E verteta te ben te Lire

.

Filluar nga Ines po ashtu Kevin, fëmijët e Valbonës e shpresoj shumë për Tomasin, më të voglin tim, djalin e Shpatit, të kenë shumë dhuntira që do të na duhet t’ia u kultivojmë. Them kështu, se mbesa ime Ines, shpreh shumë të tilla artistike, madje dhe sportive. Luan në piano, vizaton (për të qenë modeste të mos them pikturon), shkruan bukur, që e vogël bën modele veshjesh për kukullat, krijon për to veshje me motive popullore, pra ka shumë gusto. Unë i marr mend edhe asaj, përveç Valbonës e Besjanës-gruas së Shpatit, si të vishem kur më duhet të prezantohem publikisht diku. Por duhet të ndalem te dhuntitë sportive, si: stilet e notit, tenisin, patinazhin në akull, sportin e skive.
Zhvillon karatenë me një hijeshi magjepsëse për elegancën, delikatesën e paradoksalisht ndrojtjen e saj. Kohët e fundit garon si atlete për grupmoshën e saj në garat europiane. Bisedoj shpesh me të për të kuptuarit e gjërave përtej rutinës së përditshme. Realisht e sondoj për ta testuar e zhvilluar të brendshmen e saj

46

shumë të larmishme. Ndaj, një ditë, kur ishte 9 vjeç, u vel së pikturuari me bojra uji vazo e vazo pafund me lule, portrete insinjifikative prej imagjinatës apo kopje të Pikasos, apo tematika fantazioze si “çadra e ciganes” etj. dhe një çast më tha: “- Nëna çfarë të pikturoj?”
Si gjithmonë, sikur i sugjeroj gjënë më të natyrshme, siç e kam zakon që të mos stepet, për t’i nxitur fuqinë abstraguese i them: “- Provo diçka që nuk shihet konkretisht, por ekziston fuqishëm, që e përjetojmë çdo ditë, që bota nuk rrotullohet pa të, për shëmbull a mund të hedhësh në letër si e koncepton ti “të mirën” e “të keqen”?
Ines, për gjysmë ore, ma dha në dorë krijimtarinë e saj shprehur me bojra uji në karton, ndërkaq që unë u mrekullova. Ishte një amalgam artistik ngjyrash rozë, lejla, gri dhe e zezë që interferonin organikisht te njëra-tjetra. U magjepsa, se mendoja (përsa e njihja fuqinë abstraguese për moshën e saj), që të vizatonte njollëzime qoftë pa formë konvencionale, por të dalluara nga njëra-tjetra sipas konceptit të bardhezisë, domethënë të ndara si me thikë, qoftë njëra rozë (e mira) dhe tjetra e zezë (e keqja). Ines kishte kapërcyer së tepërmi pritshmëritë e mia me harmoninë paradoksale të së mirës e të së keqes së bashku në rrethinat përkatëse, se siç tha ajo asgjë s’është absolutisht e mirë dhe asgjë s’është absolutisht e keqe, se ka dhe të ndërmjetme në gjithçka që ndodh në jetë.
E përqafoj duke menduar trishtueshëm që në raport me të mirën dhe të keqen tonë, shumica në kohë, hapësirë apo konkretisht në veprim, është pikërisht “e ndërmjetmja”. Pra, të gjeturit e oportunitetit për gjithçka, të kalkuluarit, çdo veprim,

47

vetëm e vetëm për interesa përfitimi personal edhe pse paralelisht apo jo posaçërisht në keqbërje të tjetrit. Kështu jetojnë shumica e njerëzve që përfaqësohen me lejlanë e thellë deri në gri nga Ines.
Ky është brezi i njerëzve që as të ftohin e as të ngrohin, që mund të mos jenë të rrezikshëm për shoqërinë, por kurrsesi në të mirë të saj, veç përbërjes së një bazamenti të gjerë e të plotë individësh, nga ku ngrihet shoqëria si institucion apo si opinion publik.
Pikërisht ky, opinioni publik, gëlon nga përballja e të mirës me të keqen, kryesisht nëpërmjet mendimit e verbalisht se pjesa gri, bazamenti pra, jeton në mënyrë mizantrope, pa përmbajtje vepruese, përveçse rehatisë personale ardhur prej meskinitetit apo pamundësisë. Janë ata që synojnë thjesht bukën e gojës dhe në të kundërt limontinë e milionerit “parvenue”. Në pamje të parë duket se e keqja vjen nga kontigjenti i parë, por realisht e kryesisht vetëm ajo e veseve të dobëta, si vjedhës e keqbërës ordinerë, ndonëse mund të degjenerojë në krim për arsye të dobëta. Ndërsa traumat, apo e keqja më e madhe ndaj shoqërisë vjen nga pushteti i parasë, filluar nga korrupsioni pushtetar e opozitar me bisnesin që i mbështet këta, për t’i shërbyer në simbiozë njëri-tjetrit.
Po ku di Ines nga politika e madhe e shtetarëve arrogantë mirfilltazi të tillë, apo që e transmetojnë atë nëpërmjet hipokrizisë?! Ndërkaq, zbërthimi që bëri ishte më se i saktë. Pra ajo e ka jetuar, perceptuar, përgjatë 9 viteve të saj një gjë të tillë në shkollë, me shokët e shoqet, me mësuesit, çfarë sheh në rrugë, televizor apo internet, etj. Përqëndruar te mosha e saj, terreni

