E verteta te ben te Lire

Gjatë jetesës pranë E. Hoxhës kam pasur mrekullisht gjëra të bukura për t’u shënuar. Nganjëherë dhe të pakuptushme apo si habitshme, që formulonte vetë ai me kulturën e tij lokale si gjirokastrit. Gjithmonë i natyrshëm, veç banal nuk ishte. Kështu, një ditë, përmendi shqeto me lirshmërinë më të madhe fjalën “brekë”. Nuk di ç’fytyrë kam bërë nga një e papritur e tillë e E. Hoxhës. Nexhmija si fajkua për gjithçka më vuri re dhe tha: “- Enveri “brekë” iu thotë edhe pantallonave të shkurtra, që njeriu i mban për komoditet në shtëpi”. Si brez i ri që isha, kuptova që bëhej fjalë për shortet. Besoj nga vitet ‘80 filloi të shkonte një delegacion nga KQ i Rinisë në takimet ndërkombëtare antifashiste, që organizohej çdo vit në vende të ndryshme të globit. Funksioni i delegacionit ishte politik e kulturor. Mua më qëlloi ky shans në korrik të ’82-t për në Kanada, me të cilën nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Mund

366

të thuash me plot gojën që askush nuk kishte shkelur aty, konsideruar pothuajse Amerikë, po ku mungonin misionet shqiptare pranë OKB-së. Ishim të lumturuar të pestë të përzgjedhurit e delegacionit. Realisht përbënim një grup shumë të mirë e të lidhur me njëritjetrin, me një mendje, përveç orientimeve të posaçme. Kryetari i delegacionit ishte sekretari i KQ-së të Rinisë K.D. Gjithmonë i respektuar për mua për karakterin e tij konstant dje dhe sot. Djalë shumë i përgatitur, sot një nga publicistët që cilësisht ka luftuar për Kosovën e Maqedoninë. Tjetri ishte Q. M., përkthyes i anglishtes, A.M., kompozitor, me fizarmonikën me vete, dhe e dashura Nazmie Kasmi, punëtore në ish-Kombinatin e tekstilit “Stalin”, këngëtare amatore e grupit artistik të atij kolektivi shumë të gjerë. Kurse unë në atë kohë isha kryeredaktore e revistës “Shkenca dhe Jeta”. Unë flisja frëngjisht dhe mund të kisha përfituar shumë se kampingu ishte organizuar në pyjet me liqene të panumërt të Quebecut me qendër Montrealin, ku natyrisht gjuha zyrtare ishte fërngjishtja. Por në shtëpi m’u dhanë dy porosi të dallueshme si nata me ditën nga lideri shqiptar dhe nga e shoqja e tij. E.Hoxha më mori për qafe e duke ecur në park me tha: “ Do kesh kujdes të mos jesh dogmatike, siç flitet këtu nëpër mbledhje. E para: do të jesh vetja jote, e dyta: fol siç mendon. Pasqyrimi më i mirë i profilit të shqiptarit është autenticiteti i tij i brendshëm. Këtë thuaju dhe shokëve, të jenë vetja e tyre! Është një aktivitet me gamë shumë të gjerë. Ndaj s’keni pse të ndrydheni. Përfaqësimi i tematikës së këtij aktiviteti është vetë prania juaj”. U mrekullova, ndonëse nuk ishte hera e parë që më

367

thoshte të isha vetja ime. Ndërsa Nexhmija gjeti një moment të posaçëm, që vetë momenti donte të thoshte shumë, kur ajo duhet të ishte medoemos pranë Enverit, e më thotë: “- Enveri më tha që nuk do të flasësh frëngjisht në kamp, komuniko doemos me përkthyesin!”. Unë nuk e besova që këto i kishte thënë Enveri, sepse kisha shumë raste të tilla kur ajo e përdorte për të më urdhëruar diçka që asaj i leverdiste, për arsyet që ajo i dinte. Por, si gjithmonë, përjetova faktin madhor që babai stimulonte individualitetet, kurse “mamaja” gjithmonë më minimizonte arritjet, e më pengonte të ecja përpara. Sidoqoftë, në kamp e përdora shumë pak frëngjishten, sepse ashtu e ndjeva, për të mos dalë mbi vlerat e përgjithshme të delegacionit. Kur u kthyem në Shqipëri informacioni që më përcolli R. Alia nga Kryetari i Partisë Komuniste kanadeze Hardial Bains ishte: “Liliana ishte e shkëlqyer”. U befasova që po vlerësohesha si kurrë ndonjëherë nga “tanët”, për çka kuptova që prapa N.Hoxhës, kishte dhe dëshira njerëzore vlerësimi. Madje, instruktori i këtij sektori D.D, pas ’90-s ambasador në vende të ndryshme, më tha me servilizëm: – Çfarë ke bërë në Kanada që ke shkëlqyer kaq shumë? Xhelozia dukej qartë ndaj iu përgjigja: – Nuk e dija që shkëlqen ndokush në ndonjë delegacion zyrtar, kundrejt faktit që ka shkëlqyer vetë delegacioni. Natyrisht që Nexhmijes ia kanë thënë, e cila nuk mund t’ia ketë përcjellë Enverit, çka ishte njëlloj për mua për besimin që ai kishte tek unë. Të jetuarit të bashkuar në grup filloi bashkë me udhëtimin. Ndaluam për një natë e një ditë në Athinë, ku më ftoi për darkë

