E verteta te ben te Lire

Kundrejt varfërisë së shqiptarëve tema si këto duken si qëllim jete, vaniteti dhe kotësie nga ana ime, por s’është kështu. Në raport me të drejtat e njeriut, pikërisht aty nga buronte dogma e barazisë midis gjithë nënshtetasve shqiptarë, jo më në familje, padrejtësitë e vogla të vrasin në dinjitet. Aty, nën çatinë e Nexhmijes, dhuratat nuk ishin gjëja më e zakonshme në botë, por një mjet presioni (së paku në rastin tim) që nëpërmjet tyre operohej me simbolika, madje protokollare. Jo thjesht për llojin e vetë dhuratës, pretencioze apo më pak e tillë, por për faktin se kur pritshmëria ishte sa më e madhe e flagrante, ajo e evitonte me qëllim, pa u ndjerë as në detyrimin formal për t’u shpjeguar. Këtë gjë e kam kaluar rëndom gjatë jetës, ndaj dhe u mësova. Përveçse ishte më e pakta gjë që mund të më lëndonte kundrejt veprimeve armiqsore hapur, por prapa krahëve të E. Hoxhës, dhe më të rëndat, ato prapa krahëve të mia. Personalisht,

598

në princip nuk mund të rrija pa i dhuruar të tjerëve edhe pa motiv, pa pritur raste ditëlindjesh, kur të më qëllonte të kisha në dorë diçka që t’ia përkushtoja tjetrit. Mirëpo tensioni në familje filloi menjëherë sa hyn Teuta, për vetë jetën që bënte ajo, duke i “mashtruar”, të gjithë e kryesisht E. Hoxhën. Shprehem në thonjëza se për si u zhvilluan ngjarjet, Iliri dhe Nexhmija kanë qenë në mënyrë sistematike në dijeni. Por, por, po qe se do të ngrija unë ndonjë problem për gruan e Ilirit si mësuese në shkollën ku ajo ishte nxënëse (dhe mbetëse konstante gati në të gjitha lëndët), që s’vinte gati prej një muaji në shkollë duke gënjyer që “jam shtruar në spital” etj. etj.), Nexhmija më gozhdonte pas murit: “- Ç’të duhet ty?!”. Çka shoqërohej me difuzionin dogmatik të parakalkuluar si “probleme kunatash”. Madje aty duhej të mbetej problemi sipas prognozës së Nexhmijes. Por siç më kishte nënvleftësuar; fatkeqësisht ju desh më vonë sërish të “vulosë” dogmën: “Probleme nuse – vjehrrë”. Gjithsesi, në këtë atmosferë (që përbën temë më vete), për fat të keq, më qëlloi mua me tim shoq të sëmurë, të shkojmë në Paris në 1976. Çdo gjë kaloi mirë. Gëzimi im që do të kthehesha te Valbona (e lashë 9 muajshe dhe do ta gjeja 11 muajshe), ishte i papërshkruar. Por, pas saj vinte djali i Ilirit 3 muaj më i vogël, që rrinin bashkë si binjakë. Ndaj, iu futa pazarit ku më çuan punonjësit e ambasadës, për mall të mirë por jo me çmim të kripur. Kështu, blej çdo gjë njëlloj për të dy fëmijët. Dy karroca verore, dy palë tuta të kuqe, dy palë këpucë, nga dy kapuçe e dorashka, etj. Valbonës nuk i bleva as edhe një gjë më tepër, përveçse u kujdesa që ç’të merrja për veten time ta dyzoja dhe për Teutën. Ndërsa për masën e Pranverës u

