E verteta te ben te Lire

TRIPTIK

Jam munduar të vë veten në përjetimin e një “unë” të Holokaustit, të një numri të Aushvicit se “unë”-t atje siç dihet dalloheshin nga njëri-tjetri thjesht si numra. Asgjë që ka pësuar si fakt jete cilido numër, sado çnjerëzore të ketë qenë deri në shfarosjet masive edhe të fëmijëve e grave në dhomat me gaz etj., mendoj se më e keqja nuk ka qenë çasti i jetëmarrjes, por jetëgjatësia drejt atij çasti. Sepse jeta e secilit numër nuk matej me kohë, por me frikë.

Nuk ka gjë më depersonalizuese të njeriut, për më keq të “unit”- numër se frika. Sepse në këtë rast frika e secilit numër është tejet e përbërë. Kishin frikën themelore për jetën si banorë të kampeve të shfarosjes, apo ta themi frikën fundore që përbënte frikën bazë njëlloj për të gjithë. Por, sidomos frikën nga të papriturat, frikërat e çast pas çasteve, prej dhunës fizike e

316

psikologjike deri të përdorimit si kavie. Sepse banimi në këto kampe nuk ishte vetëm çështje grumbullimi e me kohë i shfarosjes së numrave, por qëllim eksperimental i torturimit gjithfarësh të numrit-njeri. Ndaj, këta numra-njerëz nuk e njohën rutinën, nuk patën një ditë të zakonshme.

Përveç urisë e lodhjes asgjësuese në sforcime të detyruara ekstreme, më e tmerrshmja në numrat-skelete ishte e papritura, e panjohura e sotme nga ajo e djeshme, e panjohura e një ore më pas nga e panjohura e çastit më pas, sepse e papritura ishte domosdoshmëri. Ky ishte mekanizmi më çnjerëzor i pjelljes së frikës. Ky ishte makthi permanent krahasuar me torturat t’i quajmë “të zakonshme”, sado të rënda të ishin, vetëm e vetëm se njiheshin si eksperiencë tek skeleti-numër tërhiqej zvarrë “në terren të njohur”. Kështu, njeriu-numër i shkatërruar nga frika prej mënyrës së gjallimit të tij, pësonte një tjetër frikë si frikë mbi frikërat.

Kjo ishte e befta e panjohur që i asgjësonte nëpërmjet shokut mendjen atij skeleti të mbetur ende gjallë. Mundësia e të beftës e vriste nga terrori psiqik se çfarë mund të ndodhte në vazhdimësi të vazhdimësive, edhe nëse mund të kishte “fatin” të mos ishte fundi i të gjithë “fundeve” që kish përjetuar. Kjo frikë prej frikës së secilit është përjetimi im më i llahtarshëm, sepse të asgjëson së brendshmi. Çka mbetej nga ajo qenie do të ishte përgjithmonë e cunguar edhe nëse do ia dilte mbanë.

Para se të kthellohej për “unin” e tij, do t’i duhej të kapërcente me mend numrin përgjithmonë skalitur në mendje, si pashmangshmëri identiteti në kohërat që kish harruar edhe emrin prej atij numri, përfaqësim i prezencës së tij kur realisht nuk

317

ekzistonte, veç gjallonte në funksion të SS-ve. E kur gjithçka që të duket sikur ka kaluar me kohën, nuk mund të fshihet nga kujtesa e askujt, nga ish-banorët e mbetur apo nga turistët, pra nuk mund të harrohet kurrë kundrejt lemerisë grotesku propagandistik shkruar në ballë të kapanoneve të mjera “Arbeit macht frei!”.

Kjo është një hyrje tepër domethënëse për çdo situatë kur njerëzit jetojnë të dhunuar psikologjikisht, edhe nëse nuk rrezikojnë jetën, edhe nëse nuk gjallojnë mjerueshëm, edhe nëse aparenca e shoqërisë duket e paqme. Edhe kur të premton mirëqënien e sigurinë e jetës. Fjala është kur njeriu s’ka mundësi të vendosë për veten. S’ka lirinë e të drejtave humane të tij.

Sa mazokiste duhet të jem që vë veten t’i përafrohem fenomenit të numrit-njeri të Aushvicit etj.?! Është një pyetje tepër sipërfaqësore ardhur nga cilido qoftë. Se dihet maksima e njohur: “Për të ndjerë tjetrin duhet të vesh veten në vend të tij”. Pra, kemi të bëjmë jo thjesht me maximën, por me faktin që unë dua të ndjej, jo vetëm të kuptoj çdo vuajtje njerëzore.

