E verteta te ben te Lire

Nuk dashuroja as unë as ti,

por dashuronte dashuria.

Një dashuri, një fshehtësi,

më e fshehtë se fshehtësia.

LASGUSH PORADECI

Njeriu nuk rron dot pa dashuri. Në kushtet kur kjo është e pamundur, ai vetëm mbijeton si gjallesë me tru e intelekt të zhvilluar, krahasuar me gjallesat natyrore që domosdoshmërisht riprodhohen sipas ligjit darvinian. Seksi, lidhjet sipërfaqësore, qoftë edhe aktet sporadike dashurore midis burrit dhe gruas janë domosdoshmëri po aq biologjike si ushqimi, si gjumi etj. Por marrin më tepër rëndësi në zbukurimin e jetës, sepse njeriu ka nevojë për ushqim ndjesor siç edhe e prodhon atë për tjetrin. Ai ka nevojë të marrë e t’i japë ato në çfarëdo lloj lidhjeje minimale dashurie, qoftë edhe në intimitetin e një lidhjeje kalimtare. Lidhje të tilla janë të vjetra sa vetë jeta. Madje edhe prostitucioni në nderim të mundësisë për të falur pak dashuri njerëzore të vetmuarve të pashpresë, është konsideruar shoqërisht si institucioni i autorizuar zyrtarisht i dashurisë nga

527

vetë njerëzimi. Por këto i di gjithkush, përveçse i ka provuar gjithkush. Ndaj unë e kam fjalën tek e ashtuquajtura dashuri e vërtetë. Tek ajo, që është esencialisht vetëm ndjenjë, krahas intimitetit fizik. Tek dashuria e painteres, përveç interesit sublim për t’u mos u ndarë nga njëri-tjetri deri në ikjen nga kjo jetë. Është folur, është shkruar, të gjitha zhanret e artit janë shprehur për dashurinë, çka edhe për mua dashuria do të ishte “muza” e jetës. Ndaj, dashuria meriton kultin e saj. Kush mund ta përcaktojë këtë?! Kush ka ndjerë në mënyrë të tillë?! Të gjithë ata që kanë ndjerë të paarritshmen dot, doemos duhet t’i tregojnë botës historitë e tyre. E kështu të kemi pasqyrime prej saj të mbledhura bashkë, që do të përbëjnë almanakun e dashurisë. Sepse askush nuk e merr dot autorësinë e përkufizimit të dashurisë. Si pafundësisht e papërcaktuar, si dhe të ndjerit individual është edhe më i pafundëm. Por, në përpjekje për të folur paksa ndryshe për të, do të përpiqem të konkretizoj ndonjë drejtim, ndonëse shembuj të paharrueshëm kemi nga letërsia klasike dhe kontenporane, të shprehur në formën më sublime të saj. Për shembull, nga letërsia ruse, kur i shoqi që e adhuron gruan e tij, merr mbi shpinë të dashurin e saj të plagosur në luftë, për ta shpëtuar në të mirë të së shoqes. Apo nga ç’na jep Floberi etj. etj. Shembujt që do të sjell nuk kanë qëllim historinë e dashurisë, por moralin e saj, ndaj s’kanë të krahasuar me hyjnoren, ndonëse autorët pretendojnë të kenë patur akte të përtejme dashurie. Rastin më naiv e marr me kënaqësi të pamasë nga jeta ime, si rast tejet i pastër. Sado paradoksale të jetë adoleshenca apo pararinia, ajo në vetvete është e kristaltë, duke u turbulluar

528

doemos aty-këtu në kërkim të vetvetes. Gjithnjë kam menduar që kisha fat, që Toli im të mos ishte në një klasë me mua, përndryshe automatikisht do ta konsideroja vëlla, siç ndodhte me të gjithë djemtë e klasës. Dhe kam pasur pranë djelmosha të pashëm dhe inteligjentë, që vërtetuan veten përgjatë gjithë jetës, si p.sh. V. A. që u bë kryeministër i vendit. Ruaj për të, të njëjtën ndjenjë vllazërore, si në ato vite të gjimnazit, po ashtu kur ishte kryeministër, si edhe sot, me një konstante që nuk ndodh rëndom midis njerëzve të zakonshëm. Mund të isha e adhuruara e tyre, por ata më në fund e kuptuan që unë s’mund t’i përgjigjesha kujt. Më vonë, kur u pa nga të gjithë që Sokoli më kish vënë syrin, ata u ndjenë në “disfatë” e sipër. Është e kotë të shpjegoj më tej këto ndjesira, duke jetuar lumturisht jetën time me botën e madhe brenda. Kështu, një shoku im shumë i dashur, e pati kuptuar, sepse rrinte tërë kohës me mua edhe pse e dinte qëllimin e Tolit. Prindërit e këtij shoku më adhuronin e më shihnin me keqardhjen e hidhur të “mollës së ndalueme”. Mirëpo ditët iknin, gjimnazistët njiheshin me fluksin e vitit të parë, me vajza mrekullisht të bukura. Shoku im i pandarë, pëlqeu një vajzë me fytyrë të zbetë prej ebaniti, e sjellshme, paksa timide siç ishin vajzat e vitit të parë. Për shokun tim puna vajti aq larg e nga që ndante çdo muhabet me mua më tha: “- Unë dua që ta takosh ti! Po nuk e pëlqeve ti, po nuk e aprovove ti, nuk bën për mua”. Jo vetëm u surprizova, por u ndjeva dhe përgjegjëse për misionin që do përcaktonte zgjedhjen e përjetshme të shokut tim, siç nisej e zakonisht jeta në çift në atë kohë. Shqetësimi më i madh i shokut tim kishte të bënte me faktin se vajza ishte