48

me shoqet, është shumë i rëndësishëm për eksperiencat specifike. Sepse shpesh që në fëmini sillen dhe dinë gjithçka (që nuk duhet t’i dinë) si të jenë gra të vogla. Kanë marrë modelin e gruas prej mamasë apo të sjellurit të përgjithshëm në familje. Duke u rritur ato mund të arsimohen shumë lart, por brendia mbetet po ai meskinitet, pse jo zhvilluar thellësisht në keqdashje, por mbuluar me manierat e gruas së sofistikuar. Kështu bëhet e zorshme të gjesh një shoqe zemre.
S’dua të bie në sakrilegj e pesimizëm për të thënë që për vetëmbrojtje madje s’ka ç’të duhet një shoqe apo një shok zemre, kur mbase është më mirë të rrish formalisht me të gjithë e në mes tyre, duke ndrydhur autenticitetin e fshehur virtytet, se ndryshe do të të keqkuptojnë, madje do të të luftojnë pikërisht për cilësitë e tua, kur sinqeriteti do të ngatërrohet me naivitetin, kur virgjëria e mendimit do të zhvirgjërohet dhunshëm e befasisht me sarkazëm, ndonëse je midis tyre për t’i dashur të gjithë e duke shpresuar të të duan po ashtu.
Kur dashuria e mirrfilltë, pra e vërtetë, e thjeshtë apo e ndërlikuar në çift nuk kërkohet dhe as besohet më, ç’mbetet përveç relacionit seksual vetëm e vetëm për argëtim e gjithmonë e më shumë i bastarduar.
Kur prostituimi fizik e sidomos mendor është bërë normë jete, kur i ndershmi quhet i dobët, i dalë mode, psikopat për më tepër injorant, kur burrat degradojnë së sjelluri si femra më tepër se gratë vetë, kur ato komandojnë të paemancipuara, por për kredo e pozita interesi me errësirën brenda në shpirt, që jua asgjëson sensualitetin. Kur burrat bëjnë lifting më keq se gratë, aq sa kryeministra si: Berlusconi e Fatos Nano të kujtojnë

49

personazhet pupacë të Muppet Show-t. Dhe bukuria e femrës njëhsohet me shpërbërjen e intimitetit magjepsës të gjirit, demonstruar masivisht ky si element bazë i tregut seksual njëlloj si buzët, hunda apo mollëzat e plastifikuara. Kur bukuria natyrale nuk gjendet më prej mbulimit artificial sipas “trendy-t” të çastit, kësisoj mund të dallosh vetë “trendy-n”, por jo vetë femrën origjinale as me të jashtmen e saj, jo më deri tek e brendshmja, filluar fatkeqësisht që në moshë të njomë. Kur martesat bazohen mbi çudira kompromisesh, e nuset e reja s’duan të bëhen nëna, që të mos humbasin tepër herët atë “charme” artificial që kanë kuruar.
Kur fëmija konsiderohet rreziku i të ardhmes dhe jo ngjizja organike e bërthamës së familjes, pasi bukuria e nënës së re arrin nivelin sublim, për garanci jetëgjatësie dashurie, respekti e fisnikërie për familjen e re deri sa prindërit të mbyllin sytë. Kur vajzat, nuset apo gratë godasin me bërryla duke sabotuar njëratjetrën nën buzëqeshjen e miqësisë apo dashamirësisë. Ku sundon xhelozia, ligësia, dëshira jo thjesht që secila (apo secili) të ecë përpara aq sa mund, por dëshira për ta nxjerrë tjetrin jashtë garës, mundësisht për të vepruar prapa shpine, me pafytyrësi pse jo edhe ballë për ballë kundër tij.
Po flas për zemrekun e shoqërisë, për të ashtuquajturin opinion publik, pa kaluar në mizerjen reale, atje ku fëmija gdhihet e ngryset me shpresën te një kothere bukë. Kur duhet votuar për udhëheqjen progresiste pushtetare, por s’di për kë të votosh. Demokracia e ëndërruar nuk po na rri mirë pas trupit, as ty, as mua e as tjetrit. Kur të duken të gjithë njëlloj, se njëlloj janë, ndonëse personalisht i përket një elektorati të cilin e do, e

