E verteta te ben te Lire

Pse njeriu, në rastin tonë shqiptari, mbetet sërish në “kafaz” sado virtual qoftë ai, ndërsa perceptimi është i ankthshëm?! Totalitarizmi, me ideologji komuniste, nga aspekti i përgjithshëm social është sistem që të mban pezull. Kur ti s’ke peshën tënde, por atë që të dikton “kafazi” që mat vlerat e tua të paracaktuara nga sistemi. Ndaj, ti ecën “pa këmbët në tokë”, i kuadratuar virtualisht prej “kafazit”, që do të thotë prej ngushtësisë hapësinore e kohore e sidomos materiale shpirtërore që të mundëson ai. “Pa këmbët në tokë” nuk është letrarizëm, por koncept filozofik jetësor, për çka jetonim dhe e dinim, por më shumë nuk e dinim. Vetëm ushtaraku mund të thuhet që ecën “me këmbët në tokë”, domethënë me këmbët e tij si në totalitarizëm ashtu dhe në demokraci, përderisa disiplina ushtarake është njëlloj e detyruar e strikte e çdo individ përderisa i futet kësaj rruge ka pranuar me vullnetin e tij, apo me vetëdijë për çfarë formati jete dhe detyre

618

ndaj të tjerëve bëhet fjalë, pra për çka ka zgjedhur vetë për t’u nënshtruar me gadishmëri. Po të jemi paksa koherentë, të aktualizojmë rastin në fjalë me shembujt e ditës gjithkush e pa se parada e ushtarakëve me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë ishte për t’u turpëruar si për shtetin e pavarur në jubileun e 100-të të tij, e si shqiptarë tek na përfaqësoi cilësisht si ushtri “moderne” siç pretendohet. Paradoksalisht nga çka nuk e desha (kafazin) më lart e tërësisht logjikisht mund të thuash që ndaj këtyre ushtarakëve nuk është ushtruar “kafazi” i domosdoshëm për rastin. Pse pamë një ushtri të çekuilibruar, paraqitur me një manifestim të çekuilibruar, gjë që komunizmi s’do ta lejonte. Ky rast paradoksi do të ishte i trishtë për të ekspozuar ekuacionin e unitetit universal të kundraverseve, si qesharak vetëdemaskues deri në shpërbërje të joshjes për të reflektuar për fenomenin, si për të të ardhur turp për prirjen drejt ekstazës që të jep procesi i të menduarit që të zbërthen të gjithë kufijtë drejt lirisë divine të mendjes e ndërgjegjes. Mua më intereson të zbërthej rastin, pasi e kam kuptuar vetë atë harmoni të çuditshme të paradokseve që ndonëse i përjetonim në shumicën e rasteve jo vetëm i pranonim pa vrarë mendjen si të mirëqëna, por sidomos i donim. Si ndodh kjo? Pikërisht prej “kafazit” që të përket në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, që pasi të ka mbërthyer, më shumë e do se sa nuk e do, përfshirë kjo në psikozën e shumicës përjashtuar pakicën, kur “kafazi” ka qenë qartësisht vrastar e asgjësues. Sërish paradoksalisht është pikërisht ky “kafaz” që sa të përcakton, pra të jep identitetin institucional, ashtu siç ty të sheh sistemi, jo siç ti e sheh veten, sa të angushton me dijeninë tënde,

619

po aq edhe të duhet. Është si të thuash në mënyrë të pandërgjegjëshme kuvlia e detyruar dhe e dashur njëherësh në funksion të strehëzës tënde, e po aq paradoksalisht e vetmja “pronë” edhe virtuale qoftë, që është vetëm tëndja. “Kafazi ” ideologjik ka fuqi të pazakonta mbi njeriun, sidomos ai komunist, sepse realisht të siguron e të sipërmerr jetesën edhe ekonomikisht, nëpërmjet indoktrinimit që të deformon koshiencën, sa ti ta vlerësosh si krenari e të ndihesh superior ndaj të vuajturve në kapitalizëm. Ideja e barazimit midis shtetasve është sublime, por siç rezultoi, utopiste. Jo vetëm idealisht e parealizueshme, por nën maskën e dogmës realiteti shprehte barazi të standartit që sot në Europë matet me ndihmën sociale për shtresat në nevojë (duhet përmendur që nuk ekzistonte shtresa e të varfërve, ekstrem që sot mbijetojnë vetëm me sytë nga Zoti). Ndërkaq, siguronte privilegje për nomenklaturën, e ujdisur kjo dhe emëruar nëpërmjet nepotizmit e tribalizmit. Kështu, ishte thjeshtësisht e korruptushme, antipopullore e antishqiptare. Ende kur privilegjet e saj ishin jo aq flagrante, njerëzit e thjeshtë apo “populli” ishte pothuaj i “lumtur”. Festonim e gëzonim sinqerisht në rininë tonë (vitet ’60-’70). Në gjimnaz shkonim me dëshirë, në aksione me “punë vullnetare” (realisht të detyruara se përjashtoheshe nga shkolla) për ndërtimin e hekurudhave, ku njiheshim më mirë me njëri-tjetrin nga kanë lindur dhe dashuritë e moshës deri në ato të jetës. Personalisht i kam dashur e kam lodruar përveçse punuar shumë, por kam urryer zboret ushtarake që ishin torturë për mua. Vetë arma më shtinte frikë sa nuk e mësoja dot montim çmontimin e saj, sidomos nuk përballoja dot kompeticionin në

