E verteta te ben te Lire

Përvoja tregon se është njëmijë herë më lehtë të riprodhosh faktet e një epoke, se sa atmosferën shpirtërore

CVAJG

Një nga gabimet bazë që ka bërë E.Hoxha në lidhje me Shqipërinë, por edhe për shëndetin e tij është që pranoi kushtet e izolimit personal prej presionit “profesionist” shëndetësor që ia shtruan deri në detyrë partie e shteti. Përpara tij u shtrua çështja pikërisht në këtë formë: të ruante shëndetin për të udhëhequr Shqipërinë.

Çdo histori e madhe apo e vogël, varet nga faktorët përkatës, deri nga detaje pa të cilat asgjë nuk mund të kuptohet mirëfilltazi. Sepse jepen të gatshme faktet e dukshme që shpesh përgatiten për propagandë publike me synimin që ato të jenë kaq të besueshme sa të të obsedojnë për të mos parë të padukshmet. Deri sa arrijnë të bindin vetë individin apo njerëzit e tij besnikë. Faktor kyç për skenarin e izolimin e E.Hoxhës ishte Juda me autoritetin e Nexhmijes, Ramizit e Sulo Gradecit, ndonëse këta dy të fundit bënin sikur kundërshtonin njëri-tjetrin vetëm për
Përvoja tregon se është njëmijë herë më lehtë të riprodhosh faktet e një epoke, se sa atmosferën shpirtërore CVAJG

283

të garuar cili ishte “gjeli në kotec”. Sulo Gradeci, kishte qenë gjithmonë njeriu më i rëndësishëm për N. Hoxhën, i cili s’mund të arrinte kurrë të komunikonte me Enverin për çështje konkrete, sepse për të ishte vetëm kryeroje, por që në saj të Nexhmijes kryente gjithçka që donte në emër të E.Hoxhës. Kudo që shkonte, në çdo institucion shihej e reagohej ndaj tij si të ishte vetë E.Hoxha, arsye e mjaftueshme për të abuzuar. Ndërkaq që E. Hoxha kryente ritualin e tij rreptësisht të lartë në vlera kualitative si lider, apo njerëzore, për sa unë mund ta rrokja duke qenë prezent apo me arsyetim deduktiv përditësinë e tij. Kështu, S. Gradeci mbetej jetë e mot burimi i sigurimit të privilegjeve që kërkonin fëmijët e E. Hoxhës pa ditur asgjë ati i tyre.

Për këtë, ishte më i domosdoshëm ai për Nexhmijen e fëmijët, se vetë E. Hoxha, që nuk mund të merrej me vogëlsira, jo më të pranonte konkretësinë vanitoze të tyre. Por asgjë e keqe e pandreqshme s’mund të vinte nga S. Gradeci për rolin që i kish dhënë Nexhmija, pa ekzistuar Juda. Këtë, në pamje të parë mund ta quaje fare mirë Uriah Hip për korelacionin e çuditshëm se si nganjëherë pamja dhe karakteri përputhen me vetë emrin e individit, tipologji që na sjell fusha e historisë, letrave e artit. Por Uriah Hipi ishte njeri i dobët e i rëndomtë, qoftë dhe me antivlera krahasuar me Judën. Ndonëse pa intelekt të shquar, por me dinakërinë e përtejshme të fshatarit më shumë nga ç’na jep Balzaku, ky individ kishte ambicie patologjike për të arritur të gjitha majat e mundshme.

Nën çatinë e E. Hoxhës, synonte Rasputinin siç edhe është shprehur. Si makiavelist i përkryer, prodhonte prirjet më të errëta, instiktet më primitive të kafshës njerëzore, si fatalitet i

284

pakonceptushëm e ogurzi. Sipërfaqësor në çdo fushë, por përvetësues i veprave të të tjerëve, pra thjesht kopjues, meqenëse i pati mundësitë, bëri njëfarë emri fiktiv profesional. Duke shfrytëzuar çdo rast për t’u demonstruar dikushi, kur në fakt ishte askushi, ai abuzoi në çdo drejtim në mënyrat më të ulëta njerëzore, për të të ardhur turp t’i dish e jo më t’i thuash. Duke qenë thellësisht i programuar, pra duke ditur edhe çfarë do të ndodhte pas E. Hoxhës, ka synuar deri ministër i Shëndetësisë, por Ramiz Alia nuk ishte aq budalla sa të përfaqësohej me “kartat e djegura”.

