E verteta te ben te Lire

Unë kam bërë dy betime të thella në jetë. Ato janë shpjegimi i gjithçkaje që kam zbatuar. Nuk e kam fjalën për betimin protokollar kur mora teserën e komunistit, ndonëse edhe këtij betimi i qëndrova deri në fund. Unë isha komuniste siç duhej të ishe në atë kohë, siç predikonte doktrina. Nuk e dija që “tanët” e Nexhmijes me kupolën maskoheshin si komunistë të ndershëm, por ishin të deformuar krejtësisht për pushtetin e tyre apo të të huajve. Këtij betimi i qëndrova, jo për të mbrojtur PPSH-në e dekompozuar, por për të demaskuar autorët e këtij kalbëzimi, si të inkriminuarit agjenturorë të Sigurimit të Shtetit që përfshinin gjithë superstrukturën deri në infrastrukturë. Edhe si kristiane, nënzëshëm apo me nënkoshiencë unë natyrshëm isha po aq e përbetuar, sepse “i dieci comandamenti” për mua ishin transmetuar djallëzisht në “dhjetë karakteristikat” e komunistit të thjeshtë, që s’kishin të bënin fare jo vetëm me pushtetin, por as me regjimin politik. Kishin të bënin vetëm me diktatin, që

624

nëpërmjet detyrimit moral të mbanin nën kontroll individin, madje për rrjedhojë me autocensurë të tij, këtë shoqëri tejet autoritariste si dikur Kanuni i Lek Dukagjinit deri me fishekun në pajë. Kështu, doktrina prodhoi me dhunë e dogmë profilin e “njeriut të ri”. Pra, ishte marrë nga feja pikërisht “opiumi” i saj, ndërsa doktrina komuniste deklamonte se feja është opium për popullin, pikërisht për të mohuar besimin tek ajo. I normuar nga Bibla, morali shoqëror nuk mund të kishte kualitete më të larta. Ndaj, doktrina komuniste s’mund të kishte model më të mirë për të diktuar edukimin e klonit: “njeriu i ri”. Ortodoksia i vinte për shtat sistemit komunist, edhe pse myslimanizmi ishte më tolerant për popullsinë tonë në shumicë myslimane. Gjithsesi, këto cilësi më rridhnin në vena, ndërkaq që kupola (kur e si e njoha unë), nuk përmbante jo më moralin e njeriut të ri që ajo predikonte, por as moralin e njeriut të thjeshtë që ishte udhëhequr lashtësisht prej besimit fetar. Më kujtohet që në rrethana të tilla i shtrova pyetjen Nexhmije Hoxhës: “- Unë jam “njeriu i ri”, siç ju më keni formatizuar. Pra, jam ekzaktësisht ajo që ju donit të isha. Si shpjegohet që Enver Hoxha me vlerëson pikërisht për vlerat e mia, kurse ju më shihni gjithmonë e më shumë me sy të keq?! Atëherë në raport me njerëzit e thjeshtë, ju shtroj pyetjen se personalisht ju kush jeni?”. E lashë të çmeritur me këtë pyetje retorike, ngaqë i vura në dyshim personalitetin e saj të vërtetë nën maskë, paçka se dhe maska vetë ishte shumë e hidhur si e shumëfishtë. Lidhja e jetës, dashuria me Tolin, nuk më kompleksonte kundrejt “autoritetit” të tyre, për më tepër unë isha “njeriu i ri”, siç unë besoja që isha, siç unë desha vetë të isha sipas vizionit tim. Doemos, shumë e