529

çame. Pra kishte të bënte me paragjykimin e rëndomtë të mediokritetit. I them: – E çfarë pastaj? Lëri këto paragjykime. A është shqiptare? Atëherë është si ti e si unë. Mbaroi puna! Kështu, caktuam ditën kur të njihesha nga afër me vajzën yll, dhe ashtu iu shpreha shokut tim: ” – Mos e lër të të ikë këtë yll, e qofshi të lumtur!”. I kam takuar më vonë, të shumuar në familje me dy djem e të mbetur përgjithmonë të dashuruar. Ishte thjesht nostalgji nga e kaluara për pastërtinë e dashurisë së asaj kohe, çka shpreha. Rastet e tjera që dua të prek janë më problematike, siç m’i kanë treguar, për çka më kanë kërkuar dhe ndihmë për t’i zgjidhur. I përkasin periudhës pas viteve ’90, ku liria e shfrenuar e seksit nuk mjaftonte. Siç çdo lloj revolucioni që tejkalon vetveten, shpërthyen prishjet e familjeve, pati tendenca bigamike apo gjithfarësh. Ana me dy vajza të vogla, njëra më e bukur se tjetra, përfshi dhe t’ëmën e tyre, më tregon se burri i saj kishte rënë “marëzisht” në dashuri me një grua të martuar. Fatmirësisht, shemra nuk donte të ndahej nga i shoqi në ruajtje të familjes së saj, ndërkohë që burri i Anës insistonte të martohej me të. I shoqi i Anës i lutej të dashurës, i lutej e i lutej të martoheshin. Kjo grua, pati aq mend, sa të mos abandonojë familjen. Befas, i pashpresë, burri i Anës i ngre problemin të dashurës: “- Mirë, ti s’do të martohesh me mua, kjo është njëra çështje. Por unë e dua një djalë, se Ana s’ma jep dot. (Në fakt Ana kishte bërë disa aborte të rrezikshme, fëmija ishte vajzë). Ndaj, unë djalin do ta bëj me çdo kusht, me cilëndo grua, por dashuria ime je ti! Dhe ti do të mbetesh përgjithnjë e tillë!”. Mëkatarja u tërhoq për

530

interes të saj, por duke i thënë atij troç se të kërkosh djalin tjetërkund, ky do jetë gabimi më i madh i jetës tënde! Fundi i kësaj dashurie jashtëmartesore, i bëri më së fundi Anën me të shoqin me djalë. Një tjetër më rrëfeu e lumtur që kish arritur kulmin e mundësisë së një dashurie. Burri i saj e donte aq shumë sa i kish deklaruar: “Të dua më shumë se fëmijët !”. E pashë me keqardhje për në dukje egoizmin e saj ndaj fëmijëve, por në realitet për boshllëkun e botës së saj shpirtërore. Ajo nuk e kuptonte që ishte e sëmurë në këtë dashuri, por që më i sëmuri në këtë martesë ishte i shoqi. Pse ai e donte gruan në interes së vetes së tij. Madje as në interes të fëmijëve. Ky “burrë i pashoq” nuk mund të ishte as për vete, as për gruan, e sidomos për fëmijët e tij.