Rrethanat jo më kot e favorizuan dhe ky u bë njeriu me fuqinë më të madhe edhe se Sulo Gradeci, të deleguar gjithmonë nga Nexhmija. Ndonëse është gjoja mashkull, kishte reflekset, madje instiktet femërore, sa të luante vetë atë, domethënë Nexhmijen, sipas mësimeve të saj, në raport të drejtpërdrejtë me mua dhe Tolin, në familjet tona apo të prindërve tanë, të të njohurve tanë, etj. ku manipulonte kryesisht femrat.

Ky Juda-Nexhmije apo Nexhmija-Judë, kuvendonte me personat e posaçëm siç isha unë e Toli, ku rrihte tehun e thikës ndaj nesh sipas mendjes së saj. Duke u hequr si mik i dashur, aq më tepër si mjek i domosdoshëm, ai të të injektonte panikun për të pasur nevojë për të apo për të krijuar varësi të domosdoshme. Megjithëse kishte këtë fuqi prej Nexhmijes, Juda në ’76-n dëbohet nga E.Hoxha se rrezikoi jetën e Sokolit për një apendisit të thjeshtë që e la të kalojë në peritonit.

Çudia më e madhe për mua, që deri vonë e kam konsideruar gabim fatal ndaj vetë E.Hoxhës, është risjellja e tij në ’77-n prej Nexhmije Hoxhës. Mbetet enigmë si e pranoi Enveri këtë fakt.

285

Mbetet enigmë pse Nexhmija e solli Judën posaçërisht për mua. Çfarë kisha unë? Nuk isha ankuar kurrë, përveç lodhjes së herëpasherëshme dhe pagjumësisë.

Mbetet enigmë çfarë dinte Enveri për sëmundjen time, përderisa Nexhmija më përdori mua për të futur sërish Judën. Dhe kjo s’mund të bëhej pa dijeni të Enverit. Duke dashur të rrëfej kronologjikisht jo vetëm se kur kanë ndodhur por edhe si e kur i kam kuptuar retrospektivisht ngjarjet, kam thënë që Juda i doli për zot problemeve të mia endokrine para Miliezit. Kjo ka ndodhur në ’79-n.

E vërteta është që para apo sa jam martuar, pra rreth ’74-s kam bërë grafi të veshkave siç më ka thënë Juda, të cilën nuk e mbaja mend se nuk isha ankuar. Ndoshta pse ishte zakon të mos thuhej kurrë asgjë, së paku për mua, veçse normal, normal. Po ashtu eksperimentoi një ditë, pa dhënë asnjë shpjegim, metodologji e rreptë kjo, padyshim e qëllimtë për të mos pasur unë asnjë informacion. Më bëri insulinë, sa e qysh nuk e di, e priste çdo të ndodhte.

Pas pak, unë fillova të ha si e çmendur një kile dardha që m’i kishte vënë qëllimisht përpara. Arsyen dhe rezultatin e eksperimentit nuk e mora vesh kurrë. Kështu dhe grafinë e veshkave, jo vetëm që nuk e mbaja mend, por sidomos kurrsesi nuk mbaj mend të kem përsëritur grafinë. Retrospektivisht mund të them me plot gojën që nuk kam bërë verifikim grafie. Vite më vonë, si manipulator që ishte, për të zënë vend emocionalisht tek unë e Toli siç ishte programuar, më thotë një ditë si rastësisht (pas ’79-s) -Dikur kam vuajtur shumë për ty, gati kam qarë se kemi

286

dyshuar për gjëndrrat mbiveshkore që të dolën në grafi flluskaflluska. Por më vonë u qetësova se ishte gabim filmimi.

Përsëri e harrova këtë ngjarje edhe pse s’më kujtohej të kisha bërë verifikim grafie, madje për të dy veshkat. Nuk kisha idenë e kësaj sëmundjeje endokrine që prek gjëndrrat mbiveshkore. Çka së pari jep lodhje dhe pagjumësi. Ekzaktësisht për çka ankohesha unë që në moshën 23-vjeçare. Mund të jetë e çuditshme edhe se si e ka konfesuar Juda këtë gjë, që në kujtesën time deri atëherë nuk ekzistonte.

Për t’u bërë sa më i dashur për ne ai ka lozur shumë me psiqikën tonë. Është me sa duket fenomen i paevitueshëm e shumë interesant nevoja që kanë këta njerëz që mbajnë në ndërgjegje shumë sekrete kriminale për të shkarkuar qoftë edhe grimca prej tyre. Duke qenë gjithmonë me një agjent shoqe apo shok lidhur pas meje prej Nexhmijes, jam ndeshur shpesh me këtë fenomen anësor të psiqikës së tyre. Me sa duket, nga pesha që mbajnë në kurriz një valvol misterioze psiqike e tyre ju shërben për t’u çliruar sadopak, ndaj derdhin herë pas here diçka nga sekretet e brendshme.