599

preokupova në mënyrë specifike për mundësira që në Shqipëri nuk njiheshin asokohe. Ndaj, askush nuk kish menduar për të më parë. Nuk kishte rëndësi si do ma “lanin borxhin” (ose jo) ato, kur iu ra rasti. Rëndësi kishte që unë të mos dalloja Valbonën time nga djali i Ilirit, të mos dalloja veten (përjashto një fund që nuk mund t’ju bënte atyre) nga dy vajzat e tjera të shtëpisë. Dhe ia arrita qëllimit. Por, insistimi i tensionit në rritje në shtëpi i rrafshoi këto dhëniemarrje, që ishin nga ana ime thjesht njerëzore, madje shprehje dashurie e kujdesi ndaj tyre, sidomos për çka kishin nevojë në mënyrë të posaçme. Ndërkaq, çuditërisht fakti që i kisha trajtuar të barabarta me veten i “vriste”. Madje, sipas tyre, ato ishin më të ditura, kishin më shumë mundësi e njihnin më mirë modën etj. etj. Ashtu qoftë! Dhe në të vërtetë, vetëm mundësitë e tyre ekonomike në rastet respektive, ishin më të mëdha. Teksa raporti me to sigurisht që nuk mund të mbahej me dhurata, por as me dashurinë time, pra të njëanëshme. Le të përqëndrohemi në një të ashtuquajtur zanafillë aspak të rastit. Pa filluar të jetoja në shtëpinë e E. Hoxhës, kur shkonim të dielave në Durrës të dy çiftet dhe më pas ktheheshim, makina do të ndalonte në shtëpinë time, shumë afër me atë të Teutës. Ikja e qetë duke menduar që kjo do të ndodhte dhe me të. Çuditërisht asnjëherë nuk ndodhte kështu. Çifti, me Tolin, pa mua, shkonin për drekë tek E. Hoxha. Këtë pabesi të tyre e kuptoja, s’më bënte përshtypje e nuk lëndohesha përveç se nga pafuqia e Tolit për t’i thënë vëllait të madh: “- Pse nuk më the se do të marrësh Teutën, që të merrja dhe unë Lilianën?”. Por, megjithatë e kaloja lehtë, se sipas meje

600

ishte shumë fisnik për t’u marë me gjëra të vogla. Mbi të gjitha unë vetë nuk doja të shkoja për drekë pa më ftuar personalisht Nexhmija, çka do të ishte e padurueshme për të. Si fenomen e vuaja duke kuptuar që qëllimi i saj kish përçarë vetë fëmijët. Të dy vëllezërit nuk duheshin midis tyre, kjo ishte e rëndësishme, paçka që i madhi kërkonte të vuloste hierarkinë me privilegje personale. Do të ishte vetë E.Hoxha pas disa të dielave të tilla, që personalisht më urdhëroi të shkoj tek ai, pasi çdo radhë i kish thënë Tolit: “ – Ku e ke Lilianën?”. Nexhmija jo vetëm që nuk e kishte pyetur Sokolin ndonjëherë, por në këtë rast bënte sikur nuk dëgjonte as Enverin. Siç e njoha më vonë, me logjikën alibike për t’u mbrojtur ndaj Enverit: “Ku e di unë si e ka punën çifti!”. Kështu, Enveri më merr për qafe dhe më çon pranë dritares. Duke parë të dy jashtë sikur të ishim vetëm, theksoi në mënyrë që ta dëgjonin të gjithë: “- Dëgjo, ti e di që më merr malli, pse nuk vjen? Teutën e njoh shumë më vonë se ty dhe nuk ndruhet të vijë. Ti nga se ndruhesh? Unë dua që ti të dish që do të më gëzoje zemrën sa më shpesh të vish! Dhe të vish vetë. Mos prit të të ftoj e sidomos mos prit të vijnë edhe të tjerë. Ti ke vendin tënd! Që sot e tutje do të jetosh në shtëpinë tonë se në tënden jeni ngushtë!”. Kuptova që ai nuk donte të futej as tek e shoqja, as midis djemve, por ju dha një mësim të mirë duke më përcaktuar vendin tim të patjetërsueshëm. E. Hoxha nuk mund ta dinte që dhe tjetra nuk mbeti pas, se në atë kohë ndërtohej pjesa e re e shtëpisë dhe E. Hoxha jetonte në vilën 4 pranë Pallatit të Brigadave. Ishte pikërisht kjo kohë e këto kushte, kur sapo kisha filluar të jetoja në shtëpinë e tyre, kur u ndodhëm për vizitë te babai në vilën 4. Në