* * *

Kam lexuar që e vogël nga letërsia e huaj librin “Dita, bijë njeriu”, emrin e autorit nuk e mbaj mend. Dita ishte fare e re, por sidomos krejt e paditur, aq sa nuk dinte se ç’pasoja sillte t’i jepje trupin një mashkulli. Ajo nuk donte, ishte veç një punëtore e varfër e injorante jo për faj të saj. Ai, djali i padronit, i lutej, i përgjërohej, qante dhe Dita e ngratë pranoi vetëm për ta ngushëlluar, pa përfituar asgjë humane, nga padija, veç ndjenjës altruiste të saj për ta qetësuar atë. Me kohë, Ditës ju rit barku dhe ajo ende nuk kuptonte. E përzunë. Kur lindi, e urrente me tërë qenien atë maskara, që kish përfituar nga padija e saj. Të përfitoje nga padija për pasojat që mund të kishte, ishte më keq se sa ta përdhunoje. Djali ra në dashuri dhe i shkonte mbrapa po duke qarë. Ajo e urreu tërë jetën, prej abuzimit të tij ndaj altruizmit të saj, qoftë

531

edhe rrjedhur prej injorancës. Kështu, desha të dal në hullinë e dashurisë altruiste, në dukje dashuri divine. Rasti në vijim nuk është më i çuditshëm për t’u kuptuar, por më tragjik, duke na treguar se deri ku i çon dëshpërimi njerëzit. Jemi gjithmonë tek dashuria, por a jemi tek ajo e duhura?! Te dashuria e shëndetshme, apo duke qenë të traumatizuar rrëzojnë edhe personin që me altruizëm ju është përgjigjur?! Parë edhe në vetvete, altruizmi mund të jetë vepra dhe ndjenja më e lartë e njeriut, por nuk prodhon dashurinë e kërkuar. Ngjarja në vijim, ka të bëjë me faktin që dashuria nuk ka moshë. Por, duhet patur parasysh që mosha ka kufi. I mbetur i ve, pas të 70-ave, një burrë me diapazon të gjerë përgatitje vetjake përveç profesionale që në të ritë e tij, siç e njihte ajo që ma rrëfeu, i kthehet kësaj miqësie të vjetër, mbetur ndoshta thellë thellë potencialisht dashuri e ndrydhur. Gruaja në fjalë, e mbetur dhe ajo e ve, e ngushëllon dhe doemos vazhdojnë miqësinë e vjetër, duke qënë të dy të lirë. Befas, burrit në moshë i hapet horizonti që e kish pasur të mbyllur. Ndjehet sikur shoqja e nxori nga pusi ku kishte rënë. Kjo grua, paskësh qenë shpëtimi i tij, ndaj ai jetonte kaq intensivisht me këtë dashuri sa kishte frikë se mos e humbiste. I lutej Zotit të mundësonte jetëgjatësinë e shëndetin për të jetuar këtë lumturi, qoftë dhe idealisht për kushtet apo moshën. Shoqja e tij lumturohej tek shikonte shokun e vjetër të ringrihej nga vetërrënimi, madje t’i futej dhe hobeve të vjetra. Nën këtë kënaqësi altruiste të saj për këtë shok të dashuruar “si kurrë ndonjëherë” befas ai i thotë: “- Dua të shkojmë së bashku në një kishë, ku të lutemi për ne të dy. Aty do ta pranoj, po ma

532

dhe lirinë. Madje vetëm po ma dhe me shkrim lejen për të gjetur një grua për të bashkëjetuar, vetëm e vetëm për të siguruar jetesën në këtë moshë. Ndërsa dashuria e jetës sime je ti, dhe midis nesh nuk do të ndryshojë asgjë. Po s’të pashë fytyrën nuk rroj dot!”. – Ç’të bëj?- më tha gruaja e shkretë duke qarë. Teksa ia dha me sinqeritetin më të madh lirinë për t’u lidhur me një tjetër grua, përderisa për kushtet dhe moshën që kishte nuk i përgjigjej dot nevojave të tij. – Epo më vjen keq të të lëndoj, i thashë,- por morali i kësaj fabule është se edhe dashuria altruiste është e gabuar, kur i dedikohet atij burri, që siç thonë shpesh është shoku i qenit. E pra, më e shëndetshmja është pikërisht ajo dashuria pa asnjë lloj interesi material apo kontraktor. Kur në mes është vetëm nevoja sublime e pazëvendësueshme për njëri-tjetrin. Një marrëdhënie e tillë do të shënonte kultin e dashurisë. Po a ndodh shpesh që po kaq e pastër të jetë nga të dy anët? Kjo mbetet çështja! Nëse çdo dashuri e vërtetë ka individualitetin e saj, e njëra nuk i ngjan tjetrës (përveç të sakrifikuarit për njëri-tjetrin), kjo sërish ka karakter subjektiv parë nga të tjerët. Por, ekziston dimensioni i asaj dashurie, që meriton t’i ngresh kultin e përgjithshëm të dashurisë. Personalisht, mendoj se ekziston testi, që përcakton në vlerë kultin e saj. Testi, pra vlera maksimale deri hyjnore e dashurisë, është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar. Si i tillë, ngadhënjen mbi çdo analizë. Kulti i dashurisë i takon atij dimensioni kur e do partnerin më shumë se veten tënde. Pra, siç thashë kulti i dashurisë është shumë i thjeshtë për t’u vlerësuar, por shumë i vështirë për tu arritur.

533