Nga këto copëza rrëfimi ndër vite nga Juda dhe nga të tjerë si ai, edhe nëpërmjet deduksionit apo interpolimit mund të arrihet një formulim për veprën apo profilin e tyre. Këtë e them se tashmë besoj që Juda e ka ditur sëmundjen time autoimune të gjëndrrave mbiveshkore dhe ma kanë fshehur bashkë me Nexhmijen. Sëmundje kjo që po s’u mjekua të çon në kolaps. Ky arsyetim, i jep kuptim esencial risjelljes së Judës posaçërisht për mua si “mik” i ngushtë, përveçse mjek personal. Sëmundja ime mbetej sekret duke manipuluar me depresionin.

287

Ndërkaq, antidepresivët që më jepnin qëllimisht në mënyrë konstante bënin korozion tepër agresiv ndaj gjëndrrave mbiveshkore apo adrenale siç quhen, duke më lënë më tepër të lodhur, pa gjumë e të deprimuar.

Çudia ime permanente ishte pse Nexhmija e risolli Judën pikërisht për mua kur ishte i përzënë nga E. Hoxha?! E.Hoxha s’do ta pranonte kurrë njeriun që desh i vdiq djalin. S’do të pranonte kurrë njeriun pasi e ka përzënë njëherë. Po ja që kështu ndodhi. Nexhmija më tha: “-Thirre Judën, që të të ndjekë vetëm ty meqenëse është i përjashtuar”. Gjë që s’mund të bëhej pa dijeninë e E. Hoxhës. Retrospektivisht kuptohet që hyrja e tij vetëm për mua, në dukje privilegj specifik kundrejt xhelozisë së kunatave. Kuptohet sidomos që Nexhmija nuk e ka kursyer as Enverin për këtë informacion shumë të dhimbshëm për të, vetëm e vetëm që të fusë Judën, përderisa problemi im ka qenë endokrin.

Enveri prej kujdesit që kishte për mua kapërceu vetveten për të pranuar Judën. Prej kujdesit që kishte për mua më besoi te Miliezi. Por Enveri nuk e diti kurrë që Miliezi nuk u mor me problemet e mia endokrine, të mirëqena si të shëndosha prej manipulimit të Judës. Enveri nuk e diti kurrë, që unë nuk jam mjekuar në Paris për sëmundje endokrine. Madje ai nuk e mori vesh kurrë që unë nuk isha në dijeni për sëmundjen time. Ndërsa unë mendoja përse duhej Juda për depresionin tim. Përse nuk me shoqëronin me një neuropsikiatër në Paris, meqënëse nuk më linte Nexhmija të vizitohesha në Tiranë.

Pse ja mbajnë babait sekret depresionin tim? Diçka nuk shkonte. Ndryshe nga rastet për fëmijët e tjerë ai nuk u bë kurrë

288

pengesë për mua. Ishte e qartë që ai nuk e diti kurrë çfarë ndodhte për vite me radhë. Sepse ajo që nuk dinte të vërtetën e thellë isha unë. Kështu në të njëjtën kohë mashtronin Enverin që mjekohesha për lodhjen adrenale, ndërkaq që më mjekonin me antidepresivë.

Çfarë dinte Enveri për mua, nuk e dija unë. Çka ndodhte me mua prej Nexhmijes dhe Judës, nuk e dinte Enveri. Për të sjellë Judën unë isha karemi. Juda risillet për të vazhduar misionin në sekret të plotë. Çuditërisht, Juda nuk kërkoi kurrë konsultë për mua me të nderuarin Fejzi Hoxha, atin e endokrinologjisë shqiptare, jo vetëm mik i ngushtë por dhe mjek i E. Hoxhës. Vetëm për moshën e thyer të tij duhej për operativitet një mjek më i ri si Hektor Peçi.

Më vonë, Juda, si pjesë e intrigës së Nexhmijes dhe mbesës së Ramiz Alisë e largojnë atë, madje e çojnë sa më rrallë Fejziun tek Enveri me alibinë se është plakur, për të pasur terren komplet të tyrin. Natyrisht, qëllimi ishte shumë më i thellë, që Juda të arrinte E. Hoxhën. Do të kalonin dy vjet që ai të fitojë terren te fëmijët, Sanua, te vetë Nexhmija, për të kaluar sërish tek Enver Hoxha. Unë bëja çudi, që babai ndonëse përkujdesej shumë për mua, nuk më pyeti kurrë si ndihem, sikur ta dinte më mirë se unë çka ndjeja.

