E verteta te ben te Lire

Mendoj se të jesh inteligjent nuk mund të gëzohesh lehtësisht. Sepse për inteligjentin gjithmonë diku ka pak faj. Madje, inteligjenca nuk është ekuivalente me pafajsinë. I dobëti është i destinuar të gabojë, ndërsa inteligjentit kjo nuk i lejohet dhe as i falet lehtësisht në funksion të shkallës së gabimit. Të pafuqishmit besojnë verbërisht në Zot, duke justifikuar kështu dhe mundësinë e gabimit. Të pafetë s’po i zëmë në gojë, duke u mjaftuar me çfarë do të thotë të jesh i tillë. I fuqishmi edhe pse s’ka gabuar, nuk i harron kurrë momentet e pafuqisë së tij, kur ka shpëtuar për mrekulli duke iu lutur Zotit. Këto janë konkluzione ngjarjesh reale. Një moment pafuqishmërie për mua, por sidomos për kryeredaktorin e një gazete qendrore, ishte shfaqja e filmit të E. Hoxhës, me rastin e 75-vjetorit të tij.

338

Por, fillimisht më duhet një shpjegim i gjatë. Me kryeredaktorin e kësaj gazete ishim njohur në konferencat e shtypit e në biseda të lira. Ai ishte i bindur që i duhesha për zëvendëse të tij në gazetë. Unë isha ende në revistën “Shkenca dhe Jeta”, punë e cila më mrekullonte, por ritmi i saj tek dilte 1 herë në 2 muaj më linte shteg t’i kushtoja më shumë kohë lodhjes sime natyrale, ngaqë më mungonte motivimi i domosdoshmërisë së përditshme. Atëherë jam përpjekur që revistën ta kthej në të përmuajshme, por pa sukses, se kostoja dilte e madhe. Ndaj, nevoja për të ndërruar ritmin e punës, për të mos e vuajtur kompleksin e të padobishmes, më joshte shumë, por kurrsesi në gazetë. Përderisa energjitë e mia si të kufizuara që ishin nuk do të më mundësonin praninë që unë do doja në gazetë dhe doemos që nuk desha të mbetesha në pozitat e zëvendëskryeredaktores kukull. Por, kryeredaktori ngulte këmbë aq sa këtë çështje e merr vesh N. Hoxha dhe e thërret në zyrë. Nuk di saktësisht bisedën e tyre, ndonëse e marr me mend duke ditur se si më ka penguar e se si tërbohej ajo për çdo mundësi të rritjes time si pozicion social. “Diktatorët, në emër të imazhit, të kultit dhe qëllimit që duan të arrijnë, shpikin vetveten si qenie jashtë asaj natyrales” (ndryshe nga ç’janë në të vërtetë-shënimi im), – thekson Suift. Kështu, shoku im, deri atëherë Nexhmijen e kishte njohur si i gjithë populli, sipas përcaktimit të Suift-it. Në të vërtetë, nga takimi me të ai ishte i traumatizuar, përveçse i xhindosur e thellësisht i prekur nga mënyra si e kish trajtuar kjo SHOQE, që çdokush e njihte sikur sapo kish dalë nga kutia e dhuratave lidhur me kordele. Deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar

