E verteta te ben te Lire

Nuk ka gjë më mahnitëse, si befasi e paparashikueshme, se harmonia e kundërshtive në fenomenet natyrore e sociale. Mahnitëse se studimi i këtyre kundërshtive që megjithatë përbëjnë harmoninë në natyrë e në personalitetin njerëzor, vërteton që nuk ekziston dualizëm me elemente të një papajtueshmërie të vendosur një herë e mirë. Diskordancat diku do të pajtohen. Dy shembuj që i aviten fenomenit në fjalë në planin natyror, fizik e astronomik, përfshirë dhe atë social zbërthehen mrekullisht nga Tomas Man në botimin voluminoz “Mali magjik”. Gjithkush e di se ç’janë netët e bardha nga përshkrimi apo dhe në i ka qëlluar të ketë jetuar diku në rrethin polar. Disa të tjerë kanë përjetuar vetëm imazhin e aurorës boreale, dritësisë së horizontit natën, në kufirin gjeografik ku nata e bardhë nën ndriçim të plotë apo të pjesshëm diellor ndahet nga nata e plotë

502

hënore që pason perëndimin e diellit. Një pozicion ekstremisht të mprehtë si harmoni natyrore të diskordancave, na jep Tomas Mani, tek na e përshkruan këtë si fenomen: “Ai kishte 10 minuta që po voziste mbi një suprinë krejt të palëvizshme të ujit, nën një yllësi të ngatërruar dhe ëndërrore. Nga perëndimi kishte qenë ende ditë, një ditë e ndritshme, me një dritë qelqore, të esëllt e të rreptë. Por, kur kishte kthyer kokën nga ana tjetër, syrit të tij i ishte hapur një natë hënore po aq e përkryer dhe tejet magjike, e përshkuar nga një mjegull e lagësht. Kjo luftë e rrallë të kundërtash kishte zgjatur nja çerek ore, përpara se të zgjidhej në të mirë të natës dhe të hënës dhe sytë e lëbyrur dhe si të magjepsur, të habitur tej mase të tij ishin kthyer sa në një dritësi në tjetrën, nga dita në natë dhe nata përsëri në ditë”. Vol. I. Refleksionin për çka thamë, jo vetëm për natyrën, por për shoqërinë po mundohem ta jap nëpërmjet profilit të një gruaje, çka është më e ndërlikuar e specifike, meqë shoqëria mbetet ndërkombëtarisht maskiliste. Për një grua brendinë e së cilës e njoh mirë. Ajo e kishte të prerë se po të kish pasur një vajzë të dytë ajo do ta kish quajtur “- Harmoni”. Nuk mendoj se ajo ishte krejt e thellë, apo më mirë vetëm e tillë, ndërkaq edhe nëse dukej e çuditshme kjo shprehte nje përqindje naiviteti e sjellje fëminore. Ky gërshetim, organikisht i pandashëm, sillte herë-herë moskuptimet e befasitë e veta. Ajo mbetej për dikë këtu, për dikë atje, gjithmonë e pakuptueshme. Do të thosha që në çdo anë ta shihje, ajo të nxirrte në personin e vet kundërshti të vendosura ne një harmoni paradoksale. Kundërshti të çuditshme,

503

duke qenë njëherësh delikate, sa në vegjëli e thërrisnin “Llaska”, por papritur shfaqte guxim të pashoq. E çfarë llastice mund të ishte ajo kur lexonte në atë moshë edhe duke ecur në rrugë?! Ajo ka lindur me filozofinë: “Kape demin prej brirësh, por pa dëshirë të sajojë casus beli”. Në të kundërt, filozofia i vlente vetëm në planin teorik dhe ishte e prirur për zgjidhjen e problemeve sa me butë. Nuk pati qenë kurrë për gjatë gjithë jetës së saj një fëmijë, vajzë, grua, nënë e gjyshe e fortë, që ndan e pret me radikalizëm filozofinë vetjake. Në të kundërt nevoja dhe kënaqësia e saj sublime ishte përgjithmonë dhimbsuria, që pa e derdhur me të tepërt e për gjithçka s’mund të jetonte. Të kishte mundësi ajo mbartëte te vetja vuajtjet e sëmundjet e të dashurve të saj, pa pritur reciprocitet, as mirënjohje. Ishte në brendësinë e shpirtit të saj hovi të gjendej për tjetrin, jo për të siguruar kurorën e dafinave “sa e mirë”. Në të kundërt, për karakterin e saj të drejtpërdrejtë për disa ishte “e keqe”. Dhimbsuria e saj nuk mund as të ngatërrohet me dobësinë e një gruaje të ligështuar, për të vrarë edhe një mizë. Ndonëse nuk i mungonte asnjë shprehi delikatese, madje i kishte me të tepërt, në jetë udhëhiqej nga mendja. Mendja e saj doemos do e kapte “demin prej brirësh”, ndryshe s’qe e sigurtë për vetë jetën. Vetëdija për hapin e duhur ishte jo vetëm nevojë praktike, por siguri psikologjike për thelbin e vetëdijes. Shqetësimin, vuajtjen, padrejtësinë ndaj tjetrit e përjetonte si personale. Nuk “mbante anë” edhe sikur çështja të kishte lidhje me fëmijët. Dhe kjo, nga femijëria e tyre deri në pjekuri. Njëlloj me të shoqin, njohur përjetësisht. Ajo do të mbante qëndrimin

