toli. Kjo, sepse të dy, tashmë 16 vjeçarë ishim nën efektet e instikteve të moshës, e ndonëse unë ende iludohesha që e kisha shok të ngushtë, ai nuk iludohej aspak, por s’guxonte të ma thoshte, deri sa çdo gjë u bë e qartë po prej tij kur ishim maturantë. Ishte gëzim deri në lumturi? Po, ishte gëzim, por jo lumturi. Të isha e përzgjedhura për jetën e djalit të Enverit më trembte për nga ndjenja e përgjegjësisë, që nuk do kisha të bëja vetëm me Tolin, por edhe me E. Hoxhën. Unë vuaj nga lartësitë dhe

262

ekzaktësisht këtë marrje mendsh pësoja kur mendoja që pranë tij do të ndjehesha në lartësi shumë të mëdha, që nuk do t’i suportoja. Se unë jetoja poshtë e se aty poshtë ndjehesha shumë mirë, se nuk pata ndonjëherë ambicie për asgjë, veç ushqimit intelektual e lirisë sime të brendshme. Po me këtë të fundit çdo të bëja?! Do të skllavërohesha për hir të dashurisë me Sokolin?! Jo, kurrë! Nuk e pranoja. E refuzoja. Blloku s’më pëlqente, pikërisht nga falsiteti i atyre që njihja. Pa menduar disiplinën e hekurt përmbi vete, si protokoll i brendshëm në familjen e madhe. Bëra përpjekjet e mia për t’u ndarë, por pa sukses. Sokoli tani më ndiqte deri në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Më ndiqte dhe në provat e parakalimit në 29 Nëntor në kuadratet ushtarake. Ishte i dashuruari më i përulur ndaj dashurisë që më kanë parë sytë e më kishin dhënë njohuritë e mia intelektuale. Dilema: jo, po, jo, po, përfshinte edhe kohën kur njoha E. Hoxhën që më deshi që çastin e parë që më takoi, Viti i Ri 1967, në shtëpinë e tij. Isha një 16- vjeçare që E. Hoxha çdo vit të ri do priste me padurim të më takonte. Por nuk më desh Nexhmija, për as edhe një sekondë, përkundrazi ma shfaqi haptas që kur më dha dorën pa më pyetur së paku për formalizëm se kush isha e nga vija, ndryshe nga E. Hoxha, si e vetmja vajzë jashtë Bllokut prezente çdo vit, kur gjithë të ftuarit e tjerë ishin bllokmenë, pra të njohur prej saj. Ndaj, m’u desh ta mas veten apo dashurinë me peshore drastike. Dashuria për Tolin e padiskutueshme edhe se duhet ta lija ishte njëra anë e peshores me vështirësitë e saj, por larg qoftë t’i ndodhte gjë atij unë do të vdisja me siguri nga pamundësia për të marë frymë.

263

Kështu, racionalizova në mendje edhe dashurinë që është e paracionalizueshme. Tolin e dashuroja, E. Hoxhën e veneroja dhe ndaj N. Hoxhës kisha një frikë të vagëlluar, pikërisht se më dukej që ajo çuditërisht këtë donte: që ta kisha frikë. Fitoi energjia pozitive. Dashuria, venerimi për ndjenjën kombëtare, kundrejt parandienjës deri në profetci se lidhja me Tolin do të më sjellë palumturi e telashe të mëdha që nuk do të vareshin kurrsesi prej ne të dyve. Dhe nuk reshtën kurrë edhe pse raportet ndërruan disi, siç ndërron vetë njeriu në saj të jetës, tek ndërron vetë jeta kaq shumë, sa në njëfarë moshe të duket se ke kryer disa jetë (siç thotë Cvajg), prej vetë etapave të saj.
* * * Jo çdo njeri kryen shumë në jetë, ndaj mendoj se jeta ime nuk do të kishte pasur kaq etapa po të mos ishte N. Hoxha si fenomen për vetë misionin e saj. Sepse përmbysja e regjimit do të sillte vështirësitë e kuptueshme përveçse e desha, pavarësisht se ç’drejtim katastrofik mori prej N. Hoxhës e R. Alisë. Tashmë të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson ajo për kombin nga libri “Pushtimi i brendshëm”. Por të ketë definitivisht këtë qëllim edhe brenda në shtëpinë e saj, edhe brenda gjakut të saj, është çka më takon të trajtoj në vijim përgjatë kësaj vepre. Sepse paradokset ishin sinjifikative në mënyrë flagrante. Sepse pikërisht se E.Hoxha më deshi, ajo s’duhej të më donte. Pikërisht se isha bijë populli, ai kështu më fokusoi e më nderoi në familjen e tij, kurse ajo më përçmoi posaçërisht si të tillë. Pikërisht se kisha ndjesinë e lirisë, për pasojë sigurinë e

