E verteta te ben te Lire

Nuk e kam ditur më përpara që të ngjallësh frikë te tjetri qenkërka “kualitet” deri dhe ambicie tek persona të veçantë. Ndërkaq që më vinte keq për injorancën e tyre. Por, s’paska qenë kaq e thjeshtë. I kam neveritur njerëzit që përpos se i bëjnë keq tjetrit kjo i ushqen me delirin e megalomanisë. E çuditshme, por paska edhe kështu. Madje kjo “paska dhe kështu” na doli një fenomen me shtrirje tepër tepër të gjerë.

Gjithmonë, pas viteve ’90, një miku im më ka thënë që ka pasur fatin ta këshillojnë së paku që në vitin 1958, se po të flasë kokë më kokë me cilindo, mund të jetë disi i qetë. Po të vinte i treti, detyrimisht duhej ndërruar tema e bisedës. Nuk është e lehtë ta dëgjosh këtë “fabulë” që fakton nga një dëshmitar atëherë fare i ri, se sa herët ka filluar të kontrollohet shqiptari, përveçse

327

të përçahet për pasojë. Kjo dëshmi, përkon me faktin zyrtar që tashmë e di çdokush që një në tre shqiptarë ka qenë informator elementar i Sigurimit të Shtetit. Këta quheshin “80-lekësha atëherë, për sa pak paguheshin, por hajde të merreshe vesh me ta, prej megalomanisë të 80 -lekëshit. Dalloheshin, sado punë të rëndomtë që bënin midis njerëzve të tjerë, se prej injorancës krekoseshin dhe bënin kompetentin, përveçse urdhëruesin në mjedisin përkatës.

Dëgjoja time më që fliste për një shoqe të saj shumë të afërt, që e dua shumë “dreqin” po e kam dhe inat se i ka dalë nami se është 80 -lekësh. Sepse saktësisht këta përveç demonstrimit sipas nivelit kulturor të secilit, nuk njiheshin në popull, por emrat e tyre ekzistonin në regjistrat e posaçëm të Sigurimit të Shtetit. Ndaj, është shumë e thjeshtë të merret me mend që i gjithë populli shqiptar nëpërmjet raportit saktësisht matematik 1 me 3 ishte i sunduar nga Sigurimi. Kështu, jo vetëm ime më, po e gjithë familja ime, u sundua madje nëpërmjet martesave nga 80 -lekëshat që në 1967 kur unë njoha Sokolin.

Kjo ngaqë rezultova për N. Hoxhën e për pasojë për “tanët” e saj, individualitet i papërtypshëm prej tyre, pasojë që solli survejimin tim konstant. Kaq e gjerë dhe e thellë ka qenë shtrirja e kontrollit, sa vetiu të shkon mendja se çfarë kaosi sillte gjithë ai informacion krejtësisht i stimuluar deri në entuziazëm vullnetarizmi prej 80-lekëshave, si i padobishëm, ireal e fantazios, sipas inateve personale, meskinitetit e mediokritetit të tyre. Pra, vetëm të mospaturit kriter për të specifikuar rregullat bazë e domosdoshmërisht shkencore të kontrollit mbi objektin e dyshuar ka shkaktuar dëmin më të madh në moralitetin apo

328

amoralitetin e popullit shqiptar. Ja pse na është kthyer në instikt paradoksi që më parë dimë ç’i ndodh tjetrit e pastaj ç’na ndodh ne vetë. Kjo psikozë, kthyer në traditë, mbetet goditja më e rëndë në psiqikën e një populli.

Qëllimshmëria e kontrollit përveç metodologjisë skandaloze të saj është monstruoze. Sepse goditet një popull duke e mbajtur në obskuritet destruktiv nëpërmjet injorancës së vet e dëshirës për të luftuar tjetrin. Të duash të flasësh për kulturë kombëtare është një temë tej e largët nga problemi që po zbërthejmë. Pa mohuar zhvillimin e saj, të diktuar nëpërmjet frymës së realizmit socialist, por vetëm institucionalisht. Pra, çka do demonstrohej në festa, çka do demonstrohej para udhëheqjes, çka do demonstrohej gjithmonë publikisht.