Se po nuk e ndjeva nuk e luftoj dot, me penë natyrisht. Ndonëse nuk është kurrsesi aq e thjeshtë për ta përshkruar të njëjtën esencë apo logjikë të depersonalizimit të individit në komunizëm, krahasuar me kampet naziste të përqëndrimit të hebrejve dhe kjo jo vetëm prej metodave të pakrahasueshme të asgjësimit, por prej maskës iluzive të idealizmit socialist pas të cilës fshihej represioni kundër çdo individualiteti e përgjithësisht kundër lirisë së individit.

Po përse të vetështyhem kaq ekstremisht në vuajtje, kur ato mund t’i gjej në dimensione më humane por të së njëjtës lloj

318

esence, si privim i të drejtave të njeriut?! Përgjigjja do të ishte që “kur të vijnë mendtë nuk t’i hanë as qentë”, ndaj për të kuptuar saktësisht (jo me përafrim si atëherë që jetoja në sferën e kristaltë), ç’kanë vuajtur të tjerët më duhet edhe të studioj jo vetëm të rrëfej, ndryshe rrëfimet e mia do të ishin artifica të huazuara banalisht nga moda antikomuniste e pas viteve ‘89‘90, kur s’mbeti njeri nga nomenklatura pa vrapuar për t’u vetëshpallur viktimë e atij regjimi.

Unë nuk jam viktimë, përkundrazi e privilegjuar e atij sistemi, çka e përcjell edhe sot në kualitetet së paku shpirtërore. Çka ka domethënien e vet thellësisht esenciale. Privilegjet më shërbyen për t’u rritur cilësisht, qoftë edhe në mënyrë të përgjithshme jo specifike, domethënë pa pretendimin si antikomuniste, çka e kam përftuar, por sidomos studiuar rrugës. Por, sidomos nuk jam heroinë kur demaskoj N. Hoxhën, R. Alinë e H. Kapon që punuan kundër interesave kombëtare, duke qenë tre bashkëpunëtorët më të ngushtë të E. Hoxhës. Përkundrazi, ndonëse ekspozimi i akuzës është tepër i hershëm, duhej bërë po aq herët edhe publike.

Nëse nuk e pata qartësinë e duhur prej pengesave shëndetsore e sidomos morale, ky mbetet problemi im, pra edhe gabimi im ndaj të gjithë të tjerëve të vuajtur pak, shumë apo ekstremisht. Aq më tepër kur frikën nga frika (në dimensione quajeni po të doni edhe të papërfillshme, nëse nuk e besoni dot), e kam njohur si fenomen dhe e kam përjetuar konkretisht.

Nëse e konsideroni paranojë, nuk më intereson. Mbetet problemi juaj, krejt i justifikueshëm nga unë vetë nën fushatën e pashuar të djeshme në gjallje dhe të ardhshme në mosgjallje të

319

fajtorëve të kupolës. Por pse nisem nga vetja në problemet që shtroj? Sepse, për njohjen time të jetës, besoj edhe sot të kufizuar si diapazon historish njerëzore, jo të mënyrës së konceptuari të saj, njoh shumë mirë ç’kam përjetuar vetë. Dhe përjetime të tilla janë njëlloj të dhimbshme për cilindo. E meqenëse vetëm burgu e internimi mungon në eksperiencat e mia, kam përjetuar përndjekjen diabolike si të shumëfishtë e të shumëllojshme që 16-vjeçare, çuditërisht, madje paradoksalisht pse isha e vlerësuara e E. Hoxhës.

Ky është një fakt, pastaj një argument i jashtëzakonshëm për të studiuar komunizmin nga brenda. Çfarë përfaqësoi kumunizmi apo i ashtuquajtur i tillë, se siç e kam theksuar nuk ishte as totalitarizëm socialist, (pra nuk punohej aq sa duhej për Shqipërinë) por totalitarizëm agjenturor, pra punohej për të huajt në ruajtje të pushtetit personal të kupolës. Ndërkaq, strategjinë e mekanizmit e të ushtruarit frikë ndaj të gjithë shqiptarëve pa përjashtim, e kam kuptuar deri në rrënjë.

