E verteta te ben te Lire

.

As e vogël e as e madhe nuk e pësova në lëkurë diktaturën, përveçse kur vajta në ATSH. Si e vogël, jeta ime ishte e përkryer, se askush rrotull s’ishte më mirë apo më keq se familja jonë. Përjashto familjet me shumë fëmijë, ku mungesat e tyre ishin të kuptueshme për mua vetëm për këtë arsye. Në kopësht isha e përzgjedhura për çdo aktivitet. Gjithmonë e para në rresht, gjithmonë do të më vinin të parën për të kërcyer e të tërhiqja vallen. Njëherë duhet të jepnim shfaqje në qendër të sheshit “Skënderbej”, në një podium druri, ku sot është Pallati i Kulturës. Të gjitha vajzat duhet të ishin veshur me fustan “pllakë gramafoni”, që po të rrotulloheshe rreth vetes fustani hapej krejt duke kryer një sipërfaqe rrethi të plotë me në qendër trupin tonë fëminor. Fustani duhet të ishte bojëqielli. Nuk i di hollësirat, por mua ma qepi një fqinjë, e flokët m’i bënë kaçurrela, siç i përdridhnin në atë kohë me lecka. M’i bënë dhe buzët me të kuq. Pra, gjithmonë e para prej vullnetit të kujdestareve, ndoshta

63

si më e gjata nga shoqet, duhet të isha bërë e bukur siç thoshnin ato, por duke ecur në rresht, në rrugë, dikush tha: “- Shikoni kjo vajza me buzë të kuqe!”. U turpërova dhe i fshiva buzët me pëllëmbën e dorës sa gjatë e gjerë. Kështu u bëra helaq. Por shfaqja vazhdoi njëlloj.
Njerëzit qeshnin me mua, por njëkohësisht me kapnin për faqe, pra s’qenka e thënë që të të kapin për faqe kur je bërë e bukur, po kur je bërë helaq. Turbull konceptova se përtej bukurisë ka një nivel tjetër tërheqjeje prej pamjes, ajo e të qenurit interesant apo të qenurit simpatik. Shumë shpejt do të njihja princin tim të kaltër që në realitet do ishte princi im i kuq. Por ende nuk dija gjë çfarë është detyrimi prej sistemit, ndonëse jetoja nën detyrim. Sepse dhe ajo formë “normale” që njihnim dhe provonim, madje e deshnim, ishte e përcaktuar.
Pra, ideja për sistemin politik e sidomos të të gjykuarit e tij ishte shumë shumë larg çka përfaqësoja në ato kohëra. Ndonëse artdashëse e lexoja shumë, në moshën përkatëse nuk e kisha ndjerë akoma veten të kufizuar. Nuk ishte e thjeshtë që një jetë të përcaktuar ta konsiderosh detyrim, përderisa nevojat jetike ajo t’i plotëson të gjitha. Por ishte një pjesë njerëzish që mbase brirë nuk kishin, por kishin diçka të keqe që quhej biografi. Unë kam njohur disa nga këta dhe ndonëse i kisha frikë edhe pse s’kishin brirë, por nga ajo gjëja më e frikshme, nga biografia, ata çuditërisht më donin.
Isha në fillore dhe po ecja me bukë të sapo blerë në dorë (më kujtohet quheshin 40-she si buka më e madhe dhe e zezë, si më e lira, por vlerat ushqimore ishin të sigurta) dhe më ndalon një grua që e njihja vetëm se jetonte në vilën përballë pallatit

64

tim. Ajo grua ishte gjithmonë e mbajtur. Vila nuk ishte krejt e saj, se ia kishin marrë, ekzakt siç do shihja vite më vonë në Paris filmin “Doktor Zhivago”. Ndaj e ndante me familje të tjera. Karshi dritareve tona shiheshin dritaret e saj në kat të parë, gjithashtu një bahçe e madhe që sa duket jua kishin lënë. Pallati ynë ishte ngjitur me stadiumin “Dinamo”. Në dritaren karshi tonës rrinte gjatë djali i saj i vetëm. Ishte shumë i pashëm. Ndonëse shumë më i madh se ne, unë e motra, kishim dëgjuar që ishte më i pashmi në Tiranë. Vajzat mblidheshin rreth tij si mizat rreth mjaltit.
Ne ishim shumë të vogla, por i shihnim me admirim si visheshin, si kriheshin, e ngjanin të lustruara e të paaritshme. Kur qëlloja në dritare e karshi do dilte djali për hesap të tij, unë do të futesha menjëherë brenda nga kujdesi që s’mund të rrija e qetë njëlloj si po të ishte një djalë me biografi të rregullt. Por duhet thënë, që ai djalë, në daç prej frike si i damkosur kundrejt nesh vajzave të komunistëve të thekur, na ka respektuar maksimalisht edhe mua, edhe motrën time të bukur. E kështu atë ditë, me bukë në dorë, ndoshta duke e skërmitur paksa sa qe e ngrohtë më ndaloi kjo grua e mbajtur, nëna e këtij djali. Unë ngriva në vend dhe e shihja drejt e në sy. Të paktën këtë zakon e kisha, krahasuar me timiditetin tim të theksuar.
Ajo më tha: “- Ëndërroj që djali im të marrë një vajzë si ti! Për ty s’kanë rëndësi të tjerët. Ti shikon vetëm punën tënde. Duhet ta dish që kjo të rrit shumë personalitetin”. Me sytë shtizë në sytë e saj, nuk fola, nuk kuptova pse ma tha e qëndrova ashtu shurdhmemece derisa ajo u largua duke më parë me shumë dashuri e admirim. Një çast më vonë duke pasur parasysh edhe