Ishte një zhvillim i madh ky, ndoshta i domosdoshëm për kultin e partisë e të E. Hoxhës, për çka nuk mund ta injorosh kurrë, për pasojë edhe zhvillimin kulturor të përgjithshëm, ndonëse i përkiti elitës. Thellësia popullore mbeti në injorancë, përveç “kulturës” së indoktrinimit e gurrës së pashmangshme si e pashtershme popullore, që rrjedh vetiu, çka e imunizon një komb nga asimilimi. Megjithatë, ishte një periudhë e bukur ajo e viteve ‘60-’70, kur unë personalisht, edhe pse e vogël, ndiqja çdo koncert simfonik, çdo opera apo balet klasik, si dhe teatrin që e adhuroja, përveçse doemos kinemasë. Megjithë censurën nëpërmjet realizmit socialist, pati një gamë lulëzimi të artit që u shua gradualisht me izolimin e vetë diktatorit.

Kohë kjo, kur filloi “thatësira” kulturore intelektuale (viti 1972), ndërkaq që stimuloheshin idhuj si Kadare, kur në mes të “thatësirës” vlonin mirazhe “oazi” si Xhevair Spahiu që përbën

329

një kontradiksion në vetvete, se E. Hoxha e pëlqente shumë si poet, por edhe e kritikoi për ndonjë poemë të tij. Pra, E. Hoxha, pati personalisht qëndrim specifik për çka njohur vetë. Megjithatë talenti i pastër frustrohej nga 80 – lekëshat apo deviacione militantësh. I patundur mbetej ai i suportuar nga “pushteti”. E them në thonjëza se retrospektivisht është e natyrshme të shtrohet pyetja: nga cili pushtet?

Pushtet apo suport ky i formuluar nga përcjellësit e informacionit për diktatorin, i cili nuk mund të ndiqte më asgjë vetë. Fenomeni Kadare duhet përmendur edhe në këtë temë si rast specifik nga të rallët predisidenë antikomunistë në të gjithë Lindjen. Pse atë e sulmoi ekstremizmi i majtë, pra militantët që janë gjithmonë “më katolikë se Papa”. Fakt është, që e mbrojti E. Hoxha, si vlerë deri në krenari kombëtare e ndërkombëtare. Këtë e di mirë, se kam folur vetë me E. Hoxhën për si e lexoja nëntekstin nëpër rreshtat e këtij artisti të madh. E.Hoxha qeshte me mua dhe duhet thënë se ka qenë ai që më mësoi ta dua Kadarenë konkretisht si dhe çdo autoritet intelektual nga vlerat e prekshme në mënyrë të drejtpërdrejtë, që s’mund të mohohen si fakt. Duke lënë mënjanë subqëllimet që perceptojmë që edhe nëse janë, s’përbëjnë fakt.

Ndryshe çdo bëhej me ndërgjegjen tonë, kaos?! Me çfarë kriteri do të gjykohet zgjidhja e çdo problemi e jo më gjykimi i një personi, po t’i lejonim vetes gjykime prej perceptimit personal, edhe nëse ato qëndrojnë?! Kjo përgjigje e E. Hoxhës më ka bërë tejet tolerante, teksa problemi që po shtroj këtu është se të përgjuarit e njëri-tjetrit sillte ekstremizmin që e prodhonim vetë me delirin e militantizmit apo me inisiativën e

330

tepruar të vigjëlimit mbi socializmin. Si pasojë e subjektivizmit të çdo militanti, natyrisht që shkonim me këmbët tona në sektarizëm, viktima të së cilit bëheshim vetë pa e kuptuar. Totalitarizmi pjell lloj-lloj formash vetëdestruksioni, përderisa ka “pushtetarë” të lartë e të vetëndjerë, kundrejt të dobëtit, njeriut të zakonshëm të varur prej tyre.