368

ambasadori përkatës. Shokët do të hanin konserva sardelesh ose sallam. Nuk e pranova ftesën, pse doja të rrija me ta e do të haja me shumë lezet çka do të më jepnin. Ambasadori u detyrua të na ftojë të tërëve. Nazmien, apo Nazin kështu e thërrisja, e mbaja pranë e nuk e lashë asnjë sekondë vetëm. Ishte shumë e bukur, shumë e re, gazmore, por dhe naive dhe ndjenja e nevojës për ta ruajtur, përveçse ajo s’më ndahej dot, ishte çka na lidhi shumë të dyjave. Prania e saj me mua shihej që nga ambasadorja etj., si ulje niveli, teksa ajo më ftonte vetëm mua për turizëm në Athinë. Bëja veshin shurdh e me dorën në qafë me Nazin shkonim kudo bashkë. Kur arritëm në Kanada na vendosën siç thashë në pyjet e Quebecut, në një banesë të madhe druri që t’ia merrje vrapit brenda saj, sidomos te kapanoni im dhe i Nazit, ndarë nga ai i djemve veçse me një hapësirë sa një derë mbuluar me perde. E prirur për shakara antikonvencionale, më vonë, në Tiranë, në prani të Q.M., me të cilin na bashkonte KQ i Rinisë iu thoshja të tjerëve: – Ne të dy kemi fjetur bashkë. Q.M., i vënë në siklet përgjigjej: – Çfarë thua kështu o Lili?! – Pse turpërohesh, -i përgjigjesha, – a nuk ishim nën një strehë e na ndante vetëm një perde? Pra çfarë kupton ti teksa unë them realitetin? Kishte shumë ngjarje të vogla të paharrueshme edhe personale për t’u përmendur. Mund të veçoj që një mëngjes herët më zgjon nga gjumi një shok shumë i dashur kanadez e më thotë që më kërkonin në telefon. E habitur se si mund të kërkohesha në mes një pylli në Quebec ngrihem me nxitim duke veshur “robe de chambre”-in e shkoj me vrap të kap telefonin. Ishte Toli nga Tirana. Gëzimi prej mallit, prej befasisë,

369

konsideruar nga unë si pamundësi, ishte gati delirant gjatë gjithë ditës. Duhet të vë në dukje për çka do të na duhet në një tregim tjetër, se unë njihesha në kamp si Liliana Sotiri, me mbiemrin e vajzërisë, për arsye sigurimi. Besoj se kështu më njihnin në atë kohë edhe Hardial Bains me Paulinën si dhe gjithë të huajt pjesëmarës në kamp. Kështu më vlerësuan ata dhe kjo ishte një kënaqësi e madhe autenticiteti për mua, si shumë aktive sidomos në mbledhjet e ashtuquajtura politike. Paulina, gruaja e Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste Kanadeze, sulmonte delegacionin gjermano-perëndimor duke i konsideruar liberale që kundërshtonin rregullat e kampit dhe insistonin që në menu të futej birra. Duhet theksuar që Paulina na merrte tepër në konsideratë si delegacion shqiptar (edhe pse sot tingëllon e pabesueshme) se krahas parullave antifashiste, kundër antisemitizmit, në mbrojtje të të burgosurve politikë asokohe në Turqi, apo antiregjimeve diktatoriale në Afrikë etj., do të dominonte doemos parulla “Long live the camarade Enver Hoxha!”. Kjo ndoshta tejkalonte platformën politike thjesht antifashiste të grupimit ndërkombëtar, por ishte një fakt i pamohueshëm që përqafohej nga të gjithë. Ndaj, Paulina delegacionin tonë donte ta përdorte për interesa të saj në lidhje me problemet partiake me sa u kuptua me Partinë Komuniste Gjermano-Perëndimore. Në nuk ramë në kurthin e saj dhe argumentat ishin tejet bindëse: se kampi nuk ishte repart ushtarak, se kampi nuk ishte as mbledhje e partive komuniste me disiplinë të hekurt etj., etj. Ndaj, secili mund të shprehet pa shkelur platformën politike që na kish bashkuar. Mbledhja e fundit zgjati deri në orën 2 pas