Po të ishte informuar që mjekohesha për depresion, ai kishte aq kulturë sa të dinte që depresionet janë krejtësisht të shërueshme. Ndaj dhe do të më pengonte të shkoja periodikisht apo më shumë se të tjerët në Paris. Madje dhe bisedat do të ishin më specifike si psikolog shumë i mirë që ishte. Së pari, natyrisht që do të më pyeste se çfarë më preokuponte, për çfarë

289

vuaja shpirtërisht etj. etj. Por jo,veç më zinte për krahu dhe më thoshte: “- Ti je shumë e fortë Lilianë, unë kam shumë besim te ti. Shiko sa bukur organizon jetën tënde, je spontane e ndikon te të gjithëve”. Por nuk më thoshte më: “- Bëj fëmijë Lilianë, bëji se i bën shumë të mirë!”. Kurse kunatave iu thoshte: “- Nga ju të dyja dua të bëni tre fëmijë. Përjashtohet nga ky rregull vetëm Liliana!”. Mua më dhimbte në shpirt që përjashtohesha nga rregulli.

Ndërkaq, herë pas here përgjatë “miqësisë” së tij të ngushtë, Juda na fliste për këtë sëmundje të tmerrshme endokrine, që po nuk u mjekua e vret njeriun ngadalë. Madje shtonte: “- Mjerë ai që e ka!”. Bëja çudi për këto muhabete që i konsideroja si handikape në përditësinë tonë, por mbeten fakt. Teksa në Paris shkoja pa asnjë arsye te hematologu për aneminë, pa më dhënë kurrë mjekim.

Gati sa s’na thoshte që s’keni arsye të vini më. Nuk e di pse i duhej kjo pistë Judës e Nexhmijes, ndoshta për të justifikuar shpenzimet për kontrollin e domosdoshëm që duhej të bëja për gjëndrrat adrenale, gjë që ende se dija. Doemos që ishte maskim, ndërsa vazhdonte linja e depresionit. Armë e fuqishme e tyrja, të më nxirrnin jashtë loje sa më shpejt fizikisht e për ta patur si kartë të fortë për besueshmërinë time.

Me dijenitë që kam sot çdo depresion shërohet plotësisht, sikur nuk ka ekzistuar, ndërsa unë bëhesha gjithmonë e më keq. Përgjatë tranzicionit do të ishte Hektor Peçi që më diagnostikoi. Mjekët e tjerë endokrinologë ma deklaronin në fillim sëmundjen, por nën presioni e mafias Juda, tërhiqeshin pas disa ditësh. Gjëndrrat mbiveshkore nuk prodhonin më hormonin përkatës.

290

Verifikova diagnozën në Vienë ku më thanë se si e kisha lënë veten tërë jetën pa hormonin jetik, përndryshe gjëndrrat nuk do të ishin shuar krejt. Imagjinoni që Hektor Peçin, ish – mjekun personal të Enverit, këtë mjek të ditur e burrë fisnik e kishin larguar pikërisht në ’71-n për të sjellë Judën nga Hysni Kapo pranë Enver Hoxhës. Majde me intriga të ndyra, që vetëm Nexhmija dhe Teuta mund t’i prodhonin, ndonëse në atë kohë kjo e fundit ishte vetëm 15 vjeç.

Juda me Nexhmijen janë dy herë vrasës vetëm ndaj meje: Që s’më dhanë hormonin jetik përkatës përgjatë viteve pikërisht pse ishte endokrinolog. Dhe që më mjekuan qëllimisht me atë tip antidepresivi, gabim i madh profesional që t’i shkatërronte më keq gjëndrrat mbiveshkore, që këto të hanin sa më shpejt vetveten. Me këto akuza unë fitoja gjyqin ndaj Judës, por është e rëndë që të fitosh gjyqin dhe ndaj nënës së burrit. Mua më lanë në obskuritet total ndërsa Enverin e mashtronin që mjekohesha për sëmundjen e tmerrshme, të pashërueshme autoimune. Vetëm kështu spjegohet krimi medikamentoz për diagnozë të fshehur ndaj meje, siç shpjegohet krimi prej përbërjes së medikamenteve ndaj E. Hoxhës, të porositura e të tërhequra dorazi jashtë shtetit prej Judës.

