E verteta te ben te Lire

.

Në kohën pagane, çdo zgjidhje në tribu bazohej natyrshëm te besimi i njeriut për njeriun. Në shoqëritë e zhvilluara ekziston mosbesimi tek i panjohuri, që është bërë tashmë çështje kulture dhe tradite. Në Shqipëri besimi i njeriut te njeriu mungon e po zbehet gjithmonë e më shumë qëllimisht.
Në vendet e zhvilluara qytetarët i buzëqeshin njëri- tjetrit ndonëse dhe pse hyjnë në marrëdhënie të paparashikueshme, gjë që s’ka lidhje me besimin por vetëm me etikën. Ne, u mësojmë kryesisht fëmijëve, të mos u besojnë njerëzve të panjohur sidomos në ambiente të panjohura, por nuk ju tërheqim vëmendjen për etikën ndaj tjetrit. Nuk e kam fjalën për mosbesimin, njëherësh etik, pra i domosdoshëm dhe neutral ndaj tjetrit, në ruajtje të privatësisë të secilit.
Fjala është që vetë prindi iu mëson fëmijëve mosbesimin me ngarkesë negative ndaj tjetrit me paragjykime çfarëdollojësh e të shtyra nganjëherë deri në racizëm dhe kjo ndaj një shqiptari

54

tjetër, të panjohur. Shqiptarët janë të mbarsur me mllef kundër shqiptarit të panjohur, madje me mllef edhe kur shqiptari është i njohur. Kur flasim për vendet e zhvilluara europiane, ato s’kanë asnjë arsye madhore sociale për t’u diferencuar nga ne për këtë çështje.
Historia nuk iu ka kursyer luftrat, e për pasojë edhe ndarjet territoriale, si Austro-Hungaria, apo Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq është për t’u theksuar që nuk kanë ekzistuar kurrë interesa të jashtme për të përçarë popullsinë në brendësi. Hitleri nuk do të harrohet për Holokaustin, por racën ariane e desh të bashkuar. Stalini desh vetëm kontroll ushtarak absolut në gjysmën e kontinentit nëpërmjet Traktatit të Varshavës.
Mendoj se po të ndalemi që me pushtimin otoman, përveç të keqes së madhe të jesh popull i pushtuar e të qeverisesh nga të huaj, ky pushtim synonte vetëm shtrirjen e forcimin e qeverisjes së tij, ndërkaq që rafshonte përçarjet në popujt e okupuar për të qeverisur më mirë. Historia na jep fakte të qeverisjes së tyre edhe me autoritete shqiptare, siç ndodh edhe sot në Turqinë moderne. Por as pushtimi otoman nuk sheshoi dot përçarjet etnike historikisht të pamundura. Kjo e keqe e pandalshme ndodh vetëm me shqiptarët kudo që ata janë, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, rrjedhimisht në diasporë, por sidomos atje kur ata kanë zemrën në Shqipëri. Kuptohet që interesi antishqiptar është shovinizëm i kulluar dhe gjithmonë me burim nga vendet fqinje ish -Jugosllavia e Greqia. Ky pushtet shovinizmi që ka punuar fort nga brenda sidomos me Zogun e në periudhën komuniste, s’ka arsye të

55

ndalet nga ndryshimet historike pas rënies së komunizmit në Shqipëri, pas mëvetësisë së Kosovës, Malit të Zi etj. Ky interes, ka qenë vazhdimisht i përfaqësuar nga vetë qeveritë shqiptare. Në periudhën e tranzicionit vazhdon të përfaqësohet njëtrajtësisht madje më thekshëm si nga pozita ashtu dhe opozita në alternim e sipër.
Shovinizmi është e keqja më e madhe në historinë e popullit shqiptar, pavarësisht nga regjimet, njëri më totalitar se tjetri. Askush nuk mund të mohojë që tranzicioni ka qenë tejet autokratik, sepse solli sëmundjen e urrejtjes “mes vedi”. Ndaj, pranimi në BE do të sjellë vetëm risinë e vet për çdo individ, por s’mund të zgjidhë kurrsesi këtë konflikt midis shqiptarëve që nxitet etnikisht.