601

atë çast, Nexhmija më bën një dhuratë. E kuptova që kjo vinte prej dëshirës së babait, meqë sapo kishin ndodhur këto zhvillime shumë personale me qëllim denigrimi. Dhurata, ishte një spilë e vyer, një degë peme me një zefir të vogël në njërën gjethe të saj. Ndonëse e bukur, nuk e vura kurrë, se nuk më dukej e përshtatshme për moshën time. Pikërisht me këtë kriter, e si për të bërë një traditë jete të cilat sidoqoftë zënë vendin e tyre për mirë apo për keq në historinë e njeriut, këtë spilë ia dhurova para martese Besianës time, të përzgjedhurës së Shpatit, thjesht për ta futur në kutinë e bizhuve. Besiana sa u martua pati sa i desh zemra, e do të ketë sa do t’i dojë zemra. Kjo spilë rezultoi me ngarkesë emotive pozitive, ndonëse e papërdorur kurrë. Për mua ishte e para dhe e vetmja dhuratë tepër demonstrative e Nexhmijes, apo më mirë kujdes i babait për t’u kryer nga ajo. Vite më vonë, vetë babai, do të më dhuronte një spilë argjendi, përsëri një degëz e lulëzuar. Dhurata më e shtrenjtë kryesisht si vlerë emotive është ora “Seiko”, tepër fine, që babai më vuri në kyçin e dorës ditën e dasmës. Ndërsa rituali nën çatinë e Nexhmijes do të ishte nga një copë fustani sintetike çdo 5 vjet, pra në 25 e 30-vjetor. Realisht ato mundësi ishin, përveçse ç’kemi zgjedhur vetë kur shkonim jashtë shtetit. Duhet thënë, që si për këdo, edhe për djemtë duhej pak a shumë rinovuar garderoba. U bënë tre bashkë me Klementin. Për mua, Teutën dhe Klementin mjaftoi dasma për një garderobë minimale. Dy djemtë e Pranvera sidoqoftë kishin pasur një statukuo fare modeste. Nexhmija porositi në Itali tre pardesy për djemtë, me masat përkatëse e ngjyrat e vendosura nga ajo. Për

602

Ilirin, ishte bluja më e preferuara e saj, për Klementin bezha, tjetër e preferuar dhe për Tolin kafja. Siç e dija që më parë ishte ngjyra më e papëlqyer prej saj, por edhe imja. Për mendimin tim, kafja përveç arredimit shtëpiak, është shumë antipatike për veshje, në daç burrash në daç grash. “- Pse kafja për Tolin? – e pyes me insinuatë të hapur për dallimet që bënte. Pastaj troç: – Përderisa vendosni ju dhe për ngjyrat e secilit, nëse dy nuk duhet të jenë njëlloj, përse nuk kërkuat grinë? – Nuk kishte, – u përgjigj me tërsëllim. – Atëherë, Iliri ta gëzojë blunë! Kurse për Klementin dhe Tolin në qoftë se nuk ka ngjyrë gri, le të merren të dyja bezhë. Se sidoqoftë nuk do duken njëlloj. Pastaj bezha është kaq e përgjithshme dhe e pranueshme për të gjithë burrat, gjithmonë shumë më mirë se kafja, që më kujton pallton e babait tim!”. Nexhmija u tërbua më keq, por pardesynë e ndërroi në bezhë dhe Toli u kënaq, teksa kafen s’do ta kishte veshur kurrë, ndonëse s’guxonte t’ia prishte të ëmës, zakon ky, që ajo ia kishte imponuar që fëmijë. Ishim në vitin ’81, kur Teuta më thotë: “- Pashë një copë fustani mbi krevatin e mamasë. Është për 25 vjetorin tim”. Nuk flisnim bashkë, po kur kishte interes dhe më gjente vetëm (sepse në sy të të tjerëve ishte ajo inisiatoria që duhet të më bojkotonin), nuk e kishte fare problem të fliste sikur kishim folur tërë jetën. – Shumë mirë që të ka pëlqyer, – ju përgjigja, si vërtet e natyrshme dëshira previzionale e saj, duke harruar unë vetë që një apo dy muaj përpara saj, kisha 30 vjetorin. Atë copë fustani trevirë dhe aspak të bukur për sytë e mi, Nexhmija ma dha mua.