620

qitje me kallashnikov. Gjithsesi, përveç të persekutuarve të vetëdijshëm për sistemin represiv, ishte shumë e vështirë të mos e doje “kafazin” tënd si e njëjta gjë për të gjithë, për pasojë horizonti ishte po aq sa volumi virtuoz i “kafazit”, fusha e njohjes po aq. Për këtë, punonte sistemi i “kafazeve të barabartë”. Pas viteve ’70 “kafazi” filloi të ngushtohej e kufiri virtual i tij po kthehej në perceptim ndjesor si “kafaz” me kangjella hekuri. Të ecje nën të, të rëndonte tepër në mendje, ndonëse më thekshëm ishe “pa këmbët në tokë”. Kështu, ti nuk rëndoje me rëndesën tënde por me atë të “kafazit”, domethënë me sistemin mbi shpatulla. Vetiu, perceptimi s’mbetej vetëm te mosnjohja e peshës tënde apo më mirë të mos ushtruarit dot të saj edhe kur e njihje, por deri në çështje frymëmarje. Çka është krejtësisht fiziologjike, se qenia pezull të lë pa frymë si pasiguri, marrë parasysh edhe peshën psikologjike të “kafazit”. Ishte ky momenti kur s’mund ta doje më “Kafazin”, në të kundërt doje të çliroheshe prej tij. Por si e ku të shkoje? Më kujtohet në vitin 1976 ishte dalja ime e parë jashtë shtetit kur shkova në Paris. Nuk kisha asnjë entuziazëm privilegjor. Përkundrazi, mosnjohja e jetës dhe përkushtimi ndaj tim shoqi sollën habi dhe frikë përgjegjësie kur nëna e tij më tha që duhet ta shoqëroja atë në Paris. E pasigurtë për çfarë më priste jashtë Shqipërisë, e sidomos te besimi absolut që të shtrenjtit tim i duhej pranë e ëma e gjithëpushtetshme e tij (jo unë, krejtësisht naive me vetëm 2 vite martesë), ia kërkoj këtë asaj. Përgjigjja ishte: ajo kishte tjetër detyrë, t’i rrinte pranë Prijësit. Im shoq ishte shtruar në spital. Një ditë pasi ndahem me të në pushimin e drekës, desha të shëtisja vetëm. Ishte moment i duhur

621

sepse kryesisht im shoq s’do të më lejonte kurrë, së mos guxuari për vete dhe për mua. Më pëlqen shumë të shëtis vetëm si mënyra më e mirë për të ideuar apo për të shkruar me mend. “Kafazi” im ishte shumë i lakmuar së koti nga të tjerët pa e marrë dot me mend se “kafazi” im ishte burg i vërtetë, ndonëse luksoz apo që të sillte privilegje. Shoqërohesha në çdo hap nga rojet (në rastin konkret ishte edhe më hierarku i tyre pranë kupolës shtetërore) deri sa të futesha në dhomën time. Përgjithësisht kështu ndodhte edhe në Tiranë. Përveç përndjekjes institucionale të Sigurimit te Shtetit, urdhëruar nga gruaja e prijësit, isha një robinjë në syrin e çikllopit edhe nga vëmendja e xhelozia e të tjerëve, pra një “kafaz” plus. Atë ditë pata nevojë të ngutshme të marr frymë lirisht, të shëtis në “Champs de Mars” që shtrihet menjëherë pas Tour Eiffel-it. Të shëtis vetëm për vetëm. Kuturis të thyej “kafazin”, qoftë tërësisht prej “ari”. Dal furishëm nga dhoma (ishte mesditë) e vrapoj pa frymë deri në hapësirat e dëshiruara që nuk ishin shumë larg. Isha e lirë, krejt e lirë. Si humor i zi më vinin në mend fjalët e vëllait të madh të tim shoqi në Tiranë në momentin para se të niseshim: ” – Lum si ti, nesër do ecësh nën Tour Eifel!”, – në vend të mendonte për jetën e rrezikuar të vëllait të tij, për çka prijësi theu për herë të parë të gjitha normat shtetërore për ta dërguar jashtë shtetit djalin, për t’i shpëtuar jetën prej “gabimit” trashanik të mjekut të familjes, beniamin ky i gruas së tij. Tek dihasja, ktheja kokën nga çdo anë se mos më kishin parë e ndjekur. Jo, isha vetëm. Befas u ndala. Shija në gojë ishte e hidhur sepse kjo s’ishte liri e vërtetë, por një iluzion i saj. Pra një liri që s’më përkiste. Po kujt ia kisha vjedhur apo marrë hua? Pikërisht

622

atij “kafazi” të cilit unë i përkisja. Ndjesia e lirisë humbi. Kishte qenë veç një çast kohe që më bënte të qaja. U ktheva ngadalë në dhomë, u futa kokulur në “kafaz”, ngarkuar me hakmarrje tepër naive, por sadopak çliruese ndaj tij. Isha vetëm 25 vjeç, mbetur naive që 16 vjeçare kur “kafazi” im u bë “i artë”, por i shumëfishtë. I deklaroj me shumë inat hierarkut që unë iu ika dhe shëtita sipas qejfit! Zbehja e tij më shtrëngoi më tepër fytin e ndjeva befas thikat e fshehta prej çeliku të “kafazit” në dukje të artë. Lirinë ia kisha vjedhur vetes, “kafazi” im tashmë më shponte.

623