E verteta te ben te Lire

Ngjarjet ishin të vrullshme në mënyrë maramendëse. Kataklizma prej zhvendosjes së tokës nën këmbë, në kuptimin fizik të çështjes, jo vetëm në atë psiqik, për ne si familje e E.Hoxhës duhej të kishte përmbajtje për jetë a vdekje e që duhej zgjidhur urgjentisht, menjëherë pas rënies së bustit.

Bustin e hodhi KQ i PPSH-së, duke pasur alibinë që ishte në mbledhje si kurrë ndonjëherë në kohë dreke, pikërisht kur rrëzohej busti i zhvidhosur zyrtarisht natën, sepse turma e nxitur doemos do të kryente dhunshmëm atë që ishte e paevitueshme “në kohën e paevitueshme”, kur s’do të ishte çudi, madje pritej, që me konsensus shtetëror e partiak busti të hiqej në rrugë zyrtare. Kjo metodë ishte shumë infantile për të qenë “dinake” nga ana e Ramiz Alisë, ndërsa Nexhmije Hoxha që “s’kish ditur gjë” doli nga Plenumi duke qarë, si për një “tragjedi të papritur për të”. Unë isha në zyrë, kur rreth orës 11.30 më thotë drejtori:

294

– Është mirë të shkosh Liliana se në orën 13 do të ketë revolta të mëdha, – pa më dhënë hollësi për bustin. Ashtu bëra. U mblodhëm në apartamentin tonë, sepse natyrisht nuk mund të rrinim si gjithë të tjerët pranë Nexhmijes edhe kur ajo doli nga Plenumi. Nuk ishim njerëzit e besuar të saj.

Të heshtur, të trembur, e morëm vesh se ç’po ndodhte në shesh duke u lidhur me ATSH-në. Kisha mbledhur gjunjët mbi divan e mezi mbaja veten të mos demonstroja nervozitetin nga nevoja për të dënesur thellësisht. Valbona, mbështetur pas meje, më rëndonte aq sa nuk e mbaja dot peshën e saj, por ajo ishte mënyra e mbrojtjes inkoshiente të saj dhe doemos që nuk mund t’ia prishja. Madje te shtypja fizike prej saj, transferoja nevojën e dënesës, pasi më dukej sikur më hiqte paksa intensitetin therës të dhimbjes shpirtërore.

Toli bënte ecejake në sallonin tonë. Nuk fliste askush nga ne dhe dramën po e kalonim vetëm, pa na shkuar në mend, madje pa dashur tjetërkënd pranë, se ishim mësuar të vetëm, për më tepër që nuk na donin. Befas, hyn Pranvera, e pazëshme prej vitesh me Tolin, pale me mua. Pa thënë asnjë fjalë u ul si fantazëm diku në një nga kolltukët rozë. E kuptova menjëherë që e kish dërguar Nexhmija, teksa ata rrinin të gjithë bashkë, për të asistuar (spiunuar) për situatën tonë.

Disa mbasdite më parë Edi Rama vinte në krye të turmës së improvizuar në kangjellat e jashtme të oborrit, pa hyrë realisht në Bllok, e ulërinte me të tjerët: “- Dilni nga shtëpia, gjakpirës!” etj. etj. Familja (veç nesh dhe turmës) e dinin që po luante skenarin, gjoja jo si miku i familjes së Nexhmijes e Ramizit me kontakt Teutën. Pra, Pranvera ishte e dërguara e tyre për të parë

295

si do reagojmë ne për rënien e bustit, realisht krejtësisht në obskuritet për çka ata po programonin. Me dhimbje në shpirt, por të qetë në ndërgjegje duke justifikuar turmën me devizën: “Ruaji Zot, se s’dijnë çfarë bëjnë!”, të nesërmen shkoj si zakonisht në zyrë. Nuk kisha frikë, se nuk ndieja për ta kthyer çka ndodhte në personale. Çdo ndjenjë shkatërimi e quaja pasojë të vuajtjeve të njerëzve e instiktit të çlirimit, që në turma është i papërmbajtshëm.

Më vinte keq për E. Hoxhën, por busti ishte thjesht simbol, madje i kultit të tij që nuk duhej të ishte ngritur, çka jau solli në majë të hundës shqiptarëve kundrejt varfërisë së tyre. Kështu justifikoja çdo gjë që ndodhte dhe e mendoja të vetvetishme. Më vinte shumë keq për njerëzit, duke kuptuar që s’na paskan dashur, sidomos vitet e fundit pas E.Hoxhës. I dëgjoja të gjitha monstruozitetet që thuheshin për të dhe familjen, por isha e sigurtë që ishte fushatë, e si të gjitha fushatat një ditë përbaltja do të binte. Me këtë gjendje shpirtërore e motivim për të qenë në punë, më gjen përsëri të nesërmen miku i mirë, drejtori Taqo Zoto e më thotë që duhet të largohem urgjentisht. U largova me makinën e punës.

Kësaj radhe turma kishte hyrë në Bllok. Makina kaloi përmes saj e hyri në oborin ndërmjetës nëpërmjet derës së shoferave. Dëgjoja turmën që ulërinte më tutje, te dera me kangjella e shtëpisë në hyrjen dytësore. Për t’u futur në shtëpi më duhej të kaloja krejt zbuluar në oborr përpara tyre. Befas heshtën. Më shihnin dhe i shihja. Ndjehesha paradoksalisht e fortë prej fatalitetit, dhe e tillë jam paraqitur. Heshtja ishte e thellë dhe në thyerje të saj dëgjohej

296

ndonjë zë: “- Liliana, Liliana!”. Asnjë sharje, asnjë ulërimë, vetëm heshtje dhe vrojtim instiktiv në pritje si para tornados. Në fakt, për mendimin tim, ishim kokë e këmbë në shtjellat e vorbullës që do të na rëmbente me vete me furi, për të na gëlltitur drejt qendrës së saj thithëse. Këtë mendoja në atë çast me fëmijët që më rrinin në sy. Ndoshta prej fëmijëve në sy, s’munda të ndieja frikë, veç fuqi, që ata të dy t’ia dilnin medoemos, edhe në qoftë se s’do ia dilja dot unë e Toli.