Atmosfera midis njëri-tjetrit në punë e shoqëri edhe në shtëpi po të kishe vizitorë u bë më “represive” si e kujdesshme apo mosbesuese midis dy e jo më tre shqiptarëve. Gjithçka që them tani, e kam vërtetuar retrospektivisht. Duke shtrydhur trutë, më korrespondon me kujtesën e mjegulluar në “sferën e kristaltë”. Dhe realisht nuk e kisha të lehtë, as atëherë dhe as sot, të bashkoj copëza kujtimesh që të jenë kompatibël për të bërë mozaikun e saktë, sidomos të temës themelore që po trajtoj, atë të frikës nga frika që ishte vetë ajri ku jetoja, siç ishte për çdo shqiptar frika nga shqiptari tjetër. Sepse, jo vetëm këtë lebeti nuk arrija ta kuptoja, por dhe varfërinë masive (jo të tejskajshme siç thuhet për propagandë) nuk arrita ta shoh kund, mbase se kudo që shkonim njerëzit e shkretë do të harxhonin dy tre rroga për të na mirëpritur. Ndaj, përfytyro sa e zorshme ishte të kuptoja që shqiptarët kanë frikë në shumë plane, filluar nga më hierarku i tyre në punë drejtori, e në vazhdim nga sekretari i partisë, nga shefi i kuadrit, deri nga përgjegjësi më i ulët, e më së fundmi nga njëri-tjetri, në variantin e spiunit ndaj hierarkëve apo rëndom spiun 80-lekësh. Por, gjëma ishin 80-lekëshat, që si mola, natë e ditë, gëryenin ekuilibrin fizik e shpirtëror të shqiptarëve.

Pikërisht për këto gjëra kam biseduar pas ‘90 me miqtë e mi më të ngritur, dy- tre prej të cilëve mbeten akademikë dje dhe

331

sot. Madje arrita t’iu them: “- Si s’më patët vënë në dijeni si është gjendja e vërtetë atje poshtë, në popull ku unë kam zemrën, përveçse i përkas?!”. Këtë s’mund ta bënte askush, – më thotë miku im i mirë,- përveç babait dhe vëllait tënd! Edhe pse të dy nuk jetojnë, pata keqardhjen e pamundësisë së tyre për faktin se ata ishin militantë.

Vetë militantët dalloheshin në vullnetarë përfitimi pozicionesh politiko-sociale apo në materialistë sigurie jetese dhe në militantë indoktrinimi, domethënë që idealin e besonin idealisht. Të tillë ishin im atë e im vëlla. Për pasojë, situatën në popull, pra frikën, e kanë perceptuar si vigjilencë të luftës së klasave përgjatë periudhës transitore të socializmit drejt asaj finales “komunizmit”. Ishin besnikë të betuar të E. Hoxhës, përderisa ai nuk i zhgënjeu kurrë, siç i zhgënjeu e shoqja ngaqë tjetër thoshte e tjetër bënte pa dijeninë e tij. Suksesori, pas vdekjes së E. Hoxhës, s’kishte nevojë për maskë represioni “liberal” krejt kompatibël me konservatorizmin bizantin të N. Hoxhës ndaj shqiptarëve.

Frikën që rrinte varur mbi kokat e tyre e ndjeva konkretisht pasi vëllait ia prenë jetën se ishte kundër tyre. Ai më ka folur që në gjallje të E. Hoxhës se e shoqja punonte kundër tij. Për atmosferën në popull ai nuk pati ndonjëherë shqetësim, ndoshta prej profesionit të ushtarakut që disiplinën e kishte në gjak. Ndërsa im atë, për moshën që kishte, gjithmonë punonjës partie dhe si nga të parët partizanë në rrethin e Vlorës besonte shumë tek E. Hoxha dhe vazhdimësia që premtuan suksesori me të venë.

Në të kundërt, duhet të ma thoshte ime më, bamirëse e lindur, që thyente aq sa mund dhe rregullat shtetërore në mbrojtje të

332

tjetrit, duke mbyllur një sy, si shefe kuadri apo sekretare partie që kishte nën vete kolektiva të mëdha njerëzish, si për shembull në uzinën “Enver” apo në Kombinatit Ushqimor. Por, emancipimin e saj ajo e derdhte në punë e në familje para se unë të njihesha me Sokolin.

Ende pa u martuar ne, ime më e padjallëzuar, duke u ndjerë më kot e barabartë me N. Hoxhën (siç thoshte dogma partiake) i thotë asaj që s’duhen bërë dallime midis nuseve, madje as midis nuseve dhe vajzës! N. Hoxha u nxi, unë ndjeva ankth për time më dhe ndoshta për vetëmbrojtje të pavetëdijshme u hodha në det, duke i lënë të dyja vetëm, në tendën hijerëndë, në breg të detit në Durrës. Kur dola nga deti, ime më nuk ishte më ajo. Pas kësaj, menjëherë ajo filloi të më rrijë mbi kokë duke më pyetur se çfarë bëja unë që s’më donte Nexhmija e kunatat. Mamin ma kishin futur nën morsë duke e shtrënguar rregullisht deri në çastet para vdekjes, kur m’u hap, duke më bekuar pafundësisht vetëm për çka kisha qenë deri atëherë, pa e ditur se çdo isha më vonë.

