E verteta te ben te Lire

Kur isha 20-vjeçare ime më ishte shtruar në spital. Në dhomën me dy shtretër ndodhej dhe një grua tjetër. Kishte natyrë të shtruar, të sigurtë dhe vuante nga një temperaturë e vazhdueshme e pashpjegueshme. Mjekët nuk i jepnin dot drejtim, se të gjitha analizat i dilnin mirë, por temperatura mbetej 37 deri 38 gradë. Ajo pretendonte statusin e invalidit. Nuk e di ideja e kujt ishte për t’i bërë një provë interesante. E lanë si gjithmonë ta vinte vetë termometrin. Mjeku qëndroi prezent. Temperatura ishte e lartë. Mjeku e shkundi termometrin dhe i tha: “- Tani vure nga krahu tjetër!”. Gruaja u kap në befasi, refuzoi furishëm por s’pati çtë bëjë dhe e vuri termometrin siç i tha mjeku. Ky i fundit asistoi deri sa ia hoqi vetë dhe me sa duket ashtu siç e priste ai temperatura ishte normale. Mashtruesja e fërkonte më përpara

417

termometrin dhe e vinte nën sqetull me temperaturë të ngritur. Loja e saj u zbulua dhe kjo grua kaq e qetë u konsiderua për qëllimin që kishte kryesisht histerike, më shumë se sa marifetçie apo mashtruese. Në vitin 1976, kur u nisëm urgjentisht në Paris për të shpëtuar jetën e tim shoqi, nuk e mendoja kurrë që do të hapja në familje siparin e dëshirave përvëluese e perversitetet e natyrave njerëzore, fatkeqësisht edhe nën çatinë e E.Hoxhës. Në fakt vajtja për herë të parë në Paris vuri në dukje apo nxiti xhelozinë deri atëherë të vakët e të fshehtë, çka shpërtheu në mënyrë evidente. Kjo edhe për mënyrën e veshjes sime, ndonëse e kam thënë që solla gjithçka njëlloj për të tri familjet, për dy vëllezërit e motrën. Përveç një fundi për vete, që ndoshta më rrinte veçanërisht mirë, e sidomos dukej që ishte “i jashtëm”. Atëherë filloi të flitej në Tiranë që unë sillja modën Perëndimore. Gjithësesi dëshira për të shkuar në Paris, me sa duket tashmë nuk ishte vetëm ëndërr për pjesëtarët e familjes. Muri ishte çarë qoftë edhe për të kaluar si minjtë matanë. Krahasim aspak pezhorativ se pikërisht kështu filloi invadimi “shëndetësor” drejt Parisit. Menjëherë, me kthimin tonë, mbesës së Ramiz Alisë, gruas së Ilirit, i filloi një simptomë e çuditshme. Ajo dëgjonte pulsin në vesh. Realisht ishte natyra e saj me tension e puls të lartë. Situata që krijoi në të gjithë pallatin e E. Hoxhës ishte ajo e imponimit të tërheqjes së vëmendjes. Vetë Nexhmija i thoshte “të madhit e të voglit”: “- Shëëëët, kujdes se Teuta është e sëmurë!”. Çuditërisht, ky njeri “i sëmurë” nuk e mbyllte më as derën e apartamentit e jo më të dhomës së saj të gjumit. “Njeriu i sëmurë” nuk kërkonte privatësi, as qetësi

418

që vjen prej izolimit nga zhurmat shtëpiake, por “qetësi” që vjen prej imponimit të tensionit rreth saj. Në të gjithë ambientin dinastik, që atëherë e konsideroja të popullit, siç thoshte Enveri, zotëronte shqetësimi e vëmendja për të heshtur, që të mos shqetësonim “të sëmurën”. Fëmijët të mos luanin, që të mos i dëgjonte Teuta “e sëmurë”. Personeli i trajnuar për të punuar pa u ndjerë si gjithmonë, për të dëshmuar heshtjen e mbiheshtjes së zakonshme, vepronin në mënyrë demonstrative që moszhurmimi që i preokuponte të ndjehej nga mënyra e lëvizjeve të tyre si në filma vizatimorë. E gjitha kjo përveç merakut të përgjithshëm mbetur pezull çfarë sëmundje ka ajo. Situata e heshtjes “bërtiste” në kundërshtim me sentencën e famshme të Cvajgut madje brenda në shtëpinë tënde: “Të jetosh e t’i lësh të tjerët të jetojnë”. Kështu, duhej “bërtitur” prej saj për t’u bërë aq problem familjar e për t’u shqetësuar shumë E. Hoxha, sa Juda e çoi tri herë në Paris vetëm se dëgjonte pulsin në vesh. Medoemos kishin simptomën fantomë në xhep për të bindur E. Hoxhën. Aq sa frika e tumorit në kokë që kishte shpalosur Juda rrinte mbi kokën e E.Hoxhës si shpata e Demokleut. Në vitin ‘77 isha në gjendje interesante, disa muajshe me me Shpatin. Në punë e sipër u ndjeva e lodhur dhe mbështeta kokën mbi tryezë. Befas, me sa duket, prej ndryshimit të parametrave të pulsit e tensionit gjithmonë të ulëta, dëgjova për herë të parë pulsin në vesh. E kuptova që vinte prej përshpejtimit të pulsit në gjendjen që isha. U tmerrova, jo nga ndryshimi i parametrave, por sepse duhej të ishte thjesht kjo arsyeja që dëgjova edhe unë pulsin në vesh. Befas, isha përfshirë nga simptoma “fatale” e