Thashë “pa përjashtim”, sepse edhe brenda ishnomenklaturës kanë survejuar paralelisht njëri-tjetrin nëpërmjet segmentit të Sigurimit të Shtetit apo organit të quajtur Policia Sekrete që varej nga N. Hoxha e suksesori. Kjo, kur E. Hoxha deklaronte shprehimisht “të mos përgjohen telefonat e Byrosë Politike e të anëtarëve të K.Q të PPSH-së” deklaratë e lëshuar në ditën e lindjes së tij në 16 tetor, përpara vizitorëve prej Byrosë Politike dhe anëtarëve të KQ të PPSH-së si dhe medias të pranishme. Ndaj, thashë përgjimin e gjithë shqiptarëve pa përjashtim pas vdekjes së tij, kur e veja deklaronte herë pas here ndante edhe në vizitorët e ngushëllimit se këta janë “tanët”.

320

Këto deklarata pakujdesie në sytë e mi, pasi para meje e Sokolit (që kur futa këmbët në shtëpinë e saj) ajo mbetej hermetike, më theksuan dyshimet permanente duke arritur këtu maksimumin çfarë roli ka N. Hoxha. Menjëherë pas vdekjes së E. Hoxhës, u pa qartë arroganca e pashoqe për të demonstruar në delir e sipër pushtetin personal të saj. Madje me mekanizmin e frikështypjes i bënte të gjithë vizitorët të stepeshin para saj, sikur ajo iu thoshte që tashmë jam unë, me mua është ndryshe keni për ta parë! Ndërsa E. Hoxhës këtë sjellje në publik, në shtëpi ose jo, nuk ia kish parë kush.

Normalisht, kushdo që vinte në shtëpi të E. Hoxhës kishin qenë e duhet të ishin tanët, siç na kish mësuar ai që ne si çdo shqiptar ishim pjesë e popullit. Ky duhet të ishte dhe qëndrimi i të vesë aq më tepër në ditët e vizitave pafund për ta ngushëlluar për ikjen e të shoqit. Jo pikë loti që nuk u pa në sytë e saj, por as gjurmë hidhërimi qoftë në aparencë, pavarësisht nga veshja e përzishme nuk pati nga ajo përveç demonstrimit të pushtetit absolut tashmë në duart e saj. Pas vdekjes së E.Hoxhës ajo s’pati kurrë problem se si duhej të sillej në raport me të tjerët poshtë saj.

Pra, koncepti “tanët” për të, por kryesisht për mua që studioja se ç’ndodhte, ishte një tjetër gjë, madje aq specifike sa tejkalonte kufijtë e normalitetit deri në dyshim. Aq sa të vinte frikë. Nëpërmjet kësaj shprehjeje kuptoje qartë garanci apo bazament programacioni pushteti të posaçëm të saj me këtë kualitet njerëzish “tanët”, enigmatike për fatet e Shqipërisë, tashmë pa E.Hoxhën. E gjitha kjo kur ai nuk ishte varrosur ende. Ndërsa e veja ishte transformuar në një kuçedër që nga brenda shtëpisë e

321

midis gjithë pushtetarëve që e nderonin atë prej frike dhe jo prej adhurimit, sikurse E. Hoxhën e gjallë dhe të vdekur.

Mirë xhanëm, për këta “tanët” u mor vesh që ishin përzgjedhje e saj dhe e suksesorit, po për çfarë? A nuk ishte sërish njëlloj Shqipëria e E. Hoxhës në Kongresin e 9-të të vazhdimësisë, siç theksoi suksesori? Deklaratë me të cilën qetësoi popullin (të majtët e 1985-s) që do të vazhdonte rrugën e E. Hoxhës? Pra, pavarësisht nga aparenca politike pro E. Hoxhës, dukej qartë që e veja e tij kish kohë që bënte hesapet e saj.

Po çfarë i duheshin hesape të tilla që s’të përgjigjen kurrë siç i do, përveçse t’i synosh ato me dhunë e me gjak, një gruaje të ve në atë kohë 70-vjeçare?! E pra i duheshin se ajo ishte vetëm një përfaqësim simbol , por shumë i fuqishëm duke shfrytëzuar emrin e E.Hoxhës. Ishte përfaqësim i një fuqie gri mbi shtetin, ndërsa zbatuesit ishin “tanët”, domethënë “ushtria” e përzgjedhur e saj në funksion të fuqisë gri të mbishtetit shqiptar. Konceptet “tanët” apo “të mitë” të N. Hoxhës morën ngarkesë proverbiale si kategori speciale njerëzish kur në shtëpi të R. Alisë menjëherë pas vdekjes së E. Hoxhës, ajo përcaktoi qartë pa skrupull ndaj nesh, madje si urdhër ndaj suksesorit: që djali i madh, vajza dhe bashkëshortët e tyre ishin “të sajtë”, kurse Sokoli dhe unë jo! Por kjo ishte veç një deklaratë, realitet që e dinim, pra nuk mund të na lëndonte më shumë pse e tha me qëllim. Lemeria prej të vesë ishte përndjekja e përgjimi që kur jemi martuar, ndoshta edhe më herët, se unë jetoja te shtëpia e E.Hoxhës disa vite para martesës.