Pa ditur fare kalkulimet dinastike të familjes, për mua kishte ardhur çasti i Timishoarës. Doemos që kështu do të kish qenë, po të mos ishte loja e R. Alisë dhe N. Hoxhës, por një lojë shumë e rrezikshme. Pra, turma siç ishte e stimuluar, ashtu ishte dhe e menaxhuar. Të gjithë anëtarët e familjes ishin të mbledhur kokë më kokë pa dalë në punë, përveç meje e Sokolit, i cili u kthye njëlloj si unë urgjentisht.

Të djeshmen kishte rënë busti. Nexhmija klloçkë kishte ruajtur zogjtë e saj, kurse ne nuk na tha asnjë fjalë paralajmërimi për të mos dalë nga shtëpia. Ajo e tregonte qartë frikën se mos kontrolli iu dilte nga duart. Dhe sigurisht gjendja ishte krejt kaotike, se të pakënaqur nga regjimi ishin të gjithë, pa përmendur të persekutuarit. Kështu që programimi i tyre kish qenë një programim idiot, në vënd që situata të ishte zgjidhur në mënyrë principale me qeveri stabiliteti menjëherë me vendosjen e pluralizmit. Por ambicia për të ruajtur pushtetin vetëm në duart e tyre, pavarësisht nga aparenca pluraliste, mund të rrezikonte gjithçka për popullin shqiptar.

Nuk kam ndërmend të bëj analizë këtu, por si precipitoi situata, ishte apo s’ishte marionetë turma, midis saj mund të

297

kishte njerëz të vendosur antikomunistë, ishte pra momenti që vendimi duhej marë urgjentisht. Nuk kishte kohë. Natyrisht që duhej të largoheshim nga shtëpia, por si? Kjo ide fikse më rihte në kokë si çekan. Si të kaloja fëmijët në mes të turmës, ku natyrisht do të kishte dhe të armatosur? Nuk kisha ku të veja veç te prindërit e mi.

Të gjitha këto i mendova në fraksion të sekondës. Ia them Nexhmijes si zgjidhje për të gjithë familjen. Çuditërisht ajo e miraton fare qetësisht si ta kishte pritur. Madje kjo ide sikur i pëlqeu. Ndaj, gjoja Pranvera do të shkonte te vëllai i të shoqit, kurse Iliri do të shkonte në shtëpinë e R. Alisë. Vetë Nexhmija, e thekura e më të thekurave, tha që do të qëndronte në shtëpinë e partisë pranë asaj të R.Alisë. Ndonëse e dija që ata do të rregulloheshin midis tyre, rreth orës 12 dolëm me makinën tip “Gaz” përmes turmës, ku fytyrat e njerëzve të irrituar i shihnim nga afër, duke i rënë makinës me grusht. Iu them fëmijëve të shtrihen në shesh dhe vetë u shtriva mbi ta. Ia kërkova këtë dhe Tolit. Nuk e pranoi dhe qëndroi ulur përpara në “Gaz” në pozicionin më të ekspozuar.

E dija që i propozova të poshtërohej për ta ruajtur, por ai më bëri krenare, ndonëse nuk dija se çdo të ndodhte që nga Blloku deri te shtëpia e mamasë time, gati 500 m më tutje. Vita, ime më, po fshinte oborrin e pallatit siç e kish zakon, kur pa makinën që ndaloi me urgjencë. E kuptoi tërë situatën, ndonëse nga pallati i saj nuk shihej e nuk dëgjohej asgjë. Hodhi fshesën tutje dhe thirri: “- Ju bëftë mamaja!”. Hipëm lart në apartament. Sapo u futëm, pa mbyllur ende derën, bie telefoni. E ngre babi dhe i thonë: “Mbrapa kokës i keni plumbat”. Për të qenë më të sigurtë

298

na ftojnë në shtëpinë e tyre çifti Vasilika e Filip Kote dy kate më lart. Vasilikën e kam pasur mësuese edhe kolege te “Petro Nini Luarasi”, përveçse të bijën, Elvirën, shoqe të vjetër gjimnazi e universiteti. Iu jam përjetësisht mirënjohëse! U ndjeva paksa më e qetë për fëmijët, se cilido njeri i keq do ta mendonte dy herë për të vajtur tek një qytetar neutral e për të na sulmuar në shtëpi të tij. Ndërkaq më bie të fikët, se organizmi im nuk i përgjigjej dot gjatë fuqisë time shpirtërore. Fëmijët ishin ngjitur pas meje. Me ta marrë veten i qetësoja që s’kisha asgjë, përveçse mami i tyre kështu e kishte zakon.

Në këto kushte dalin tanket, gjoja për të mbrojtur R.Alinë nga “mësymja” e turmës gjoja për ta vrarë. Në fakt turma mbeti aty ku e lamë, vetëm te dera e hyrjes së dytë të shtëpisë të shtetit, ku kish jetuar E. Hoxha që kish 5 vjet që kishte vdekur, si dhe në bulevard. Sidoqoftë, lajmet ishin absurde e të paqarta. Por kur largohet turma edhe nga Blloku dhe bulevardi, ne kishim zbritur në shtëpinë e tim eti e rrinim në një pritje iluzive e boshllëku ankthioz, sepse ende besoja në idenë që familja e E.Hoxhës duhet të ishte e bashkuar dhe më e fortë se kurrë.