264

brendshme E. Hoxha, më vlerësoi e ky ishte problemi për Nexhmijen. Pikërisht, për këtë ajo u tremb së qeni “fuqi” gjoja në saj të E. Hoxhës, por realisht prej UDB-së e robinjë e saj, pa brendi personale njëherësh. Iu prish situata e skemës stoike të makinës së kontrollit, iu prishën marshet. Jo më që nuk isha prej kastës së njerëzve të saj, “tanët”-ve, por kundrejt komplekseve të kulturës së saj otomano-bizantine dhe urrejtjes për shqiptarët e Shqipërisë, (si e ardhur nga Manastiri i Maqedonisë), e gjitha kjo zbërthyer në funksionet jetësore sociale: si femër, grua, nënë, gjyshe, të mangëta në vetvete, hyra unë në shtëpi të saj. Unë, e paparashikueshmja në gjithçka. Inisiatore në gjithçka, pa më shkuar në mend që duhet pyetur Nexhmija. Hierarkinë në familjen time e në cilëndo familje shqiptare e kuptoja dhe e nderoja pa masë në raport me pemën gjenealogjike, pra sipas rendit të moshës e doemos të funksionit në familje: gjysh, prind, fëmijë. Por kjo s’kishte të bënte me barazinë e brendshme të të drejtës së fjalës, apo tek efekti më racional i mendimit të kujtdo anëtari të familjes. Hierarki për hir të hierarkisë, as e kisha njohur e sidomos nuk do ta pranoja kurrë. Në limontinë bajraktariste familjare të Nexhmijes shkaktuar prej saj, befas erdha unë. Liria ime e brendshme tronditi mjedisin midis saj dhe E.Hoxhës. Prirja e lirisë së brendshme doemos që shoqërohej me prirjen e entusiazmit përpara kujtdo që ma inspironte. Çdo ditë për mua, sa hapja sytë do të ishte një eksperiencë e re, me etjen për të njohur ngjarje, fenomene dhe sidomos njerëz të rinj. Entuziazmi ishte shprehi përcaktuese për mua, përpara çdo të papriture të rëndësishme apo jo, shumë

265

të vlefshme apo pak të vlefshme. E gatshme të përqafoja çdo gjë, që doemos më dukej pozitive, dhe ka kaq shumë gjëra pozitive sado të vogla çdo ditë. Entuziazmi për vlerësimin pothuaj të gjithçkaje njerëzore përbënte bazën e sinqeritetit tim, demonstruar po në mënyrë entuziaste. Entuziazmi edhe si fenomen në vetvete është një vlerë pozitive. Individi që s’ka cilësinë e entuziazmit nuk mund e sidomos nuk dëshiron të vlerësojë të mirën te tjetri. Individi që s’ka cilësinë e entuziazmit nuk mund të pranojë arritjet e tjetrit, që janë më të mëdha se të tijat. Individi që nuk zotëron mundësinë e entuziazmit nuk di të adhurojë. Nuk di të venerojë. Të adhurosh e sidomos të venerosh, çka është e rrallë për vetë subjektin e venerimit, do të thotë që modestisht të vendosësh veten në një farë lidhje me të, pra theksoj të jesh modestisht i ndërgjegjshëm që vlen diçka. Ndjenja këto sublime që një besimtar mediokër nuk arrin t’i ketë as për Zotin vetë, veç nënshtrimit në kërkim të mëshirës. Entuziazmi të ushqen me kulturën e vlerësimit. Unë nuk mund të jetoja pa vlerësuar gjithçka që më rrethonte, pavarësisht efekteve negative të jetës. Do të gjeja diçka, do ta kërkoja kudo për ta vlerësuar. Të njihje njerëz të rinj për mua përbënte një ditë të veçantë, gati-gati ditë feste. Sepse do të merresha me çka kisha vlerësuar tek ai. Pa më të voglin sens kritike, çka më mungon si prirje e brendshme, por jo kur elementi i kritikueshëm është serioz. Natyrisht edhe jam iluduar, por s’jam penduar kurrë. E mbushur përbrenda me filozofinë: “Unë të vlerësova – ti se meritove!”, unë nuk humba gjë, fitova një eksperiencë. Ti humbe vlerësimin tim që ndoshta s’ka rëndësi për ty. Por, ti në rrugën