* * *

Kur isha e vogël, personalisht, besoja në gjithçka dhe përpiqesha të mishëroja modelin e “njeriut të ri” të cilit i jepja dimensionet e brendisë sime prej idealisteje. Nga natyra ime gjithëçkadhënëse, paçka se s’më përgjigjej asgjëmarrëse nga shoqëria ime, kjo nuk përbënte problem, mjaft që unë kënaqesha me gjithëçkadhënien time, duke ruajtur natyrisht principet që përbënin integritetin tim.
Pikërisht në një atmosferë morale të tillë që më bënte vërtet të lumtur, tek shëtisja një ditë që nga ministritë, në zbritje drejt urës kryesore të Lanës, shoh pranë hotel “Dajtit” një grua ende të re krahasuar me të ritë e mi, që ecte me temp ushtarak, teksa llastiku i stërvjetër, pas të cilit kishte mbështjellë çorapen i kishte zbritur nga kofsha deri nën gju dhe çorapja e hollë najloni ngjyrë mishi, varej më dysh e valavitej në ecje e sipër. Si e përkorë ndaj

56

rregullit më elementar, për më tepër intim të femrës, s’mund ta duroja një pamje të tillë që sipas meje gruaja e re nuk e dinte, tek nuk e ndjente ç’po ndodhte me pamjen e jashtme intime të saj.
Ja nis vrapit me një frymë deri sa e arrij atë karshi hotel “Dajti” e i them duke dihatur:
– Më fal shoqe, çorapja të ka zbritur deri poshtë fundit e dukesh keq.
– Ç’të duhet ty moj?! – bërtet me zë të egër kjo grua e çuditshme duke u kapardisur më tepër ushtarakisht sikur po parakalonte në 1 Maj para tribunës së udhëheqjes.
Mbeta në vend e habitur. Fillova të dyshoj se mos e çuditshmja isha unë që ndërmora gjithë atë vrap prej keqardhjes e mosrehatimit të brendshëm për pamjen që të vriste syrin të kësaj gruaje. Pra mos isha invadente që veprova kështu për një të panjohur që s’pranoi prej arrogancës, të kujdeset për vete?! Apo pse pikërisht se një e panjohur ia vë në dukje paraqitjen e pahijshme të saj? Paradoks ky që tek e fundit e justifikova si reagim me sa duket normal i një individi të paemancipuar prej mekanizmit të vetëmbrojtjes.
Më ka ardhur gjithmonë para syve kjo ngjarje duke u ndalur në fenomenin që përcaktoi reagimin e kësaj gruaje. Por sidomos jam ndalur se do ta gjeja me intensitet shumë të madh më pas diku “lart”. Aty ky fenomen do të ishte krejt i zakonshëm, jo në vetëmbrojtje instiktive, por si ushtrim arrogance ndaj tjetrit me vetëdije prej pushtetit.

* * *

Çdo tirani është obskurantiste në qëllimin që i vë vetes për të formatuar me dhunë individin, ashtu si i duhet. I robotizuar

57

prej diktatit të paracaktuar e projektuar në detaje, individit i duhet detyrimisht të harrojë apo deformojë veten. Madje ky është qëllimi tiranik – të mos ketë më individë, por vetëm kolektiva. Termi “kolektiv” ishte dogmatikisht i nderuari i kohës apo shërbente si stimul moral?!
Kolektivat punonjëse në qytet e në fshat prodhonin gjithçka me “forcat tona”, gjë që do të kish qenë ideale po të mos mbeteshim në varfëri, e pakrahasueshme kjo me të varfërit e sotëm e po të mos ish harruar, censuruar apo “gozhduar” individi si i tillë. Nuk e kam fjalën për të gjitha të drejtat e tij, por për më themeloret filluar me lirinë ekzistencialiste të tij, që do të thotë me lirinë e ushtrimit të individualitetit që duhej çmuar dhe stimuluar.
Në këtë kontekst ajo grua ishte shoqërisht pa emër, pa individualitet. Vetëm në kolektivin e saj kjo grua e thjeshtë ndjehej si peshku në ujë, e mbrojtur nga normativat formale rutinore. Në bulevardin kryesor të kryeqytetit kjo grua pa emër ishte e vetme, pa rrethinat rutinore (oazin minimal të saj). Ndoshta po manifestonte siguri me ecjen e ushtarit dhe rënia e çorapes (e ndjerë ose jo) dilte për pasojë jashtë autokontrollit të saj. Kësisoj, s’mund të kishte qetësinë e nevojshme për t’u ndalur e sistemuar veten për një anomali intime në mes të bulevardit. Kjo pamundësi e irritonte deri në arrogancë. Ndërkaq i vajti një informacion nga një e panjohur dhe kjo ishte si të invadoje të brendshmen e saj të koracuar.
Më mirë pranonte imazhin e ç’ekuilibruar femëror, se sa të kapet keq nga befasia e ndërhyrjes, pasi kish ngritur sistemin psikologjik të vetëmbrojtjes duke parakaluar ushtarakisht. Ndaj