Nuk e dija që vetëm ne ishim të pa informuar dhe jo vetëm që pësuam frikën e vdekjes, por kishim realizuar kështu çka ju duhej atyre të dihej në popull: që familja e Enverit iku nga sytë këmbët. Kur realisht të tjerët ishin brenda në Bllok. Kështu nga situata që mund të prodhonte surpriza, qoftë dhe të lokalizuara, Nexhmija ne na la mish për top siç dhe realizoi diversionin e tyre në popull.

Ne nuk dinim që urdhri për të mos derdhur gjak, si gjëja më e natyrshme dhe më patriotike, ishte realisht për të ruajtur

299

familjen e N. Hoxhës e R. Alisë, i cili pa Nexhmijen ishte për t’u linçuar i pari nga ekstremi i majtë. Po ta dija këtë nuk do të kisha tmerruar fëmijët, por do rrija në shtëpi deri sa të qetësohej situata. Kurse me vullnetin tonë u bëmë pjesë e skenarit të Nexhmijes dhe Ramizit. Pas rënies së bustit asgjë s’mund ta shpëtonte R. Alinë përveç Nexhmijes.

Në këto kushte, të mbledhur te prindërit e mi pensionistë (im vëlla që do të kish qenë mbështetje e madhe për ne kishte ikur nga jeta), bie zilja e telefonit nga ora 7 e mbrëmjes dhe oficerët e shërbimit të Nexhmijes na lajmërojnë të vemi edhe ne në shtëpinë e partisë, ngjitur me shtëpinë e Ramizit, ku gjoja “sapo ishin mbledhur të gjithë” për të vendosur çfarë duhet të bënim.

Vemi sërish në Bllok, e gjejmë si gjithnjë të qetë. Fëmijët e tyre luanin në po ato ambiente që njihnim brenda Bllokut. Ndërsa të mitë të traumatizuar nga shtrirja në shesh në makinë, me vetëdijen që po i mbroja me trupin tim nga ndonjë plumb që mund të vinte nga turma, nga qëndrimi pezull prej 7 orësh tek im atë, tregonin qartë sa larg Nexhmijes, gjyshes së tyre ishin. Sepse ishte kjo që as tani nuk i vinte re ata. Morëm vesh që ajo ishte takuar kokë më kokë me Ramizin dhe Hekuran Isain. Te hyrja dytësore e kësaj vile prisnin tre kamiona “zis” ushtarake. Menjëherë na u tha që do të niseshim për në vilën e Bllokut në malin e Dajtit. Pa kuptuar ende që çdo gjë ishte e kopsitur them e tmerruar:

– Në Dajt?! Po pse aty nuk është Bllok? A ndodhemi përpara revoltës popullore? E nëse duam të mbrojmë fëmijët, duhet të vemi te njerëzit më besnikë të E. Hoxhës në popull. Vetëm

300

populli i majtë do të na mbrojë kundër popullit të djathtë, nëse do të ketë luftë civile. Dhe logjika këtu të çon! Ndaj duhet të vemi në Skrapar! Aty janë të gjithë besnikë të Enverit, madje Sulua duhet të dijë bazat më të sigurta:

– Ç’thua, – tha Nexhmija me përçmim. – Ne po na ofron Ramizi të vemi në Dajt dhe ti refuzon?

– Unë nuk i besoj aspak R.Alisë. Është ai që ka prodhuar revoltën dhe ka hedhur bustin. Gjithçka në favor të tij. Më pa me tërbim, por nuk foli.

* * *

Përsëri, për të mos “u ndarë” nga “familja”, ndonëse nuk flisnim fare me njëri-tjetrin, vendos t’i ndjek me pikëpyetje të mëdha. Nuk reshtja së analizuari që Ramizit i duhet Nexhmija për t’u mbrojtur nga ushtria që ishte ngritur kundër tij, nga Shkolla e Bashkuar në mbrojtje të E. Hoxhës, që madje donin të rivendosnin bustin e tij brenda territorit të shkollës etj. etj. Në linjë familjare nuk i fal Nexhmije Hoxhës mbajtjen e sekretit nga Sokoli dhe unë, për të gjithë veprimtaritë e tyre, sidomos pasi vdiq E.Hoxha, kur kontradiktat duhet të ishin shuar e jo ndezur.

Po të fliste hapur si me të gjithë, do të dija ç’të bëja, të veçohesha me kompromis duke mbetur pjesë e familjes që jetonim më vete e shihnim hallet tona, por ama do t’i besoja asaj për jetët tona. Ndryshe, ashtu siç na urrente ajo, ishte më pak e rrezikshme të jetoje ngjitur me të për ngushtim variantesh alibike, se sa larg saj. Edhe pse do të dinim që kërkonin pikërisht trashëgimin e pushtetit, po ta arrinin, le ta gëzonin! Se realisht këtë bënë (s’janë dot vetë ata, por janë njerëzit e tyre). Por unë

301

e Sokoli me fëmijët do të ishim qytetarë të zakonshëm, e kundër tyre s’do të ngriheshim prej thirrjes së gjakut. Madje, po të flisnin hapur, unë nuk do të mund të arrija në të gjitha konkluzionet për çka kanë demaskuar veten e tyre, sepse së paku ndaj nesh nuk do të ishin aq kriminelë.

Po të flisnim hapur do na kishin lënë të qetë pa na rrezikuar jetën siç ndodhi sa hyra në shtëpi të tyre. Rrjedhimisht, nuk do ishim më programim rreziku politik i saj, por do ishim fëmijët e saj. Ndaj, kishte zgjidhje të ndërmjetme, apo të paqme midis familjes. Me sa duket, Nexhmija ishte kaq e fundosur sa s’mund të dilte hapur, pse më kishte frikë, për pasojë fundosej, fundosej më keq. Ky ishte fati i saj, por edhe i tërë familjes, përderisa dolëm hapur për veprimtari antikombëtare të tyre prej konspiracionit të kësaj veprimtarie që sakrifikoi familjen e djalit të saj. Kështu, e tmerruar brenda vetes, hipi në zisin e tretë ku na e kishin caktuar vendin sipas radhës. Në të parin Iliri, në të dytin Pranvera dhe në të tretin mbetej të ishim ne.