504

e drejtë sipas saj, edhe nëse do t’i duhej të dilte kundër tyre, çka në esencë do të thotë pro tyre, si çështje thellësisht edukimi. Ky është investimi moral që ata trashëguan prej nënës së tyre. Vetëm një vit diferencë pati nga “binjakja”, motra e saj, por gjithmonë ajo ishte për të si luanesha për të voglën, edhe pse ndoshta pa rezultat. Kështu “kapja e demit prej brirësh” ishte nevoja e saj intuitive, por kryesisht racionale, për të gjetur burimin e të keqes, ndonëse nuk do të mund ta zgjidhte atë në mënyrë drastike, por sa më butësisht e ngrohtësisht, pa hequr dorë, se gjërat e lëna në mes nuk i donte. Shkurt, mendja e saj gjykonte fort gabimin, por nuk kishte zemër të dënonte personin që gabonte, veç izolimit si rrezik. Kësisoj, dënonte keqbërjen në përgjithësi, për ta neutralizuar apo që të kufizonte rrjedhojat që sillte. Paradokset që i lulëzonin të brendshmen ishin jo vetëm pa fund por karakteristikë jo krejt e zakonshme, pasi s’kishte gjetur kurrë një shoqe apo një shok si veten. Çdokush i nënshtrohet frikërave – komplekseve personale. Ndërsa ajo dallohej për guxim, në mposhtje të frikës. Ishte në pasiguri konstante, deri sa të vendoste vetë për çfarë i duhej. Ajo gëzohej si fëmijë për gjërat më elementare në jetë e nuk mund ta gëzonin por e neverisnin festat e qëllimet pompoze. Ishte e lirë se nuk e njohu ambicien si shtysë, ndonëse mbeti e sukseshme. Ishte e shkathët mbi shokët e shoqet, por e ngathët dhe e plogësht po të prekej prej emocioneve rrethanore. Mund të ishte yll i një mbrëmjeje masive, siç mund të ishte me preferencë bishti i saj kur nuk i pëlqente. Nuk ishte luksi i veshjes shumë i përfolur, rënia në sy e saj, por rrezatimi i

505

përmbajtjes së brendshme. Individualiteti nuk i përfaqësohej nga stili i jetës “ndryshe”, por nga vepra e vogël apo e madhe në raport me të tjerët, si shumë xhentile, por kërkuese, shumë e dashur, por me shpirt kritik. Tërësisht e lirë në mendime nuk i lejonte vetes kotësi vanitoze, ndaj nuk demonstronte autoritet prej statusit social të privilegjeve. E konsideronte këtë status krahasuar me të tjerët vetëm e vetëm si mundësi të tejkaluar jete, jo aftësi vetjake. Ndaj, sado paradoksale të duket, kuptimi thelbësor i saj për lirinë është ai i Louis Armstrong: ” Nëse jam skllav, jam skllavi që dua të jem”, sepse prej lirisë së saj ajo ishte skllave e lumtur e familjes dhe e venerimit ndaj objektit sublim. E kërkonte marrëzisht sublimen, venerimi ndaj së cilës ishte niveli më i lartë i ushqimit intelektual për të. E urrente si qëllim protagonizmin, por mbetej definitivisht e tillë, për pasojë shumë fanatike e privatësisë dhe evitonte sa mundte vëmendjen e tjetrit. Prej kësaj arsyeje nuk kishte dashur kurrë të shkruante, pasi çdokush që shkruan zbulon diçka nga vetja. Por, filozofia e kapjes së demit prej brirësh në rrethana katastrofike, e detyroi të hapej publikisht. E nëse flet, do të flasësh krejtësisht, ndryshe hesht. Kështu, nga fanatizmi për të fshehur të brendshmen e saj, doli publikisht gollomesh. Çuditërisht, shumë nuk donin, të tjerë “nuk dinin” dhe “pak” kuptonin. Ajo nuk preokupohej për të qenë e kuptuar, mjaft që çka bënte të ishte e drejtë për të, me bindjen se “nuk kuptojnë” sot, do të kuptojnë nesër. E dizinteresuar e aspak kurioze për të tjerët larg saj, ndihej përgjegjëse për çka ndodhte në mjedisin që i përkiste dhe detyrimisht do të reagonte. Do të jepte medoemos mendimin e

