E verteta te ben te Lire

Me sa duket, gjithmonë do ta shoqërojë si fenomen, edhe kur më e moçme të jetë, që t’i kalojë një korrent i ëmbël në gjinj e në bark, kur ndodhet përpara një gruaje shtatzanë, apo nëne me foshnje në gji. Interesi matern lind që në moshën fëminore, jo thjesht si instikt, por edhe si vlerë, sapo ajo të formojë veten e saj, të dijë të mendojë me mendje të saj. E ndërgjegjja fillon herët. Duhet të ketë qenë mbi pesë vjetët e saj, kur deklaroi në një mbrëmje fisnore se dëshira më e madhe ishte të bëhej me një vajzë, por “pa burrë”. Në atë kohë, vitet ’50, një dëshirë e tillë kaq e hapur përbënte herezi. Fisi, qeshi me të madhe dhe njëri prej tyre shumë i respektuar për të i tha: “- Dashke të na nderoç kur të rritesh”! Vajza e ndjeu shpotinë, por nuk arrinte të kuptonte domethënien, së qeni larg njohurive, që bebi nuk mund të konceptohet pa burrë. Pikërisht për reaksion të shpotisë bërtiste

499

edhe më fort për çudi të të gjithëve, tek ishte fëmija më e urtë apo e menduar e fisit: “- Çfarë ka këtu, unë nuk dua të martohem, do të rri me babin dhe mamin, por një vajzë e dua ama!”. Nuk ishte vetëm “herezia” që s’mund të kalonte pa u përfillur, ardhur prej një “nëne” ende vetë foshnjë, por këmbëngulja fëminore në të vetëndjerit fuqishëm në përfaqësimin primar të saj, si qenie femërore e njeriut të ardhshëm grua.

* * *

Me dy fëmijë yje, çfarë mund të ketë ndjerë në të tridhjetat, kur i çrrënjosën nga trupi embrionin e foshnjës të tretë?! Urdhër ky i mjekut të OBORRIT, përzgjedhur nga Zotat që vendosnin edhe për kryeZotin. Çfarë mund të bënte ndaj alibisë të përgatitur, se nga barku i saj nuk lejohej të vinte një mrekulli e tretë?! Nëna e Popullit, që kontrollonte dhe fluturimin e mizës, bënte të paditurën, se ishte vetë geni i kësaj gruaje të re që i shkonte ndesh. Nëna e re, e bindur tashmë për “sëmundjen” e saj, ishte e detyruar aq sa “ta merrte” vetë përsipër zgjidhjen, pra “vullnetarisht”, duke e lënë Nënën e Popullit “të keqardhur”. Kjo ishte loja. Alergjike prej hipokrizisë, çka e shihte paraprakisht si në një film, gruaja e re e mbyt vuajtjen në vetmi, në një heshtje funebre, vuajtur së brendshmi me lotë të thatë si vetë barku i çlulëzuar dhunshëm, nën indiferencën kanibale të Nënë së Popullit.

* * *

Ajo nënë – fëmijë ishte aty. I jepte gji foshnjës me një qetësi qiellore të pandërgjegjshme njëherësh duke mbllaçitur çëmçakiz. Kjo fëmijë, në moshën e çëmçakizit, për paralele jetësore ishte

500

nënë e vogël në periudhën e laktacionit. Gjiri i saj, ende i paformuar, por i abuzuar dhunshëm seksualisht, përpihej nga foshnja po aq pafajsisht bindshëm – si foshnjë virgjëresheje mbarsur njëherësh me zhvirgjërimin e saj. Foshnjat, gjithmonë të pafajshme janë, pikërisht për këtë edhe të plotfuqishme. Lënë mënjanë anën cinike të interesit erotik, por veç ndjesinë qiellore që rrezatonin nënë e bir, ajo foshnjë kishte mbërthyer te vetja të gjithë vështrimet e rrugës, madje bulevardit në qendër të Tiranës. Sepse ishte pikërisht aty e ëma lypëse, tek frynte topa çëmçakizi ulur në trotuar, pranë semaforit të kuq, që na detyronte të prisnim. Befas, me gjest, djali pështyu tutje çëmçakizin, hoqi foshnjën vrullshëm nga gjiri e filloi ta puthë e puthë…. Pastaj, me krahët kërthinj e të gjata, e ngriti lart duke i thirrur me grimasa përkëdhelëse prej njeriut më të dashur e të sigurtë në botë. Foshnja, gajasej së qeshuri bashkë me nënën – foshnjë. Gjiri i vogël, mbetur pa skrupull jashtë, ishte verbues nga shenjtëria e funksionit të çastit. Intimidoheshe ta shihje, se mos e çshenjtëroje vetëm duke e parë. Sepse ishte gjiri i bebit. Makina e nisur me ngut, më shkundi nga mesazhi magjepsës që transmetohej nga imazhi. Për atë dashuri supreme dhe vendimtare për rritjen e fëmijës, që vetëm nëna mund t’ia japë. Largohesha e tronditur me ndjenjë faji duke u befasuar, se praktikisht kisha përftuar vlagë së ndjeri fuqishëm korrentin në gjinj dhe në bark nga një përkushtim nëne bulevardi. Dikush në makinë vërejti me tallje: “- Shihni çfarë karroce moderne ka kjo lypse!” Me siguri e falur, karroca luksoze tejet e përdorur i jepte bashkudhëtarit kënaqësinë e standartit zyrtar të jetesës: “- Sa moderne ishte kjo lypsja!”.

501