625

emancipuar dhe konceptin e barazisë e kisha në gjak. Kësisoj, nuk ndjeja që duhej t’i detyrohesha për asgjë familjes së tim shoqi, veç dashurisë që derdhja pafund prej natyrës time, e sidomos për devocionin ndaj Enver Hoxhës. Ideali im kristiano-komunist më jepte identitetin e njerëzve më të ndershëm që synonin barazi e harmoni në shoqërinë shqiptare. Nuk e kisha imagjinuar që do të më duhej mua vetë të përfaqësoja thelbin e idealit të përgjithshëm brenda kupolës. Çka e kam kryer automatikisht në mënyrë natyrale. Absolutisht nuk kisha ambicien për t’u matur me ta për idealin, i cili duhet të ishte një për të gjithë. Por intimidohesha për vlerat, virtytet si individ, si njeri i thjeshtë, për ta arritur meritën e “nuses së denjë” të djalit të Enverit. Sipas meje, do të më duhej shumë punë nga ana kualitative për të arritur nivelin e tyre siç e përfytyroja unë. Qoftë edhe në planin etik, duke filluar se çfarë do të vishja (filluar nga 1967-a) kur të shkoja për herë të parë në shtëpinë e tyre. Po herën e dytë, të tretën…? Kisha vetëm dy triko me lesh vendi të ngjyrosur, të thurura nga ime më, që më shponin për qamet. Po ashtu, për protokollin e të ngrënit me pjatat e gotat vendosur sipas rradhës e funksionit. Shkurt mendoja se unë isha një vajzë 16-vjeçare e “paditur”, ndodhur befas në mes të të ashtuquajturës shoqëri e lartë, formatin konceptual të së cilës e injoroja nga letërsia, por dhe nga ndjenja e revolucionares që kisha në shpirt. Përveçse, konkretisht njihja fëmijët e Bllokut, që në raport me Sokolin, pse jo dhe të gjithë gjimnazistëve të tjerë, s’kishin asnjë përmbajtje personale. Nuk e kisha marrë me mend se ndjenja e revolucionares do të mishërohej pikërisht kundër kupolës. Këto ishin meraqet e mia,

626

thjesht çështje krenarie popullore për gjithçka përfaqësoja, filluar nga familja ime dhe për të gjithë shqiptarët. Nëpërmjet këtyre preokupimeve për krenarinë e identitetit tim popullor, kreva me koshiencë betimin, që në raport me ta unë do të mbetesha dhimbsurisht vajzë e tyre, vajzë populli. Edhe nëse brenda tij do të mbeteshim përgjithmonë poshtë. Edhe nëse do të mbeteshim thjesht emërues, jo numërues. Këta të fundit ishin pak, por me potencial absolut pushteti. Pra, s’doja të harroja identitetin moral e klasor në çfarëdo statusi social që kisha arritur rastësisht, pa e kërkuar. Por, për edukatën time popullore dhe atë partiake nuk ishte paradoks që po kaq i dashur me popullin, po kaq popullor apo që i përkiste njëlloj si unë popullit shqiptar, të ishte E. Hoxha. Por, paradoksi qëndronte që E. Hoxha ishte i vetmi i tillë nga e gjithë kupola shtetërore e partiake e kohës. Ndërkaq që familja e tij jo vetëm më injoronte por ushtronte domosdoshmërisht e sistematikisht arrogancë të dhunshme e pasive për të më shkelur në dinjitet. Pra, ndonëse teorikisht i desha si pjesë e Enver Hoxhës, pra idealisht i desha, praktikisht ishte e pamundur, se qenë ata që më tregonin në çdo moment që nuk kam qenë kurrë e mirëpritur prej tyre. Përsa i përket betimit martesor midis çiftit, s’kishte të bënte absolutisht me familjen e tij, që gjithsesi edhe këtë sërish e kam përmbushur. Sot, halldupët kryesocialistë, “nipërit” e kupolës së Nexhmije Hoxhës pretendojnë se çfarëdo e keqe të më kish ndodhur prej saj, duhet të isha mirënjohëse për këtë grua të moshuar e familjen e saj, vetëm e vetëm se janë të E. Hoxhës. Ndërkaq të E. Hoxhës jemi dhe unë e Sokoli, por nga që s’jemi të N. Hoxhës quhemi tradhëtarë e censurohemi nga media e majtë.