603

Teutën e kapi histeria. Mua më vinte keq, e të nesërmen në mengjes i vajta në apartament. – Më vjen keq!- i thashë. – Këtë copë do ta jap ty, se ti e deshe shumë. Nuk e prisja që do ishte për mua! Ndërkaq Iliri nxirte kokën te dera që nga korridori dhe shikonte si njeri i ndaluar për t’u futur brenda. Dukej qartë që shpresonte të hynte nga prania ime. – Po Lilua ç’bën aty? – e pyes e habitur Teutën. – Që mbrëmë e kam lënë nga dhoma tjetër, të mos i afrohet as djalit. (Shante) – I kam thënë (tekstualisht- shën. im): – T’i hidhet në grykë të atit e të ëmës, që të më gjejnë fustan për ditëlindje! – Prit, fute njëherë Lilon brënda! Pastaj mos fol kështu! Ku e di ti që mamaja nuk e ka copën tënde? Përveçse e çuditur pyesja veten: “Po me Enverin çka xhanëm? Ku merret ai me këto gjëra?”. Teksa ajo ulërinte: Po ku ta ketë, s’ka as kohë për të porositur jashtë shtetit?! Qëlloi që shkova për “kurimin tim të privilegjuar” në Paris dhe i zgjodha në përputhje me kërkesat e saj një copë të trikotuar, realisht më të bukurën që ka pasur. Një rozë e qetë, me lule ngjyrangjyra paksa të vrara këto, që të dominonte sfondi i rozës nazike. U befasova që u kënaq, ndonëse copa ishte vërtet e bukur dhe e paguante shtrenjtë Nexhmija, ndërkaq që unë vetë nuk munda të kisha një gjë kaq të bukur. Por nuk harroja dot ku i shkonte mendja për presionin ndaj të shoqit, dhe çfarë vlerësimi kishte tashmë të shprehur hapur për prindërit e Ilirit. Pas vdekjes së babait, me Nexhmijen ishim ndarë qartazi dhe s’kishim ç’të prisnim nga ajo. Këtu dua të përmend një rast tejet sinjifikativ. 35 vjetori im e i Tolit s’duhet përmendur, se i binte në ’86, një vit pas vdekjes së E. Hoxhës, kur Nexhmija “sigurisht” që s’mund të kishte mendjen

604

tek ne, sikurse edhe për 40-vjetorin kur gjoja preokupohej me prognozën e viteve ‘89-‘90. Por asgjë nuk e pengoi që rreth vitit ’89, Iliri të festojë 40-vjetorin. Mbrëmja që u bë në shtëpi ishte tejet madhështore. Për të qenë objektive (mundohem shumë të jem) nuk jam e sigurtë ishin ftuar 100 apo 150 persona nga nomenklatura, miq ambasadorë e ushtarakë të lartë, Pranvera e Klemi si dhe të afërm të tjerë. Nuk ishim të ftuar vetëm Sokoli dhe unë, brenda në shtëpinë tonë. Të nesërmen, Nexhmija na tha ne të dyve: “ – Pse mirë kam unë, që vëllai i madh nuk thërret vëllain e vogël për 40- vjetorin?!”. Kjo “larje duarsh” ishte kaq e neveritshme në qëllimin e saj çnjerëzor, sa nuk meritonte përgjigjen e arsyes njerëzore që më shponte mendjen: “Jo, nuk është më e keqja nëse vëllai nuk ftoi vëllain. Por është shumë keq kur nëna nuk e mori me vete vëllanë e paftuar në çastin kur ajo uroi me gotën në dorë çdo të ftuar”. Kjo ishte një domosdoshmëri për imazhin e familjes së E. Hoxhës që vetëm nëna po të donte vërtet, mund të sfumonte së paku në dukje përçarjen brenda familjes e sidomos para 100 apo 150 hierarkëve që dominonin gjithë opinionin politik e publik. Praktikisht ishin “tanët” e saj e të pasardhësit të suksesorit, sipas Katovicës shqiptare. Le të kthehemi për çka kam dëshirë të flas. Për çfarë i kam dhuruar të padhurueshmit, Zeusit. Më duhet të them, që dhe në desha t’i dhuroja Nexhmijes, ajo ma hidhte në fytyrë me përçmim. Fillimisht, çoku më bënte ndonjë porosi për veten e saj, si një copë kostumi të trikotuar, që ia zgjodha të gjelbër çka çuditërisht e pëlqeu. E qepi dhe kështu ndërroi pak uniformën e saj të blusë, bezhës e grisë. Më pas më urrente kaq shumë, sa kënaqësia e saj