339

njeri të guxonte të fliste keq për të dhe u tremba kur shoku im shpërtheu: “- N. Hoxha është monstër dhe vetëm se ajo të ndalon të vish në gazetë, ti duhet të vish patjetër !”. U tremba me të vërtetë për atë vetë, për guximin e tij. Me këtë shok unë ndaja shumë preokupime private, pa arritur të përmendja Nexhmijen, duke menduar se ai do trembej, ndaj përqëndrohesha vetëm tek Iliri me të shoqen, duke e parë të keqen e tyre te garancia që kishin nga suksesori. Në atë kohë, suksesori i E. Hoxhës, ishte Presidenti i RPSSH-së. Ndaj, përpos se u trondita që shoku im foli ekstremisht keq për Nexhmijen, ishte e pamundur t’i plotësoja dëshirën duke iu përgjigjur: “ – Nuk është çështje inati. Po qe se do ta përballoja si punë do të kisha ardhur pavarësisht se çfarë thotë ajo. Unë dua të punoj, por ama të justifikoj cilësisht dhe plotësisht vendin tim të punës. Në gazetë këtë gjë nuk mund ta realizoj, edhe pse dua të më mbeten energji për fëmijët e tim shoq. Ajo më pengon edhe për të vajtur në ATSH. Këtë ia kërkova babait (E. Hoxhës), sepse është një gjë që vërtet e dua!”. Kështu ndodhi që vajta në ATSH, ku shkoja çdo mëngjes e çdo mbasdite, kur qe nevoja edhe deri në darkë vonë. Por, sidoqoftë, ritëm që e menaxhoja mirë me punën, shëndetin dhe familjen. Sepse ritmi i agjencisë pavarësisht se aty punohej 24 orë për 24 orë çdo ditë, në funksionin që kisha unë ishte perfekt për të më plotësuar cilësisht në mënyrë perfekte. I keqardhur, kryeredaktori më kuptoi më së fundmi dhe miqësia jonë mbeti, sa dhe në vazhdim unë i shprehja vazhdimisht frikën nga “ata”, domethënë Iliri me të shoqen, që në familjen e përçarë të E. Hoxhës ishin më agresivët e të paskrupujt ndaj

340

meje, edhe pse çifti tjetër s’mbetej mbrapa. Një ditë, unë e shoku im u ndodhëm në hollin e një aktiviteti zyrtar, diku pas nesh ishte gruaja e Ilirit – mbesa e R. Alisë – Teuta. Shoku im sa e pa, siç bënte gjithmonë humor, madje këtë radhë për të më ngacmuar posaçërisht, më tha pa e dëgjuar ajo: “ – Ç’është kjo gjë e bukur prapa teje?!”. Unë u shkriva në gaz, e ndonëse nuk flisnim me njëra-tjetrën, menjëherë u ktheva dhe i thashë Teutës: “ Ky shoku im thotë për ty se ç’është kjo gjë e bukur!”. Ajo, në moshën përkatëse, kishte mësuar të qe e padepërtushme, për më tepër më njihte aq sa të kuptonte talljen time. Por ajo nuk njihte shokun tim. Ai u skuq, u nxeh me mua dhe shpërtheu: “- Ç’më bëre, ç’më bëre, unë desha të të ngacmoja ty dhe s’kisha fare punë me të. Ajo me siguri do jetë fyer!”. Vazhdonte pa u qetësuar dot. Unë, përveçse qeshja pambarim i thashë: “- Vetë e kërkove, por mos u bëj merak, asaj i është bërë qejfi, ajo nuk është si unë e ti”. Shoku im, të nesërmen, jo vetëm i befasuar, por kryesisht i poshtëruar, më merr në telefon dhe më thotë se ajo i kishte vajtur në zyrë dhe e kishte ftuar për kafe. Ky është rasti më sinjifikativ çka ia vlen ta tregosh, por e përgjithshmja është se ajo synonte të gjithë miqtë e mi. Për të më xhelozuar? Për t’i larguar prej meje? Për të dyja bashkë? Një Zot e di, por përveçse vepronte sipas shkallës së korrupsionit të vet, nëpërmjet kësaj rruge realizonte qëllime të tjera të paraprogramuara. Ishte koha që kisha marrë vesh që kudo që unë do të shkelja në çdo zyrë jashtë ATSH-së, menjëherë pas meje do të shkonte ajo. Shokët, përveçse habiteshin se nuk kishin njohje me të, nuk e justifikonin dot kotësinë e vizitës së