Çudia e çudive, paradoksi i paradokseve, më e pashpjegueshmja e të tillave, definitivisht si e pamundur të ndodhte ishte urdhri që dëgjova me veshët e mi nga Nexhmija: “- Mua dhe Sanos na çoni nga një kolltuk në zisin e Sokolit”. Më ranë djersë të ftohta. Çfarë kuptimi kishte kjo? Ajo kurrë, kurrë s’ka ndenjur e s’mund të rrinte pranë meje. Çfarë po ndodhte? Atëherë rreziku prej R. Alisë së paku në këtë udhëtim nuk duhej të ekzistonte, se ai nuk do asgjësonte vetë Nexhmijen. Por çfarë? Sidoqoftë, e qartë si drita e diellit ishte që sado i ngushtë të ishte vetë momenti kohor për ndryshime epokash të mëdha, sado që mendohej të ishim të imunizuar nga rreziqet, prapë ekzistonte

302

mundësia për t’i konsideruar pasoja edhe anësore. Duhet të ishe budalla të besoje në parrezikshmëri të garantuar, sado të përpiqej R. Alia, sepse njerëzit ishin të irrituar dhe nuk na paskëshin dashur. Pra, ndonjë ushtar mund të të asgjësonte në emër të urrejtjes e të tensionit tragjik personal në çastin e elektrizuar, pa pritur të mendonte se çfarë do t’i duhej të bëjë nesër. Madje mund të mos ishte një, por shumë, të nesërmen më shumë e akoma më shumë.

Njëkohësisht urrejtja ime kundrejt çdo toni arrogant e sjelljeve autoritare të Nexhmijes, me kohë kishin ravijëzuar një konflikt të hapur principal për çfarë përfaqësoja unë në përmbajtjen botkuptimore, përveç natyrës time të dhimbsur për vegjëlinë ndaj të cilëve me vuajtje të pa shëruar edhe sot, pohoj që dija shumë pak. Kështu, prania e Nexhmijes në zisin tonë ishte një enigmë arrogance, për të mos thënë një qëllim i zi, i cili sidoqoftë do të mbetej joveprues, pasiv, se ajo nuk mund të vepronte kundër vetes. Kolltukun ia vunë në mes, ndërsa anash kishte nga një rresht dërasash ku uleshin ushtarët. Tmerri që Nexhmija ishte ulur me ne ishte i natyrës së vetëdijës makabre që ajo kishte bërë qetësisht, madje në mënyrë të kalkuluar paraprakisht zgjedhjen se cilën nga familjet e fëmijëve të saj do të donte të zhdukte bashkë me veten, në rast rreziku.

Personalisht jam njohur shumë herët me “Le chois du Sofie” një film me Meril Strip, së cilës në çast nazistët do t’i merrnin njërin nga fëmijët. Ajo nuk mund të linte asnjërin, por në pamundësi kohe dhe rezistence la t’i rrëmbejnë vajzën e vogël nga krahët. Nuk e dha, por la t’ia rrëmbejnë, ndërsa djalin e shtrëngonte pas vetes. Sofia nuk u shërua kurrë prej kompleksit

303

të fajit që duke e lënë t’ia rrëmbejnë vajzën, ishte sikur e zgjodhi vetë se atë do të sakrifikonte. Të kthehemi në rastin tonë. Them që donte të na zhdukte në qoftë se do t’i ndodhte gjë Nexhmijes, sepse urrejtja siç thashë mund të dilte në çdo moment jashtë kontrollit të R. Alisë, mundësi kjo qoftë hipotetike që do të synonte së pari dhe kryesisht Nexhmijen. Pra do të synohej Zisi i tretë, me propabilitet dhe synim të shpëtimit të dy të tjerave, per t’i lënë R. Alisë përsëri si garanci të njëjtën skemë të ruajtjes së pushtetit, duke u fshehur pas E. Hoxhës nëpërmjet Ilirit, ky figurë e dytë, e mundësisht trashëgimtar pas tij. Ky është interpretim do të thoni ju. Po, krejtësisht interpretim ky, por përjetimin e jetës sime, mund ta bëj vetëm unë.

Bazuar në faktin e përgjithshëm kriminale të padiskutueshëm tashmë të Nexhmijes e Ramizit. Fakt i cili copëzohet në mijra fakte jetësore ndaj kombit, ilustruar këto me tentativa asgjësimi edhe brenda në familje ndaj vetë E. Hoxhës, ndaj familjes sime filluar me Sokolin, me mua e mundësisht me Shpatin, nëpërmjet Judës, që lexohen në dritë të diellit. Ndaj, prania e vullnetshme e Nexhmijes te ne ishte gjëmë, teksa ajo nuk mund të rrinte kund me ne, se do t’i prishej rehati, se do t’i duhej të ishte e kontrolluar dhe hermetike.

Veç në vdekje mund të pranonte, për të shpëtur të tjerët nëse mund t’i shpëtonte. Pra, kjo ishte sakrificë për “të sajtë”. (Më kujtohet vite më pas, në 1998, kur vdiq im atë, Nexhmija nga që ishte në publik më merrte dorën në duart e saj. Unë e tërhiqja sikur të ma kishin futur në zjarr, pa u intimiduar nga gjithë fisi që e nderonte e që sigurisht më kritikonte më pas. Unë nuk mund të bindja kërkënd edhe sikur të merrja mundimin

304

për t’i sqaruar se kush ishte ajo, por s’mund të isha kukull në favor të lojës së saj në teatrin që bënte në publik për të mbuluar keqbërjen ndaj meje). Ziset u nisën.