50

përfaqëson dhe të përfaqëson, por lideri që ka uzurpuar partinë përkatëse nuk përfaqëson kërkënd përveç vetes së tij, një Rubikon me etje epsharake për pushtet. Kur mungon elementi natyral i fisnikërisë për t’u respektuar njeriu nga njeriu, ndërkaq që për vepra konkrete për të tjerë e shoqërinë, s’bëhet fjalë. Pra e zeza duke e çelur në gri s’ka fund e ndihet fort se është ekspansive ndaj virtytit, i cili në se është, shkëlqen padashur. Por rëndësi ka që është, mbetet, nuk asgjësohet dot.
E mira, është e qetë, natyrale dhe jo egzibicioniste, jo snobe, por autentike. E mira është e thjeshtë, e thjeshtësisht do kultivuar, ajo nuk mbetet kurrë në minorancë, ndonëse duket se mbetet prapa, prej shovinizmit dhe agresivitetit të së keqes. E mira ndonëse modestësisht, është triumfuese. Më kot nuk njeh historia veprat e njeriut për njeriun, më kot nuk ekzistojnë heronjtë që sakrifikojnë veten për të tjerët. Por s’është e thënë të pretendojmë për heronj, të tillë nuk mund të jenë të gjithë.
Jeta është më se e thjeshtë për t’u kryer, me veprime të zakonshme, por të ndershme. Natyrisht për cilindo që e nis atë së linduri me këtë filozofi nga barku i nënës.
Siç thekson Dante:

Nuk fitohet gja tue ndejë mbështetë,
se mbi nënkrejca dhe mbi pupla t’leta
deri më sot askush lavdi s’ka gjetë.

E po s’le nam të mirë çka duhet jeta ?
zhduket si tymi n’ajr, si shkumë mbi valë
ai që pa lanë një gjurmë çoi ditt e veta.

“Ferri” kanga XXIV

51

Asnjë mos të harrojë se asht njeri:
ju lé nuk keni për t’gjallue si shtasë,
po për të ndjek virtyt e dituni.

“Ferri” Kanga XXVI

Askush nuk lind për të qenë hero, por lind me të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe i lumtur. Është koncept pretencioz “lumturia”, si e tillë dhe më relativistja, por e drejtë e individit për t’u aspiruar. Sikur me kaq të jetë i motivuar gjithkush për jetën e tij, bota do të ishte më e paqme.
Por e keqja zhvillohet në dimensione pafund, në rastin më negativ:

Kur thellësia e mendimit
puqet me forcë brutale e ligësi,
asnjë shpëtim s’i mbetet njerëzimit.

Dante “Ferri” kanga XXXI

Shumë herë, për pasojë të vuajtjeve në jetë, ndodh që vështirësitë thyejnë karakterin dhe vullnetin e njeriut, si dhe mund ta çelnikosin atë kur thelbi është i mbarë.
Përpos së keqes së programuar si rrezik publik, e keqja natyrale do pranuar si ekzistencë njerëzore, me të cilën je bashkëkohëse dhe bashkëudhtare. Madje po ta kuptosh nga se ka rrjedhur e ta tolerosh pa e lejuar të të bëjë keq e të përhapet, është rruga më e drejtë e neutrale për shoqërinë, çka i jep qetësinë shpirtërore secilit. Kështu, vetë e keqja, mund të lokalizohet ndaj të mirës nazike por rezistente, nga e cila buron butësi, dhimbsuri e dashuri për gjithçka që të rrethon, sepse siç tha Ines: “- Asgjë s’është

52

absolutisht e keqe e asgjë s’është absolutisht e mirë në këtë botë”. Gjithçka interferon te njëra-tjetra, duke përbërë paradoksin e unitetit të të kundërtave që marrin vazhdimësisht hapësirë e kohë nga njëra-tjetra.
Prej spirales të zhvillimit, njerëzimi nuk shpëton dot, mjaft që ta njohë e ta evidentojë të mirën, që ajo të jetë triumfatore, se e tillë është, përderisa morali njerëzor i përgjithshëm e ka përzgjedhur si rrugë të zhvillimit, e ca më shumë si urdhër hyjnor.