370

mesnate me Paulinën turivarur, sepse ishte realisht delegacioni shqiptar që përcaktoi drejtimin dhe konkluzionet e kampingut. Ndërkaq, kushtet e parainformimit që në Shqipëri kishin përcaktuar dietë për secilin nga ana e palës kanadeze. E papërfillshme ndoshta, se nuk na u tha konkretisht, por e domosdoshme për anëtarët e delegacionit që ëndërronin për pak “valutë” (kështu quhej në atë kohë monedha perëndimore apo saktësisht dollari). Shokët më rrinin në kokë për këtë, se Paulina, “mbretëresha” apo urdhëruesja e kampit ishte shumë e lidhur me mua, se në marrëdhënie utilitare komunikonim në frëngjisht. Ndaj dhe i rrija në kokë asaj për të drejtën tonë të mohuar. Si bisnezmene e tejkaluar pranoi më së fundi gjoja për princip: që s’kishte ç’na duhej në kamp dollari në likid, ku nuk mungonte asgjë, ndaj do t’i konvertonte dietat në dhurata për ne. Një mëngjes të bukur më merr me vete dhe dalim në qendrën tregtare më të afërt të atyre viseve: – Çfarë do t’u blesh? – tha ajo teksa për vete kërkonte një palë pantofla tejet të mëdha për të shoqin me origjinë indiane, burrë shumë i gjatë e i bëshëm. Shihja rrotull e nuk vendosja dot prej përgjegjësisë që nuk mund t’i dija nevojat specifike të secilit, ndërkaq Paulina më kish vënë limit për dhurata simbolike. Po të kthehemi pak mbrapsh, e vuaja shumë prezantimin e delegacionit shqiptar në të gjitha aktivitetet sportive që ishin të përditshme. Të gjithë të huajt luanin futboll me shorte, d.m.th. me veshje sportive që nuk ishin luks apo vanitet por domosdoshmëri. Shokët e mi luanin futboll me kanatjere Berati e pantallona terital që i mbanin tërë kohës. Më dhimbte në shpirt

371

për ta që dalloheshin si dele e zezë, si injorantë, përveçse të varfër, në atë atmosferë perfekte solidariteti ndërkombëtar. Ndaj, vendosa të blija shorte për secilin. Jua zgjodha me përafrimin masor të mundshëm dhe me ngjyra të ndryshme. Kaq më mundësoi Paulina teksa për vete s’pranova gjë, që t’i merrja Nazit një kapele. U kthyem në kamp, shokët më prisnin me padurim. Kur nxora dhuratat e Paulinës zgjedhur nga unë, ata shtangën. Me panë kaq të habitur, kaq të deziluzionuar e me hidhërim të heshtur! Ishte e qartë që iu kisha çuar dëm çka ata meritonin, por që as vetë nuk e dinin çfarë, për mundësitë që dha Paulina. Por, e sigurtë ishte që “brekë” kurrsesi nuk donin. U mundova t’i bind se duhet të prezantohen me dinjitet, se po të ishte se do të paguaja nga xhepi im, po atë domosdoshmeri zgjidhjeje do të bëja etj., etj. Me sa dukej isha unë që nuk kuptoja ende. Ata nuk i veshën “brekët” asnjëherë, e vazhduan të luajnë në mes të korrikut me veshje civile. Duhej kjo ngjarje për të kuptuar që shokët e mi kishin frikë të dilnin nga korniza e detyruar natë e ditë, në Shqipëri, Kanada, në Hënë apo Mars. Kjo gjë më uli kokën para tyre nga ndjenja e fajit, pa e ditur edhe sot se si do ia dilja asaj situate po të kisha mundësi. Më uli kokën mosguximi i tyre për të dalë nga korniza, duke qenë krejtësisht e sigurtë që nuk mund të ishte e kritikueshme nga shefat në Tiranë. Me sa duket, ata nuk e kishin këtë siguri. Ndjeva fort, sado indirekt represionin. Ishte ai çast që vendosi për mua për të mos qenë aq krenare si pjesëmarëse e delegacionit shqiptar.

372