E verteta te ben te Lire

Temë e befasishme kjo, krahasuar me “Gruaja me kone”, “24 orë nga jeta e një gruaje”, “Letra e një të panjohure”, “Amok”, “E fshehta përvëluese”, etj. etj. Jo kjo temë, dhe as gruaja në fjalë s’ka asgjë të veçantë për të bërë letërsi të madhe dhe natyrisht që ky s’mund të jetë qëllimi im. Por e madhe ishte qetësia që rrezatonte ajo grua në orën e zenitit në një ditë vjeshte, në mes të bulevardit bosh, duke ngrënë akullore. Thashë qetësi?! Kjo është shumë pak, se gra që hanë akullore sheh rëndom. Por, ky rast me ngjalli impresione të cilat që atëherë i kam analizuar. Them atëherë, se ishin vitet ’70, siç vetëm në atë kohë bulevardi kryesor te parku “Rinia” mund të mbetej bosh. Ajo grua, kishte një pamje më tepër se të rregullt. Nuk mund të vije re se çfarë kishte veshur, por të kuriozonte për kujdesin me të cilin trajtonte veten. E veshur me kujdes, e krehur me kujdes,

534

me ecje të posaçme të sajën, jo të përpunuar, as pretencioze, ajo grua vetiu nuk të linte indiferente. Përkundrazi, të bënte të ndaleshe te thjeshtësia e studiuar, por më tepër natyrale e paraqitjes së saj, që me sa dukej e kishte domosdoshmëri. Pra, padyshim ishte një grua e kultivuar. Gra që dalloheshin nga paraqitja ka pasur në çdo kohë, por shumë nga ato ishin tepër të vëmendshme për përshtypjen që duhej të linin te të tjerët. Është e natyrshme madje është në llojin e saj, që gruaja të pëlqejë të jetë e vëzhguar. Kjo ka qenë dhe mbetet pika e dobët e gruas, këtij qëllimi i kushton tërë vëmëndjen për t’u mbajtur e ujdisur. Kjo është dobësia normale dhe kaq e dendur, sa mund të thuash dhe e domosdoshme e seksit të bukur (s’më pëlqen shprehja “seksi i dobët”, ndoshta se jam vetë grua). Dhe ka një arsye edhe pse vjen në rrugë instiktive, arësye jetike kjo për një grua. Se në qoftë se nuk kujdeset fare për vete, ajo nuk të ngjall as interes, as respekt. E pra po s’pate respekt për veten, si mund të të respektojnë të tjerët?! Natyrisht çdo gjë me masë, së paku mua, nuk më pëlqejnë njerëzit, në këtë rast gratë që i japin vetes shumë rëndësi. Ndaj, kjo grua me trup të rregullt, me gjatësi normale, me flokë gështenjë të kthyera paksa jashtë në stilin e atyre viteve, me sy po gështenjë, një brune paksa më e theksuar se një grua tjetër me tipare te gështenja, të tërhiqte me pamjen e saj të përkorë, pa qëllimin për të rënë në sy, tek hante akullore. Nuk e di nëse do të më tërhiqte vëmendjen për cilësitë e saj po të mos ishte akullorja. Ashtu sikurse një akullore nuk mund të të bëjë të ndalesh së vëzhguari gruan që e mban në dorë atë. E pra, kjo