605

ishte të më bënte porosira, pra të harxhoja valutë për të, çka s’kishte rëndësi, veç të ma hidhte turinjve. Deri sa i thashë: “- Ju lutem, unë nuk jua njoh guston, nuk suksesoj me ju asnjëherë, ndaj mos më ngarkoni mua për asgjë!”. U tërbua jo vetëm që i ktheva fjalën, por sidomos për nëntekstin. Deri këtu jemi në nivelin e trilleve e meskiniteteve të secilit. Por ama, t’i bëje dhuratë Enverit, kjo nuk qe parë e dëgjuar ndonjëherë. Krejtësisht asket, me garderobë të përcaktuar mirë, ai nëse do ndërronte kostumin e këpucët, do të vishte tjetrin ekzaktësisht si i pari, e të tjerat si ato. Megjithatë e kam fjalën për dëshirë dhurate prej dashurisë. Dëshirën e mirë për të gëzuar dikë, nuk ka forcë në botë ta zhvleftësojë. Prej kësaj që thashë, vetvetiu Zeusin e shihja të zbritur nga Olimpi e krejtësisht të mundshëm për ta gëzuar me diçka fare të parëndësishme, por paksa ndryshe normalitetit të tij. Kështu i blej fillimisht një këmishë “Ingram” (kjo ishte marka e tij), por jo të bardhë si të gjitha, por një bezhë që shkonte fare pak pranë mentes së çelur. Ia dhashë fillimisht Nexhmijes. Ajo tërbohet nga guximi im: “- Ku vesh Enveri këmishë me ngjyra?!”. E mora këmishën dhe ia dhashë babait. Ai më përqafoi dhe befas i tha të shoqes: “- Ma bëj gati këmishën që më dha vajza, se do ta vesh!”. Duke parë Nexhmijen të transformuar në fytyrë largohem për t’i lënë vetëm. Më pas e shohim babanë me këmishën e re. Ai iu thoshte të gjithëve që kjo ishte dhuratë prej meje. Të tjerët heshtnin. Në një rast tjetër, kur vuante nga dora, për çka dhe u operua, i bleva një delfin të vogël me zinxhir që të mundësonte ta vije rreth kyçit të dorës dhe delfinin mund ta shtypje ngadalë pa ndjerë sforcim prej formave harmonike të tij. Realisht delfini ishte