627

Kryemedia socialiste, me përfaqësues Koço Kokëdhimën, më “lejoi” të shkruaj në gazetën e tij me kusht “të mos shaj” asnjë nga familjarët e këtij “burri” të madh të quajtur Enver Hoxha. Se sa “burrë” i madh ishte ky në vitet ’90 për Koço Kokëdhimën, Edi Ramën, Ben Blushin etj., le ta lëmë pa u ndalur, (teksa e kam shtjelluar gjerë e gjatë e në thellësi te libri “Pushtimi i brendshëm”), ndërsa ndalimi që më bën media e Ramës, është pikërisht se këta janë të Nexhmijes (d.m.th. të UDB-së) e jo të Enverit. Përveçse në shekullin e 21-të media e majtë dikton që në analizat rreth historisë dhe E. Hoxhës të anashkalohet roli i së shoqes për këtë “burrë” kaq të madh, të anashkalohet roli i fëmijëve (që sot merren me politikë në aleancë me Ramën) gjatë jetës e post jetës të atit të tyre kaq të madh. Ndërkohë që E. Hoxha ishte vetëm biologjikisht më afër tyre se popullit. Ndërsa për kohën është ende subjekti madhor për mirë apo për keq i historisë së paku për 40 vjet, të cilën pikërisht këta tentojnë pa pushim ta deformojnë duke diktuar këndvështrimet tendencioze evazive, kundrejt këndvështrimit absolut shkencor të analizës. Ky mbetet qëndrimi im i pakushtëzuar, kur duke dëshmuar për veten (pranë E.Hoxhës), jam njëherësh “populli” që dëshmoj për të vërtetën e përgjithshme doemos me në qendër E. Hoxhën. Edi Rama dhe mediat e tij private, duke manipuluar arsyetimin e elektoratit pro Nexhmije Hoxhës, gjoja në emër të Enver Hoxhës, ngrenë një tjetër kult të ri, kultin e familjes së Enverit, që ju duhet sot më tepër se kurrë si ombrellë e sektit të interesave të pushtetit vendas e sidomos atyre të huaj, qofshin opozitë sot apo maxhorancë nesër. E nesërmja erdhi dhe Rama është kryeministër.

628

Bojkoti im mediatik është absolut. (Në një intervistë në UTV demaskova kryeministrin Edi Rama si i komanduari i Nexhmijes. Asnjë jehonë në media. Nuk guxuan as ato të djathtat). Pas këtij shpjegimi, pretendimi që duke kritikuar familjen shan dhe Enverin, është turpi i atyre që kullosin në të njëjtin lëm me Nexhmijen. Le të ndalemi tek urdhri i dhënë ndaj militantëve të tyre: Për asnjë arësye në botë unë s’duhet të isha ngritur publikisht, por duhej përjetësisht t’iu isha mirënjohëse atyre e Nexhmijes! Pse? Me çfarë logjike? Unë nuk i zgjodha ata e sidomos ata nuk më zgjodhën mua, por më luftuan deri në fund. Kundrejt fjalës së lashtë popullore që me kohë degjeneron në mentalitet: “ku hahet buka, nuk përmbyset kupa”, – unë nuk gjeta familje që kolegjialisht e me sakrifica të çonim përpara mbrothësinë e saj sipas konceptit shqiptar, pra të punonim bashkarisht “për bukën e gojës”, jo më të kem ngrënë bukën e tyre. Familjet e Byrosë Politike i mbante kryesisht shteti. Kjo përbënte esencën e privilegjeve shumë të përfoluara. Por, familja e E. Hoxhës ishte e përçarë për interesa nën e post pushtetit të E. Hoxhës nga vetë N. Hoxha. Ndaj, aty ku s’ka pasur familje, atje ku bukën s’ma ka dhënë me bujarinë e saj Nexhmija, çfarë “kupe” kam përmbysur unë?! Atëherë kam përmbysur “kupën” e shtetit, gjë që si autoakuzë për privilegjet më sensibilizon më shumë ndaj popullit, aspak ndaj familjes që abuzonte me to. Autokritike siç jam, nuk mund t’ia di për nder, përkundrazi e akuzoj N. Hoxhën për teprimin e privilegjeve filluar nga vetja ime, madje të programuara si të tilla vetëm në dukje. Në fakt ishin alibi në mbulesë të qëllimit, për të më shpërbërë shëndetin me mjekim vrastar nëpërmjet numrit më të madh të vajtjeve në Paris