Sot, e gjithë familja ime prindërore më sheh nga lart dhe unë jam kaq e kënaqur se ata e dinë që çka bëj është dhe për ata si për gjithë shqiptarët. Siç unë e di, që të ishin sot, do të flisnin vetë. Ndjeshmëri jo vetëm providence kjo, se kur ishim të lumtur në familjen time pa u njohur ende me Sokolin, secili prej nesh ishte e gjithë familja, sikurse e gjithë familja ishte secili prej nesh. Por, na përçau e na “përlau” që nga ’67-ta e deri sot N. Hoxha me “tanët”, ashtu sikurse është futur në çdo familje duke krijuar përçarje brenda tyre. Nazifashizmi padyshim si ideal i shfarosjes në masë, ishte i destinuar të humbasë. Por, “komunizmi” (prej

333

agjenturës) në Shqipëri, e ka tejkaluar edhe bindjen e Montefioren që thekson se komunisti para idealit nuk e njeh familjen. Nuk besoj se në Shqipëri të ketë pasur nga këta lloj idealistësh. E. Hoxha pushkatoi dhe internoi familjarisht, çka sipas tij konsiderohej element kundër pushtetit popullor.

Sado alibike kjo për viktimizimin në masë (gjithmonë sipas informacioneve që i vinin nga e shoqja dhe susksesori), nuk mund të krahasohet me viktimizimin e shqiptarëve më pas nga këta të dy, truall për truall, rrënjë për rrënjë të çdo familjeje. Ekstremizmi i tyre nëpërmjet kontrollit të heshtur, deri te mendimet e secilit, tejkaloi edhe gjenezën e individit jo vetëm ndërgjegjen e tij. Çka do të thotë ta traumatizojë e çrënjosë atë nga familja, duke e thërmuar krejt këtë të fundit. Kështu, çështja kombëtare që unë kam shtruar e për çka i akuzoj, është se kundërshtia e tyre ndaj E. Hoxhës filluar së paku nga ’72-i nuk kishte qëllim zhvillimin e Shqipërisë.

* * *

Ata nuk ishin më reformatorë se ai vetë, ata nuk e hapën Shqipërinë krejt e menjëherë çka E. Hoxha e la porosi. Apo të devijonin regjimin nga autokratik në demokrat siç edhe kishin aspiruar shqiptarët pas vdekjes së tij. Pra, vëzhgimi im, që këta po kundërshtojnë E. Hoxhën do të thoshte që në atë kohë, që po e çojnë Shqipërinë edhe më poshtë, po e gremisin në humnerë dhe përveçse për pushtetin e tyre, për popullin nuk duan madje në mënyrë demonstrative t’ia dinë nën alibinë se vazhdojnë porositë e tij. Ndërsa E. Hoxhës i mbusheshin sytë me lot për shqiptarët, duke udhëhequr mirë apo keq, por kurrsesi aq keq e diametralisht kundër si e veja e suksesori i tij.

334

A ishte aktor E. Hoxha?! Mundet, mua më rezulton njeri i vërtetë! A nuk ishin aktorë N. Hoxha e suksesori?! Sigurisht, fakti është maska e tyre, por përveç maskës domethënë alibisë në mbrojtje personale për çdo rast, nuk e vranë mendjen për asnjë çast për të vuajturit shqiptarë.

Në këto situata, fluturoja te miqtë e mi jashtë Bllokut. Kisha një natyrshmëri që vinte prej lirisë time shpirtërore asnjëherë të burgosur dot. Kështu pija kafe me ta duke prekur gjithmonë probleme për sa mund të prononcoheshim reciprokisht, për të cilat diplomacia e tyre duhet admiruar. Një ndodhi në ’88-n me të ndjerin e të respektuarin V. Prela, më ka tronditur duke më ndërgjegjësuar që ende nuk dija gjë çfarë ndodhte akoma më poshtë. Kisha kuptuar frikën e frustrimin e punonjësve të ATSHsë, shumica gazetarë e përkthyes, pra kolektiv i kualifikuar. Kjo ishte hasja e parë me frikën e përgjithshme, kur njihja vetëm frikën time në shtëpinë e N. Hoxhës.