535

grua dhe akullorja përbënin një impresion. Një impresion të mrekullueshëm, të shumëfishtë e të vështirë për ta zbërthyer. Sepse impresioni i parë tepër emocional ishte personaliteti i kësaj gruaje që i vinte kaq natyrshëm prej botës së brendshme, për të cilën ajo vetë mund të mos ishte koshiente. Akulloren e duan të gjithë. Fëmijët që gëzojnë grupe grupe apo me prindërit, njerëzit që ulen mbasditeve në lokale për një akullore, përveçse në fund të një dreke apo nje feste ku serviret akullorja. Dua të them që akullorja krijon një situatë gazmore në kolektiva sado të vegjël. Kurse gruaja brune, duke ecur vetëm në mes të bulevardit, përbënte një fenomen moskokëçarës në kohën e “tejçarjes së kokës” prej paragjykimeve, prej mentaliteteve, që sipas tyre kjo grua duhej të ngutej kokulur për problemet familjare. Aq sa ajo nëse nuk të dukej e guximshme, me doemos të dukej e çliruar. E çliruar për nga qetësia e brendshme e admirueshme. Në jetët e vogla e monotone të njerëzve të asaj kohe, ky episod mund të duket krejt i zakonshëm, sidomos sot, por s’është kështu. Duke iu referuar gjithmonë të kaluarës, cilado jetë njerëzore kishte të drejtën të ishte cilësore për aq sa mundej. Në këtë kuptim akullorja nuk është asgjë e veçantë për cilësitë e jetës. Madje, të shikoje me akullore në dorë një grua të parregullt nga mospasja e kohës, e mundësive, e kujdesit dhe gustos vetjake etj. etj., do ta konsideroje thjesht që po i jepej dëshirës gastronomike. Pamja e saj do të ishte pamja më e rëndomtë që mund të hasje kudo. Ndaj, nuk ishte kurrsesi akullorja që më tërhoqi vëmendjen te gruaja e pashme. Ishte mënyra si harmonizohej figura e kësaj gruaje të regullt, duke shijuar krejt e

536

vetme akulloren. Kishte një befasi këtu, diçka që harmonizohej tepër, ashtu siç nuk mund të hasej rëndom. Në fund të fundit, vetë fiksimi si impresion i imi “gruaja me akullore”, nuk mund të ndodhte për cilëndo grua. Kjo grua, me qenien e saj, edhe më tepër prej akullores, të jepte mësim. Një mësim abstrakt siç janë impresionet, që o e kap ose jo. Por po ta kapje, ishte special. Njeriu tenton të evitojë çdo gjë të neveritshme, meskine, materialiste, por do ta kënaqë shpirtin me çdo gëzim të vogël të jetës. Asnjë grua e rregullt si ajo nuk do të hante akullore në atë çast, në atë vend, se do t’i dukej shkujdesje për veten, në rrugë, në mes të bulevardit kryesor, karshi hotel “Dajtit”. Gratë janë tejet të kompleksuara në këtë drejtim dhe e kanë gabim. Kurse duke parë këtë grua të pashme që ecën ngadalë duke shijuar pa çarë kokën akulloren e saj, pra duke shijuar kënaqësinë e saj të çastit, të bënte të mendoheshe se çfarë kishte këtu. Diçka që shkonte shumë apo diçka që nuk shkonte fare? Moskokçarja e saj po prishte rregullin e vendosur nga ajo vetë, me rend të caktuar që reflektonte që në pamje, aq sa të dukej sikur me syrin e mendjes po i shikoje sirtaret e shtëpisë me objekte të sistemuara në mënyre metikuloze. E pra nje grua e tillë, padyshim maksimalisht e rregullt, nuk kishte frikë nga vetja e saj t’i jepej dëshirave fare fare të vogla, krejt krejt të saj, pa prishur regullin e jetës, ndonëse për momentin ishte kthyer në fëmininë e saj. Çka merr njeriu në fëmijëri e mbart si cilësi për tërë jetën. E pra ky turbullim i imi i “prishjes” së një rregulli strikt abstrakt, që rrezatonte kjo grua, njëherësh me ngrënien e akullores, ishte gjëja më e paqme që kisha parë. Ky peizazh ishte

537

i denjë për një etyd pikture, për një mikrolibret operistik. Ishte një temë që fliste shumë, vetëm ta dokumentoje me një shkrepje aparati në celuloid. A do të kish presion maskilizmi në jetën e saj? Apo presion feminizmi si gjëja më e urryer e luftës brenda llojit?! Pa bërë përjashtim nga rrethanat e çdo gruaje tjetër, kjo grua dukej një fitimtare. Kjo grua, thyente gjithë meskinitetet e vogla. Kjo grua nuk i jepte shumë rëndësi vetes edhe pse ishte e pashme. Por, kjo grua i jepte shumë rëndësi jetës së saj.

538