E verteta te ben te Lire

Është rast që dua ta kaloj lehtësisht dhe në mënyrë gazmore, siç edhe më ka ngelur në kujtesë. Thellësinë e rëndësinë e këtij fakti nuk kam dëshirë ta analizoj, pasi lexuesi do të jetë vetë në gjendje të gjykojë deri ku arrinte mania, përveçse domosdoshmëria e falsifikimit. Ishte viti 1974, kur sapo ishim martuar unë e Sokoli, edhe Iliri me Teutën gati tre-katër muaj më vonë. Celebrimi ynë u zhvillua në shtëpi, në zyrën e vjetër të Enver Hoxhës njëkohësisht ish-zyra e Byrosë Politike, ku ndodhej një tryezë e gjatë e rrethuar me kolltukë lëkure të gjelbër. Dëshmitarët tanë ishin Lumnia, mbesa e Enverit me të shoqin Ksenofon Nushi. Në dasmën tonë u ftua gjithë fisi. Kurse në atë të Ilirit u ftuan vetëm krerët e partisë dhe të shtetit, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, kuptohet Ramiz Alia si xhaxhai i nuses dhe familjet e tyre. Më kujtohet hijerëndësia që mori dasma e tyre prej këtij fakti, por që nuk e arriti dot madhështinë e të parës,

489

domethënë tonës, e cila ishte shtruar në sallonin më të madh, më zyrtar dhe më elegant të shtëpisë së re të Enver Hoxhës, përveçse ishte e para. Për më tepër Enver Hoxha sapo kishte dalë nga një krizë e rëndë e zemrës. Ndërsa martesa e Ilirit pati karakter formal pikërisht prej të ftuarve shtetarë. Në atë kohë unë isha shtatzanë me Valbonën dhe duhej të rrija 9 muaj në shtrat. U mbartëm të gjithë nga Durrësi (ishte verë) për në Tiranë. Meraku i Enverit në atë dasmë sërish isha unë, që rrija bashkë me Tolin në njërin bisht të tryezës në formë U-je, ku na kishte vënë emrin Nexhmija. Në qendër të U-së, në njërin krah të çiftit, besoj në atë të nuses, ishte babai, besoj në krah të Ilirit rrinte M.Shehu. Përveç riteve monotone si të paranjohura, ndodhi një befasi. M.Shehu u çua me gotën në dorë e tha: “- Hajde Liliana të trokasim gotën bashkë!”. E hutuar, se kjo s’kish ndodhur e nuk ndodhi për kërkënd, veç çiftit, shoh Tolin si t’i kërkoja ndihmë. Më duhet të shkoja deri te qendra e U-së, ku rrinte paria e dasmës. Ecja sikur po shkelja në akull nga përqëndrimi i vështrimit të të tjerëve të habitur, me frikën se mos rrëshkisja me fëmijën 2-3 muajshme në bark. Ishte çudi e çudive kjo, besoj vetëm për t’i bërë qejfin E. Hoxhës që merakosej për mua. Ndonëse kujtimet s’kanë fund, ia vlen të ndalesh tek ato që kanë domethënie specifike. Duhet thënë që dëshmitarët në celebrimin e Ilirit e Teutës ishin Fiqirete Shehu e Vito Kapo. Nuk di se çfarë kishte ndodhur, por Nexhmija nuk e kishte të regjistruar me zë këtë fakt. Pra, asaj i mungonte dokumenti i regjistrimit zanor të këtyre dëshmitareve kaq të rëndësishëm. Një ditë, më thërret mua me Teutën, po në atë zyrën e vjetër të Byrosë Politike. Shumë serioze,

490

si gjithmonë xhanëm, me mangnetofon në dorë, na thotë të dyjave: “- Do të regjistrojmë dëshmitaret. Ti do të jesh Vitua (Teuta), kurse ti do të jesh Fiqireti” (unë). Ishim shumë të reja, unë 23-vjeç Teuta pesë vjet më e vogël, por njëlloj dinake si Nexhmija atëherë e sot e kësaj dite. U ndodhëm para një akti të tillë për ta luajtur, por nuk mjaftonte kjo. Emrat që kishim marrë përsipër e shtonin groteskun. Unë nuk e mbaja dot të qeshurën, jo vetëm nga kotësia e këtij veprimi, por edhe për çfarë më duhej të artikuloja. Sado që në të qeshur e sipër vura re menjëherë, që Nexhmija edhe këtu më dalloi me personazhin që kishte më inat, krahasuar me Viton që e kishte shoqe gjoja të dashur. E qeshura ime s’kishte fund. Falsiteti i këtij akti më pengonte të bëhesha serioze. E përsëritëm shumë herë megjithë, nervozitetin e Nexhmijes nga e qeshura ime. Më në fund doli saktë: – Unë jam Vito Kapo, – tha Teuta. – Unë jam Fiqirete Shehu, – thashë unë. Te dera më priste Toli, gjë që më dha mundësinë të shpërtheja me të madhe në gaz për çka kishte ndodhur.

491