419

Teutës. O ishte gjë që ndodh rëndom, ose edhe unë isha kandidate për tumor në kokë. Kaq naive isha, sa logjikën për normalitetin e kësaj simptome ia vura në dukje Nexhmijes, e cila me kohë luante edhe skenarin e garës midis nuseve. Por, ky rast i dogji tepër. U tërbua, u ngrit vërtik e iku duke turfulluar. Pyetja ime mbeti pa përgjigje në të njëjtën mënyrë edhe nga mjeku Judë. Me çfarë provova vetë, logjika ta donte që kjo situatë ankthi që sundonte gjithë familjen e E. Hoxhës duhej qetësuar së pari me mundësinë e normalitetit. Duhej së pari arsyetuar për kondicionet jetësore të përgjithshme e normale të individit, domethënë të “të sëmurës”, me tension e puls natural shumë të lartë, e pastaj të shikohej mundësia e një rasti fatkeq, “kaq të rrallë” siç e trajtonte Juda me Nexhmijen. Aq më tepër që çuditërisht ky “rast kaq i rrallë” ndodhi në dy persona brenda një shtëpie. Qëllimi im ishte i njëkohshëm sa për qetësimin e situatës familjare në përgjithësi, aq edhe për qetësimin për rastin tim. Duhej bazuar së pari në logjikë e pastaj edhe në analizat e ngushta profesionale, specifike po të kishte vërtet arsye, për të cilat Juda me “të sëmurën” po shkonin shpesh në Paris. Përgjigjja erdhi furishëm. Këtë radhë fliste E. Hoxha. Të tretën herë Judës i ishte thënë nga profesori francez: “- Mos më hajdeni më!”. Megjithë konspiracionin për të mbajtur E.Hoxhën me gënjeshtra, nuk ishte e vështirë për të të kuptonte që “e sëmura” ishte shëndoshë si molla dhe shteti kishte shpenzuar tepër dhe kot. Natyrisht që ndonëse E. Hoxhës nuk iu tha kurrë saktësisht përgjigjja e mjekut, situata duhej zbutur në favor të simulantes. Për rolin e

420

simulantes kishte dijeni drejtpërsëdrejti Nexhmija dhe Ramiz Alia. Ky i fundit, për të ruajtur dhe reputacionin e tij, shtron një drekë “gëzimi”, që mbesa doli shëndoshë e mirë nga “rreziku i sëmundjes së pashërueshme”. Ishte drekë e madhe, pothuajse zyrtare, jo thjesht për pjesëmarrjen e E. Hoxhës, por për nga solemniteti ngarkuar me shqetësim në ajër, e sidomos nga përmbajtja që pati. E. Hoxha nuk e fshihte zemërimin, ndonëse rasti ishte “gazmor”. I ngritur në këmbë me gotën në dorë foli në mënyrën më zyrtare si të ishte fjalë e rastit në mbledhje partie apo shtetërore. Foli për ekonominë e Shqipërisë zhvilluar me forcat tona. Se si i biem në qafë popullit me shpenzimet shumë të mëdha e të kota për sëmundje të pa verifikuara paraprakisht. E. Hoxha foli për mungesën e sensibilitetit për të shqetësuar të afërmit me fiksimet e pavend për diagnoza të rrezikshme, ndërkaq false. Ai tërhoqi vëmendjen e mjekëve, në rastin konkret të Judës, nga ana profesionale e sidomos nga ajo abuzive për t’i çuar menjëherë familjarët e tij jashtë shtetit. Ai nuk e dinte që ata ishin bazuar vetëm tek simptoma “të dëgjosh pulsin në vesh”, dhe se çdo tezë tjetër ishte shpifje. Sepse me njohuritë që kishte, do të kishte dalë në konkluzionet që sjell kultura universale për të gjetur pika takimi të të gjitha shkencave, domethënë së pari për logjikën e çështjes në fjalë. E.Hoxha, i tërhoqi vëmëndjen Nexhmijes e Ramizit, për mosinformimin e tij për çka dinin ata më shumë lidhur me mjekun dhe të sëmurën. – Sepse ndodh, – tha ai,- që i sëmuri të obsedohet nga paranoja e diagnozës deri sa kalon në tjetër sëmundje, në atë histerike, gjë që është shumë e dëmshme pë