Vetëm kështu kuptohet risjellja e Judës prej Nexhmijes fillimisht vetëm për mua, pastaj për Enverin. Vrasja e ngadalshme e E. Hoxhës prej medikamenteve që siguronte Juda fillikat në Europë, duke shkelur ligjet e shtetit që shqiptarët domosdoshmërisht duhet të lëvizin dy deri në tre veta jashtë shtetit, është vërtetuar edhe nga studiusi Auron Tare. Sipas tij, kartela shëndetësore e E. Hoxhës ka qenë në duar të agjenturave

291

që në vitin 74. Gjë që mundësohej nga njeriu më i afërt i familjes apo nga mjeku më i afërt. Kuptohet kush është njeriu më i afërt, ndërsa në ‘72-n ka qenë Juda mjeku më i afërt. Thënë ndryshe, çka është fakt esencial, në infermierinë brenda në shtëpi ku ishte kartela e E.Hoxhës dhe e të gjithë familjarëve mund të hynte vetëm Juda, asnjë mjek tjetër.

Misioni dytësor i Judës ndaj nesh ishte më i habitshmi, që e justifikon sërish vetëm roli agjenturor i tij. Nëse s’kuptoja krimin nëpërmjet mjekimit, kuptoja merakun shumë të madh të Judës për t’u dukur edhe brenda shtëpisë përveçse jashtë, miku ynë i ngushtë. Domethënia e kësaj ishte për të fshehur krimin shëndetësor. Këtë lojë e ka bërë deri në fund me paturpësi nga frika e Nexhmijes. Ai do të hynte medoemos çdo mbrëmje si vizitor e jo si mjek, pa e thirrur kush nga ne, në apartamentin tonë. Kjo edhe pas vdekjes së Enverit. Ndërkaq kur nuk e kishim më mik. Unë ia kisha kuptuar karakterin jashtëzakonisht të ulët, sa nuk rrija më kurrë me të. Ishte ai që do na ngjitej ne me insistim deri në fund, sidomos në sy të të tjerëve, teksa nuk e përzija dot. Ndaj, ngrihesha nga dhoma ku rrinim me Tolin dhe i lija vetëm të dy bashkë.

Një ditë i thashë: – Unë nuk e kuptoj përse ti vjen tek ne, edhe pse e di që nuk të duam. Por kuptoj që ardhja te ne për ty është kredencial i domosdoshëm. Unë nuk i bëj dot keq asnjeriu. Ndaj nëse hyn këtu, për sytë e mi hyn si qen i shtëpisë. Pa i bërë tërr syri më tha: – Faleminderit Liliana, nuk do pendohesh! Kështu vazhdoi deri sa krisi e iku duke e favorizuar Sali Berisha, ndoshta vetë Nexhmija për t’u sistemuar si “kalorës nderi” në institucionet më të larta shëndetësore europiane apo

292

ndërkombëtare si OMS-i. Rama sot e mban ende si titullar të lartë në shëndetësi, ndonëse i ka kaluar të shtatëdhjetat dhe duhej të ishte në pension.

Ky kuadër kaq “i vyer” në ’90-n na la mbrapa kërcënimin vetëm mua dhe Tolit, ndonëse në derën tonë ka hyrë deri natën e fundit para se të largohej. Kërcënimin na e përcjell A.Y, dhëndërr i Nexhmije Hoxhës me profesionin mjek: “Thuaj Lilianës e Sokolit të mos flasin për mua (për Judën) se do ta kenë keq!” . Prej karakterit të tij, madje duke u mburrur që “mua më është besuar shëndeti i E.Hoxhës” kisha filluar të dyshoj pikërisht për skemën e përfolur, që Enver Hoxha synohet të vritet nëpërmjet mjekimit nga Perëndimi. Ndaj, menjëherë pas kërcënimit që morëm, i themi Nexhmijes se si i besuam këtij njeriu kaq të poshtër shëndetin e babait.

Qëndrimi saj ishte i jashtëzakonshëm. U ngrit brof në këmbë me fytyrë të prishur nga egërsia e duke ulëritur paradoksalisht tha: “- Ju po më akuzoni që unë kam vrarë Enverin?!”. Çfarë ndjemë ne nuk ka rëndësi. Deri në vitin 2000 nuk e zumë këtë muhabet me gojë, por pësuam atentate, të gjitha të përmendura në librin “Pushtimi brendshëm”. M’u desh të shkoj në Kanada prej kërcënimeve të “tanët”-ve, të cilët ende s’i kisha kuptuar apo njohur si koncept e si fuqi okulte.

Mbase nga telefonata ime prej Torontos, mbase prej sigurisë që ajo kishte prej masave që kish marrë se unë nuk do të mund të kthehesha dot më, Nexhmije Hoxha tregoi hapur që në krye të gjithçkaje qëndronte ajo. Ndaj unë u ktheva dhe ja ku jemi sot bashkë i dashur lexues.

293