506

saj, edhe kur e dinte që vendimmarrja nuk do të varej nga ajo. Gjithçka ishte thjesht çështje ndërgjegjeje për të. E magjepste arti, sidomos produkti i drejtpërdrejtë i organizmit të njeriut si instrument natyror Ky, kryesisht nëpërmjet zërit apo lëvizjeve. Pastaj ai nëpërmjet mjeteve apo teknikave të artit aplikativ. I pëlqente shumë zëri mashkullor në muzikën e lehtë dhe polifonike, por mahnitej nga ariet e sopranos në muzikën operistike. Ndërsa muzika simfonike e çonte në ekstazë. Ka ende një shpirt të fortë artistik, por nuk e kultivoi së dhunuari veten, se në kohërat e saj vlerësohej më shumë mendja. Nuk ka sfiduar konkurrentin, të cilin as nuk e njohu ndonjëherë, por sfidonte veten. I pëlqente shumë puna dhe shoqëria në grup, por kur nuk gjente siç i donte, preferonte punën e pavarur dhe vetminë. Në potencë gazmore, mbetej e trishtuar nga rrethanat. Prej tyre mësoi të vetëushqehej maksimalisht intelektualisht me çka i duhej, e çdo komunikim në këtë lëmë me miqtë e saj më të vlerësuar përbënin dialogjet virtuoze që i jepnin ndjesinë e fluturimit, ndonëse nganjëherë zhgënjehej nga diskordancat. Për të qenë sociale preferonte, sinqeritetin deri edhe të budallait, më shumë se snobizmin e “intelektualit”. Ishte e çiltër, aq sa të tjerët sipas shkallës së korrupsionit vetjak e hamendësonin të shtirur, nisur nga opinioni i përgjithshëm i bindur për mjaftueshmërinë e mençurisë së saj. Sepse në këtë botë, ligjin e bën dinaku, pra e keqja si fituesja e çastit, se çiltërsia e mençuria sipas mediokrit nuk mund të shkojnë bashkë. Krenare nga natyra, por e gjunjëzuar para mjerimit, e barabartë midis të tjerëve që lehtësisht dallohen për modestinë,

507

ajo admironte çka vlerësonte përmbi veten e saj. Përkushtohej ndaj tjetrit pafundësisht me të brendshmen, por kurrsesi me intimitetin gati virgjëror. Për dashurinë që kishte njohur s’kishte një të dytë, por shpirtërisht pati përjetësisht dashuri. Dashuria e përgjithshme nuk flinte, që ta gjeje me vështirësi tek ajo. Nga i ati kishte trashëguar ndaj qejfmbeturve moralin: “- Nëse nuk më do ti, të dua unë!”. Dashuria i buronte papërmbajtshëm me qendër tjetrin, vetëm tjetrin. Kështu u bë me shumë simotra e sivëllezër. Nëse të tjerët do të bënin diçka vlerësuese për të, ajo do të ndjehej ngushtë, çuditërisht prej timiditetit shumë të fshehur. Do t’i dukej së pari se nuk meritonte gjë, se thjesht ajo ishte lindur për të tjerët e jo të tjerët për të. Pra, filozofia për të kapur demin prej brirësh s’ishte kurrë ekspansive, përveçse dalje nga situata të vështira, pasi kishte gjykuar së pari veten e vet. Sepse natyra reale e të brendshmes së saj ishte harmonia. Harmonia jetonte tek ajo mishëruar fuqishëm me “shqisat” e tepërta të sensibilitetit, elegancës, shpirtit artistik, si të vishej, si të aredonte shtëpinë, çfarë të lexonte e ku ta lexonte sipas posaçmërisë së saj, si të dëgjonte, ku e kur ta dëgjonte selektivitetin muzikor etj. etj., përpos kërkesave ambientaliste ku të pinte një kafe në qetësi, ku të shëtiste lirshëm larg syrit të vëmendshëm etj. Por, kryesisht ajo do të sillte përgjithmonë harmoni te njerëzit që rrinin me të. Harmonia e brëndshme e saj u cungua pas martesës sidomos me gjumin, i cili filloi të bëhej gjithnjë e më problematik prej arsyeve të mëdha. Ishte koha që përbënte thelbin e epokës. Ishte koha kur