58

dhe reagoi dhunshëm si një kafshë shtëpiake që e kapin befas prej bishti. Alternativa tjetër analitike është më antihumane prej dhunës psikologjike rrjedhur nga pushteti. Në se kjo grua do të ishte sado pak pushtetare, (nuk m’u duk e tillë, por me kostumin që i rrinte keq, mund t’i përkiste ndonjë administrate) atëherë natyrisht që budallaqja dhe e çuditshmja isha unë që guxoja t’i ndërhyja një gruaje që për patologjinë e saj ndjehej e pushtetshme. Natyrisht që do të më vërsulej me “hungërimë pushteti” me nëntekst “si guxon ti të më mësosh mua ?!” – gjëra të ndodhura këto, madje sistematikisht të jetuara. Fatkeqësisht edhe ky rast ndodh te gratë e paemancipuara, sado të pushtetshme.
Prej kotësisë e boshësisë së brendshme të dy ekstremet puqen dhe pikërisht në epokën historike kur emancipimi zyrtar i gruas arriti vlera kolosale. Gruaja hoqi ferexhenë e u emancipua si i gjithë populli. Punonte në shtet si burrat pa qenë e detyruar të mbartte turrën e druve, të milte lopën e të fshinte hundët e kalamanëve me rrobën që kishte veshur. Pra, gruaja fitoi normat e reja të shoqërisë. Por fjala është për edukimin e botës së brendshme të saj.
Është ky edukim personal që sjell atë shoqëror, jo e kundërta. E kundërta, zhvillimi i vetëm zyrtar në sistemet autokratike sjell kontrollin e individit. Këtë gjë synoi sistemi, se filluar nga kupola deri në superstrukturë, zgjidheshin qëllimisht njerëzit më të paemancipuar, më mediokër e me karakter feudalo-bizantin të fshehur. Teksa njerëzit e ditur që kishin studiuar jashtë e edukonin fëmijët filluar nga bota e brendshme e tyre, që nga vitet ‘40 e më pas nuk u përfshinë në poste pushtetare.

59

Më të diturit e kujtdo klase, si të iluminuar që ishin, e evituan pushtetin edhe nëse i besonin regjimit.

* * *

Mbaruam aksionin në Hotolisht, për ndërtimin e hekurudhës në atë segment, e po ktheheshim të hareshëm si studentë të vitit të dytë apo të tretë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në fillim të viteve ‘70.
Unë kisha vite që njihesha me “princin e kaltër”, çka e dinin të gjithë. Po udhëtonim në autobus, gjë që më pëlqente më shumë se makinat e vogla të “princit të kaltër” që më trazonin stomakun. Në autobus, përveç grupit tonë të fakultetit, kishte dhe banorë të atyre viseve që shkonin në Tiranë.
U ula pranë një nëne të re më bebe në gji, ngaqë gjithmonë i kam adhuruar bebet e jam lutur që të mbeten përjetë ëngjëllorë. Ndoshta nga mënyra si e shihja beben, ndoshta nga mirësia e nënës, i buzëqeshnim njëra-tjetrës e hymë shpejt në muhabet. Nëna po më thoshte që po e çonte fëmijën te doktori kur bebja fillon e qan pa pushim. Nëna e re shumë e preokupuar e lëkundte, e vinte në gji por më kot, bebja ulërinte.
Kuptova kompleksin e nënës për t’u ngritur nga vendi për të tundur beben në mes të njerëzve, ndaj i thashë në se kishte besim të ma jepte fëmijën mua. Menjëherë ashtu u bë. Instiktivisht, dita si ta mbaj e ta përkund në ecje gjatë gjithë autobusit, duke i kënduar nën zë. Ishte vajzë. Bebi më kapi gishtin e dorës e ma shtrëngonte fort duke më parë ngultas me sytë si thëngjij. E qara e saj filloi të copëzohej në heshtje duke studiuar fytyrën time. Nanurisja po e qetësonte, deri kur befas më buzëqeshi. Kjo ishte një lumturi e madhe që më shtyu nga