Me ndjenjën e gjëmës kam rezistuar, duke vjellë nga trauma psiqike me kokë të zhytur në një batanie ushtari, sepse ishim të përzgjedhurit e saj për të rrezikuar, teksa fëmijët e mi shtrëngoheshin pas meje. Sapo arritëm në fushën përpara shtëpisë në Dajt, ende shumë larg saj, hidhem poshtë nga zisi për të marrë ajër, se do të vdisja më parë nga asfiksimi psiqik se sa nga ndonjë plumb i mundshëm. Dëbora vinte deri në gju. Kishte shumë ushtarë që ruanin. I shihja me dhimbsuri deri falenderim, njëkohësisht me dyshim, por s’mund t’i urreja kurrsesi si klone të Ramizit, se dhe ata përbrenda kishin dramën e tyre.

E lashë veten krejtësisht në dorën e Zotit, pa mundur të mendoj më, veçse fizikisht të marr frymë. Nuk pata ç’t’i bëj Valbonës që zbriti menjëherë pas meje. S’mund t’i jepja asnjë lloj shpjegimi përveç ulërimës mbrojtëse: “- Hip lart, lermë vetëm! Dua vetëm të eci, se më ka zënë makina”. Jo vetëm intuitivisht, por faktikisht, për si ju ishin sjellë familjarët, Valbona e Shpati pas vdekjes së Enverit, që 10-vjeçare deri në 15 për momentin që po flas, ishin më të vendosur se unë kundër Nexhmijes e të tjerëve. Për aq sa kuptonte Valbona nuk donte ta ruante veten pa mua.

Lexuesi duhet të dijë që me fëmijët nuk flisnim për asgjë, përkundrazi, ata duhet ta nderonin gjyshen e tyre, edhe pse realisht unë mendoja që në çdo rast ajo do të ishte garanci jete për ta. Kapur për dore në ndriçimin e yjeve që më shqetësonin

305

me bukurinë e tyre, sikur po i shikoja për herë të fundit, shkonim drejt dritave të shtëpisë, para së cilës kishin ndaluar tre zisat. Çanim dëborën me vështirësi që s’mund ta përfillnim, përpara qoftë edhe iluzionit të shpëtimit nga rreziku.

Dhimbja më kish çuar aq larg sa s’mund të ndieja e as mund të reagoja më ndaj frikës. Për momentin e injoroja atë, por kurrsesi jo për Valbonën, gjë që më përshkonte si shtizë në kraharor për mundësinë e rrezikut për të, nga ndonjë ushtar siç thashë për t’u dhimbsur e për të mos u besuar njëherësh. Fëmijët e Ilirit e Pranverës gëzonin e luanin si gjithmonë në sallonin para oxhakut me zjarr bubulak, sikur kishin vajtur për të kaluar fundjavë. Të mitë, pas asaj dite të tmerrshme, e më pas me ndjeshmërinë e perceptimin tonë që tashmë po largoheshim edhe nga Tirana, natën, në kamione të larta ushtarësh, ishin shumë të trembur.

Diferenca e gjendjes psikologjike midis fëmijëve tanë e të tjerëve ishte kaq e dhimbshme sa vetiu do mendoheshe së pari kujt i ka interesuar kjo lojë. Kjo gjendje që s’mund ta përjetojë kushdo edhe në të njëjtat rrethana ishte bindja: Nexhmija natyrisht që i kish marrë masat të mos vritej, por në qoftë se do të ndodhte diçka e paparashikueshme, apo tradhëti e mirëfilltë, ajo kishte përzgjedhur se cilin do të likujdonte nga fëmijët e nipërit bashkë me veten e saj.

Flas për tradhëti, se marrëdhënia e saj me R. Alinë ishte dashuri e dyshim reciprok njëherësh. Asnjëri s’kishte besim të plotë te tjetri dhe mundësia që secili të luante dopio rolin ishte pothuajse normale. I bashkonte veç strategjia e domosdoshme që vetëm të dy bashkë mund t’i mbijetonin jo vetëm këtij

306

momenti, por të trashëgonin pushtetin e ri. Madje, ishte pikërisht ky moment i rrëzimit të sistemit që Ramizit i duhej me patjetër Nexhmija, sepse më vonë do t’i mjaftonte Iliri me të shoqen që do të “përmbushnin së bashku amanetet e Enverit”. Iliri nuk mund të bëhej dot Enver, se Enver nuk bënte më nëna, por e shoqja mund të bëhej Nexhmije, dhe R.Alisë kaq i duhej.

Nga ana e sa, Nexhmija, e dinte saktësisht këtë gjë e cila kish qeverisur vendin nën “orientimet” e Enverit nëpërmjet marionetës R. Alia. Këto qenë kalkulimet e mia që edhe sot më duken të sakta për çka kishin kopsitur deri në ato çaste. Por që programimi i pushtetit në pluralizëm do të kishte të njëjtën strategji veç me teknikë pluripartitiste, s’më shkonte mendja kurrë. Me vendosjen e pluralizmit isha e sigurtë që shqiptarët fituan lirinë e vërtetë dhe kësisoj u shfaq në horizont mundësia europiane e lëvizjes së lirë e prosperitetit. Por e kisha gabim. Ata nuk e lëshuan kurrë pushtetin. Këtë e kam kuptuar nga ’94ë e këtej, kohë kur përpiqesha me çdo kusht të bashkonim familjen për t’i bërë ballë revanshit antikomunist.