629

krahasuar me të tjerët, që shkonin ta zëmë për kozmetikë apo për damarët e këmbës. Betimi im, në dukje i dytë, ndërkaq nuk ishte betim, por vetë përmbajtja e ekzistencës time ka të bëjë me dashurinë për atdheun, për popullin. Fakti që i përkisja Enver Hoxhës si përfaqësim popullor, – solli faktin madhor që t’iu përkisja njëherësh të dy subjekteve me rëndësi absolute: popullit dhe atij, që në mendësinë time përbënin të njëjtin qëllim: Shqipërinë. Për sakrifica unë isha e lindur, por kur shkova pranë Enver Hoxhës, e njohta nga afër atë, kuptova që s’ishte vetëm lider zyrtar por lider shpirtëror i popullit tim. Pikërisht atëherë tek unë lindi ndjenja e heroizmit. Përpara njohjes me Tolin, i besoja E. Hoxhës teorikisht, më pas praktikisht, kur fillova ta njoh mirë nëpërmjet barazisë që të ofronte, gjë që unë e përmbaja jo vetëm si mënyrë të qeni, por të induktuar edhe më shumë prej mësimeve të tij në popull që sot konsiderohen dogma. Tashmë po e prekja vetë këtë barazi së respektuari maksimalisht reciprokisht, (se i tillë ishte E. Hoxha për këdo njeri të ndershëm që s’kish frikë nga vetja për ta njohur nga afër atë). Doemos që unë do ta vlerësoja E. Hoxhën, teksa habitesha përse ai kishte aq besim e kuptueshmëri ndaj meje, pikërisht në kohën kur gruaja e tij e fëmijët e tjerë më urrenin deri në dëshirë për asgjësim. Megjithatë, unë ëndërroja për vepra të mëdha ndaj tij. Filluar nga më e thjeshta, t’i mohoj vetes ekzistencën personale, për të qenë veçse nuse e denjë e djalit, njëherësh para tij e para popullit shqiptar. Madje, ëndërroja të rrezikoja veten për ta mbrojtur, nga atentatet që gjithmonë ofroheshin si rrezik teorik prej atyre që e izoluan, mundësisht me trupin tim, që ai të mbetej

630

për Shqipërinë. (Fëmijët e mi do të kishin të atin dhe gjyshen, sepse ende nuk kisha kuptuar që N. Hoxha ishte krejtësisht kundër E. Hoxhës). E kisha mirë apo keq, isha e ndershme me veten siç jam gjithmonë e tash që flas. Ky përbetim ishte në përmbushje e sipër, por pa sukses sa E. Hoxha ishte gjallë. U përmbush pas vdekjes së tij e deri më sot, me aq sa kisha fuqi mendjeje e fizike. Por siç e kisha ndjerë që vajzë e re 16vjeçare (pra s’kam ç’të gaboj më në lidhje me veten), të mbroje Enver Hoxhën ishte të mbroje çështjen kombëtare. Ndoshta duket gabim sot kur secili është i lirë të mendojë e të shprehet si të dojë, por thashë në lidhje me ndërgjegjen time, problemin e kam parë në mënyrë konstante e të shkëputur nga regjimi komunist i kalbur jo vetëm si doktrinë në rënie, por prej veprimtarisë agjenturore brenda vendit, ku nga kupola e vjetër dhe e sotme veçoj për ndershmëri vetëm Enver Hoxhën. Gjithsesi duke dënuar regjimin, s’mund të dënoj krejtësisht Enver Hoxhën, për çka solli epoka e tij, për si e njoh, për rrethanat që unë e njoh, për humanizmin e tij si person në raportet me të tjerët ku unë kam asistuar. Sërish sot, kur fëmijët mi kanë dalë në jetë e mund të bëjnë pa mua, edhe duke qenë kundër komunizmit, do ta mbroja E.Hoxhën me trupin tim. Pra përbetim i përmbushur?! Kjo, në pamje të parë, se përpjekja e pashoqe nga ana ime në ruajtje të tij për interes kombëtar ishte pa rendiment për kërkënd. Nuk solli asnjë të mirë as për të as për popullin. Pengu im i përjetshëm do të mbetet se pse nuk pata qartësinë që duhej folur me doemos me Enver Hoxhën, për çka më preokuponte, edhe se mund të ishte pak çka njihja unë në lidhje me realitetin. Pse

631

nuk pata qartësinë që pengesat e Nexhmijes ishin rreziku më i madh për të e për shqiptarët”?! Askush nuk e di se çfarë do të sillte kjo për Shqipërinë. Por fakti që ai iku pa njohur realitetin sidomos të viteve të fundit deri në ’82-n e më pas kur çështja Shtraus po bllokohej, mbetet fakt. E më tej, deri sa mbeti në karrigen me rrota, situatë që duhet t’i këtë dhënë patjetër mundësinë të kuptojë se me kë kishte jetuar e punuar. Kur s’iu ndodh asnjë shok pranë, asnjë mjek pranë nga gjithë ajo kompani “e mobilizuar” për të, sidomos kur s’iu ndodh as gruaja pranë. Krejtësisht i pamundur, krejtësisht i abandonuar do t’i duhej të ndihmonte veten gjatë krizës vdekjeprurëse, deri sa e gjetën në shesh kushedi sa vonë!

632