E verteta te ben te Lire

Vendimi për asgjesimin e armëve kimike siriane në Shqipëri do të bëhet i ditur të premten, – ka deklaruar Paul Walker, drejtor i programit “Green Cross International” për “Al Jazeera”. Duke vënë në dukje se vetë qeveria shqiptare është treguar e gatshme ndaj kërkesës së SHBA-së dhe Rusisë për të gjetur vende të sigurta për shkatërrimin e mijëra ton armësh kimike.
Shtetet kandidate kanë qenë Finlanda, Norvegjia, Franca, Belgjika dhe Shqipëria. Të gjitha nuk kanë pranuar, përveç Shqipërisë. Europa çuditet që Shqipëria është e gatshme të vetësakrifikohet.
Vendet fqinje, filluar nga Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Italia ndjehen të kërcënuara dhe kanë reaguar kundër këtij invadimi shkatërrues ekologjik e human në shtypin e tyre. Ka zëra “specialistësh” shqiptarë, që argumentojnë se Shqipëria ndodhet “në anë të xhadesë”. Por më afër akoma “xhadesë” është Greqia, me xhepa të shpuar, që me këtë rast së paku mund

177

të vinte xhepa të reja. Por s’është çështje gjeografie, por çështje ekstremisht e papranueshme korrupsioni qeveritar në kurriz të shkatërrimit ekologjik të vendndodhjes e të jetës së gjithë shqiptarëve. Kësaj i thonë që Shqipëria të dalë vullnetare. Ndonëse duhet të presim deri të premten, SHBA-të janë shprehur në mënyrë parapritëse: “Për armët kimike s’ka vendim”. Më preciz duket qëndrimi europian, ndoshta si në dukje më larg vatrës së shpërthimit të valës helmuese: “Armët kimike, çështje e vështirë, jo lodra”.
Deri dje, kryeparlamentari Meta me qëndrim real apo virtual ka pranuar që s’mund të na imponohet diçka e pamundur. Por duket qartë që demontimi i armëve kimike në Shqipëri është lodër për kryeministrin, i cili të mërkurën tha se: “Po-ja jonë do të jetë për kushte steriliteti laboratorik, kaq të sigurta, sa Shqipëria pas demontimit të tyre do të dalë më e pastër”.
Monstruoze, e pandodhur kurrë, në cilëndo epokë historike të njerëzimit, kjo deklaratë vullnetarizmi zyrtar ndaj proceseve të shkatërrimit në masë, si ky për të cilin flasim, me shtrirje sipërfaqen tërëtokësore e me kohë të së ardhmes të pamatshme dot. Mutacionet e vdekshmëria prej vitit ‘86 kur ndodhi Çernobili, janë shtuar në mënyrë marramëndëse në proces zinxhir me rreze gjithë hemisferën, me qendër ish-Bashkimin Sovjetik e vazhdojnë deri sot. Por Çernobili ndodhi, për të gjitha ato arsye që e bënë të ndodhë, për të gjitha të zezat e mosmirëmbajtjes tekniko-profesionale të reaktorit bërthamor. Sidoqoftë, këtë kërkush nuk e deshte, kërkush nuk e prodhoi me vetëdijë. Për paralele, ndonëse s’ka të krahasuar, ishte Gërdeci ynë. Pra, plasi plaga e maisur, aty ku ajo ndodhej, sado me shtrirje

178

dhe rrezikshmëri përkatëse. Ishte pikërisht kjo arsye që qeveria Berisha duhej të largohej. Njerëzit e zonës u ngritën në këmbë, LSI-ja po ashtu, por nuk u ngrit Rama, në atë kohë opozitar. Kuptohet për bashkëfajësi gjë që e kam shprehur shumë herë, çka ka vërtetuar njëkohësisht korrupsionin e thellë të tij.
Sot, qeveria Rama del vullnetare për të importuar “Çernobilin” e armëve kimike, që ndryshojnë vetëm nga lloji i lëndëve shfarosëse në masë. Ndaj, për herë të parë shohim rezistencën masive popullore jo për politikë, jo për militantizëm, por për jetën, shëndetin e tij e të ardhmëve të tij. Çdo njeri, duhet të jetë koshient për rrezikun që i kanoset vetes dhe Shqipërisë.
Bashkohem në rradhë me ta, duke thirrur fort: Nuk pranohet asnjë lloj “PO”-je, në cilatdo kushte demagogjie që kërkon të na mashtrojë kryeministri Rama. Edhe pse Rama premton një “PO” “kaq të pastër”, nuk mund t’i lëmë kohë për ta vërtetuar, sepse është rrezik i pallogaritshëm për sot e përgjithmonë. Është katastrofë humane me kohëzgjatje e sipërfaqe të pamatshme për gjithë rajonin.

Gazeta Shqiptare
15 nëntor 2013

179