Lemeri prej përndjekjes e përgjimit brenda në shtëpi, brenda në apartamentin tonë, brenda në shtratin tonë bashkëshortor.

322

Shembuj të tillë me kohë do t’i zbardh. Ishte evidente që ne vëzhgoheshim nga S. Gradeci, mjeku Juda, nga ndonjë infermiere, nga ndonjë prej personelit të kuzhinës si dhe nga ndonjë prej oficerëve të ruajtjes, por sidomos sidomos nga Teuta.

Të gjithë të tjerët që përmenda na vinin rrotull në zonat “zyrtarisht” përkatëse të tyre. Kurse Sulo Gradeci femër apo Nexhmija 2 (Teuta) ishte e befta e çastit. Pikërisht, në atë çast që ne mendonim që s’kishte mënyrë dhe arsye të kishim njerëz rrotull ia befte ajo. Kudo që ishim në ambientet tona private, si në katin përdhes apo deri në nënçati, në çdo skaj të shtëpisë, mëngjez, drekë, darkë, kurdo, ajo do të gjendej befas mbrapa nesh. Ecte kërcënueshëm, me arrogancën e një gardianeje burgu. Kishte punë apo jo kjo grua, kush e informonte dhe si arrinte medoemos të ndodhej patjetër atje ku ishim ne, sidomos unë?! Nuk është ndonjë mister i madh për ne me ç’kishim pësuar, por nuk kuptonim kurrë se si mund të realizohej prania e “të pamunguarës” gardiane të çastit. Se si e merrte përsipër pikërisht kjo këtë rol, natyrisht që ka të bëjë me patologjinë e saj, se teorikisht njerëz të tillë përzgjidhen. Ndërkaq, Nexhmija 1 dhe 2, ia arrinin qëllimit.

Frika e beftë prej tyre mbetej e habitshme si frikë nga hiçi, si frikë nga një e panjohur shumëdimensionale, ndërkaq pa formë, pa përmbajtje, e shurdhër, pavarësisht të ecurit prej elefanti të Nexhmijes 2. Frikë e mbytur, konfuze dhe frymëmarrëse njëkohësisht prej saj. Sepse mbi të gjitha ushtronte prezencë me dukjen e qëllimtë si “të paqëllimtë”, njëherësh me dukjen e qëllimtë si të shumëqëllimtë. Mbetesha pezull, si ta kuptoja këtë fenomen, kur ajo befte në cepat e cepave të pallatit, ku ne na

323

lidhte diçka, kurse atë nuk e lidhte asgjë. Madje nuk kishte ku të shkonte më tej, sepse vendndodhja jonë nuk e nxirrte në asnjë hyrje apo dalje për të vazhduar diku. Pa skrupull e qartazi për të na transmetuar ankth prej çudisë, ajo kthehej mbrapsht. Ishte thjeshtësisht lemeri përndjekjeje në çdo cep të shtëpisë, çka ajo nuk hezitonte ta shprehte me tërë qenien e saj, sikur thoshte “ju kam në dorë!”. Kuptohet, që N. Hoxha ishte e informuar për gjithçka. Për çdo hap që hidhnim e për si merrnim frymë.

Për sa thashë nuk donte shumë imagjinatë të përfytyrohej e ardhmja sikur të mos kish rënë komunizmi, ndaj për pasojë pluralizmi mbeti në duart e “tanët”-ve të vejushës e suksesorit. Kështu, fuqia e saj personale në dukje mbeti si “kokoshi një thelë”. Por, përfaqësimi i fuqisë gri të saj mbeti po aq edhe sot në moshën 90-vjeçare. Ajo përcjell urdhra nga lart (fuqia gri UDB), për pushtetin demokratik , por varet edhe nga poshtë (nga “tanët” e saj), që ndonëse janë në pushtet apo lider opozite, kanë fituar disa gradë lirie vetjake për të fuqizuar veten e tyre.