60

nanurisja tek të lodruarit me të. Mbaja kokën mënjanë sikur nuk e kisha mendjen tek ajo, e në tjetrin çast befas kthehesha e shihja në sy duke artikuluar tinguj onomatopeikë me gugat e bebeve, duke u përpjekur të komunikoja me botën e vogël të saj. E pikërisht në pritje të këtij përkushtimi me grimasa e me tinguj tejet të natyrshëm për të, bebja qeshte me të madhe sa e shtoi harenë e bashkësisë të autobusit, duke u bërë qendra, që deri atëherë merej vetëm me tregime barcaletash, copëza kujtimesh të përbashkëta apo duke kënduar në kor. Por kjo hare e imja në përkushtim ndaj bebes së sëmurë nuk mund të kalonte krejt natyrshëm e pa rënë në sy për keq.
Dashakeqësit do ta komentonin ashtu siç ju duhej atyre për t’u ngushëlluar sa më mirë. Teksa nëna e re më uronte me shpirt, teksa vajzat konviktore më thërrisnin gëzueshëm: “- hajde, hajde sa të shkon!”, ndërsa djemtë e çonin shakanë më tutje me manierat e tyre. Do të ishin vetëm studentet nga Tirana që “do të nxiheshin” edhe për këtë gjest të papritur timin.
Praktikisht këto vajza të zgjedhura nga nomenklatura me pretendimin si tejet të kulturuara më thanë: “ – Si mund të prekësh një njeri të panjohur, madje të sëmurë?”. Nuk kishin as mirësinë të thoshnin së paku një “bebe” qoftë edhe e sëmurë. E pra më të “kulturuarat”, gëlonin përbrenda prej xhelozisë, mentaliteteve, paragjykimeve, bestytnive, artificave që e mbajnë ende në errësirë shpirtin e njeriut.
Mendimet e tyre ishin antimendime. S’mund të konsiderohet mendim i vlefshëm asnjë shprehi nihiliste, skeptike, destruktive, që njeriu ndonëse natyrshëm i përmban me vetëdije ose jo, ai që nuk shënon së paku një hap përpara drejt pozitivizmit së individit

61

apo grupit në rastin tonë. Ndërkaq, sistemi luftoi analfabetizmin, normoi mënyrën e detyruar të të respektuarit të njëri-tjetrit, përveçse luftoi veset e krimet. E brendshmja e individit mbeti e pazhvilluar jo vetëm si traditë kulturore, por me qëllim të ndalimit të njohjes së vetvetes, të stimulit individual. Më pas s’pati asnjë gjasë, se çdo gjë u shthur. Nuk dua të politizoj problemin, por të shpreh se s’ka gjë më të bukur se besimi për aq sa mundem te tjetri.
Jo kot është sublim besimi i fëmijës së panjohur ndaj teje. Çka ndodh automatikisht pa kushte, çka është providenciale. Më ndodh gjithmonë të më kthejë buzëqeshjen çdo fëmijë që has, e prej besimit ëngjëllor të tij influencohet edhe nëna e vet. Ndaj, mund të fillohet besimi ndaj tjetrit prej dëshirës sonë qytetare, për të besuar së paku për solidaritet qytetar.
Gjithkush mund të fillojë të besojë aq sa të përshëndesë një të panjohur. T’i përkushtojë së paku një buzëqeshje zemre, sinqeriteti i së cilës ndjehet e i bën mirë kujtdo.

62