341

saj kundrejt temës, argumenteve e problemeve që shtroja unë apo kushdo tjetër me ta. Kjo gjë ndodhte sistematikisht edhe në vizitat e mia nëpër familje të ndryshme, me të cilat ajo do të krijonte medoemos njohje sado të papërfillshme të ishin. Pa skrupull, menjëherë pas meje, do të shkonte dhe do të pyeste me hollësi ç’kisha bërë, ç’kisha thënë etj. Faktet dhe dëshmitë konkrete i kam, por nuk dua të ndalem këtu, në respekt të tyre, por edhe se nuk do denjoja të ulem në planin meskin e banal të përndjekjes prej të obseduarës maniakale. Sipas Niçes “Ce que le monde nomme vertu n’est d’ordinaire qu’un fantome formé par nos passions, à qui on donne un nom honnete pour faire impunément ce qu’on veut” (Ajo që bota quan virtyt, zakonisht është veçse fantazma e formuar nga pasionet tona, të cilës i japim një emër të ndershëm që të bëjmë me të ç’të duam). Pra, ky fraksion i çështjes, është më i papërfillshmi ndaj shqetësimit të vërtetë se çfarë fshihej pas veprimeve ordinere të saj. Për këto bezdisje arrogante të gruas së Ilirit, të drejtëpërdrejta ndaj meje, më ishte dashur të flas dhe me Nexhmijen. Në mënyrë demonstrative ajo bënte sikur nuk dëgjonte gjë, çka më vonë do të faktonte katërcipërisht ajo vetë, që ato funksiononin bashkë. Njëra “zonjësisht”, tjetra harbutërisht. Në atë kohë, nuk mund ta shjegoja për rastësi natyrale e sjellje njerëzore, por për fuqi “mistike” e sjellje çnjerëzore për nga etika. Tashmë, shoku im, kishte arsye për të më ngacmuar apo për t’u vetëngacmuar më shumë për të, derisa i duhej të provonte akoma më keq. Vijmë pikërisht në ditën e filmit të përvjetorit të E. Hoxhës. Kuptohet, ceremonia ishte tejet solemne e

342

protokollare, ku me ftesa zyrtare, me vende të paracaktuara, i jepej mundësia të asistonte vetëm nomenklaturës. Duhet të hap një parantezë, që një dorë e padukshme e sektorit të protokollit të KQ-së për vendndodhjen e ftesave, për të gjitha rastet, kujdesej që Sokoli me mua të ishim disa radhë më mbrapa nga dy çiftet e tjera të N. Hoxhës, ulur këta doemos gjithmonë së bashku. Domethënia ishte e qëllimtë e demonstrative në publik, që këta të dy nuk i do Nexhmija, paçka se i do Enveri. Siç dihet sot nga të gjithë, nomenklatura ishte e Nexhmijes, pa e ditur kurrë E. Hoxha, i izoluar prej shëndetit. (Më duhet një parantezë për të kuptuar vijimin. Nexhmija do të aprovonte dhe programet e koncerteve artistike. Nuk lejonte që këngëtaret e bukura të kishin dy këngë në një koncert. Do të kontrollonte këngën, filluar nga kompozitori, autori i tekstit, këngëtarja, shoqërueset, në rast kuarteti, artistët e orkestrës së lehtë apo ata të asaj simfonike etj. etj. Nisur nga këto fakte që i kam në duar, mund të them që ka qenë Nexhmija që goditi Festivalin e 11-të me aparencën kundër shfaqjeve të huaja, kryesisht për të goditur intelektualët e vërtetë, Fadil Paçrami e Todi Lubonja që si shefe e tyre ajo ndjehej e kompleksuar. Por, po e çoi problemin deri tek E. Hoxha, ai nuk mund ta ruante R. Alinë si shefi i tyre, se e kishte krushk. Ndaj, R. Alia, shpëtoi duke iu lutur në gjunjë Nexhmijes, këtë e dinë të gjithë, si dhe vetë Nexhmija e tmerruar iu lut në gjunjë Enverit për të. Goditja pati qëllim të strukte popullin e t’i fuste frikën në qelizë). Kthehemi tek çështja që po trajtonim. Ne ishim mësuar me këtë fakt, por shija e hidhur s’na hiqte nga koka nëpërmjet