266

tënde, unë në timen. Kultura e vlerësimit besoj që është udhëheqëse në ecurinë e zhvillimit të kulturës universale. Sepse ajo në vlerësim e sipër të fenomenit gjeneron ide, si të bëhet më e arrirë ajo vlerë tashmë e mirëqenë, tashmë e pranuar. Në këtë fushë mund të flitet shumë, por më duhet të preokupohem për të kundërtën: kulturën e mosvlerësimit. A ekziston kjo si qëllim në vetvete? Padyshim dhe është pikërisht kjo që më ka shqetësuar si mbizotëruese në kulturën shqiptare. Në shtëpinë e E. Hoxhës, përveç atij vetë, që me praninë e tij gjeneronte informacione universale kulturore, kishte një atmosferë mbytëse mosvlerësimi, madje përbuzjeje për gjithçka. Jo vetëm si mentalitet por kryesisht si karakteristikë tendencioze deri në tekanjoze. Nexhmija, madje vetë Pranvera “lubia e librave” siç e quan e ëma, nuk diskutonin kurrë së paku për çka lexonin, për autorin, përmbajtjen dhe jo më për refleksione. Ishte gati e pamundur të vlerësoja njerëz konkretë, personazhe të ditës. Shurdhmemecëria në këtë drejtim ishte diktat prej Nexhmijes. Ndoshta se i njihte mirë të bijtë, e i kish mësuar që të vegjël të mbanin gojën të mbyllur. Ndaj, entuziazmi im thyente zakonin e përjetshëm familjar. Aq më tepër që entuziazmi im shpërthente tek rrinim edhe në prani të Enverit. Ai kaq donte, më nxiste të rrëfehesha për konkretësinë e asaj dite, duke më plotësuar me erudicionin përkatës. Të tjerët heshtnin, filluar nga Nexhmija me buzë të shtrënguara. Vlerësimet e mia për të tjerët e befasonin Enverin si një gjë e munguar pranë tij. Ndaj ai më nxiste vetë: “Ç’kemi Lilianë?…”. E filloja të shpalosja komentet përgjithmonë pozitive, për çdo diskutim me shokët, apo ato në familjen

267

prindërore, apo të diskutoja për një temë që desha mendimin e tij (gjithmonë jo nga ato që “do ta shqetësonin” sipas urdhrit të Nexhmijes). Kjo gjë e entuziazmonte vetë Enverin, i cili fillonte të fliste gjatë e gjerë deri sa e shtronte në princip rëndësinë e kulturës së vlerësimit. Ndoshta të tjerët nuk e kishin ketë përgatitje, por dukej qartë që iu mungonte prirja. Por duhet theksuar si fenomen më vete që tek E. Hoxha mungonte kategorikisht kritika, sharja apo të marrurit dikush nëpër gojë përpara tij. Siç do t’i servirej menuja (sado e kufizuar) me etikën e përkorjen përkatëse, ashtu do të ishte dhe sjellja e familjarëve, e “përkorë”, ndonëse siç thashë shterpë, në pamundësi të ishte natyrale dhe e çiltër. Natyrisht që Enveri nuk e ndeshi për herë të parë fenomenin e lirisë së brendshme. Unë veçse sa i vajta në derë dhe ai duhet të ketë thënë: “Voila, ja çfarë na duhej në shtëpinë tonë!” Vlerësim që e ndjeva në rritje çdo ditë e më shumë. Çka u prit katërcipërisht keq nga Nexhmija. Lajm i gëzueshëm për të parin, që më dha menjëherë autoritet prej autoritetit të vet. Jo me deklarata, jo me pozitë, jo me kurora dafine, por duke e shprehur fort me tërë qenien e tij, që u bë me një shoqe të brezit të ri brenda në familje, për çka ai kishte patur aq shumë nevojë. Asgjë nuk synova, asgjë nuk kërkova, asgjë nuk ëndërrova, por për E. Hoxhën isha nga ata që ai do t’i donte kudo, sidomos autoritete politiko-shoqërore. Për të dytën, Nexhmijen, ardhja ime ishte si për t’i lëvizur toka nën këmbë, sepse trembej ngaqë isha e padëshifrueshme për kodin e saj, kur unë desha veç të më donte. Për të isha enigmë, çka i humbiste sigurinë e ngritur mbi përllogaritje e metodologji që kishin suksesuar, i kishin rezistuar