65

familjen e xhaxhi Farudinit e teze Teftës mendova: Që këta të persekutuarit se ç’kanë një sjellje më të përpunuar (atëherë nuk e konceptoja dot të “rafinuar”) se të tjerët. Këtë s’ia thashë njeriu, por e ruajta thellë në zemrën time, deri sa kuptova që klasa punëtore doemos ishte e paditura, kurse ish – të pasurit i kishin mundësitë të shkolloheshin dhe jashtë shtetit. Shpejt u bëra 16 vjeç dhe u gjenda pranë majës së diturisë universale, siç e konsideroj edhe sot Enver Hoxhën. Por deri sa vajta në ATSH përveç Kushtetutës, luftës teorike të klasave (se nuk e njihja konkretisht përjashtuar për çka përmenda) nuk kisha njohur presionin e njeriut nga njeriu, jo vetëm nga lart poshtë, por sidomos atë më të shëmtuarën, në linjë paralele. Keqbërja e njërit për tjetrin. (Lënë mënjanë krejt çfarë përjetoja në familjen e E. Hoxhës, çka absolutisht e konsideroja fenomen bizantin, por të lokalizuar). Luftova rast pas rasti presionin e njeriut ndaj njeriut në ATSH dhe i realizoja siç duhej. Isha sekretare e organizatës së partisë kur ndodhi eksodi biblik i 2 korrikut nëpër ambasada apo ai proverbial në anijet e tmerrit, megjithatë shpresë e shqiptarit.
Pasi gjithë kjo ikje nga sytë këmbët e popullit tënd quhet nga diktatura “jashtëqitje”, vjen orientimi kriminal i Ramiz Alisë. Si të ishte një i metë që nuk kupton realitetin, ndonëse ka kuptuar prej 60 vjetësh optikën e UDB-së, jepte orientimin diktatorial që detyronte: “Po qe se në një qendër punë ndodhen tre punonjës me fëmijët tradhëtarë të kombit (kështu u quajtën të ikurit) këta të tre duhet të përjashtohen nga vendi i punës”. Jo vetëm që në ATSH u bënë për 24 orë tre individë të tillë, baballarë “tradhëtarësh të atdheut”, por më e tmerrshmja si ndjeshmëri

66

njerëzore ishte kur më vinin e më thoshnim të tjerë baballarë, e pas tyre të tjerë baballarë, potencialisht për t’u bërë prindër tradhtarësh: ” – Si t’ia bëjmë shoqja Liliana, ku e di unë se s’do iki dhe djali im? Se mos e dua unë një gjë të tillë?”. Po kjo ishte një e keqe e pandalshme tashmë!
Njerëz shumë të ndershëm, prindër shumë të ndershëm, komunistë në rënie shumë të ndershëm. Kështu e njoha diktaturën jashtë Bllokut dhe jam e sigurtë që e kam ndjerë shumë pak në lëkurë, por e kam kuptuar shumë thellë. Për çudi të tyre ju thashë: “- Mos u bëni merak. Të mos ketë frikë asnjeri se do t’i iki djali, lëreni të iki! Ndërsa ju të tre (prindërit e “tradhëtarëve”) nuk do të largoheni nga ATSH-ja. Për të qenë gjoja në rregull me R. Alinë do ndaheni në tre sektorë të ndryshëm. Kështu në ATSH nuk ka tre prindër tradhëtarësh në një vend pune”. Urdhëroni z. Alia, ju i famshmi për “grande stile”, urdhëroni vezën e Kolombit!

67