Bëra çmos kundër frikëndjelljes së sekretarit të partisë, një ish-bllokmen, i ati i të cilit ikur nga jeta para viteve ‘70, mbetet autoritet i nderuar për mua. Djali i tij dukej natyrë e butë, por rezultoi jashtëzakonisht i etur për të shtypur të tjerët, ndërkaq ishte shoku më i ngushtë i Ilir Hoxhës. Madje, sipas komandës prej “tanët”-ve guxoi të më kërcënojë publikisht edhe mua. Nuk arriti dot, teksa unë çlirova së paku gjithë kolektivin e ATSH-së nga thundra e frikëndjellësit. Më pas ishte evidente buzëqeshja që rrëzëllente në punë e sipër në kolektivin e ATSH-së. Përsëri këtë ndodhi në ATSH e mendoja pasojë të bllokmenit, pra të pranisë të “tanët”-ve. Për pasojë, fenomen të izoluar për vetë eksperiencën time shumë të kufizuar. Se puna në revistën

335

“Shkenca dhe Jeta” kishte qenë eksperienca më e bukur e më harmonike që mund të ketë njeriu me vartësit e bashkëpunëtorët, njerëz shumë të nderuar.

Në këto kushte, përsëri pa njohje të thellë të jetës, prej sinqeritetit, isha krejt e hapur me shokët, duke harruar krejt mbiemrin që përfaqësoja. Këtu s’ka fare kontradiktë me faktin që qëllimi im final synonte që të isha sa më e denjë si nuse e djalit të E. Hoxhës, sepse ajo që unë isha në esencë përbënte çka do t’i duhej një gruaje për të qenë e tillë. Ndaj, le të kthehemi te Ladi i dashur dhe të shpalosim historizën përkatëse. Ladi ishte drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare që varej nga KQ-ja, drejtpërsëdrejti nga Sofo Lazri, këshilltar ky i R. Alisë. Më lidhte puna me Ladin për shkëmbime materialesh, përveç bisedave të lira.

Mbaj mend se më ka bërë përshtypje që në fillim kur e kam pyetur: “- Si është profesori?” (e kisha fjalën për Dh. Shuteriqin, me vajzën e të cilit Ladi ishte martuar). Në çast më përgjigjet: “- Është fati ynë të kemi mundësi të punojmë me Prof. Sofo Lazrin!”. Më erdhi keq për keqkuptimin, kur më e natyrshme për të duhet të ishte ta pyesja për familjarin e tij dhe njëkohësisht shkrimtar i vjetër e i njohur nga të gjithë si Shuteriqi. Por, S. Lazri ishte pushtetar.

Nuk ia shpreha dhe miqësia me Ladin për sytë e mi nuk ishte asnjëherë e sforcuar dhe kuptoheshim mirë. Kështu, në pritje të një materiali të vonuar i them Ladit krejt natyrshëm , çka në thelb ishte shprehje afërsie kur nuk desha marrëdhënie formale: “- Akoma s’ma ke sjellë materialin, ou e teprove tani?!”. Ladi ma solli materialin duke më vënë me kujdes në dukje: “ – A e di ti që mund ta lësh tjetrin pa gjumë me atë që më the?!”. Mbeta

336

e habitur. As ai nuk priste e as unë nuk iu përgjigja pyetjes retorike. Por reflektova shumë dhe u tmerrova. Unë vetë, vetëm se kisha të bëja me N. Hoxhën, ndaj të tjerëve isha automatikisht frikëndjellëse, ndërkaq që unë vetë isha preja e saj. Ladin, mikun tim të dashur, që sot nuk është midis nesh, sjellja ime e shpenguar e kishte çorientuar qoftë edhe për një çast. Ndoshta donte të më ndërgjegjësonte ta kisha parasysh këtë gjë përpara atyre që nuk më njihnin aq sa ai.

Unë nuk i thosha dot prej hendekut që krijoi befas midis nesh mbiemri im, që mos u bëj merak, se kështu sillem vetëm me ata që i kam xhan!

337