Por familja vetëm na përdorte, gjë që e kuptuam kur Iliri hyri në burg me alibi një intervistë për Enver Hoxhën ku e barazon me R. Alinë. Por realisht, underground, për tregti armësh dhe protagonizëm për përmbysje të pushtetit me dhunë, duke pregatitur kaosin e ’97-s me ndërhyrjen e vendeve fqinjë. Kohë kur hapen burgjet, lirohen R. Alia, F. Nano e gjithë të tjerët në funksion të përmbysjes së pushtetit të Berishës. Përveç faktit evident që pluralizmi mbajti në pushtet po ato fytyra, nga ishnomenklatura komuniste. Ndërsa dëshira e çdo njeriu normal ishte që Shqipëria duhej të ndërronte fytyrë, jo thjesht nga numri

307

i partive, por kryesisht nga vizioni progresiv i politikanëve me ide të reja dhe program të qartë politik drejt ëndrrës europiane.

Ndërkaq, unë nuk e desha veten që ishim të strehuarit, të shpëtuarit e R.Alisë, për absurditet sërish në shtëpitë e shtetit, këtë radhë në Dajt. Si ajo ku kishim jetuar e kishin lindur fëmijët e Enverit e nipërit e tij, si ajo ku po qëndronim atë natë të tmerrshme, siç thashë vetëm për mua e Sokolin, se të tjerët ishin të informuar qartësisht. Ndërkaq deviza të mos derdhej gjak, u arrit dhe kjo ishte kryesorja.

Nuk ka motivim më të fortë për individin e zakonshëm se shpëtimi i vetvetes, pra ishte krejt e justifikueshme që R. Alia e N. Hoxha vetëm së bashku do t’i shpëtonin linçimit dhe për pasojë Shqipëria nuk do të skuqej nga gjakderdhja prej rrezikut të luftës civile. E ndërgjegjshme për çka thashë, përse nuk kënaqesha dot? Sepse ndieja fort që rezultati ishte pozitiv, por undergroundi ishte negativ. Sepse pas ’90-s shqiptarët pësuan vrasje të vazhdueshme, sistematike me humbje prej mijëra personash.

Vetëm ’97 ka shënuar 3000 të vrarë, çka absolutisht nuk është më pak se një gjakderdhje për shkak të një lufte civile. Duke iu kthyer temës sonë, pra duke menduar që Ramizi e Nexhmija ruajtën njëri-tjetrin, për pasojë shpëtuam edhe Sokoli, unë e fëmijët tanë, mbetur gjithmonë vetëm me idetë e mia, pa ditur çfarë kurdisnin të tjerët, s’kisha asnjë iluzion për t’u kthyer në Tiranë, por për të ikur nga sytë këmbët për fëmijët. Me motivin se sot na mbrojti Ramizi apo Garda, po nesër kush do të na mbrojë?! Toli mendonte se kishte mik Hajdin Sejdinë, i cili kishte ardhur për vizitë i ftuar nga Nexhmija dhe propozoi që t’i

308

themi atij të vinte e të na merrte të nesërmen në mëngjes me charter. Nexhmija çuditërisht e pranoi pa i lëvizur asnjë nerv që ishte e drejta jonë të iknim, por ajo do të qëndronte në Shqipëri që të mos krahasohej me ikjen e Zogut (e njëherësh do të kish shpëtuar edhe nga ne, përveçse do të ishim të turpëruar në popull), sërish përfitim i saj kundër nesh, e sigurt që të sajtë nuk do t’i lejonte kurrë të largoheshin, për programimin në fjalë të mbajtjes së pushtetit.

Për ikjen tonë çuditërisht duhej të merrte lejen e R. Alisë, i cili në këtë rast “më i ndershëm” se ajo për të gjithë familjen e E. Hoxhës tha: “- Është në të mirë të familjes suaj që të mos ikni”. “Shumë i lartë si qëndrim”, pasi kishte situatën në dorë dhe e ndalon Hajdin Sejdinë (që personalisht i kish premtuar Sokolit) të vinte të na merrte. Si mund të iknim nga atdheu, kur qoftë edhe fshehur popullit na ruajti R. Alia pse i duheshim, por edhe pse s’mund të fluturonte miza nën regjimin e tij, jo më një charter në mes të Gardës së Republikës. Kështu, Nexhmija e pati shumë të shkurtër iluzionin e vjetër për të shpëtuar nga ne. Theksoj që kështu mendonim vetëm ne të dy që përjetonim dramën si të ishte e vërtetë e jo si “mise en scene” me mësymjen e turmës për rënien butë butë të regjimit komunist. (Madje dua të vë në dukje që disa ditë më vonë kur sulmi fizik në lidhje me familjen tonë ishte nën kontroll Nexhmija më lutet që të mos iknim nga Blloku, se Ramizi i kish premtuar që të rrinim të gjithë, në apartamentet që kishim dhe t’i linim shtetit vetëm shtëpinë e vjetër e ambientet e reja të E.Hoxhës.

Them më lutet, se unë i prishja krejt planin duke vendosur që në ’89-n për t’u larguar nga Blloku, madje këtë gjë ia kisha

309

thënë dhe R. Alisë në dy takimet e famshme në zyrën e tij në vitet ‘89-‘90. Aty kam kuptuar që Nexhmija sa i duhej atij aq edhe e pengonte, sepse R. Alia qeshi i çliruar nga vendimi im, që sipas tij do sillte dashje pa dashje të njëjtin vendim edhe nga të tjerët. Por Nexhmija kishte pretendime, deri sa ai frikacak apo i detyruar, pranon diktatin e saj. Variant të cilin ia prisha unë duke u munduar t’i bind të gjithë: “ – Unë do të iki medoemos, por ju them që duhet të ikim të gjithë! Deri më sot nuk e dinim, por sot e dimë që populli duhet të qetësohet së paku nga disniveli prej privilegjeve tona. Duhet të vemi në banesa popullore. Nuk duhet të ekzistojë më shtresëzim i diferencuar!”. Nuk ma vunë veshin, por më urryen edhe më shumë që iu prisha planin për të jetuar të gjithë atje ku kishim banuar, pra sërish në shtëpinë e shtetit për E. Hoxhën. Sepse Alia ishte dredharak: o të gjithë, o asnjë!