Nga se ka pasur frikë vetë N. Hoxha nga unë përgjatë viteve të mia në një çati me të, kur përpos skërmitjeve ndaj meje kur mbeteshim vetëm, sillej para E. Hoxhës e përgjithësisht në shtëpi si grua shëndetligë, pa pretendime, që sakrifikonte ditë e natë në këmbë për të shoqin?! Kishte frikë nga ai vetë, se E. Hoxha nuk ishte nga “tanët” e saj, për pasojë kishte frikë nga çdo besnik i tij apo ndaj çdo individualiteti që nuk e hante sapunin për djathë, për faktin se nuk kishte ngrënë asnjë lugë çorbë, nuk bëhej fjalë për të prishur, por as në sahane të panjohura mirë. Individualitete të tilla edhe po të kenë ngrënë padashur, sepse njeriu gabon, do ta

324

vetëdemaskonin atë lugë çorbe, për të vazhduar ndershëm. Se nuk ka fuqi rikatuese ndaj një individi që mund të ketë gabuar rastësisht, nëse është karakter i fortë.

Si autoriteti suprem i komunizmit, E. Hoxha, është viktima e parë në rang hierakik që e hëngri vetë sistemi që ai e udhëhoqi. Në këtë linjë nuk është për të ardhur keq kundrejt gjithë viktimave prej komunizmit. Ky është konkluzion shumë i saktë, por teorik. Në linjë konkrete, pra realisht si ka ndodhur, E. Hoxha ka qënë subjekti themelor për t’u goditur, siç dihet nga Perëndimi. Por, “Perëndimi” si pushtet, operoi nga brenda me pushtetin gri përfaqësuar nga N. Hoxha, që qëndronte mbi shtetin shqiptar. Pra, E. Hoxha, realisht është viktimë e “tanë”-ve të saj. Ata ruhen prej atij edhe më shumë pas vdekjes.

Ja pse kuptohet se “ndjellësit” e frikës janë viktima prej frikës të krimeve që kanë prodhuar vetë. Një frikë tejet e veçantë kjo për autoviktimat kriminale për të cilët nuk mund të të vijë keq. Nëse gjallojnë tashmë, janë shpërbërë në specie “frikëndjellëse” e “frikëpësuese”. Pra, që shtypin dhe ushqehen si njerëzngrënës prej frike, por që qajnë natë e ditë nga makthet si përjetësisht frikëprodhues e frikëpësues.

Midis “tanët”-ve ka të pakënaqur për arsye që s’kanë arritur krejtësisht ambicjen përkatëse. Ata urrehen midis tyre pikërisht se janë të varur nga njëri-tjetri prej konspiracionit. Ata mbeten gjithsesi “tanët” midis tyre, sepse e kanë njëri-tjetrin reciprokisht në dorë për veprimtari konspiracioni për interesa antikombëtare. Personalisht, njoh shumë nga “tanët” që fatin e tyre e ka në dorë N. Hoxha, siç edhe ata e kanë atë në dorë. Ndaj, mbrohen në rresht sup më sup, ndonëse kanë dëshirë të shqyejnë njëri

325

tjetrin si hiena. Veprimtaria e secilit mund të ketë skaduar sipas moshës, apo interesit, funksionit që ka pasur, por ata njëlloj mbrohen duke ruajtur njëri-tjetrin dhe njëlloj urrehen pikërisht se janë të varur nga njëri-tjetri.

E të jetosh me këtë lloj frike natyrisht që s’është komoditet. E pra, N. Hoxha e R. Alia, patën “besnikë” të tyre prej detyrimit, gjithë popullin shqiptar. Po të mos vinte epoka antikomuniste kush mund t’iu dilte kundër atyre?! Ndaj them që degraduan pushtetin e E.Hoxhës edhe në më djallëzor e më të sofistikuar në emër të tij. Pra, punuan kundër shqiptarëve e E.Hoxhës njëherësh, me “kinezërira” vullnetarizmi. Kështu detyruan “të dielat enveriste”, që do detyronin shqiptarët edhe në ditën e pushimit “t’i përkushtoheshin” kujtimit të Enverit me punë “vullnetare”, hapje kanalesh, mbjellje pemësh në rrethinat e qyteteve etj. etj., pikërisht që të urrehej ai.

A guxonte njeri të mos shkonte?! Ndaj, sërish parulla sarkazëm e Aushvicit shkon saktë edhe me realitetin e atëhershëm shqiptar: “Arbeit macht frei!

326