343

presionit psiqik pyetjet: “Kush i urdhëronte vendndodhjet tona? Pse në asnjë mënyrë ne edhe në aktivitetet publike nuk do ishim bashkë ? Kush e detyronte zyrtarisht këtë përçarje ?”. Megjithatë, kthehemi në rastin tonë si “i pamundur” për të ndodhur. Filmi u zhvillua te kinema “Partizani” dhe ne të gjithë ishim lart. Unë e Toli sigurisht më mbrapa nga Pranvera e Klementi që kishin zënë me kohë vendet e tyre. Dy vendet e çiftit tjetër Ilir Hoxha pranë tyre, ishin bosh. Normalisht, ata vinin të gjithë, bashkë pikërisht në demonstrim “të të bashkuarve” të familjes nga “të liqtë” e saj, djali i dytë me të shoqen. Në ato ditë Iliri ishte jashtë shtetit. Kështu, për çudi, duke prishur si kurrë ndonjëherë protokollin zyrtar, ishte Teuta që nuk kishte ardhur bashkë me të tjerët. Midis vendndodhjes së dy çifteve të familjes dhe tonës, disa radhë më mbrapa, ishte ulur shoku im, kryeredaktori. U përshëndetëm dhe në pritje të fillimit të ceremonisë bënim shaka me xheste. Salla doemos u mbush, pasi domosdoshmërisht nuk mund të mbeteshin vende bosh. Por, pranë shokut tim një vend ishte akoma bosh, përveçse vendeve zyrtare të Ilirit me të shoqen. Ai kthehej nga unë, e bënte shenja sikur donte të thoshte: “Ç’bëhet kështu, kush mungon këtu?”. Shoku, përfitoi të bënte shaka për veten dhe për mua prej atij vendi bosh të pazakontë dhe me xhestikulacione la të kuptohet: “Mos është ajo? Kur do të vijë ?”. Unë e njihja mirë shokun tim për ta kuptuar nga xhestet, ashtu siç njihja dhe mizoritë e brenda shtëpisë, e pse jo dhe të jashtme që më shoqëronin kudo. Të personifikuara sidomos në një person. Tek ai person që ishte i gatshëm të bënte gjithçka duke kënaqur së pari veten,

344

por domosdoshmërisht në funksion të programit. Tipikisht, Nexhmija numër 2, jo vetëm prej fatit, por prej karakterit. Ndaj, iu përgjigja shokut në mënyrën time që mos të bëhej merak se do t’i bëhej “qejfi”, se aty do të vinte pikërisht AJO që supozonte ai. – Hë pra, -vazhdonte ai,- pse s’po vjen, ku është? – Prit, – i thosha unë, – dale pak, duhet të mbyllen dritat. Ndërkaq dritat u fikën. Filloi kolona zanore, filluan titrat me duartrokitje e ovacione të furishme. Shoku im, në gjysmëerrësirë sikur më thoshte: “A ç’ja fute kot!”. Ndërkaq që mbetej pezull habia që kush guxonte të mungonte në këtë ceremoni për liderin? Ndaj, edhe më e sigurtë unë me dorë i thoshja sërish: “Prit, prit dhe do ta shohësh!”. Në fakt, bëja thjesht një shaka të cilën unë vetë e quaja të pamundur. Dhe… hyn vjedhurazi, aq sa mund për një grua të stërmadhe, në një ceremoni që kërkush s’do guxonte të vinte vonë, që duhej të kalonte midis gjunjëve të të ftuarve të nderuar, për t’u ulur te vendi bosh që e priste. Pra, u ul pranë mikut tim, duke lënë bosh vendin e saj të përhershëm protokollar, pranë çiftit tjetër të familjes. Kanti thotë: “Besohet se ai që i bën vetë ligjet, nuk i përmbahet asnjë ligji. (Sunt superus sua iura”). Unë nuk e harroj dot sa kam qeshur dhe qesh edhe tash që po shkruaj përsa ishte terrorizuar shoku im. Është e tepërt ta shtroj çështjen siç do ta kishte shtruar një njeri neutral, parë këtë histori nga larg: Isha unë telepatikja, apo gjërat ishin kopsitur si gjithmonë pambarimisht siç ju duhej “tanët”-ve?! E kisha këtë merak se mos shoku im do të ndalej e ta shtjellonte në të dy mundësitë. E kur fillonte, mezi mbaronte. Por jo! U bashkuam pas filmit. Me fytyrë të prishur, kokulur nuk nxirrte dot fillimisht