Megjithatë familja e Nexhmijes mbeti në Bllok në vilën 6, nga ku siç i kisha paralajmëruar në ’92-n i çuan te pularia. Kurse ne ishim sistemuar me kohë në shtëpinë e prindërve të mi. Tek vila 6 në ato vite u vendos OSBE. (Përsëri një parantezë në funksion të narrativës për “ligjin” “o të gjithë, o asnjë”. Në ’93n Iliri me Teutën, lidhen me njëfarë Xhakomo, burrë në moshë, mafioz prej Siçilie i cili jetonte në shtëpinë e tyre dhe dëshmonte për një pasuri të shfrenuar. Si antikomunist i tërbuar fliste kundër Enverit në sy të Ilirit dhe si mik specifik i Teutës iu kish falur një benz që për atë kohë nuk ishte pak.

Nexhmija ishte në burg, kurse Alia si president ishte “distancuar” nga familja e Xhuglinit. Ishte ai moment kur Teuta na propozon të shkojmë ilegalisht me skafin e mikut të saj në

310

Siçili. Tashmë që kisha kaluar çastin qorr kur mund të ndodhte gjithçka, në asnjë mënyrë nuk desha të largohesha nga Shqipëria. Ndaj i them asaj: “ – Ikni ju, ne nuk vimë”. Përveçse budallaqe siç e njoh, nuk pati asnjë lloj maskimi për të fshehur presionin flagrant pas të cilit sigurisht që hapej një tjetër lojë. Sepse pas disa kohësh i them: “-Përse nuk ikët?”. Ajo përgjigjet: “- Por Xhakomo tha: “O të gjithë o asnjë !”. Pra, ne sërish iu kishim prishur punë. Ndërkaq, ata mund të mos dinë çfarë na propozoi Xhakomo në të vetmin takim të posaçëm me mua dhe Sokolin të kërkuar prej tij.

Na propozoi neve si familje, sipas tij e denjë në krahasim me të Ilirit, duke na ekspozuar pasurinë e sarajet e tij me 26 banja. S’kishte gjë më qesharake kur theksonte: “- Liliana, 26 banja që as në ëndërr nuk i ke parë!”. Kështu, natyrisht ai synonte të na tërhiqte ne duke na siguruar sipas tij gjithë jetën. Pra sërish qëllimi për të na larguar ishim pikërisht ne, pavarësisht nga metodat, iluzionet e përfitimet e veglës Teutë.

Më fal i dashur lexues për këto ndërhyrje gjithmonë funksionale për temën që po shtjelloj si e pamundur të rrjedhë pa krijuar xhepa. Jemi sërish në atë mbrëmje pranë oxhakut bubulak në Dajt, që sfidonte dramën time shpirtërore. E dërrmuar s’mund të bëja gjë tjetër, veç të shkruaja.

Nexhmija e kuriozuar me shqetësim të madh më pyet: Mban shënime Liliana? Natyrshëm iu përgjigja: – Po, është antistres për mua.

Të nesërmen në mëngjes Nexhmija na mbledh në “konsultë” familjare ku rolet e qëndrimet ishin përcaktuar, por duhej ditur qëndrimi im e i Tolit. Si i paracaktuar foli vetëm Klementi i cili

311

propozoi: – Këtej e tutje të ulim kokat! Flakë për flakë i përgjigjem e revoltuar për këtë pozicion të arrogancës së tyre të zakonshme kthyer kokposhtë: – Të ul kokën?! Përse? Deri dje isha krenare për E. Hoxhën dhe brenda një nate të mos jem më?! Çfarë kam bërë unë? Kam punuar ndershmërisht, s’kam abuzuar kurrë me emrin e Enverit, kam ndihmuar njerëzit në nevojë duke mbyllur dhe një sy kundrejt rregullave strikte të komunizmit. Se ra komunizmi dhe na përzunë nga shtëpia të ndjehem unë e fajshme? Përkundrazi! Por duhet të jem vigjilente për fëmijët e mi nga revanshi i paevitueshëm, kjo po. Këtë duhet të bëjmë!

Nexhmijes nuk iu dëgjua zëri, sikur të mos ishte fare aty. Mbledhja (i bie mbledhja e dytë konspirative me të tërë familjen pas asaj të B. Ballukut) u mbyll me ligjëratën time. Askush nuk mundi të shtonte gjë, se ata e dinin rrugën e tyre, por duhej të njihnin rrugën tonë.

Klementi vetëm sa provokoi reagimin tim. Ditën tjetër kur zgjohemi në mëngjes marim vesh që Nexhmija kish zbritur në Tiranë në mbledhjen e famshme me kuadrot partiake nga e gjithë Shqipëria për t’i kërkuar llogari R. Alisë për rënien e bustit e mbrojtjen e figurës së E. Hoxhës. Kjo sipas orientimit të vjetër partiak të Alisë e Nexhmijes që “Enver Hoxhën do ta shajmë vetë, ai i kishte të gjitha fajet”. Pra komunizmin do ta shanin formalisht, se realisht komunistët më të parë ishin vetë ata. Lajmi që Nexhmija kish zbritur në Tiranë (kur siç thashë nuk dija se çdo të bëhej me ne) më revoltoi pamasë duke më shqetësuar më fort se ku po e fut veten kjo grua dhe pse po rrezikon tërë familjen e Enverit. Kur kjo familje që pas vdekjes së tij duhet të ishte e nderuar ose jo, në mes të popullit. Fëmijët e gruaja e tij

312

duhej të mbeteshin qytetarë të zakonshëm. E pra, kjo ishte dita kur Nexhmijen për pasojë dhe familjen, e urryen më shumë se kurrë edhe të majtët edhe të djathtët.