508

epoka pohonte handikapin e saj, ndërkaq mundohej të justifikonte vetveten. E gjitha kjo përbënte problemin e fshehtë të kësaj gruaje. A mundet ta justifikojë krejtësisht epokën që ajo ishte mësuar ta donte?! Ishte koha kur personazhi ynë përpiqej të përshtatej me të papërshtashmen. Në netët pa gjumë, në orët e vogla drejt agimit, ndonëse harmonikisht të shtyra së lexuari përzgjedhjen e saj, së shijuari Bahun etj., fantazonte për harmoninë formale të së nesërmes, ndërsa thellësisht vuante nga paqartësia cila ishte e sotmja e cila do të ishte e ardhmja. Ishte shpirti i trazuar, por i pamposhtur i saj (për më tepër i goditur qëllimshëm për çka thashë), që nuk mund ta shuanin, teksa dis-harmoninë e përgjithshme ajo nuk mund tia fshihte më vehtes. Çështja mbetej varur e doemos për t’u zgjidhur. Por si?! Ishin idetë e saj gjithmonë triumfuese që e mbanin gjallë edhe në kufijtë e rrezikut për jetën. Ishte domosdoshmëria për harmoni personale e sidomos të të tjerëve, kur ajo u bë e ndërgjegjshme që mund, madje duhej të bënte detyrën e saj: të sakrifikonte për harmoninë e përgjithshme. Ky ishte motivi që e shtyu të kapë publikisht demin për brirësh. Për ta njohur i madh e i vogël (nga ata që e donin atë si individ dhe për të “mos e njohur” cilido që nuk e donte), cila ishte në të vërtetë prej përbaltjes së përjetshme prodhuar nga “institucioni i frikës”. Ndaj, për personazhin e këtij refleksioni, arritja e pikësynimit të një misioni, edhe i madh qoftë, mbetet vetëm një faqe libri që do kthyer te të tjerat. Asgjë ngushëlluese nuk mund të ketë për të, përpos boshllëkut në stomak, përveçse çfarë do të përmbajë faqja e re e këtij libri gjigand jete, siç janë vetë ligjet e jetës për çdo profil njerëzor.

509

Antagonizmi midis harmonisë së paradokseve zhvilluese me dis-harmonitë e paradokseve kriminale në shpërbërje të tjetrit, do të mbeten si realitet human i të dy rasteve ekstremisht të kundërta të llojit të njeriut. Çka nuk ndërhyn në ligjshmërinë globale të harmonisë së përgjithshme e cila doemos ecën drejt pozitivizmit, si domosdoshmëri dialektike e njerëzimit. Askush më mirë se Dostojevski s’na ka sjellë artistikisht harmoninë qoftë dhe tragjike midis vërtetësisë dhe diskordancave. Do të na mjaftonte si shembull “Vëllezërit Karamazov” te dialogu i famshëm i Ivanit me Aljoshën. Por harmonia nuk është përsosmëri, përkundrazi është dëshmi e paarritjes së saj. Por, në vetvete është një gjendje që na duhet të gjithëve për të jetuar shpirtërisht bukur. Për çka ia vlen të harxhosh gjithë energjitë së kërkuari atë. Kësaj i thonë ta përjetosh jetën në mënyrë artistike. Kaq shumë ia vlen udhëtimi i përjetshëm drejt harmonisë sa më mirë le të sjellim ç’thotë E. H. Gombrich në “The story of art” për përpjekjet e piktorit për të arrirë përsosmërinë vetëm në telajo. “Kur vjen puna për të harmonizuar trajtat e për të ujdisur ngjyrat, artisti lypset të jetë gjithmonë “merakli” apo kërkues deri në fund. Netë të tëra mund t’i kalojë pa gjumë, gjithë ditën e ditës mund të qëndrojë para pikturës duke vrarë mendjen si të hedhë edhe një penel të lehtë këtu e një tjetër atje, e si ta fshijë përsëri, edhe pse ti dhe unë nuk e vëmë re dot as njërën as tjetrën. Por, sapo ia ka dalë mbanë, të gjithë e ndjejmë se ai ka arritur diçka që nuk ka më nevojë për gjë tjetër, ka arritur