345

asnjë fjalë nga goja. Pra, automatikisht mbeteshim te pista e organizimit paradoksal që në esencë të jepte frikë. Frikë nga “gjithçkaja”, frikë nga “asgjëja”. Domethënia e kësaj ngjarjeje po e shkallonte. Vajtëm tek 15katëshi apo te hotel “Dajti” (nuk më kujtohet) ndonëse ishte vonë, vetëm për ta qetësuar. Kish mbetur i fiksuar dhe thoshte pa pushim: “- Si është e mundur?!”. Tashmë ai e dinte më mirë se unë se ç’kuptim kishte ankthi im permanent i shprehur e i pashprehur nëpërmjet termit “ata”. Nuk kishte më vend të mendohej për banalite. Sepse rrugët protagonistja jonë ia kish hapur vetes, por ndoshta ishin mbyllur prej integritetit të shokut tim. Sido që të kish ndodhur, qejfprishur ose jo nga ana e saj, ky demonstrim publik në shkelje flagrante të protokollit zyrtar për E. Hoxhën, kishte vetëm domethënien e arrogancës të kësaj mjeraneje, që si e tillë përdorej (çuditërisht me kënaqësi të saj), për të ngjallur frikë te shoku im dhe te ne, nga pushteti i Nexhmijes, që ngjante gjithmonë sikur dilte nga kutia e dhuratave. Mund të ndalesh shumë në patologjinë e kësaj vegle ndërmjetëse, por realisht e planifikuar si “trashëguese pushteti”. Por, po mjaftohem sërish me Niçen: “Njerëzit mizorë, si të prapambetur, kanë për ne domethënien e shkallëve të një kulture të hershme, prej së cilës kanë mbetur ata që janë”. Shoku im, me kohë (viti ‘82) më kish kërkuar t’i siguroja një takim me E. Hoxhën për të biseduar me të (siç më thoshte) për R. Alinë. Për ta vënë në dijeni që ky i fundit punonte kundër tij. E kërkonte me kaq insistim këtë takim, pa më besuar që nga ana ime ishte e pamundur, sa më detyron t’i konfesoj: “ – E ke të

346

kotë, E. Hoxha ështe i sëmurë e nuk të lejon Nexhmija që ti të shkosh tek ai”. Menjeherë pas filmit, aty në kafe, ai e kuptoi këtë pamundësi duke m’u shprehur: “- Domethënë paska filluar rrokopuja!”. Vazhdonte të ishte i tronditur, sipas tij nga arsye të paemërta, të pakuptueshme prej mjegullnajës në psiqikën e tij, e të turpshme në formëshfaqjen e tyre. Dhe hajt t’i mbushja mendjen unë me shaka që në fund të fundit ishte një frikë e “bukur”, pse jo! Ai, më shihte me sytë e gjelbër që kishin humbur energjinë për të cilën shquhej. Dukeshin si të ngrirë prej qelqi. Isha gabuar kur mendoja se tani do tallem unë me të, për çfarë është e zonja ajo apo “ata”, për çka ai më kishte nënvleftësuar. Por, s’mundesha. Tronditja e tij shtronte qartë pyetjen se ç’fshihej pas kësaj. Paqartësia, pasiguria amorfe si fraksione konfuziteti prej një frike anarkie të papërcaktuar, ishin më të papërballueshme nga vetëdija e tij e deriatëhershme, që gruaja e E. Hoxhës është një monstër. Atëherë, teksa Sokoli na shihte i menduar, shoku im dhe unë kemi thënë: “O Zot!!!”.
P.S. Fatkeqësisht, pas vitit 1990, e gjithë nomenklatura ndryshoi. Këtë fat pati dhe kryeredaktori. Ai mohoi të ketë dashur të takojë E. Hoxhën për t’i ngritur problemet e tij kundër R. Alisë. Politika nepotike e “tanët”-ve, ngriti në pozitë të lartë shtetërore gruan e tij, që në monizëm ishte një kimiste e thjeshtë. Unë e kam mirëkuptuar ish-shokun tim në të mirë të tij. Teksa kjo s’ka asnjë rëndësi për ngjarjen më lart. Në fund të fundit jemi po aty. Metamorfozë e tij prej vazhdimit të frikës.

347