E përzënë nga shtëpia e saj, strukur në shtëpinë tjetër të shtetit prej R. Alisë në Dajt, zbret për të qenë në krah të atij, që kishte zvaritur bustin e E.Hoxhës, për ta mbrojtur nga “persekutuesit”, nga shqiptarët e ndershëm e të thjeshtë që i kishin shërbyer me besnikëri e devotshmëri E. Hoxhës për 40 vjet, kurse asaj e R. Alisë për 45 vjet. Qëllimit të çastit Nexhmija dhe Ramizi ja arritën. Edhe atij afatgjatë, për t’u qeverisur Shqipëria nga vendet fqinje, ja arritën. Por jo me trashëgimi dinastie siç donin, se rezultuan njerëz të paaftë kundrejt më të aftëve që jua rrëmbyen pushtetin nga duart, edhe pse nëndheshëm mbetën vartës të tyre. Kështu, pas 5 ditë qëndrimi në Dajt, zbresim në Tiranë e mblidhemi sërish në vilën e partisë përkrah shtëpisë së R. Alisë.

E vetme, Nexhmije Hoxha strehohet te vila 4 pranë Pallatit të Brigadave, për aq kohë sa të sitemoheshim përfundimisht. Siç thashë, ne te prindërit e mi e të tjerët te vila 6 (OSBE). Zbritëm, se sipas R. Alisë ishte krejtësisht nën kontroll situata. Natyrisht, duke i dhënë kënaqësinë popullit të revoltuar, që familja e Enverit tashmë e persekutuar ishte shpërndarë nga sytë këmbët. Madje me të cilën ai “s’kishte më punë”. Unë e Sokoli ikëm gati menjëherë nga shtëpia e partisë, pasi siç thashë ishim rregulluar me kohë te prindërit e mi. Vështirësitë ishin shumë të mëdha. Përballeshim të ndërgjegjshëm me përbuzjen e njerëzve në rrugë, çka e hasnim përditë, sepse dilnim qëllimisht përditë, për t’u ambientuar me atmosferën e egër sociale që na

313

priste në epokën e re. Por ishin edhe vështirësitë ekonomike, sepse jetonim vetëm me pensionin e prindërve. Falë babait, E. Hoxhës, që më kish thënë vitet e fundit: “Mblidhni lekë Lilianë”, kishim kursyer ca nga rrogat.

Kështu arritëm të privatizojmë shtëpinë e prindërve gati falas, sipas vendimit të Berishës në atë kohë. Kur erdhën tatimorët të vlerësojnë plaçkat që kishim marrë me çmimet e tregut në atë kohë, kuturisëm pa shpresë të kërkojmë asistencë sociale, se askush nuk na merrte në punë. Sigurisht që ata jo vetëm s’na përfillën, por na konsideruan të pasur, prej cilësisë së orendive që kishim. Atëherë iu thashë: “- Kolltukët nuk hahen”. Ata u përgjigjën: “- Shitini që të hani!”. Gjithçka e them pa dhimbje, siç edhe e kam ndjerë në atë kohë sipas logjikës së situatës. Ne ishim të përmbysurit, dhe kishim shpëtuar për mrekulli krahasuar me viktimat e komunizmit.

Përveç rrezikut të momentit të stimulimit të turmave, ruajtja jonë erdhi prej vetë popullit shqiptar. Asnjë rrezik apo keqbërje nuk patëm nga shqiptarët antikomunistë. Kështu mësova të njoh fisnikërinë e tyre. Ndërkaq pjesa tjetër e familjes vazhdonte të rrinte pranë R. Alisë. Më poshtëruesja për ta ishte se shkonin fshehur e rrinin si minj në ish-shtëpinë e Enverit me grila të mbyllura ditë e natë, sikur aty nuk kishte më njeri. Kjo për shumë kohë, sa të mernin qetësisht çfarë do iu duhej.

Këtë gjë ne e kishim zgjidhur me kohë me ndihmën e shokëve të Tolit, kur jetonim normalisht në atë shtëpi, me lealitetin ndaj të gjithëve e sidomos ndaj ndërgjegjes: që do të largohemi e do të na duhen këto sende, të cilat do t’i paguajmë, ashtu siç edhe ndodhi. Pra, gjithë ky kalkulim konstant fshehur nesh i tyre,

314

edhe në prakticitetitn qoftë edhe poshtërues për ta, ishte i çuditshëm e theksonte gjithmonë e më shumë absurditetin: pse na përjashtojnë nga gjithçka që duan e na afrohen pa turp kur kanë interesa ndaj nesh?! Siç ishte rasti i Pranverës kur ra busti, apo i Nexhmijes që na caktoi me gisht të vdisnim bashkë me të etj. etj. Por, sidoqoftë çka më pulsonte më fort në kokë ishte: familja medoemos duhej bashkuar, qoftë  duke sakrifikuar unë edhe më tepër  nga ç’kisha provuar deri më atëherë.

Sido të më kishte ardhur jeta, në vuajtje e gëzime, kisha përjetuar çdo moment kohor, që njëherësh ishte dhe historik përtej kufijve të jetës sime të vogël. Por për këtë më ishin dashur sakrifica. Në epokat historike nganjëherë, apo për dikë, sakrifica personale nuk mjafton. Rastet kërkojnë herë herë edhe sakrifica sublime. Asgjë nuk ndodh vetë, apo cilado çështje të zgjidhet vetiu. Pa paguar diçka, apo shumë, apo gjithçka.

Por për jetën që kishim përpara, në përballje të revanshit antikomunist, e të luftës brenda llojit (prej politikës), madje brenda familjes së Nexhmijes, duhet të ruanim medoemos unin tonë, që në çdo rast s’do të kishte të bënte me ideologjitë.

315