606

një vepër arti që kur e shihje të jepte idenë e hedhjes tej në det. Një delfin elegant e dashamirës, për t’u vërtitur në dorë e për ta ushtruar sa më mirë atë. E. Hoxha e pëlqeu shumë si dhuratë, përveç vlerësimit të mendimit tim të posaçëm për të. Por duhet theksuar, se askush nuk i bënte dhurata E. Hoxhës. Me sebepin që gustua e tij ishte rreptësisht e paracaktuar me kostume, këpucë te posaçme, etj. Sepse për “lartësinë” e tij, çdo dhuratë do të ishte “banale”. Apo me qenë se ai ishte kaq metikuloz dhe i siguruar me të gjitha nevojat, të përfitojmë nga rasti që atij nuk i duhet asgjë?! Unë këto i dija, por pikërisht këtë tabu desha ta thyeja. Ndaj dhurata që mbetet historike (si e fiksuar në celuloid e botuar në media) është një triko – xhaketë sportive, me të cilën desha ta shihja babanë të shtunave e të dielave. Si më komode kjo, për të mos mbajtur përjetësisht xhaketat e kostumit deri sa të flinte në darkë. Kjo triko-xhaketë sportive shmangej pak edhe si ngjyrë gri në blu të çelët, një ngjyrë tejet e ëmbël që i shkonte shumë, siç duhet ta ketë parë shumëkush. Nexhmija, si gjithmonë vari buzët, por babai në të kundërt tha: “- Ma jep trikon që më solli Liliana, se sot do dalim për peshk me fëmijët në Volorekë”. Dhe e veshi. E veshi dhe i tha Sokolit: “- Më bëj një foto të bukur me trikon që më solli vajza!”. (Kjo foto ka mbizotëruar gazetat edhe sot). Kjo ka qenë në ’82-n kur erdha nga Kanadaja, nga ku sjell për të edhe një statujë që i përkiste artit naiv eskimez. Aq pa gojë mbeti Nexhmija, që unë tashmë kisha thyer disa herë tabutë me Enverin, sa befas më tha në sy të tij: “- Ta mbaj në dhomën time këtë statujën?”. E habitur nuk kuptova nëse desh të thosh në sy të babait që ti s’kujtohesh për mua, apo pikërisht në sy të tij të theksonte që edhe unë (ajo),

607

i pranoj dhuratat prej teje (meje). Ndonëse do t’i pëlqente ose jo, i kisha dhënë më përpara se t’i jepja trikon Enverit, një spilë fildishi, një zog në fluturim,të cilin e pranoi por nuk ia përmendi të shoqit. Le ta quajmë verë me fat, meqenëse s’pati fyerje nga ana e saj këtë radhë, në të kundërt sikur thoshte: “Më kushto dhe mua pak vëmendje para Enverit”. Nuk e di çfarë kish ndodhur, por të mos i kushtoje vëmendje, ai do të kuptonte qartë që Nexhmija do të më kish lënduar. E pra, s’thonë kot që dhuratat i do dhe mbreti, por mbretëresha ishte tejet e vështirë e intrigante e dhuratën përveç kësaj radhe, ma kish hedhur tej. Ndërsa mbreti vlerësonte çdo çast kohe e vëmendje që ti ishe marrë me të, cilado të ishte dhurata. Sa keq, që isha e vetmja që i dhuroja e suksesoja ndaj tij! Sado fëminore ato dhurata, ishin shumë të natyrshme. Pra, të mos i dhuroje asgjë Enverit, ishte ruajtja e tabusë. Po të qëndroje si skifter mbi dhuratën që të bënte vetë Enveri, çfarë ishte?! S’po i vëmë emër, por po tregoj ngjarjen. Ishte në vitin 1977 një moment shumë i rëndësishëm për mua, në prag të fillimit të punës te revista “Shkenca dhe Jeta”. Në prani të Nexhmijes po rrija me babanë, që më fliste për sa do rritesha si domosdoshmëri për punën, pale për veten etj. Në muhabet e sipër më thotë: “- Shko lart në bibliotekën e madhe, (që lidhte shtëpinë e vjetër me të renë, në tri faqe të gjera muri, ishin vendosur biblioteka të larta gati deri në tavan), në faqen ballore, në raftin e parë të bibliotekës janë dy libra enciklopedikë të famshëm të biologjisë. Janë të parët në radhë. Merri të dy dhe vuri në bibliotekën tënde”. Enciklopeditë ishin të mrekullueshme, një pasuri më vete. Pas dy ditësh (pas darke, nuk

608

e di pse Toli nuk ndodhej në Tiranë), erdhi Iliri e më tha: “- Babai të dha 2 enciklopedi. Njëra më përket mua!”. E turpëruar për çka po më kërkonte pa i bërë syri tërr, s’pata absolutisht instiktin të mbroj “pronën” time. Në çast e marr njërin pa e parë fare se cili volum ishte, ia jap e heshtur, veç të më zhdukej e turpin ta merrte me vete. Këtë histori babai nuk e mori vesh kurrë, si shumë të tjera. A gjendej burrë nëne të lëndonte E. Hoxhën për ç’fëmijë e grua kishte?!

609