E verteta te ben te Lire

Shëtitjen e bëj shpesh në mëngjes në Parkun Botanik. Ka një qetësi të papritur atje, që s’ta rrok mendja, se megjithatë ndodhesh në Tiranë. Qetësi them, edhe pse shëtitës nuk ka shumë. Ndonjëherë, jam krejt e vetme, e menduar ose me muzikën time. Por, kur frekuenton shpesh një vend, njeriu doemos do të fiksojë midis detajeve jetësore edhe personazhe. Madje, edhe një lopë flegmatike që kullot rrotull basenit me pak ujë (në mes të verës thahet fare), madje nuk është çudi ta shohësh të ketë kapërcyer atë, kufizuar ky me mur betoni gjysmë metri të lartë. Qoftë edhe tej, ulur në hije, dallohet “zonja e lopës”, një grua e mbajtur ende si fshatare, edhe pse jeton në rrethinat e Kopështit Botanik, ku ngrihen tashmë pallate të reja shumëkatëshe. Tirana është zgjeruar shumë, por midis modernizmit, ishfshati mbetet autentik, i hapërdarë, midis shumëkatëshve. Këtu

495

banojnë më të varfrit autoktonë. Përderisa hasja shpesh lopën, e cila më shihte trishtueshëm (ia ktheja gëzueshëm për të sugjestionuar realisht veten), nuk mund të injoroja “padronen” e saj. Përveçse më intereson të njoh realitete specifike njerëzore, ishte kjo zonjë fshatare që më pyet një ditë e shqetësuar: “- A e ke pa gja lopën teme?”. Siç thashë sado autoironike të jem, nuk e kisha imagjinuar kurrë të vihesha në pozitë të tillë që të preokupohesha për lopën shejtane, që kish tejkaluar territorin e kullotës. Ndonëse m’u qesh së brendshmi, i them me keqardhje të madhe zonjës që lopën nuk e kisha parë. Më pas e has prapë gruan e djersitur që i kish rënë kryq e tërthor Kopshtit Botanik duke thirrur lopën ne emër: “Lule, Lule!”. ndërkohë që unë i qaja hallin. Kështu u njohëm. S’kishte gjë më të qashtër se ajo grua. Më shpjegoi që jetonte në po atë shtëpi të qëmotshme përdhese nën hijen e shumëkatëshve. Përditë i duhej të nxirrte lopën të kulloste bar sipas stinës, ndërkaq që rriteshin barëra gjigande më shumë se një bojë njeriu së lëni pas dore në këtë park kaq të bukur. Kur vinte koha, gruaja korrte barin e siguronte kështu ushqimin dimëror. Këto mësova unë prej saj, siç kërkonte dhe ajo të dintese ku banoja, ku punoja, pse “rropatesha” me sport, kur sipas saj nga fiziku s’kisha nevojë e sidomos ç’moshë kisha. Nëse për sportin normalisht i thashë se më duhet për mireqënie e qetësi shpirtërore, çfarë t’i thoja për moshën?! Unë nuk e kam pasur ndonjëherë këtë merak e moshën s’e kam fshehur kurrë, edhe në ambiente të ashtuquajtura të ngritura, ku konsiderohet jo etike të pyetet e jo më ta tregosh vetë atë.

496

Shpesh, si antikomformiste, e kam deklaruar me kënaqësinë e habisë tek mediokrit, kryesisht gra. Vetë kjo zonjë e ngrohtë fshatare-kryeqytetase s’kishte si ta vuante këtë kompleks prej halleve jetike, duke më informuar se sapo kishte mbushur 48 vjeç. Por rasti i saj ishte flagrant. Si shtatvogël, me fytyrë të ëmbël por të vrarë nga dielli, era e lodhja, pamja e saj më sëmboi më shumë kundrejt moshës time gati 15 vjet më të madhe. Për herë të parë jam ndjerë keq për të thënë të vërtetën, se do ta lëndoja pikërisht kur insistonte nëse isha e martuar, kisha lindur fëmijë, më çfarë e trajtoja fytyrën etj. Iu përgjigja për gjithçka. I sugjerova që mjaftonte të vinte pak vaj ulliri në fytyrë kundër erozionit klimaterik. Për moshën iu shmanga. Mendova që ta mbroj nga lëndimi prej realitetit tim (teksa s’kish kuptim t’i flisja asaj për çështje geni etj.), duke u përgjigjur nën zë me shumë turp: “- Jam paksa më e re!”. Kështu, një ditë, zonja-shoqja ime e shëtitjes, kishte stivosur barin e korrur në një deng të stërmadh të mbledhur mirë me litar. Ishte një pasdite e bukur me diellin në perëndim, kur u ndodhëm unë e im shoq aty afër. Befas, tronditem kur shoh shoqen time të shtrihet pa teklif (si gjëja më e natyrshme në botë) me kurriz mbi dengun e barit, duke kaluar krahët në litarët e posaçëm. Megjithë keqardhjen time që qëllova aty të shihja këtë skenë, u përpoqa të mos e jap veten, por kotka në grykë m’u mblodh kur shoqja ime bënte të ngrihej disa herë në këmbë, e s’mundte prej dengut në shpinë. Me vrap i shkova afër, pasuar nga im shoq, që t’i jepnim dorën për ta ngritur. Ajo u ndje keq nga ndihma që i dhashë, sidomos se nuk ishim vetëm si gjithmonë. E shqetësuar, për të mos e

497

fyer, munda vetëm t’i them: “- Është shumë i rëndë për ty!”. (Kjo, në vend të ulërimës që kisha përbrenda: “- Akoma ti e bën dhe këtë punë?”). Shoqja, “padronia” e lopës, siguroi zairenë përgjatë dimrit. Duhej pritur kapërcimi i stinëve për ta parë sërish atë dhe Lulen flegmatike ripërtypëse, sytrishtuar dimër, verë, natë, ditë, në erë, në shi, kur bubullin, kur shkrepëtin, kur ka breshër… ka më?! Po, dhe në dëborë, mjaft të ketë ushqim. Lulja i jep qumësht shoqes sime, por nuk rropatet si ajo. Puna e lopës është vetëm t’i avitet kullotës. Kështu vitet për të nuk ecin shpejt. Për jetëgjatësinë e një lope, Lulja mbetet më e re se shoqja ime, “padronia e saj”.

498