421

vetë të sëmurin e gjithë familjen. Më së fundi, E. Hoxha tha: “Le ta ngremë këtë dolli që Teuta është krejt e shëndetshme, gjë që duhet ta fusi mirë në kokë!”. R. Alia e Nexhmija rrinin me kokë të ulur e me veshë të skuqur. Po ashtu edhe Teuta me Ilirin. Gruaja e Ramizit, fëmijët e tij, Pranvera e Klementi ishin një auditor “i mirë” në kuptimin si të parainformuar. Mua e Tolit, ndonëse nuk ishim nga ata që shkojnë me lugë në brez nëpër sebepe, na erdhi e papritur gjithçka dhe kuptuam thellësinë e skenarit disavjeçar të simulantes me regjizorin Judë e garantët e tyre Nexhmije e Ramiz. Më erdhi shumë keq për babanë, siç më erdhi retrospektivisht keq për rrugën që iu kishim hapur mashtruesve Sokoli e unë në vitin 1976, kur desh vdiq po prej Judës. Tashmë ky mbretëronte sërish si mjeku personal i Enverit, i risjellë mjeshtërisht prej Nexhmijes në funksion të të gjithave “mise en scéne-ave” të saj. Them kështu, se në 1976, për gjoja mosprofesionalizëm të Judës desh vdiq Sokoli. Me këtë rast dilja jashtë loje jo vetëm unë, por vetë E. Hoxha që s’do mund ta përballonte humbjen e të birit. Për këtë arsye, Enver Hoxha nuk donte ta shihte më me sy Judën. Ai largohet turpshëm nga Blloku. Në të kundërt, Nexhmija më ofron vazhdimisht Judën për mjek personal, kur as ndjehesha e sëmurë e aq më tepër që Juda të ish prononcuar që kam probleme endokrine, të cilat i fsheh edhe sot. Kur unë nuk kisha nevojë për mjek personal. Sidoqoftë, me urdhër të Nexhmijes, në 1977 futet Juda sërish në familje faturuar mua e Sokolit si mjek e “mik” personal, çka e demonstroi bujshëm e fals deri në fund. Realisht i tillë për vetë Nexhmijen e Pranverën për çka duhet të fshiheshin pas

422

nesh. Përpara Enver Hoxhës alibia ishte se unë “kapriçiozja” nuk pranoja mjek tjetër. Fillimisht duhet të ketë qenë tolerancë e E. Hoxhës prej dashurisë ndaj meje, pavarësisht nga drita e keqe që është hedhur mbi mua. Nexhmija me një gur vrau shumë zogj. Jo thjesht reputacionin tim që i dal kundër E. Hoxhës për konsideratat ndaj mjekëve, por se Juda tashmë do të kishte në dorë shëndetin tim dhe gradualisht siç ishte dhe qëllimi final, atë të E. Hoxhës. Nexhmija e paraqiti me kohë Judën si endokrinologu më i mirë pas Prof. Fejzi Hoxhës, shok e mik i babait ky, por gjoja i plakur për ta ndjekur në mënyrë operative atë. Pas vdekjes së E. Hoxhës nuk kishte më nevojë për inskenime. Grafiku i posaçëm i Nexhmijes për ec e jaket e familjeve të Ilirit e Pranverës, përjashto të Sokolit, përveç meje në rolin e të “sëmurës kronike”, funksiononte si sahat. Madje, pas një viti të vdekjes së të shoqit, e veja shkoi bashkë me të bijën dhe Judën në Paris. Nga filmimet, Nexhmija dukej më e lumtur se kurrë përgjatë jetës me Enverin. Kur erdhi iu solli të gjithë fëmijëve të njëjtat dhurata. Valbonës, tashmë 11-vjeçare i solli një komplet pasqyrë e furçë flokësh. Kurse djemve iu pruri nga një komplet veshjeje, secilit në ngjyrë të ndryshme. Ndonëse i kish marrë masat e trupit dhe të këmbës, Shpatit çuditërisht nuk i bënte as bluza Polo në ngjyrë të verdhë as pantallonat po të verdha, as atletet po ashtu.

423