510

diçka të saktë, një shembull përsosmërie në këtë botën tonë shumë të papërkryer”. * * * Folëm për paradoksin e harmonisë së dis-harmonive apo kundërshtive në botën e brendshme të personit. Kjo vlen për individin, por përbën edhe një dukuri sociale. Përndryshe, pa këtë paradoks nuk do të ekzistonte apo nuk do të njihej harmonia si kualitet jete, apo mirfilltazi si kualitet i njerëzimit, por do të mund të manifestohej vetëm si gjendje e caktuar, në çast të caktuar, në vend të caktuar, në kushte të caktuara. Thuhet shpesh: “Kape çastin!” apo “Kape rastin!”. Për paralele krahasimi do të thonim: “- Kape harmoninë!”. Por më kot, se ajo nuk mund të kapet. “Kapja e çastit” sjell apo mishëron ca përfitime të rastit. Ndërsa dëshira, për të kapur harmoninë është një abstragim i bukur, por i paarritshëm vetëm me intuitë. Sepse harmonia është kompleks shpirtëror e mjaftueshmërisht material, tejet e përbërë, nëpërmjet kundërshtive të ëndrrave, koncepteve, filozofisë personale, por edhe karakteristikave natyrale, temperamentit, virtyteve, veseve, të mirës e të keqes, që bashkëjetojnë në koshiencë, e sidomos në nënkoshiencën tonë. Përfytyroni një harmoni të “harmonive”, një të tillë absolute nëse mund të realizohet. Kjo mund të jetë vetëm harmoni në raport me veten, në kushte jetese absolutisht të kultivuara si në laborator. Pra, harmoni e kushtëzuar, por jo kushtëzim jete. Kushtëzimi i jetës vjen nga sistemi politik shoqëror. Kuptohet, që po bëj fjalë që sa më liberalodemokratike të jetë shoqëria, aq më larg autokracisë është, aq më shumë i jep liri individit për

511

harmoninë e tij. Kur vetë shteti nuk garanton shoqëri të tillë, s’mund të flasim më për harmoni, veç për mbijetesë të individit, si dhe të vetë shoqërisë nën shtetin totalitar. Sado të zgjasë totalitarizmi, është i destinuar të bjerë, pikërisht prej disharmonisë brenda vetes si sistem politik e sidomos në raport me individin e bashkësinë e tyre. Ky, është ligj dialektik i vërtetuar tashmë, jo vetëm historikisht, por i faktuar përgjatë jetëgjatësisë së bashkëkohësve tanë, ndonëse nuk përjashtohen uljet e ngritjet në spiralen dialektike. Njerëzimi sot ka eksperienca të mëdha, pasi ka kaluar epoka të mëdha, ndonëse jo domosdoshmërisht madhështore. Si pasojë ai e di mirë rrugën drejt harmonisë së vet, pavarësisht pengesave të pashmangshme dhe qëllishmërisë së tyre. Vetëm të pasurit prej korrupsionit nuk e njohin harmoninë. Jeta e njëtrajtshme, pa surpriza, shpirtrat e tyre, janë si kënetë nga rutina e jashtme dhe e brendshme. S’janë të lumtur se s’iu mungon asgjë materiale, po iu mungon lumturia, (Ç’ishte kjo që thashë? Pretendim universalisht i madh), apo më thjeshtë harmonia, si nevojë e domosdoshme dhe e arritshme si vepër e njeriut. Vepër që ai mund ta ndërtojë, por kurrsesi nuk e blen dot. Duke mos e blerë i bën të pazotë të orientohen në jetën e vërtetë, në atë që ndodh përtej pushtetit të parasë. Këta “fatlumë-fatkeqë” nuk mund të realizojnë harmoninë e brendshme të tyre, e kurrsesi atë të individit më të zakonshëm, që paraja i duhet të fitohet për të jetuar, jo për ta vënë stok. Fatkeqët “e stokut” të parasë, kanë emër në shoqëri e politikë, por absolutisht fuqi të brëndshme vetjake prej nga buron harmonia njerëzore.

512

Ishte një përsiatje kjo, si individi me instikt, por kryesisht me forcën e mendjes, menaxhon organizmin e shpirtin e tij të trazuar deri në harmoni, së paku minimalisht të mjaftueshme, që bën bukurinë e jetës. Në volumin II te “Mali magjik”, Tomas Man, shprehet për këtë sado së largu: “E përtejmja hyn në të këtejmen, kundërshtia midis Perëndisë dhe natyrës bie dhe, duke qenë se kështu personaliteti i njeriut pushon së qëni arenë e luftës së dy parimeve armiqsore, por paraqet tashmë një të tërë harmonike, në themel të konfliktit brendanjerëzor qëndron vetëm kundërshtia midis interesave të individit dhe atyre mbarëshoqërore dhe misioni i shtetit tashmë, bëhet ligj i moralitetit”. Çka do të thotë se i takon shtetit të njëhsojë interesat e individit me ato mbarëshoqërore, si niveli më i emancipuar social.

513