268

e do t’i rezistonin kohës deri sot, por unë megjithatë e turbulloja, madje shumë. E gjithë kjo që thashë realisht kishte të bënte posaçërisht me mua, por unë vetë s’kisha të bëja me këto komplekse. Pra, fillimisht iu bëja dalje, i injoroja, duke u fokusuar te lumturia ime dhe e Sokolit. Ishte një lumturi që çelte gonxhe, që dukej, ndjehej, prekej, sepse gonxhet çelnin dhe era dalldisëse e trëndafilit kur është tejet i hapur tërheq padashur vëmendjen e gjithkujt. E pra, këtë arrinim unë e Toli dhe pikërisht për këtë Nexhmija do të më thoshte për Sokolin: “- E ke burrë, nuk e ke djalë!”. Nuk e di se si mund ta dojë më shumë një grua burrin e saj, përndryshe nuk do të lulëzonim ne vetë nëpërmjet dashurisë sonë tejet të lumtur, nuk do të arrinim erën e trëndafilit të tejhapur pa asnjë rezervë. Ndërkaq, që dija mirë pa hyrë ende në të thella, që Nexhmija si nënë ishte tejet e ftohtë me Tolin, deri dhe me Valbonën, më të çmuarën e gjyshit, e merrej me të vetëm në sytë e tij, e po kështu më pas me Shpatin, emri i të cilit e tërbonte. Mënyra e të qenurit tim do të ishte përgjithmonë halë në sy për të, sa ndërtoi dogmën-presion: “- Liliana më shikon si vjehrrë!” Ç’është e vërteta ajo s’mund të qe një tjetër E. Hoxhë, sepse të dytë si ai nuk mund të kishte, në daç burrë në daç grua siç pretendonte ajo. Ndërkaq habitesha se e nderoja maksimalisht si grua të tij, çka duhej të ishte tepër për të. Kjo është gjithçka që unë ia jepja nga brendia ime, duke e menduar sinqerisht si një gjë madhore këtë rol: madje ka qënë, një kohë kur mendoja që asnjë grua tjetër krahasuar me të, nuk do mund të meritonte të ishte gruaja e tij. Megjithatë, ndaj këtij presioni të çuditshëm

269

(sepse s’kisha kuptuar ende si e shikonte veten N. Hoxha), kam reaguar shumë vonë. Vitet e fundit të E. Hoxhës (në ’83-n), ajo ishte e pandalshme kundër meje sy për sy pa asnjë skrupull. Ndaj dhe i them: “- Unë ju kam parë gjithmonë si grua shteti, jo si vjehrrë. Por si grua shteti, siç ju shoh ende duhet ta meritoni!”. S’ka patur kurrë zënka banale, së paku që unë të jem personazh. Madje pakënaqësitë e saj ndaj meje i ngrija në princip, çka e çarmatosnin dhe e linin pa gojë. Kështu edhe në këtë rast. Mbeti e çakërdisur siç ishte shtrirë për pushimin e drekës. Gjithçka ia thashë qetësisht dhe në ecje e sipër. Ndaj kur u ktheva t’i theksoj që duhej “ta meritonte”, siç ishte duke më parë tërbimshëm, në çast, urgjentisht, mori librin sikur po lexonte. S’mbetej kurrë gjë për t’u bërë dhe kundrejt luftës tepër të ashpër për t’u mbrojtur, por ishte e ftohtë si teh thike. Duhej vetëm duruar. Durimi do të sillte epoka të reja apo jetë të tjera për mua, sërish të kushtëzuara prej saj, siç u vërtetuan, edhe pse larg njëra-tjetrës. Në vitet ‘90 duhej hedhur mbrapa gjithçka sipas vizionit tim, e bëra përpjekjet për bashkimin e gjithë familjes. Madje, përpjekje për të mbrojtur vetë N. Hoxhën kur hyri në burg. Të shkruaj për këtë gjë, t’iu drejtohem organizatave ndërkombëtare etj. që do të ishte temë më vete. Me gjithçka që më kish bërë deri në ’90-n e konsideroja se vuante nga një kompleks malinj i pashërueshëm që nxiste dhe djalin me nusen tjetër, mbesën e suksesorit, në raport me mua. Po kështu edhe kur vija re qartë që nuk vepronte mirë në raport me E. Hoxhën, muajt e fundit dhe pas vdekjes, e justifikoja me papjekuri apo dhe kompromis previzioni për të ruajtur familjen e saj. S’ka gjë që më veçonte mua, tim shoq dhe fëmijët e mi.

270

Pasi del nga burgu, ajo dhe R. Alia, në dukje na abandonuan krejt, por fshehur na përndiqnin. Ishin vitet 2000 kur vërtetova katërcipërisht prej gojës së saj, që ishte ajo vetë, personalisht autore deri në asgjesim tim fizik përveçse atij civil, meqë makina propagandistike e saj nëpërmjet “tanët”-ve s’ka pushuar që kur isha 16 vjeç e deri sot. Ishte atëherë momenti kur të gjitha jetët e mia më kaluan në të mijtën e sekondës para syve. Mendja m’u ndriçua: shumë jetë kam kryer, por tashmë e njoha vërtet jetën.

271